Vrasja e Xhuvanit, lirohen 10 anëtarët e grupit të armatosur, në burg vetëm Arbër Paplekaj

Gjykata e Elbasanit ka lënë në  burg vetëm Arbër Paplekajn, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ndërsa është dhënë masa “detyrim paraqitje” për 9 anëtarët e tjerë të grupit të armatosur të PD. Paplekaj akuzohet për veprat penale “vrasje”, “vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë” dhe “heqje e lirisë me dhunë”.

Janë lënë të lirë Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.

Po ashtu është dhënë “detyrim paraqitje” edhe për Eldjo Bekon, i akuzuar për moskallëzim krimi, ndërsa vijon të jetë në kërkim Kelmend Xhaferri.

*Xhevair Shpataraku

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, sot para Gjykatës për masën e sigurisë 11 personat e përfshirë në VARROSJE

Gjykata e Elbasanit do të vlerësojë këtë të hënë, ora 9:00 masat e sigurisë “Arrest në burg” dhënë për 11 personat e përfshirë në përplasjen me armë në rrugën 5 Maj, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani nga Arbër Paplekaj shoqërues i Gazment Bardhit.

Prokuroria mori kohën maksimale për të dërguar kërkesat për vlerësim mase, të cilat do të zhvillohen në limite të 72 orëshit.

Në ngjarjen e rëndë mbetën të plagosur  edhe katër persona, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).

Në pranga është vënë  Arbër Paplekaj, për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Si dhe Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.

Në kërkim për ngjarjen është edhe Kelment Xhaferri i akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë, ndërsa në pranga Eldjon Beko, i cili akuzohet se ka penguar zbardhjen e ngjarjes, duke tentuar të fsheh rrethana që implikonin Kelment Xhaferrin.

Mësohet se Prokuroria do të kërkojë vazhdimin e masës arrest në burg.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

*Xhevair Shpataraku

Arrestohet italiani në Rinas, ishte shpallur në kërkim për mashtrim

Në Rinas është arrestuar një italian i shpallur në kërkim për mashtrim.

Në pranga ka rënë G. L., 49 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” .

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë egzekutimi i vendimit të Gjykatës, për shtetasin italian në kërkim G. L., 49 vjeç,  i kapur nga sherbimet e P. K. K. Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, thuhet në njoftimin e policisë.

*Xhevair Shpataraku

Qëllohen me armë zjarri dy automjetet e kreut të PS në fshatin Gomsiqe

Janë qëlluar me armë zjarri dy automjete e parkuara të kreut të PS në fshatin Gomsiqe të Velipojës, David Ndocit. Ngjarja është regjistruar rreth orës së 02:00 ku automjetet, një  tip “Ford Fiesta” dhe një “Benz”, kanë qenë të parkuara në rrugë, pranë banesës së Ndocit.

Nuk bëhen ende me dije detaje të tjera në lidhje me ngjarjen dhe nëse ka ndodhur apo jo për shkaqe politike. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

*Xhevair Shpataraku

Yuri Kim: SPAK po çon pas hekurave kriminelët, reforma po ecën

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka përshëndetur sot lajmin se janë përzgjedhur 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Teksa ka shpërndarë mesazhin e ambasadës së SHBA, Kim ka dhënë edhe një mesazh lidhur me zhvillimin në sistemin e drejtësisë në vend. Kim shprehet ndër të tjera se SPAK po sekuestron pasuri dhe po çon kriminelët pas hekurave.

“SPAK po procedon më shumë, duke sekuestruar pasuritë dhe duke i vendosur kriminelët pas hekurave; Gjykata Kushtetuese po funksionon; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje; vetingu vazhdon. Inspektorët e BKH po trajnohen. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara edhe nëse “djemtë e këqij” nuk e duan atë,” shkruan Kim.

*Xhevair Shpataraku

Ish-drejtuesja e Avokaturës së Shtetit, Alma Hiçka, nuk ka kaluar vettingun

Një prej kandidateve për në Gjykatën e Lartë, ish-drejtuesja e Avokaturës së Shtetit, Alma Hiçka, nuk ka kaluar vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shkarkuar nga detyra pasi kishte probleme me pasurinë.

Vendimi u shpall nga Etleda Çiftja, kryesuesja e trupit gjykues për vlerësimin e Hickës. Dy ditë më parë u zhvillua seanca dëgjimore për kandidaten Hicka.

Këshilli i Lartë Gjyqësor emëroi disa javë më parë gjyqtare në Tiranë, ish-avokatja e Shtetit, Alma Hicka.

Ish-Avokatja e Shtetit, Alma Hicka u largua nga detyra në 2018-ën dhe në vend të saj, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni propozoi Artur Metanin. Hicka u emërua Avokate e Shtetit nga Kryeministri Edi Rama, në 5 nëntor të vitit 2013 Hicka ka përfaqësuar interesat e qeverisë shqiptare në disa gjyqe ndërkombëtare, ndërkohë që opozita e ka atakuar disa herë figurën e saj, si në konflikt interesi, pasi sipas PD, bashkëshorti i saj ishte avokat i CEZ, ndërkohë që Hicka përfaqësonte qeverinë shqiptare në këtë gjyq.

*Xhevair Shpataraku

Rama inspekton procesin e vaksinimit në qendrat shëndetësore në Vaun e Dejës

Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Vaun e Dejës ku ka inspektuar vijimin e procesit të vaksinimit në qendrat shëndetësore afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

Sot është dita e katërt e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.

*Xhevair Shpataraku

Mos e bëni vaksinën! Kur edhe mjekët bëhen pjesë e tam-tamit elektoral

Ardit Rada

Deri dje refreni ishte “pse s’ka vaksina”! Sot ky refren ka ndryshuar: Po na sillni vaksina të pacertifikuara! Dikur thoshin “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Politikanë, mjekë, ish-mjekë dhe ish-politikanë bashkë, i janë bashkuar turmës dashakeqe të anatemimit të fushatës së vaksinimit që ka filluar në vendin tonë. Një listë mesazhesh e deklaratash në media e rrjetin social, që kanë brenda një papërgjegjshmëri thjesht kriminale, nuk marrin parasysh faktin që vaksina kineze ka nisur të injektohet prej dje në mbi 15 mijë a më shumë krahë pensionistësh, por bëjnë thirrje publike që të mos pranohet dhe të ndalet fushata e injektimit.

As Tritan Shehu, që tashmë nuk është as mjek, as politikan, as Sali Berisha, që ka qenë mjek por që për fatkeqësinë e shqiptarëve hyri në politikë, e aq më pak Petrit Vasili që s’ka lidhje me asgjë përveçse me koliben e dezhurnit tek LSI-ja – askush prej këtyre zotërinjve nuk ka informacion të dorës së fundit rreth efektshmërisë, rrezikut potencial dhe rasteve problematike që ka shkaktuar Coronavac në njërin nga 22 vendet ku injektohet zyrtarisht prej javësh e muajsh. Askush prej këtyre burrave gojëprishur nuk di të thotë diçka konktretisht të keqe për vaksinën në fjalë, përveçse që po ngjall shpresën e dhjetëra mijë të moshuarve që kanë një vit e ca të mbyllur në shtëpi.

Këtij kori që hallin e qartë e ka tek votat, e jo tek alergjitë e pleqve në çadrat e sheshit ‘Skënderbej’ po i bashkohen edhe disa mjekë, kryesisht jashtë vendit, të cilët po ashtu si Berisha e Vasili, ‘iu djeg’ shumë në distancë qëndrimi i Edi Ramës në qeveri. Çështje shijesh, s’kemi ç’tu bëjmë.

E habitshme ishte sesi orët e fundit, për vaksinimin masiv është shqetësuar edhe ndonjë mjek i këtushëm që normalisht ka treguar se di ta masë fjalën dhe mendimin. Ilir Alimehmeti ka bërë thirrje orët e fundit që të mos merret vaksina kineze. Ai e ka justifikuar këtë qëndrim me faktin që për këtë vaksinë nuk ka të dhëna shkencore dhe se dihet shumë pak.

Megjithëse Alimehmeti njihet si një mjek i informuar për pandeminë, të thuash që Coronavac është e panjohur kur fjala vjen, mbi 15 milionë turq kanë marrë dozën e parë dhe kur pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë lidhur kontratat për ta blerë, ashtu siç po bëjnë shtete anëtare të BE si Hungaria etj, është diçka që e tejkalon mosdijen.

Fushata e vaksinimit me vaksinën kineze ka një bankoprovë planetare. Siç e kanë sot pak a shumë të gjitha vaksinat që u futën në rrjetin e përdorimit publik me nxitim e turravrap, për shkak të vdekjeve në të gjithë globin. Miliona njerëz që e kanë bërë, ndërkohë që rastet e incidenteve a vdekjeve të shkaktuara nga kjo vaksinë mungojnë, janë prova më e madhe se ajo të paktën nuk po merr jetë njerëzish.

Sa për efikasitetin, kjo është diçka për t’u parë në afat të mesëm e të gjatë. Alimehmeti lexon në disa gjuhë të huaja e në ndryshim nga Sali Berisha e shpreh publikisht atë që lexon. Po të shfletonte edhe një herë literaturën dhe rrjetin në të gjithë botën, ndoshta do të na ndriçonte me informacionet më të fundit rreth mënyrës sesi po e “tresin” miliona njerëz nëpër botë vaksinën kineze. Ndoshta pas këtij leximi do ta tërhiqte thirrjen e tij publike për të mos e bërë vaksinën./JavaNews

Shqipëria firmos traktatin për një front global në luftë kundër COVID-19

Bota ka nevojë për një zgjidhje globale, të ngjashme me atë pas Luftës së Dytë Botërore, për të mbrojtur vendet në përballje me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, thanë udhëheqësit botërorë në një letër të përbashkët të bërë publike ditën e sotme.

Kësaj iniciative i është bashkuar edhe Kryeministri Edi Rama duke firmosur traktatin për të qenë të bashkuar në luftën kundër COVID-19 si dhe pandemive të tjera që mund të kërcënojnë botën.

Kryeministri britanik Boris Johnson, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe më shumë se 20 liderë të tjerë mes tyre edhe kryeministri shqiptar Edi Rama thonë se Covid ka paraqitur sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Letra erdhi pas një takimi të ministrave të shëndetësisë të G7 të hënën, duke theksuar se pandemia kishte qenë “një kujtesë e zymtë dhe e dhimbshme se askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”.

Ata janë bashkuar në thirrjen për një zgjidhje të re globale për të ndihmuar botën të përgatitet për pandemitë e ardhshme.

24 udhëheqësit argumentojnë se një traktat i ngjashëm me atë të arritur pas Luftës së Dytë Botërore është i nevojshëm për të ndërtuar bashkëpunimin ndërkufitar.

Një traktat i ri do të ndihmonte në krijimin e sistemeve më të mira për parandalimin e pandemive të mundshme, ndërsa përmirëson ndarjen e të dhënave, shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mbrojtëse personale.

Shtetet e organizatat firmëtare janë:

Chile, Kosta Rica, Trinidad dhe Tobago, Kenia, Ruanda, Senegal,  Afrika e Jugut, Shqipëria, Këshilli Evropian, Francë, Gjermani, Greqi, Hollandë, Norvegji, Portugali, Rumaniau, Serbi, Spanjë, Ukrain, Mbretëri e Bashkuar, Tunizi, Indonezi, Fiji, Kore, OBSH.

*Xhevair Shpataraku

Italia vendos karantinë dhe tampon për këdo që hyn në territor

Italia vendos masën e karantinimit e tamponit të detyrueshëm për të gjithë ata që mbërrijnë në Itali nga vendet anëtare të Bashkimit  Europian.

Karantinim i detyrueshëm do të jetë 5 ditor dhe tamponi do të jetë i detyrueshëm në momentin e hyrjes në Itali.

*Xhevair Shpataraku