PD: Kryeministri nxjerr në shesh administratën që ta duartrokasin

38

vorspiPartia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, për presion ndaj administratës publike. Vorpsi tha se, kryeministri i ka detyruar punonjësit e administratës të marrin pjesë në një miting që do të zhvillojë ai sot pasdite.

“Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një miting me administratën publike, ndërkohë që qindra e mijëra punonjës janë urdhëruar nga shefat e tyre që të  jenë prezent. Kundër vullnetit të tyre, nëpunësit do të jenë të detyruar të duartrokasin sot Kryeministrin pas orarit zyrtar të punës, sepse shefit të madh i nevojiten ovacione në krye të 100 ditëve me bilancin më të dështuar në historinë e qeverive shqiptare.  Ka qenë përbetuar Edi Rama se asnjëherë nuk do të detyronte administratën që ta ndiqte atë pas, por sot shefat e ministrive e të institucioneve të  tjera kanë bërë gati në mënyrë ushtarake listat e pjesëmarrjes, listat e  duartrokitjeve të sforcuara”, theksoi zëdhënësja e PD-së.

“Kryeministri Rama e bën këtë takim me administratën, teksa ka qenë për  më shumë se 3 muaj në krye të operacionit të spastrimit të nëpunësve civilë  e profesionistëve, e zëvendësimit të tyre me militantë të pagdhendur, si   shpërblim për fushatën elektorale.  Kryeministri Edi Rama bën takim me administratën, pasi ka larguar mijëra   specialistë, zonjë e zotërinj të përkushtuar në detyrë, dhe i ka zëvendësuar ata   me duartrokitësit e orës 5.  Sot administrata ka nevojë për ligjshmëri, për forcim të kapaciteteve, për  stabilitet. Këtë kërkon integrimi evropian dhe partnerët tanë. Mitingjet qeveritare, demagogjia për të fshehur terrorin mbi nëpunësit civil, dhe farsat e konkurseve që sjellin në drejtim të arsimit drejtuesit e partisë socialiste, janë e kundërta e nevojave të vendit”, tha Vorpsi.