Thaçi dhe Daçiç, takimi i 20-të në Bruksel nën praninë e Ashton

45

thaçi daçiç- ashtonBrukseli ka mbledhur sërish dy Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç në prezencën e Shefes së Diplomacisë Europiane Ketrin Ashton, në kuadrin e dialogut mbi Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ky do të jetë po ashtu takimi i fundit për këtë vit, por cilësohet nga më të rëndësishmit, sidomos për Serbinë, meqë nga rrjedha e tij do të varet vendimi që do të marrë Këshilli i Evropës rreth datës së fillimit të negociatave për asocimin e saj në Bashkimin Europian.

Siç është paralajmëruar, temë e këtij takimi do të jetë gjyqësori, çështja e fundit e pazgjidhur, siç cilësohet në Bruksel –për zbatimin e Marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, e arritur para gati tetë muajsh në Bruksel midis dy kryeministrave, transmeton Koha njoftimet.

Të enjten e shkuar midis Thaçit e Daçiç në Bruksel u harmonizuan pikëpamjet rreth policisë, por mbeti gjyqësori.

Zëdhënësja e Ketrin Ashton, Maja Kocijançiç, njoftoi se temë bisede në këtë takim do të jetë gjyqësori, ndërsa qëllimi është përparimi sa më i madh në prag të raportit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Ketrin Ashton para Këshillit të Ministrave që vendosin për datën e fillimit të negociatave për asocimin e Serbisë  në  Bashkimin Evropian. Do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, një ndër të cilat është gjyqësori”, është shprehur Kocijançiç.

Ndërsa Prishtina është shprehur e vendosur që selia e gjykatës të jetën në pjesën jugore të Mitrovicës me degët në komunat në pjesën veriore,  Beogradi kërkon që selia të jetë në veri dhe e veçantë nga gjykata në jug, siç e cilëson edhe Beogradi – të qytetit të ndarë.

Nga rrjedha e këtij takimi do të varet në fakt nëse hapen negociatat për asocimin e Serbisë në dhjetor, apo në janar, siç kërkojnë Britania e Madhe e Gjermania, duke e lidhur shtyrjen me marrëveshjen rreth gjyqësorit.