Eksploziv automjetit të Perfektit të Vlorës para Kryeministrisë

48

kryeministria

(Perditësuar) Ministria e Brendshme ka njoftuar se sot, më datë 13.12.2013, rreth orës 09:30 automjeti tip “Peugeot” me targa “TR 5066 N”, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë. Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi.

Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv.

Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga këqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gram eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatore dhe një celular. Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit.

Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje.