Adrola Dushi nënshkruan kontratë me kompaninë më perstigjioze të modelingut

Adrola Dushi është një nga personazhet më të komentuar të showbiz-it shqiptar, megjithatë prej vitesh ajo jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës, pasi vazhdon dhe karrierën e saj si modele atje.

Së fundmi, Adrola është angazhuar në shumë projekte në vendin tonë, megjithatë duket se Amerika po i jep asaj më shumë mundësi për të ecur përpara.

Burime për ‘RevistaWho.Com’ kanë zbuluar se Adrola ka nënshkruar kontratë me një nga kompanitë më prestigjoze të modelingut në Amerikë. ‘Wilhelmina Models’ u krijua në vitin 1967 nga modelja gjermane Wilhelmina Cooper dhe bashkëshorti i saj Bruce Cooper.

Aktualisht ajo është një nga kompanitë më të vjetra dhe më të mëdha të menaxhimit të modelingut në të gjithë botën dhe përfaqëson dhe menaxhon modele, të famshëm, artistë, atletë dhe krijues të përmbajtjeve në të gjithë botën, përfshirë Nicki Minaj, Niall Horan, Normani, Demi Lovato, Nick Jonas etj.

Nënshkrimi i kontratës me një kompani kaq të njohur, është një sukses i madh për Adrolën dhe me siguri, ky do të jetë fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e saj si modele.

Bayern e Lazios sigurojnë finalen e Kupës

Një gol i Correa në minutën e 58-të i ka mjaftuar Lazios për të kaluar në finalen e madhe të Kupës së Italisë. Argjentinasi realizoi një gol mjaft të bukur në fitoren 1-0 që kryeqytetasit morën në transfertën e Milanos ndaj Milanit.
Në finalen e madhe, Lazio do të ndeshet me fituesin e çiftit Atalanta-Fiorentina. Akti i parë është mbyllur me shifrat e barabarta, 3-3 dhe takimi i nesërm do të jetë mjaft spektakolar.
Në finalen e Kupës ka kaluar edhe Bayern Munich. Bavarezët mposhtën 3-2 Ëerder Bremen. Në duelin e zhvilluar mbrëmjen e sotme, protagonist ishte edhe mesfushori i kombëtares kosovare, Milot Rashica.

Financimi i Partive Politike

Mateo Spaho

Zyrtarisht janë organizata individësh që besojnë në të njëjtat vlera dhe parime, në objektiva të përbashkëta që Atdheu ynë të bëhet një vënd më i mirë, më i begatë dhe më i drejtë. Në sytë e shumë njerëzve duken si organizata të ndërtuara për të ngjitur shkallët e pushtetit dhe me anë të tij të pushtojnë administratën e cila më pas të pushtojë ekonominë. Sido që të duket, Partitë Politike janë një e keqe e domosdoshme e sistemeve demokratike dhe shpesherë edhe diktatorët nuk mund të mbahen pa një parti. Si mbahen në këmbë këto Parti? Thënë ndryshe si financohen pasi siç e dimë mirë, njerëzit nuk mbijetojnë dot vetëm me ideale por kanë nevoja tepër materiale. Ka modele të ndryshme të financimit të Partive Politike. Modeli Evropian vendos që financimi i partive të kryhet në mënyrë tërësore ose madhore nga Shteti, me idenë që pavarësisht nga parimet e tyre këto parti duhet të synojnë të mirën e përgjithshme dhe si pasojë nuk duhet të ndikohen nga financimet dhe interesat e një individi ose një grupindividësh. Në vendet e BE-së ka patur probleme të ndryshme që lidhen me financimin e jashtligjshëm të Partive, ku rasti më tipik është ai i Italisë në vitin 1992 në të cilin u zbuluan qindra miliarda lireta financime të jashtligjshme drejt Partive të Qeverisë (Demokristiane) nga ana e sipërmarrjeve private e gjithashtu u zbuluan qindra miliarda lireta drejt Partive të Opozitës (Komunistët) nga ana e Bashkimit Sovjetik. Ky sistem kishte më shumë se 30 vite që ishte ngritur dhe funksiononte në mënyrë paralele dhe të jashtëligjshme. Skandali që plasi shkërmoqi gjithë sistemin Politik por edhe Partitë e reja që lindën nuk u treguan më të mira se të vjetrat. Përtej oqeanit, në SHBA modeli i financimit është i kundërt. Financimi i privatëve është i lejuar dhe i promovuar dhe Shteti nuk financon Partitë Politike. Dy parime mbrojnë këtë model. Parimi i parë është ai i transparencës, me të cilën qytetarët Amerikan kanë të drejtën të kuptojnë se cilat interesa do të mbrojë Partia e tyre duke parë se kush e financon atë dhe gjithsecili në këtë mënyrë voton sipas interesave përkatëse. Parimi i dytë është ai i ndershmërisë, që do të thotë se Shteti duhet të mirëpërdori paranë publike të taksapaguesve. Kjo gjë do të thotë se Shteti nuk mund të financojë mitingje, makina lluksoze, dreka e darka për politikanët me paratë e njerëzve që paguajnë taksat e që me djersë dhe mund, fitojnë bukën e gojës. Nëse dëshiron, çdo qytetar, biznesmen, profesionist mund të financojë organizatën politike që ka për zemër me kushtin që financimi i tij të jetë i publikuar. Po Shqipëria? Në realitetin tonë të gjitha Partitë Politike deklarojnë se veprojnë në të mirën e përgjithshme dhe se mbështesin të gjithë shtresat shoqërore. Besoj se nuk mund të gjeni në asnjë rast ndonjë Kryeministër apo Kryetar Opozite i cili të deklaroj “se jam në favor të një shtrese shoqërore kundrejt një tjetre”. Askush nuk di sot se si financohen Partitë Politike Shqiptare përtej parave që marrin nga Buxheti i Shtetit. Mesatarisht çdo Parti Parlamentare e madhe në Shqipëri ka një strukturë prej së paku 50 të punësuar si administratë e brendshme. Kjo gjë do të thotë se vetëm rrogat e punonjësve të Selisë Qëndrore kanë një vlerë prej 60 milion lekë në vit. Nëse marrim parasysh se 3 Partitë më të mëdha në Shqipëri kanë marrë një financim vjetor prej rreth 200 milion lekësh mund të kuptojmë se më këto para ato mezi paguajnë punonjësit e administratës. Qartazi del se paratë për të mbajtur degët në çdo rreth, lagje, fshat, paratë për fushata elektorale, udhëtime, dreka dhe darka, tollona karburantesh, automjete…për mos të folur më tej për blerjen e votës dhe për punësimin e përkohshëm “të trimave që mbrojnë votën” janë tërësisht të fituara në mënyrë të jashtëligjshme. Sistemi Shqiptar i financimit të Partive Politike është i kalbur dhe krijon premisa për abuzim të vijueshëm të çdo Partie që është apo vjen në qeverisje. Dëmi më i madh gjithsesi nuk është ai i shperdorimit të parasë por janë gënjeshtrat që Partitë u tregojnë njerëzve për të mirën e përgjithshme, sepse këto Parti në fakt financohen nga persona të caktuar dhe jo nga njerëzit në përgjithësi. Njerëzit sot nuk kanë më besim në gënjeshtrat e Partive, e si pasojë nuk kanë më besim tek sistemi Demokratik i zgjedhjeve. Ky është dëmi më i madh që sistemi i kalbur i financimit të Partive Politike Shqiptare po i bën Demokracisë dhe Shqipërisë. Per kete arsye cdo tentative qe synon te ndyshoje dicka ne sistemin tone elektoral eshte i mirëpritur. Le ta dimë kush financon PS, PD, LSI apo sajesat e rradhes që të kuptojme çfarë këto Parti duan të bëjnë me të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm në këtë mënyrë Shqiptarët do të vendosin se kë do të zgjedhin ne menyre te ndergjegjshme.

Rikostruksioni i Piramidës nis në qershor

Transformimi i Piramidës së Tiranës do të nisë në qershor. Projekti për rijetëzimin e godinës dhe kthimin e saj në një qendër atraktive, por dhe zhvillimore për të rinjtë do të jetë gati pas 12 muajsh. Kryeministri Rama tha se prej shumë vitesh zgjidhet një dilemë torturuese, ndërsa kryebashkiaku Veliaj vuri theksin te suksesi që do të ketë projekti.

Në qershor do të nisin punimet për transformimin e Piramidës në Tiranë. Projekti i lajmëruar që në vitin 2018, do të vihet në zbatim pas dy muajsh dhe do të përfundojë prej gati një vit pas nisjes së punimeve. Në një takim të zhvilluar në kryeministri u prezantua projekti i transformimit të Piramidës në një qendër të madhe për Teknologji Informacioni. Kryeministri Rama tha se me këtë projekt zgjidhet një dilemë torturuese prej shumë vitesh.

Rama: Zgjidhim një dilemë torturuese për shumë vite, një varr i hapur në mes të Tiranës, një godinë me potencial për të rilindur, rilind falë këtij ekipi dhe fuqisë së imagjinatës.

Ndërsa, kryebashkiaku Veliaj tha se puna e përbashkët mund ta shndërrojë këtë projekt ambicioz në një histori të vërtetë suksesi.

Veliaj: Kemi mjaftueshëm përvoja dhe përbërësit për një tjetër histori suksesi. Besoj kur ne bashkëpunojmë ne mund të bëjmë mrekulli. Piramida do jetë epiqendra më kreative për të gjithë ata që duan të marrin këtë shkollim. Kur shohim sa shpejt lëviz teknologjia kuptojmë sesa pas jemi. Do të fillojmë në qershor me pastrimin dhe heqjen e objekteve që janë sot pengesë.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj.

Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota që nisin nga Animacio, Zhvillimi i Lojërave, grafika e lëvizjes etj.

Rama: Projekti i Piramidës, ambicioz dhe nuk është i shtrenjtë

Rama: Është një projekt ambicioz dhe nuk është i shtrenjtë. Më vjen mirë që pavarësisht se është ndër projektet më pak të shtrenjta i ndërtuar nga Vini, do jetë një ndër projektet më të bukur, ose më saktë më interesant. Për faktin se kombinon një arkeologji të së shkuarës me gjithë kapacitetin për të ndërtuar të ardhmen.

Rama kujtoi edhe kohën kur qeveria e Berishës donte ta prishte Piramidën.

Rama: Ka pasur një moment kur një qeveri më parë vendosi ta shembte Piramidën. Ka pasur një debat publik, madje u krijua edhe një masë kritike të rinjsh që shumë më pak kishin lidhje me periudhën e shkuar që nënshkruan një peticion për të mos e shembur.

Tre shqiptare në garë për deputete në Bruksel

Tri vajza shqiptare, Qëndresa Gërlica, Luiza Duraki dhe Habibe Duraki, kanë nisur rrugëtimin e tyre politik duke kandiduar për t’u bërë pjesë e parlamentit të Belgjikës.

Qëndresa Gërlica dhe Habibe Duraki janë duke kandiduar për t’u bërë deputete në Parlamentin e Blegjikës, kurse Luiza Duraki po kandidon për Parlamentin Federal Belg.

Qëndresa vazhdon ende studimet universitare për shkenca politike dhe ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë Komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së, duke shtuar kështu suksese të reja rrugëtimin e saj politik.

Luiza ka studiuar drejtesine ne Universitetin e Lire te Brukselit. Ajo ka punuar ne gjykatesin e tregtise ndersa tani punon ne Pallatin e drejtesise.

E Habibe Duraki momentalisht mban pozitën e nënkryetares së komunës Evere. në Bruksel, pas zgjedhjeve që u mbajtën në tetor të vitit 2018, ku edhe ishte një ndër gratë më të votuara.

Luiza Duraki mban numrin 12, në garën për Parlamentin Federal Belg, kurse në garën për Parlamentin e Brukselit, Habibe Duraku mban numrin 35 dhe Qëndresa Gërlica me numrin 47.

*ww.albfem.com

Betohen 6 deputetë të rinj, mes tyre Andi Përmeti

Gjashtë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend mes tyre është edhe Andi Përmeti një prej themeluesve të partisë më të re “Bindja Demokratike”.

Më 23 prill kjo parti dorëzoi në gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrim si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Dokumentacioni i regjistrimit si parti politike është shoqëruar me rreth 4 mijë firma të mbështetësve për krijimin e saj.

Anëtarë të partisë më të re u mësuan se janë Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator do të jetë Astrit Patozi.

Sot u betua edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Rroshi nga lista shumë emërore e PD, Nikolin Staka nga lista shumë emërore e PD-së në Shkodër, Zef Shtjefni kryetar i Partisë “Ora e Shqipërisë”, lista shumë emërore e qarkut të Shkodrës; Fatjona Koço nga lista shumë emërore e PD-së në Gjirokastër, dhe Eugen Bojaxhi, nga lista shumë emërore e LSI-së e qarkut të Beratit.

Me betimin e gjashtë emrave të fundit, numri i deputetëve të betuar në Kuvend shkon në 108.

Erjon Piciri pritet që të betohet në seancën e radhës, ndërsa dy të tjerë pritet që të marrin mandatin, pasi kanë dorëzuar dokumentacionin në KQZ.

Drejtësi për Rexhinën, familjarët vazhdojnë protestën

Familjarë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Elbasan protestuan paraditen e sotme para spitalit të Elbasanit “Xhaferr Kongoli” për vdekjen e 25 vjeçares Rexhina Debrova, pak orë pasi solli në jetë foshnjën e saj.

Ata mbajnë në duar pankarta ku shkruhet: “Duam Drejtësi!” “Kush do i japë gji Aleas”

Familjarët akuzojnë mjekët për vdekjen e 25 vjeçares më 22 prill në maternitet një orë pas lindjes.

Dy mjekë po hetohen për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thana, do hetohen nën masën e sigurisè “detyrim paraqitje” deri në daljen e ekspertizës përfundimtare.

“Doktori le të dalë në dritare dhe të na sqarojë. Ajo vajzë erdhi me urgjencë në spital apo ishte duke qeshur dhe shkoi me këmbët e veta në sallë. Pse infermierja del e thotë që erdhi me urgjencë nga Cërriku. Pse mashtrojnë. Vajza ime ka vdekur për faj të mjekësisë. T ëzbardhet e vërteta duam drejtësi” thonë familjarët

Ndërkohë gjatë dëshmisë në Polici por edhe në gjykatë, mjekët mohuan akuzat për mjekim të pakujdesshëm. Autopsia paraprake ka përcaktuar se shkak i vdekjes së 25 vjeçares ishte “tromboembolia pulmonare”, ose infarkt i mushkërive, çka sipas gjinekologëve nuk mund të parandalohej.

Do të jetë përfundimi i ekspertizës së plotë mjeko ligjore dhe verifikimi i praktikës së ndjekur për të arritur një përfundim.

Gjoni: Shtyrje të zgjedhjeve, vetëm nëse i shërben sistemit zgjedhor

Deputeti i grupit parlamentar të pavarur tha se qeveria ka tërhequr draftin për reformën zgjedhore. Në një deklarat që për mediat pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, ai tha se kushti që i kanë vendosur qeverisë është ndryshimi i objektit të komisionit të reformës zgjedhore.

Sipas Gjonit, shtyrja e zgjedhjeve mund të jetë e mundur, por vetëm nëse kjo i shërben ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Ralf Gjoni: Doja të isha transparent sa i përket kërkesës dhe kushteti që ne si grup i pavarur i kemi vënë mazhorancës qeverisës për ndryshimin e objektit të komisionit të reformës zgjedhore.

Jam mirënjohës që PS e tërhiqi draftin e fundit të saj të javës së kaluar dhe ne sot kemi qenë në bisedime me grupin demokrat dhe socialist për të hartuar një draft të pranueshëm sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Ne kemi kërkuar që objekti nga thjesht adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR të pasqyrojë një hapje të debatit mbarëkombëtar sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, sepse besojmë se baza e të këqijave janë ndryshimet e 2008.

Kemi propozuar që ndryshimi i sistemit zgjedhor të futet në objekt të këtij komisioni. Kam besim se do të biem dakord për ta ndryshuar këtë objekt dhe do isha i kënaqur që amendimi që ne kemi propozuar të futet nesër në parlament për votim.

Shtyrja e zgjedhjeve, nëse i shërben sistemit zgjedhor

Unë jam shprehur edhe më përpara sa i përket legjitimitetit të zhvillimit të zgjedhjeve në datën e caktuar nga Presidenti, por jam shprehur që edhe nuk është ndonjë katastrofë e madhe dhe ndonjë tragjedi nëse zgjedhjet shtyhen, jo për shkak të frikës që mbjell opozita në rrugë, por nëse shtyrja e zgjedhjeve i shërben ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe përfundimit të punës së komisionit të posaçëm. Unë nuk do kisha asnjë problem me shtyrjen e përkohshëm të zgjedhjeve, ndoshta me disa muaj.

Mali i Tomorrit dhe enigmat

Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë, egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij.

Aty mbretëronte Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës.

Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo. Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje.

Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nën tomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka.

Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë tomorrit.

Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e Lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të ngjitjeve malore.

Në fundjavë drejt këtij mali udhëtojnë aventurier të ngjitjeve malore si dhe ata që pëlqejnë rrëshqitjet në borë.

Përgatitjet për të pritur turizmin e bardhë kanë filluar dhe agjencitë turistike të zonës kanë bërë gati guidatorët dhe mjetet e ngjitjeve malore.

Familjarët protestojnë para gjykatës së Elbasanit me foshnjën jetime në krahë

Me foshnjen jetime vetëm disa ditëshe familjarët e Rexhinës protestuan sot para gjykatës së Elbasanit ku po jepet masa e sigurisë për dy mjekët, të cilët u arrestuan për vdekjen e 25-vjeçares në Maternitetin e Elbasanit.

Kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Niko Thano u arrestuan me akuzën e mjekimit të paligjshëm, ku si pasojë humbi jetën 25-vjeçarja Rexhina Debrova , një orë pas lindjes.

Në reagimin e parë qendra spitalore e Elbasanit tha se Rexhina Debrova pësoi një komplikacion të rëndë, të ashtuquajtur infarkt mushkërie.

Ndërkohë priten edhe rezultatet e autopsisë për shkakun zyrtar të vdekjes.

Familjarët akuzojnë mjekët për neglizhencë.

Familjarët  disponojnë një video ku Rexhina shfaq komplikacionet e thotë: “Nuk po mbushem dot me frymë”.

“Doktorët vazhdojnë të qetë, vijnë na lajmërojnë neve që: Shkoi çdo gjë shumë mirë, goca është shumë mirë, pastaj dalin e thonë, pas tre orësh torturë neve, “S’mundi të jetonte!” Pse? Sepse mjeku anestezist i ka bërë gjilpërën dhe është larguar nga salla e operacionit. Ndërkohë duhet të ishte prezent deri sa t’i dilte mpirja. Mjeku kardiolog i turnit nuk ka qenë prezent në sallë.  Rexhina gëzonte shëndet të plotë dhe këtë e vërtetojnë analizat që ka bërë.” thote i vellai.