“Armët”, analistët amerikanë: Refuzimi, një shans i humbur. SHBA, shpresa të forta tek Shqipëria

43

analistet amerikanePas vorbullës së ngjarjeve të javës së kaluar që u mbyll me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Por më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë kombëtar. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi, dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër – shkruan Zeri i Amerikes.

Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë, nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit. Megjithatë, thotë Kurt Volker, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit McCain, kjo ishte një mundësi për Shqipërinë…

“…Për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, thotë zoti Volker.

Kurse Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshilllin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur

“Është një shans i humbur sepse një vend si Shqipëria nuk e ka çdo ditë rastin që të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhenie, duhet të kontribuosh më shumë”, thotë ai

Volker thotë se Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm.“Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndërmerrnin disa hapa për të mbështetur Shqipërinë në procesin e menaxhimit dhe shkatërrimit të këtyre armëve, përfshirë një element financiar, një përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë me çështje të tjera spastrimesh lëndësh të mbetura nga periudha e komunizmit”, thotë zoti Volker.

Për zotin Brzezinski, djalli është gjithmonë tek detajet.

“Por po të vija vetem në pozitën e Tiranës, unë mund të kisha thënë: Ne jemi të prirur ta bëjmë një gjë të tillë, por do ta bënim me kushtin që të kemi siguri se këto materiale do të menaxhohen në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik, që të ketë masa të fuqishme dhe të shprehura qartë sigurie dhe së dyti do të ishim të interesuar që të dinim: nëse ne e bëjmë këtë për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, çfarë tjetër mund të bëhet për të thelluar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?”

Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington. Kjo për arsyen se siç e tregoi edhe intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve është përparësi për administratën e Presidentit Obama.

Duke u nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit, zoti  Volker nënvizon se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar.
“Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur – në këtë rast eliminimin e armëve kimike – atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”.

Për zotin Volker, fakti që kryeministri Edi Rama nuk foli më parë me publikun për këtë çështje mund të ketë të bëjë me faktin se jo që në fillim ishte e sigurt se Shqipërisë do t’i kërkohej ky bashkëpunim dhe diskutimi u bë më urgjent pasi disa vende të tjera refuzuan. Ai thotë se i takonte qeverisë, kryeministrit të përcaktonte se çfarë mendonte ai që Shqipëria do të arrinte dhe se çfarë do të mbështeste. Po ashtu ai mendon se edhe qeveria amerikane duhet të kishte qenë më e kujdesshme.

Për zotin Brzezinki problemi qëndron diku tjetër. “Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë”.

Të dy ekspertët thonë se gjithmonë ekziston një rrezik nga menaxhimi i armëve dhe lëndëve kimike, por zoti Brzezinski sqaron se eiliminimi i tyre është bërë në shumë raste më parë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët duhet ta kishin dëgjuar një gjë të tillë.