Llalla: Antikorrupsioni, përparësi. Arvizu: Tranzicioni ofron mundësi

53

arvizuAmbasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu inkurajon njësitë e përbashkëta hetimore që të hetojnë rastet e korrupsionit, pavarësisht trysnisë dhe presioneve që mund të hasin gjatë punës.

Gjatë fjalës së tij në takimin me 7 njësitë speciale të hetimit, ambasadori amerikan thekson rëndësinë që faza e tranzicionit politik të mos shikohet vetëm si sfidë, por edhe si një moment që ofron mundësi të reja.

“Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojmë tek një qasje rajonale dhe kombëtare. Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është si një fshat ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Zyrat hetimore mund të ndjejnë trysni kur hetojnë, por në këto kushte hetimin mund ta bëjë një zyrë tjetër. Kjo është një kohë tranzicioni në Shqipëri, dhe tranzicioni vjen me sfida por dhe mundësi. Ne si ambasade e SHBA e kemi përdorur këtë kohë për të folur me ministrat e rinj, kryeprokurorin, në mënyrë që ta shohim si mundësi për të adresuar të gjitha ndryshimet që të luftohet korrupsioni.” – tha ambasadori Arvizu.

Ambasadori Arvizu theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar rastet e korrupsionit dhe të për të mos paguar më ryshfet.

“Gjyqësori është një institucion më pak i besuar pasi shumica e shqiptarëve e shohin atë si të korruptuar. Ndjekja penale e suksesshme kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë që të denoncohen rastet e korrupsionit nga publiku. Është me rëndësi nisja e një fushate për të bindur shqiptarët të reshtin të paguajnë ryshfet” – deklaroi ambasadori Arvizu.

Nga ana e tij, kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi vendosmërinë e institucionit që drejton për të vijuar luftën ndaj korrupsionit. Prokurori i Përgjithshëm tha se “antikorrupsioni do të vijojë të qëndrojë në vijën e parë të betejave tona”.