Shpërthimet në veri të Mitrovicës, antifushatë e grupeve ekstremiste serbe

52

shperthim_ne_veri_te_mitrovice500Situata e sigurisë në javën e fundit në veri të Mitrovicës ka qenë më e tensionuar për shkak të shpërthimeve që kanë ndodhur, raporton Kohanet. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se shpërthimet e fundit që kanë ngjarë në veri kanë qenë të orientuara kundër personave që janë në listat e subjekteve serbe që pritet të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit. “Ka kohë që ka nisur antifushata e grupeve ekstremiste serbe kundër zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pas afisheve, tash kanë nisur edhe sulmet me qëllim të frikësimit të qytetarëve serbë që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Drejtori Bala, theksoi se pikërisht kjo antifushatë dhe këto incidente që janë duke u bërë, duhet të shërbejnë si arsye për rritjen e masave të sigurisë në veri. “Këto incidente mund të intensifikohen me afrimin e zgjedhjeve, prandaj strukturat e sigurisë duhet të jenë shumë më të vendosura për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve edhe në atë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Në takim u theksua se fushata elektorale në jug të qytetit është duke shkuar mirë dhe deri me tani nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.