Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vizitë në Shqip ëri dhe në Maqedoninë e Veriut

*Adrian Marku

Ursula von der Leyen,

Bashkimi Europian zotohet se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë përbërëse e tij dhe se nuk ka një të ardhme pa të.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se ka parashikuar një vizitë në rajon brenda muajit shtator, që t’ia bëjë vetë të qartë këtë ide vendeve aspirante.

Rajoni ka 6 shtete që kërkojnë të ulen në strukturat e Brukselit, por vetëm 2 prej tyre kanë avancuar më shumë: Serbia dhe Mali i Zi.

“Do udhëtoj për të dhënë një sinjal të fortë se zotohemi për procesin e integrimit. Ua kemi borxh të gjithë të rinjve që besojnë te e ardhmja europiane. Prandaj kemi rritur mbështetjen me investime dhe plane të reja ekonomike që janë sa një e treta e GDP-së së rajonit. Sepse duke investuar në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor investojmë edhe në të ardhmen e BE-së,” tha Von der Leyen.

Deklarata e kryekomisioneres së BE-së u bë në kuadër të shpalosjes së vizionit të përvitshëm që administrata e saj ka për unionin.

Shtohen të shtruarit në spitalin Covid 1

Teksa numri i rasteve  të personave me Covid-19 shtohet dita ditës, vërehet rritje e numrit e të shtruarve në spitalin infektiv Covid 1.

Në ambientet e jashtme të spitalit infektiv është shtuar prezenca e familjarëve të të shtruarve me koronavirus. Nga fotot e shkrepura të ‘LSA’ duken familjarët e pacientëve që presin jashtë spitalit me qese me ushqim dhe rroba për të afërmit e tyre.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar ditën e djeshme se në 24 orët e fundit janë regjistruar 1.054 raste t reja e Covid,ndërsa 3 qytetarë kanë humbur jetën. Janë shëruar 469 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 133,801 që nga fillimi i pandemisë.

Arrestohet 35-vjeçari dhe kryeplaku i fshatit, kultivonin canabis

Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Bajzë.

Në pranga ka rënë kultivuesi i tyre O. Ç., 35 vjeç banues në Bajzë, Malësi e Madhe, i cili akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në ambientin përreth banesës së shtetasit O. Ç. kanë gjetur të kultivuar fidanë narkotikë cannabis sativa”.

Në pranga ka rënë edhe kryeplaku i fshatit Bajzë, T. C., 25 vjeç, veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjendet i vrarë në Shkodër 32 vjeçari Endri Mustafa, i dënuar më parë për plagosje

Në anë të një shkurreje, i ekzekutuar me të paktën 5 plumba dhe i mbuluar nga balta. Ky ishte fundi i 32-vjeçarit Endri Mustafa, një emër i njohur në Shkodër si person me precedentë penalë dhe i lidhur me grupe kriminale të qytetit.

3 ditë pasi familja e tij kishte denoncuar zhdukjen, i riu është gjetur i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Livadheve në kryeqendrën e veriut. Ai ka qenë i arrestuar më parë dhe i dënuar për plagosje, njihej si pjesë e grupit të Astmer Bilalit në Shkodër.  Trupi është gjetur rreth orës 9:00 të mëngjesit të sotëm.

Ai ka qenë i arrestuar më parë pas një operacioni të policisë së Shkodrës, ku është sekuestruar një arsenal i madh armësh. Në këtë operacion Mustafa është vënë në pranga së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit të Astmer Bilalit. Gjithashtu Endri Mustafa është i dënuar më parë për plagosje dhe i arrestuar për fajde dhe grabitje.

*Xhevair Shpataraku

Mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Është mbledhur seanca e radhës e Komisionit Hetimor për shkakrimin e presidentit Ilir Meta. Në mbledhje është miratuar plani i hetimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni teksa tha se kanë ardhur shkresa nga SPAK nga AMA, nga policia dhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procesin e hetimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

*Xhevair Shpataraku

Lulzim Basha duhet ta pranojë ftesën e Edi Ramës

Armand Kullau

Shqipëria doli fitimtare nga zgjedhjet e 25 Prillit pasi populli i dha një përgjigje politikës për sa i përket traditave negative si rrotacioni apo konflikti politik të cilat janë manovra politike që mbajnë peng vendin. Shqipëria tregoi se për politikën kanë marrë fund ditët e teatrit politik ku çmimin e paguante populli dhe fitimin e merrnin partitë sepse shqiptarët kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme një vend në familjen europiane dhe përgjegjësia e dështimit do të bjerë mbi të gjithë, mbi Edi Ramën, mbi Lulzim Bashën dhe mbi Ilir Metën. Kryedemokrati nuk i ka njohur zgjedhjet dhe ka bërë deklarata të cilat na tregojnë se do i rikthehet avazit të vjetër, të ankohet dhe të ulërasi nga foltorja e parlamentit megjithëse Kryeministri i ka bërë një ftesë për bashkëpunim politik. Gjithsesi të dy kanë kohë që përjetojnë një romancë vëllazërore dhe kjo gjë nuk po e ndihmon Shqipërinë e post rrotacionit sepse po e kthen në komunikimin e përhershëm politik konfliktual i cili nuk ka asnjë rezultat dhe minon të ardhmen e vendit.

Lulzim Basha e pengon integrimin e Shqipërisë me refuzimin për bashkëpunim dhe për këtë i ka dhënë “ndihmë” dhe Edi Rama i cili me sjelljen dhe deklaratat e tij na forcon dyshimet se Basha është protégé-ja e tij. Kryeministri e ndihmon Bashën me “hipokrizinë” për ftesën duke rikrijuar një skenë teatrale ku ai dhe Kryedemokrati janë fryma perëndimore përparimtare e cila mbahet peng nga e shkuara dhe e tashmja e Partisë Demokratike, Zoti Sali Berisha. Zoti Basha e ka përdorur mjaftueshëm figurën e Doktorit si në komunikimin politik, si në sjellje por edhe duke u fshehur pas tij sa herë që humbet zgjedhjet. Zgjedhjet nuk i humbi sepse ia mori Edi Rama apo e pengoi Doktori por sepse shqiptarët zgjodhën rezultatin përballë inflacionit të premtimeve të tija elektorale që nuk krijonin frymën e besimit dhe të ndryshimit. E kuptojmë që Basha mendon se është vjedhur nga Partia Socialiste por nëse ai vërtet ka një program politik fitues atëhere ai e di mirë se çfarëdo lloj kryevepre urbanistike apo ekonomike të realizojë Edi Rama përgjatë këtyre katër viteve, njerëzit do të kërkojnë ndryshimin përsëri sepse politika është kthyer në konsum dhe konsumatori kërkon risi. Nëse ai vërtet aspiron të bëhet Kryeministër, ai duhet të bashkëpunojë me Kryeministrin duke treguar se ai pranon ftesa, ai normalizohet me nivelin e egos së tij politike dhe se ai është ndër të vetmit që bën sakrifica për vendin e vet.

Sot Lulzim Basha ka mundësinë të rikrijojë programin e Partisë Demokratike për të ardhur në pushtet dhe të reflektojë një identitet politik europian i cili i mungon partisë, i mungon shqiptarëve, i mungon Shqipërisë, identitet të cilin e kërkon dhe Bashkimi Europian si shenjë e pjekurisë politike dhe demokratike e partisë që ai përfaqëson.Ai duhet të distancohet nga hija e Edi Ramës jo duke qendruar pas tij por në krahë të Kryeministrit duke treguar barazi politike. Ai duhet ti qendrojë në krah atij sepse edhe nëse kemi një kurth politik prej Ramës, ai tashmë e di më mirë nga të gjithë se si Rama i përdor bashkëpunimet politike dhe e di se si të dalë i fituar këtë herë duke u treguar shqiptarëve se kush është bashkëpunuesi dhe kush është manipuluesi i kësaj epoke të re në politikën shqiptare. Basha do rikthehet në parlament duke sjellë çeljen e negociatave për në Bashkimin Europian dhe nuk ka pse të kufizohet prej pasojave që do sjellë bashkëpunimi politik në elektoratin e PD-së. Shqiptarët sot duan standarte ekonomike europiane dhe kur të shohin frytet e bashkëpunimit, sado ta simpatizojnë Edi Ramën ata do zgjedhin Bashën sepse ai solli risinë politike dhe risia është cilësia që ai lakmon më shumë në personin e tij politik, cilësi e domosdoshme në politikën e amerikanizuar shqiptare.

Nëse Basha nuk ka garanci nga personazhi politik i Kryesocialistit, ai duhet të ulet në takim sëbashku me Kryeministrin dhe përfaqësitë e huaja duke finalizuar një marrëveshje transparente për publikun, duke na treguar se marrëveshjet nuk kanë në thelb pushtetin politik të Zotit Basha apo të Zotit Rama por kanë përfaqësimin politik të popullit në parlament dhe integrimin tonë në BE. Kjo marrëveshje do të jetë një goditje elektorale për atë që do e shkeli dhe populli ka treguar se i dallon plangprishësit duke i ndëshkuar me votë. Populli shqiptar i sheh me skepticizëm partitë politike kur vjen fjala tek marrëveshjet politike sepse ato asnjëherë nuk kanë sjellë përmirësime përveç viti 1997. Zoti Basha duhet të thyejë traditën! Kryeministri nuk është i vetmi politikan në Shqipëri që di të bëjë risi por politika ridimensionohet kur ka njerëz që marrin flamurin e guximit dhe bëjnë veprime politike frytdhënëse të cilat shpeshherë janë radikale. Ai duhet të dalë nga zona e sigurisë dhe të lër gjurmën e tij politike në Shqipëri. Ai është përfaqësuesi i 622 mijë votave dhe ka marrë përsipër ëndrrat dhe dëshirat e tyre dhe këta 622 mijë nuk janë shumë të ndryshëm nga ata 778 mijë të cilët votuan Edi Ramën. Të gjithë shqiptarët duan Shqipërinë Europiane, duan Shqipërinë e sigurt nga rendi, nga ekonomia, por mbi të gjitha duan Shqipërinë e sigurt nga Drejtësia.

Zgjidhni transparencën Zoti Basha si tiparin tuaj politik sepse askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë se ju pasi ju keni qënë opozitari më i paqartë përgjatë këtyre viteve dhe ju e dini se ku keni gabuar me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Zgjidhni Shqipërinë! Mos zgjidhni Partinë, mos zgjidhni Edi Ramën, mos zgjidhni marrëveshjet politike në kurriz të shqiptarëve. Tani është koha e reformimit të PD-së dhe kjo fillon duke u treguar shqiptarëve që ju nuk jeni parti radikale por parti liberale, ju nuk jeni parti uzurpatorësh por parti dëshmorësh, ju nuk jeni parti e militantëve por parti e shqiptarëve dhe mbi të gjitha kjo parti përfaqëson zërin e më të dobëtit dhe jo interesin e më të fortit. Rikthejeni vendit Partinë Demokratike duke i rikthyer besimin shqiptarëve tek demokracia dhe tek romanca e munguar me Europën pasi Partia Demokratike e fortë është garancia se Edi Rama do mbajë premtimet që u ka bërë shqiptarëve.

SPAK kërkon 63 vite burg për grupin e Habilajve, kreu ende në arrati

Pas 3 vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka kërkuar 63 vite burg në total për anëtarë të grupit kriminal të ashtuquajtur Habilaj, të cilët akuzohen për trafik e kultivim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal. Konkretisht, Report Tv mëson se SPAK ka kërkuar për Moisi Habilajn 18 vite burg, Nezar Seiti 15 vite burg, Meridian Sulaj 15 vite burg dhe Fatmir Minaj 15 vite burg. Mbi grupin Habilaj  rëndojnë akuzat për veprat penale ‘trafikim i narkotikëve’ në tentativë kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal’, ‘Grup i strukturuar kriminal’, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale’.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 1 tetor 2019 dhe pas 14 muajsh ende nuk ka asnjë vendim apo seancë ku të jetë pranuar kërkesa e disa prej të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Moisi Habilaj u dënua në Itali me 15 vite e 5 muaj burg lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua pasi një javë më parë ai u arratis nga banesaku qëndronte me masën sigurie.

Prej ditësh janë kryer kontrolle edhe në Shqipëri për gjetjen e tij por pa rezultat. Pala italiane ka kërkuar nga autoritet shqiptare të vazhdojë kontrollet pasi ka dyshime të arsyeshme se Moisi Habilaj është larguar nga Italia për t’u fshehur në Shqipëri. Aktualisht në Itali ndodhet Nezar Seitaj me masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe për hetuesit në Katania ai konsiderohet si financieri i grupit kriminal.

*Xhevair Shpataraku

Ervis Martinaj dënohet me 3.8 vite burg, për 4 vepra penale

Ervis Martinaj dënohet nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 8 muaj burgim, ndërsa ai do të jetë në liri deri sa vendimi të marr formën e prerë në Apel. Dënimi ndaj tij u dha për ngjarjen e ish bllokut ku miku i tij Fabiol Gaxhaj u vra nga ish ushtaraku Merviol Bilo, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në ish bllok.

Ndër akuzat që rëndonin ndaj Martinajt janë 4, sigurimi i kushteve për kryerjen e një vrasje, falsifikim letërnjoftimesh, organizim lotarish në mënyrë të paligjshme si dhe fshehje të ardhurash.

Ndërkohë ndaj Martiajt u aplikua gjykimi i shkurtuar ndërsa ai vetë s’mori pjesë në përballjen me drejtësinë por u përfaqësua me avokat. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor dhe e dënoi Martinaj me 5.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit duke u dënuar me 3.8 vite burg.

*Xhevair Shpataraku

Sali Berisha nuk lëshon Bashën pas humbjes së gjashtë, PD drejt ndarjes në dy kampe

Nga Adriatik Doçi

Sali Berisha po pozicionohet qartësisht kundër dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 20121, humbja e gjashtë radhazi që kur Berisha i besoi drejtimin e partisë në verën e vitit 2013. I konsideruar si faktori vendimtar që vendos për fatin e Bashës në krye të PD-së, Berisha ka dhënë sinjale të qarta në mbrojtje të Bashës, pavarësisht se zërat në PD për largimin e tij po shtohen me shpejtësi. Së pari, mediat pranë dhe nën kontrollin e Familjes Berisha, kanë injoruar dhe sfumuar deklaratat e figurave politike të PD-së, për dorëheqjen e Lulzim Bashës. Qëndrimi i fortë i kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani, i cili kërkoi largimin e Bashës si një projekt i dështuar, nuk gjeti pasqyrim në mediat pranë Berishës dhe as në Facebookun e tij.

Së dyti, prej 24 orësh, Sali Berisha ka nisur të mbrojë publikisht alibinë e Lulzim Bashës për të mos dhënë dorëheqjen, duke mbështetur pretendimin se zgjedhjet janë manipuluar, kur në fakt, arsyeja kryesore e humbjes, është taktika e gabuar elektorale e Lulzm Bashës, i cili hyri në zgjedhje i ndarë nga LSI, duke humbur disa mandate. Me këtë lëvizje, Berisha po jep një mesazh të qartë se do t’i besojë Bashës drejtimin e partisë për katër vitet e ardhshme, ndërsa zërat për dorëheqjen e Bashës, me shumë gjasa, do të shpallen ‘armiq’.

Pozicionimi i Berishës në krah të Bashës, duket se do të shtyjë Partinë Demokratike drejt ndarjes në dy kampe; ata që kërkojnë zgjedhjen e një kryetari të ri për sjellë partinë pushtet dhe ata që mbështesin vazhdimësinë e Lulzim Bashën në krye të PD-së, edhe pse ka humbur zgjedhjet lokale të 2015, zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër dhe Korçë, zgjedhjet parlamentare të 2017, dorëzoi zgjedhjet lokale të 2019 dhe humbi zgjedhjet parlamentare të 2021. Në krah të Bashës, përpos Berishës, pritet të pozicionohen edhe deputetët e ri të PD-së.

Nga ana tjetër, deri më sot, dorëheqjen e Lulzim Bashës e kanë kërkuar kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani, ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani si dhe anëtarë dhe ish-anëtarë të strukturave të larta të PD-së si Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli, Endrit Hoxha, Endira Bushati, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj, Fatos Hoxha etj. Ndërkaq, militantët kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas humbjes, duke kërkuar largimin e Bashës. Megjithatë, duke se historia pas humbjes së zgjedhjeve të 2017, do të përsëritet edhe gjatë kësaj vere në PD.

Numërohen 1916 nga 5199 kuti, PS 49.44 %, PD 38.98 % dhe LSI 7.15 %

Deri në orën 11:41 sipas raportimit të KQZ-që janë numëruar 1916 kuti nga 5199 në total në rang vendi.

Partia kryesuese deri më tani shfaqet PS me 267.452 vota ose 49.44 %.

PD-AN ka marrë 210.834 vota ose 38.98 % .

LSI në rang vendi ka marrë 38.632 vota ose 7.15 %.

PSD e Tom Doshit, i cili është tërhequr tashmë nga gara për deputet ka arritur të marrë 100.649 ose 1.97 %.

Vijon procesi i numërimit në të gjithë vendin.