Gjykata Helene kërkon Neritan Cekën, u përplas me makinë në Greqi

16

neritan cekaProkuroria dhe gjykata greke janë duke kryer hetime ndaj ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, në lidhje me aksidentin rrugor ku ai është përfshirë muaj më parë në Greqi. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të gazetës “Panorama”. Në qershor 2013, autoritetet greke kanë sjellë në Shqipëri, me anë të një letërporosie, kërkesën për të marrë në pyetje ambasadorin shqiptar në Itali. Pas mbërritjes së dokumenteve greke në Ministrinë e Jashtme dhe të Drejtësisë, dosja është përkthyer dhe i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo e fundit e ka dërguar dosjen në Prokurorinë e Tiranës, së cilës i është kërkuar të marrë në pyetje ambasadorin për llogari të hetimeve që zhvillohen në Greqi. Pasi ka marrë dosjen e ardhur nga Greqia të përkthyer në gjuhën shqipe, Prokuroria e Tiranës ka nisur veprimet për vënien në zbatim të kërkesës së lëshuar nga autoritetet greke. Në korrik 2013, kryeprokurori i atëhershëm i Tiranës ka firmosur një njoftim për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, si institucion epror i ambasadorit shqiptar në Romë. Prokuroria kërkonte që më datë 25 korrik 2013, ambasadori i Shqipërisë në Romë të paraqitej në Tiranë për të dhënë shpjegime në lidhje me aksidentin e ndodhur në Greqi, ku ai ishte përfshirë muaj më parë.

Burimet kanë thënë se për aksidentin ku është përfshirë Neritan Ceka, gjykata e Kallamatës ka nisur një proces penal të lidhur me një proces civil. Në gjyqin civil, mësohet se pronari i makinës së përplasur me mjetin e Neritan Cekës ka kërkuar dëmshpërblim për dëmtimin e makinës së tij.

“Aksidenti ka qenë me pasoja të lehta, por ka lindur problemi i zhdëmtimit të dëmit të pësuar nga makina e shtetasit grek. Ai ka ngritur padi në gjykatë pasi ka pasur probleme me siguracionin e makinës së shtetasit shqiptar Neritan Ceka, për shkak se nuk i është mbuluar gjithë dëmi i bërë”, thanë burimet. Sipas tyre, gjykata greke e Kallamatës ka pranuar padinë e bërë dhe procesi gjyqësor pritet të fillojë më 25 shtator 2013.