Kodheli-Imamit: Hipe në tank të rrëzosh Berishën dhe zbrite për t’iu gjunjëzuar atij

47

mimi-kodheliSeanca parlamentare e ditës së sotme u hap me debate të shkaktuara nga akuzat penale, mbi ish Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha sot në seancën parlamentare se padia e ngritur ndaj paraardhësit të saj nuk ka asgjë personale, por është ngritur mbi abuzimet e konstatuara në institucionin që Imami ka drejtuar katër vitet e fundit. Kodheli u shpreh se gropa financiare në Ministrinë e Mbrojtjes është shumë herë më e madhe se mendohej. Kodheli tha se Imami reflekton frikë në deklaratat e tij, për shkak të abuzimeve.

“Zotëria merret me mua apo me Edi Ramën, duke marrë rolin e një njeriu që sulmohet si kundërshtar politik. Ai thotë se e ka bërë për sulme personale, zotëria as nuk e imagjinon dot se marrëdhënia ime me kryeministrin nuk ka qenë as është një marrëdhënie pronar-qira, siç e ka në partinë e tij. Edhe mua, edhe Edi Ramën na urdhëron ligji. Ne vendimet i marrim në unitet dhe mbi bazën e vlerave dhe parimeve që nuk bën vaki të shkelen. Nuk ka nevojë të jesh psikolog për të parë frikën e ish-ministrit në çdo rresht të deklaratave të tij, sepse më mirë se kushdo ai e di se çfarë zullumi apo zullumesh mund të ketë bërë. Një fjalë të fundit ish-ministrit: Ju garantoj se nuk është personale. Ju mund të merreni seriozisht për atë që keni bërë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sa për politikën e keni humbur shansin për t’u marrë me të qëkur hipët mbi tank për të rrëzuar Berishën, pastaj zbritët prej atje për t’u gjunjëzuar para tij”, tha Kodheli.

Ndërsa Imami në replikën e tij tha se nuk mund t’i besohet ekspertimit të kryer ndaj tij. Ai ripërsëriti akuzat për sulme personale ndaj tij, madje nuk i kurseu edhe fyerjet në drejtim të ministres.

“Zonja i ka bërë këto kontrolle me një grup ekspertësh, i cili nuk dihet se çfarë grupi është. Zbuloni çfarëdo që mund të zbuloni. Ajo që është e pafalshme është sulmi ndaj personit. Qëllimi i këtij sulmi është sulmi ndaj reputacionit dhe personalitetit të njeriut. Ju po veproni gabim. Ti ke ikur për 24 orë në vitin 1992 nga Postat Shqiptare për të mos u ballafaquar me drejtësinë. Sa për marrëdhëniet e tua me ish-kryetarin e Bashkisë, i dimë të gjithë, ku ai bërtiste nga PS: Mimi më mbaroi letra higjienike”, tha Imami.

Në debat u përfshi edhe ish-kryeministri Berisha, i cili akuzoi ministren se flet si zëdhënësja e kryeministrit. Berisha u shpreh se maxhoranca aktuale është më e dobëta në historinë e pluralizmit. “Nëse zëdhënësat e kryeministrit vijnë për të folur për veten e tyre, kjo është e rëndë. Për të folur për veten e tyre, ata i kanë të gjitha mundësitë, por të mblidhet parlamenti për ligjin dhe të dalë zëdhënësja e Edvin Ramës këtu e të flasë për veten e vet, ky është një turp. Kjo qeveri nuk e ka sensin e ligjit, se i ka zëvendësuar ato me mashtrime. Nuk jeni të zotët të bëni ligje. Jeni ekipi më i dobët në historinë e pluralizmit shqiptar. Kemi 4 muaj që vijmë këtu dhe nuk na vjen një ligj. Se keni qenë ministra e kryeministra, keni 25 vjet në parlament”, tha ai.