Jahjaga takim me zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee

46

jahjaga dhe zv sek shtetit amerikanPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot me zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee. Jahjaga dhe Yee biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, atë të integrimeve evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje zëvendës ndihmës sekretarit të ri të shtetit të SHBA-së, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-në në të gjitha fushat dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së SHBA-së për zhvillimet demokratike në Kosovë. Ajo tha se vazhdimi i pranisë së SHBA-së në Kosovë dhe në rajon është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Duke vlerësuar intensitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Evropës Juglindore në vitet e fundit, presidentja Jahjaga tha se hapa të rëndësishëm në këtë rrafsh janë bërë posaçërisht me dialogun e zhvilluar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që është lehtësuar nga BE-ja, njofton kumtesa nga Presidenca.

Presidentja Jahjaga theksoi se prania e SHBA-së në procesin e dialogut, përkrah lehtësuesit të tij në këtë rast BE-së, si dhe në të gjitha proceset e tjera për Kosovën është e domosdoshme.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së, Hoyt Yee, ndërkaq vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë atë në proceset nëpër të cilat po kalon, dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit dhe të thellojë reformat e saj të brendshme. Ai tha se SHBA do që të shoh Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit pjesë të BE-së.