Ana e panjohur e Sokol Olldashit

76

sokol olldashi1Ish-studenti i juridikut do të zgjidhte gazetarinë, për disa vite rresht pranë ATN1-it dhe ATSH-së, ndërsa për shkaqe të “angazhimit emocional”, vendosi në vitin 2000 ti futej pak e nga pak politikës, si gazetar, e paralelisht si nënkryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Sipas Sokolit gazetar, “i paanshëm nuk kishte qenë kurrë, ndërsa i pavarur po”. U luhat kështu një copë herë, midis artikujve dhe ndjenjave, ndërsa ngeli përfundimisht në politikë, dhe si dihet deri kur…

Kush ka qenë kumbari dhe pse pikërisht një emër shqiptar…Sokol?!

Vëllai im i madh, Ardiani, i cili duke qenë se kur linda unë ka qenë vetëm katër vjeç, por nuk besoj se ka menduar kaq thellë sa pyesni ju. E vetmja gjë që mund të them është se mua më pëlqen ky emër. Më pëlqejnë emrat shqiptarë, dhe të tillë u kam vënë edhe djemve të mij. I madhi quhet Glauk dhe i dyti Kleit, të dy emra me prejardhje ilire.

Shumë njerëz thonë për ju që nuk para qeshni!

Është perceptim i gabuar. Kushdo që më njeh sadopak, e di që unë vetëm “i sertë” nuk jam. Aq më pak përpiqem të tregohem autoritar me njerëzit. Nuk besoj se autoriteti buron nga të qenit harbut. Unë natyrisht që qesh, por kur ka diçka për të qeshur. Nuk qesh dot kot, dhe as nuk shtirem dot sikur qesh. Nëse ky është faj…

Një ditë me fëmijët në familjen e “babi Sokolit”?

Përpiqem që me fëmijët e mi të kem marrëdhënie shokësh, veçanërisht me djalin e madh, Glaukun. Shfrytëzoj sadopak kohë për të luajtur me ta. Nuk i gënjej kurrë dhe kjo më kushton kohë, sepse herë pas here ata arrijnë të më shkëpusin premtime që më pas, më duhet t’i mbaj. Pra, i ndjek cdo ditë ata. Lexoj cdo ditë fletoren e komunikimit që ne kemi vendosur me mësuesen e djalit të madh Glauk, që është në klasë të parë, dhe dëgjoj çdo ditë “relacionin” e djalit të vogël, Kleit, për ato çka ka mësuar në kopsht.

A i keni bërë pyetje (apo e keni kuptuar) fillimisht gruas tuaj, Enkelejdës, se çfarë bindje politike kishte ajo?

Nuk ka qenë e vështirë të kuptoj bindjet e saj, por gjëja që kam vlerësuar më shumë është se ajo është një njeri i drejtë dhe me principe të forta. Kam vlerësuar gjithnjë edhe mirëkuptimin e saj për jetën time, që është gjithnjë shumë e ngarkuar.

A merrni shpesh herë reagime nga kundërshtarët apo admiruesit, të panjohurit në rrugë, apo qoftë edhe në lagjen tuaj?…

Unë jam njeri që lëviz shpesh i pashoqëruar dhe kjo më bën që të kem kontakte të shpeshta në rrugë edhe me njerëz që nuk i njoh. Kanë opinione të ndryshme, mendime të ndryshme. Ndodh që kanë edhe vërejtje. Në të gjitha rastet i dëgjoj me vëmendje dhe përpiqem të shpjegoj pozicionet. Është gjithnjë një eksperiencë e këndshme. Madje, edhe në rastet kur është e lodhshme…

Mos vallë suksesi tuaj në Ministrinë e Brendshme ishte tepër i madh, ndërsa nuk u mjaftuat me këtë por vijuat me një sfidë tjetër, – atë të Bashkisë së Tiranës? Jeni një person që nuk kënaqet kurrë dhe kërkon “vetëm perfekten”?

Unë nuk kërkoj perfeksion dhe as mendoj se jam i tillë. Jam njeri si të tjerët, me cilësitë e mia, por edhe me veset e mia. Besoj tek e mundshmja dhe kjo më bën njeri optimist. Për sa i përket detyrës së Ministrit të Brendshëm, është e vërtetë që pata rezultate mjaft të mira, por jo surprizë. Kam besuar se ishin rezultate të arritshme, që ditën e parë që z. Berisha më ofroi atë funksion në kabinetin e tij. Në të njëjtën mënyrë, besoj se Tirana është një qytet me të ardhme, që është një qendër që pavarësisht dëmeve që i janë bërë, mund të përmirësohet, për t’u bërë një shtëpi harmonike për të gjithë banorët e saj.

A e ndiqni sportin dhe kush ekip ju pëlqen!? A ju bashkohet ndonjë politikan tjetër?

Ndjek sa herë kam mundësi ndeshjet e futbollit. Jam tifoz me Italinë dhe me Juven. Ndeshjet e botërorit i ndoqa në shtëpinë e zëvendës-ambasadorit Italian, ndërsa ndeshjet e Juves i shoh gjithnjë vetëm. Shkoj ndonjëherë në stadium të shoh Tiranën me Bamir Topin, që është edhe presidenti i Tiranës.

Keni urrejtje dhe pëlqime në këtë jetë?

Nuk ka asgjë që urrej, kurse lista e gjërave që më pëlqejnë është aq e madhe sa do të më duheshin ditë t’i shkruaja. Për shembull, më pëlqejnë jashtëzakonisht udhëtimet me makinë. Tri vitet e fundit pushimet e mia janë një udhëtim i gjatë me familjen, pa asnjë plan dhe pa asnjë prenotim. Ndalojmë aty ku lodhemi, hamë aty ku na merr uria dhe flemë aty ku na zë nata. Është metodë shumë e mirë për të parë ato pjesë që rutina e përditshme nuk të lë t’i shijosh. Urrej avionët dhe të gjendurit në lartësi.

I ruan ende lidhjet me shokët e fëmijërisë…apo tashmë politika nuk ua lejon qoftë edhe një kafe miqësore me ta? A janë bërë disa prej tyre politikanë, ashtu si edhe ju?!

I ruaj lidhjet me të gjithë shokët e mi të fëmijërisë, ndonëse disa prej tyre jetojnë që nga viti 1991 jashtë Shqipërisë. Komunikoj rregullisht në telefon apo e-mail me ta. Përsa i përket atyre që gjenden këtu, takohem rregullisht dhe këshillohem rregullisht. Asnjë prej tyre nuk merret me politikë, kështu që unë përfitoj nga ky fakt që të këshillohem nga ata, si njerëz që e shohin politikën nga larg.

Në qoftë se nuk do të përfshiheshit në politikë, në çfarë pozicioni social do të ishit sot? Mos ndoshta do të zgjidhnit midis gazetarit apo avokatit? 

Besoj se do të vazhdoja të isha gazetar. Është një profesion që më pëlqen. Për më tepër diferenca mes gazetarisë politike dhe vetë politikës, nuk është shumë e madhe. /Marrë nga ATSH/