Fritland u krijua në vitet 1970 kur një familje e emigrantësh shqiptarë të ushqyer me ëndrrën amerikane u transferua në Bruksel. Familja Laci bleu një lokal pas bursës në Bruksel dhe hapi biznesin e tyre, i cili do të funksionon 24 orë në ditë. Të gjashtë fëmijët e familjes japin kontributin e tyre në këtë iniciativë. Kjo histori familjare është përpunuar me mjeshtëri dhe me një sinqeritet prekës e shumë humor nga Zenel Laci. Historia e Zenelit është intime, e çmuar, sepse na flet për emigracionin, por edhe për vetë-realizimin. Që prej mbrëmjes së djeshme deri në 17 maj ‘Fritland’ në skenën e Theatre de Poche në Bruxelles. Një histori që prek të gjithë shqiptarët që kanë provuar emigracionin.
Zenel Laci sjell ‘Fritland’ në skenën e Theatre de Poche në Bruksel
Gent Cakaj flet për ‘bashkëjetesën’ me vajzën e Linda Ramës
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka komentuar në “Opinion” përhapjen e lajmit në mediat online, se ai bashkëjeton me Rea Xhillarin, vajzën e Linda Ramës nga martesa e saj e parë.
Cakaj tha se një informacion i tillë ishte i pavërtetë dhe një shpifje për ta goditur atë dhe Kryeministrin Edi Rama.
“Kjo përveç se është absolutisht e pavërtetë është edhe dashakeqe. Me autorët e kësaj do ballafaqohem në gjykatë. Kanë bërë gjithfarë obstruksionesh me këtë çështje. Kjo është një gënjeshtër absolute bëhet për të njollosur kryeministrin dhe reformën në ministrinë e Jashtme. Ajo korrespondon dhe me një iniciativë që kemi marrë në ministri që është lufta kundër nepotizmit dhe klaneve në diplomacinë shqiptare. Janë klane të caktuara ato po spekulojnë. Unë jetoj vetëm dhe nuk jam në një lidhje. Kjo është produkt i fantazisë së shfrenuar dhe unë turpërohem të flas për këtë çështje”, tha Cakaj.
Erdogan së shpejti takim me homologun Trump
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan tha se një së shpejti mund të zhvillojë një takim me homologun e tij amerikan Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve Anadolu.
Deklarata e presidentit turk erdhi në një pritje solemne me rastin e 23 Prillit, Festës së Sovranitetin Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve, pas pyetjes nëse një takim mes tij dhe Trumpit mund të ndodhë në një kohë të afërt.
“Ndoshta. Ai kërkoi një takim. Mund të ndodhë këto ditë”, u tha Erdogan gazetarëve në kompleksin presidencial në Ankara.
Takimi i fundit midis dy presidentëve u realizua më 1 dhjetor 2018, në margjina të Samitit të Liderëve të G20-tës në Argjentinë.
Corriere Della Sera: Lidhjet e Bledar Ibrahimit me ISIS
“Corriere della sera” ka zbardhur të dhëna mbi shqiptarin Bledar Ibrahimi, i arrestuar një ditë më parë në Elbasan dhe i dëbuar nga Italia në 3 mars të 2016 me akuzën e përkrahjes së propagandës terroriste të Shtetit Islamik ISIS.
Nën titullin “Udhëtimi i Bledarit “profesorit”. Studimet në Kajro e rrjeti i xhihadistëve”, ky atikull rrëfen lidhjet e kontaktet e Bledar Ibrahimit me aspirantë luftëtarë të ISIS që ndodhen në territorin italian e në veçanti në rajonin e Lombardisë.
Bledar Ibrahim ka mbërritur nga Shqipëria në Itali në moshën 20 vjeçare duke u vendosur rastësisht në komunën e Pozzo D’ Adda në Lombardi. Në këtë qytezë me 6 mijë banorë e në kufi me provincën e Bergamos, Bledar Ibrahimi nisi një jetë të dytë, duke u betuar në emër të Allahut e të ushtrisë së Kalifatit.
Përmes propagandës në internet u indoktrinua nga islami fondamentalist, ndërroi emër e profilin në facebook duke u quajtur Yahya Ibrahimi. Në postimet në facebook ai shkruante se “Siria e Iraku janë për të gjithë myslimanët”, kërkonte mbrojtjen e Allahut për kalifin e Bagdadit, liderin e besimtarëve e shpërdaute fjalët e al-Zarqaëi, kundër Perëndimit.
Bledar Ibrahimi kishte lidhur miqësi me një pjesë të mirë të mbështetësve të Isis në Lombardi si me Giulia Maria Sergio (lady xhihad italiane e martuar me shqiptarin Aldo Kubozi), me pakistanezin e sapo dëbuar nga Italia për terrorizëm, Aftab Farooq , me shqiptarin Idriz Elvis Elezi, me torinezin Halili El Mahdi, autori i dokumentit të parë të ISIS në gjuhën italiane. Ka krijuar lidhje me të afërmit e luftëtarit të ISIS nga provincia e Vareses Oussama Khachia si dhe janë dokumentuar biseda të tij online me Brahim Boufares, një tjeëtr mbështetës i Isis i dëbaur nga Savona me akuzën e terrorizmit.
“Emri i Bledar Ibrahimit është më kryesori e më i rëndësishmi në hetimet e antiterrorizmit italian, shkruan Corriere della sera.
Forcat speciale të Milanos e larguan nga shtëpia ku jetonte në komunën Pozzo D’Adda dhe e dëbuan në Elbasan ku jeton me gjyshin e tij. Ai e ka të ndaluar të hyjë në territorin e Bashkimit Europian për 10 vitet e ardhshme.
Roli i Bledar Ibrahimit po shfaqet me qartësi vetëm tani. Pasi autoritetet italiane kanë rindërtuar çdo pjesë të “ushtrisë së xhihadistëve në Lombardi”, janë zbardhur të gjitha kontaktet telematike e telefonike mes personave të arrestuar, të dëbuar e luftëtar të ISIS.
Është kristalizuar roli “superior” i Bledar Ibrahimit. Ai është një mbështetës i Shtetit Islamik që nuk synon vetëm të niset në Siri e t’i bashkohet luftës së Kalifatit.
“Profesori kishte nisur karrierën e studimeve fetare të certifikuara në Egjipt për ‘u bërë një imama radikal. Ishte transferuar në Kajro për të studiuar në një Universitet arab e për të mësuar bazat e fesë myslimane në një shkollë Kurani.
Në të njëjtën periudhë në Egjipt ka jetuar dhe motra e tij Rexhina 20 vjeë e bashkëshorti i saj italian nga Lombardia i konvertuar në mysliman me emrin Icaro Bilal Masseroli.
Motra dhe burri i motrës së Bledar Ibrahimit janë dëbuar nga Egjipti të akuzuar për fondamentalizëm. Në fund të muajit shkurt të 2016 Bledar Ibrahimi rikthehet nga Egjipti në Itali duke kaluar përmes Frankfurtit ku qëndron dy ditë e më pas udhëton për 8 orë me autobus drejt Milanos. Ende nuk ka qartësi pse Bledar Ibrahimi nuk zgjodhi një fluturim direkt nga Egjipti drejt Italisë.
I sapo kthyer në vendin e rezidencës së tij në komunën Pozzo D’Adda, Bledar Ibrahimi ka kërkuar një kartë të re identiteti dhe pse ajo që zotëronte nuk i kishte skaduar ende. Në kartën e vjetër të identitetit Bledar Ibrahimi shfaqet me mjekër të gjatë ndërsa në momentin që ka kërkuar një kartë të re identitet është prezantuar pa mjekër.
Bledar Ibrahimi u dëbua nga Italia më 3 mars të 2016.
Qëndresa Gërlica, kandidatja shqiptare që po korr sukses në Belgjikë
Qëndresa Gërlica, ka mundur të gjejë rrugën drejt suksesit falë këmbënguljes së saj, mbështetjes së familjes dhe përkrahjes së Ahmet Gjanaj.
Qëndresa Gërlica në sfidën e saj te re kandidon për të qenë ne Parlamentin e Brukselit.
Janë pesë shqiptarë që kërkojnë të bashkojnë zërin në Belgjikë. Amet Gjanaj, Luiza Duraki, Habibe Duraki si dhe Avni Gjanaj që kandidojnë në tre nivele.
Qëndresa vazhdon ende studimet universitare për shkenca politike dhe ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së duke shtuar kështu rrugën e saj në politikë.
Në një intervistë për TemA Javore tregon, rrethanat që detyruan familjen e saj të braktisë Kosovën kur ajo ishte vetëm 3 vjeç dhe gjithë rrugëtimin e vështirë në një vend të huaj për të arritur ëndrrën e saj.
Ku dhe kur keni lindur ju, Qëndresa?
Kam lindur në Prishtinë më 20 Maj 1992
Kur je shkëputur nga Kosova?
Në vitin 1994, kur erdhëm në Belgjikë
Përse emigruat?
Në vitin 1989, Millosheviçi hoqi me dhunë autonominë e Kosovës dhe kompetencat e autoriteteve të Kosovës; ndërsa në vitin 1990 u mbyllën të gjitha objektet arsimore shqiptare në Kosovë.
Në atë periudhë, babai im, Bashkimi ishte shumë aktiv në rezistencën Kosovare, duke marrë pjesë në shumë protesta dhe në çeljen e objekteve shkollore ilegale. Ky investim kishte rënë në sy të forcave serbe në Kosovë të cilat vendosën ta dënonin babin me qëllim që të ndalonin aktivitetin e tij. Kësisoj, pasi policia erdhi disa herë tek dera e shtëpisë, ai u detyrua të largohet nga Prishtina dhe pas pak kohe u bashkuam dhe unë me mamanë me të.
Keni qenë vetëm 3 vjeç kur familja juaj emigroi drejt Belgjikës. Të nisësh një jetë të re në një vend të huaj nuk është aspak e lehtë, apo jo? Si e kujtoni ju fëmijërinë tuaj?
Prindërit e mi kanë punuar shumë që mua por dhe fëmijëve të tjerë të mos na mungonte asgjë, të shkollohem dhe të realizoj gjithë ëndrrat e mia. Por, ne kemi patur në mendje gjithnjë Atdheun, kemi ndjekur çdo ditë zhvillimin e ngjarjeve në media, në gazeta dhe në TV ; ndonëse nuk isha në Kosovë gjatë luftës, e kemi përjetuar atë nga larg; kujtoj psh protestat në Bruksel para Selisë së NATO-s çdo të Diel. Pastaj kujtoj një fëmijëri të lumtur dhe me sfida të shumta dhe besoj se ka shumë të tillë në këtë situatë nga brezi im. Të nisësh një jetë nga fillimi në një shtet të ri për një fëmijë kërkon të mësosh shumë e çdo lëndë në shkollë dhe të punosh dy herë më shumë se të tjerët për të arritur rezultatet e duhura. Kjo do të thotë që të jesh po ashtu dyfish i angazhuar në jetën familjare, pasi në shumë raste duhet të bëhesh dhe përkthyese. Babai punonte shumë dhe unë qëndroja gjithmonë me nënën, e shoqëroja te mjeku apo dhe në shitore. Besoj se vajzat dhe djemtë që kanë emigruar e kuptojnë mjaft mirë këtë situatë; por kjo na ka bërë që të jemi dyfish aktiv dhe të gjithanshëm. Qysh nga ajo kohë kam patur gjithnjë dëshirë të angazhohem më tepër ; kjo më ka dhënë më shumë autonomi dhe kurajo për të sfiduar jetën.
Për çfarë keni studiuar?
Jam në përfundim të studimeve universitare për shkenca politike.
Veç politikës, cilat janë pasionet e tjera për ju?
Shkëmbimet kulturore, historia, muzika, teatri dhe organizimi i eventeve të ndryshme; çka do të thotë që në kohën time të lirë kam shumë dëshirë dhe të argëtohem me miqtë e mi dhe për këtë arsye me vëllain tim organizojmë edhe mbrëmje të ndryshme shqiptare. Sa i përket kulturës dhe historisë kam shumë dëshirë që të marr pjesë në seminare apo debate të ndryshme.
Cila është motoja juaj në jetë?
Puno shumë, drejt dhe me pasion! Besoj se çdo gjë është e arritshme për ata që kanë guximin të besojnë në ambiciet e tyre dhe të punojnë për t’i realizuar.
Cili ishte motivi i përfshirjes suaj në politikë?
Motivi lind gjithmonë nga e kaluara dhe rrethi në të cilin jeton dhe vepron ; ndaj, ndoshta se vij nga një shtet si Kosova që ka 20 vjet që e ka lënë luftën pas dhe po ndërtohet dita ditës. Kështu që qysh në moshën më të re kam filluar të angazhohem në organizata të ndryshme, si Parlamenti Evropian Rinor dhe Këshilli i Rinisë të Belgjikës në të cilin kam qenë nënkryetare.
Këto me qëllim që të bëhem zëri i atyre që nuk flasin, që të tregoj për padrejtësitë dhe të luftoj për një shoqëri gjithëpërfshirëse në vendin ku jetoj.
Megjithatë, prania apo veprimi im në një shtet tjetër nuk më largon apo më mban anash nga angazhimi për krijimin e ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin e tyre. Përfshirja ime në politikë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale ishte falë propozimit të deputetit të nderuar zotit Ahmet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar në Belgjikë dhe që vepron për vite me rradhë për një përfaqësim të denjë të komunitetit tonë. Me shumë kënaqësi u bëra pjesë e “Kombëtares së zgjedhjeve” me të cilën bëmë një fushatë të bashkuar dhe dinamike në 11 komuna të Brukselit.
Ju ishit kandidatja më e re për Asamblenë komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së. Çfarë emocionesh ju dha fushata elektorale?
Më dha vërtet emocione të papërshkrueshme. Dhe u ndjeva shumë mirënjohëse ditën e shpalljes së rezultateve, kur mësova se ishin 695 persona më besuan votën. Ndaj u ndjeva e nderuar, por dhe shumë më e motivuar me vazhduar me punuar më shumë për rezultate më të mëdha dhe që t’i përfaqësoj sa më mirë të gjithë ata që kanë besim te unë.
Sa e vështirë ka qenë për ju si femër dhe si emigrante në Belgjikë të qenurit pjesë e politikës belge?
Falë aktiviteteve të shumta në organizatat belge dhe mbështetjen e fuqishme të zotit Ahmet Gjanaj munda të bëhem pjesë e zgjedhjeve të fundit dhe të fitoj besimin edhe të personaliteteve të tjera në Parti. Për një vajzë dhe grua jeta politike është e vështirë dhe sfiduese; megjithatë, besoj fort se duhet ndryshuar tendenca dhe të kemi më shumë përfaqësim të gruas në politikë, për të mbrojtur interesat e tyre dhe të tjerëve ; kjo dhe sepse besoj se gratë kanë pikëpamje progresive mbi botën dhe zhvillimet e saj. Ndihem shumë krenare si vajzë shqiptare dhe kam dëshirë që ne të angazhohemi akoma më shumë; kështu do të kemi më shumë suksese, sepse Historia ka shumë dëshmi të bujarisë dhe forcës së nënave dhe motrave tona dhe në kohërat më të vështira.
Cilat janë planet e tua, duke qenë se po afrojnë edhe zgjedhjet e reja rajonale dhe federale në muajin Maj? Pra, përse duhet t’ju votojnë ju?
Ajo se çfarë do të përfitojnë nga unë nëse do të zgjidhem në Parlamentin e Brukselit është bashkëpunimi dhe kontributi shumë i sinqertë për komunitetin tim dhe me gjerë ; kam vendosur të kandidoj pikërisht se kemi shumë probleme dhe se shumë të rinj e të reja kanë nevojë për mbështetje; ndaj vota e tyre do të shkojë te një njeri i sinqertë dhe shumë bashkëpunues me ta. Mendoj që nese do të më votojnë, atëherë shumë projekte dhe kauza të të rinjve apo komunitetit do të nxiten e promovohen deri në realizimin e tyre. Gjithashtu, kam dëshirë që përvojën time ta shfrytëzoj brenda Parlamentit të Brukselit, për të mundësuar krijimin e më shumë vende pune për ata që dëshirojnë të angazhohen, si psh me investime masive në organizatat rinore. Po ashtu, një kujdes më të madh për të gjithë personat në nevojë që ata të kenë një vendbanim të denjë dhe që fëmijët e tyre të kenë shanse të barabarta për t’u arsimuar dhe integruar në shoqëri. Kjo do të realizohet dhe me zhvillimin e mësimeve shtesë për nxënësit në nevojë në të gjitha shkollat e Brukselit.
A e ndiqni politikën në Shqipëri dhe atë në Kosovë?
Po, e ndjek vazhdimisht; mirëpo nëse më duhet të bëj ndonjë ndarje, kjo është e vështirë, jo vetëm te ne por në gjithë Ballkanin Perëndimor; sepse ka një frymë të ngjashme politike që po e le në vend gjithë atë rajon në raport me Bashkimin Evropian.
Përsa i takon politikës me fokus në trevat shqiptare, shihet se ka suksese mirëpo, ende jo në shkallën e duhur e të pritshme; vërtet që deri me tani janë realizuar projekte shumë të mira, si krijimi i Ushtrisë në Kosovë apo reformimi i drejtësisë dhe vetingu në Shqipëri ; gjithsesi, këto janë vetëm disa prej hapave pozitivë dhe konkret për zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Për kë personazh politik ke simpati?
Edhe politika si çdo fushë tjetër ka shembuj dhe histori suksesi që duhet ndjekur. Si gjithëpërfshirës apo idhull politik në botë kam Bernie Sanders, dhe politikat e tij të majta, të cilat janë shembull dhe mënyrë shumë e mirë qeverisjeje; pavarësisht se nuk fitoi, ai mbetet i preferuari im dhe mendoj se në garat e ardhshme ai do të jetë fitues.
Një mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptarë? Një ditë e jotja e zakonshme si nis dhe si përfundon?
Një ditë e imja fillon shumë herët dhe mbaron shumë vonë. Per momentin më duket se kam 4 jetë të ndryshme, se pari si Menazhere në një firmë Kozmetike, pastaj si studente. Tani u shtua dhe kandidatura politike, kështu që axhendën e kam mbushur plot, por kjo më jep me shumë vullnet për të punuar. Pavarësisht këtyre angazhimeve të shumta, mundohem të kaloj një pjesë të mirë të kohës dhe me familjen dhe shoqërinë time.
Ka te tjerë shqiptarë që kandidojnë? Si i keni marrëdhëniet me ta?
Në partinë time jemi 5 kandidatë që jemi bashkuar për një fushatë gjithëpërfshirëse dhe për të përfaqësuar komunitetin në të gjitha nivelet e mundshme, jemi si të thuash “Kombëtarja zgjedhore”. Në krye të këtij ekipi dhe strategjie është zoti Amet Gjanaj, i cili është dhe kandidati numër 6 për zgjedhjet për Parlamentin Evropian; aktualisht ai është deputet i Parlamentit të Brukselit dhe Nënkryetar i Komunës Molenbeek.
Pastaj kemi me Nr. 12 Luiza Duraku, e cila kandidon për Parlamentin Federal belg dhe është me e reja nga ne të gjithë. Kurse për Parlamentin e Brukselit garojmë 3 kandidatë, Habibe Duraku me Nr. 35, Avni Gjanaj Nr.40 dhe unë me Nr.47.Kjo strategji e bashkimit të fuqive është hartuar nga deputeti Amet Gjanaj dhe besoj se do të fuqizojë përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet.
Po të ishim të gjithë “në një vijë” kjo do të ishte një botë utopiste; ka dhe kandidatë të tjerë në parti të ndryshme, të cilët kandidojnë në mënyrë individuale. Kam parë me gëzim se ka kandidatë në të gjithë Belgjikën, jo e jo vetëm në Bruksel; kënaqësia tjetër si për mua është se ndërmjet tyre ka shumë kandidatë që janë vajza dhe gra dhe ndihem krenare për ketë fakt domethënës.
Neser opozita bllokon rrugët
Protesta e nesërme e opozitës do të ketë një strategji tjetër. Opozita jashtë Kuvendit do të bllokojë në orën 18:00 disa akse kryesore të vendit.
1- Elbasan (Rreth rrotullimit Bradashesh).
2- Durrës (Autostrada Plepa – Kavajë, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë).
3- Milot (Karburanti në Autostradë).
4- Fier (Rreth rrotullimi i Sheqit).
5- Tiranë (Rreth rrotullimi Shqiponjës).
Ditën e djeshme koalicioni opozitar i përbërë nga 8 parti firmosi marrëveshjen me 10 pika për të mos marrë pjesë në zgjedhjet derisa të garantohet liria e tyre.
Makron, do ta rindërtojmë katedralen e Notre-Dame brenda pesë viteve
Franca synon që ta rindërtojë brenda pesë viteve katedralen e Notre-Dame të shkatërruar nga zjarri dy ditë më parë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Monumenti Historik duhet të jetë gati për Lojërat Olimipike që vendi organizon në vitin 2024, megjithëse ekspertët druhen se restaurimi mund të zgjatë me dekada.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, thotë se katedralja e Notre-Dame do të rindërtohet “edhe më e bukur” dhe se ai dëshiron që puna të bëhet brenda pesë vjetësh.
Një zjarr masiv të hënën shkatërroi ndërtesën gotike 850-vjeçare, duke shkatërruar pjesën më të madhe të kulmit të saj dhe duke shkaktuar rënien e saj.
Katedralja ishte minuta larg nga shkatërrimi total, thanë zyrtarët.
Por, pavarësisht premtimeve të Macron, ekspertët mendojnë se rindërtimi i saj mund të zgjasë disa dekada.
Pesëdhjetë njerëz do të hetojnë shkakun e zjarrit. Prokurori publik i Parisit Rémy Heitz tha se nuk kishte ndonjë tregues të qartë të zjarrvënies dhe se flakët po trajtoheshin si një aksident.
Një grumbullim i 800 milionë eurove është premtuar tashmë nga një numër i kompanive dhe manjatë biznesi për të ndihmuar në rindërtimin e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.
Në një fjalim televiziv të martën në mbrëmje, presidenti Macron sugjeroi se ai do që të rindërtohet në kohën që Parisi organizon Olimpiadën Verore në vitin 2024.
“Ne do të rindërtojmë Notre-Dame edhe më të bukur dhe unë dua që ajo të përfundojë në pesë vjet, ne mund ta bëjmë atë”, tha zoti Macron, i cili tashmë kishte premtuar të fillonte një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin.
Eichhorst: Kompromis për zgjidhjen e krizës politike
Drejtorja për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS, Angelina Eichhorst, u ka bërë thirrje palëve politike në Shqipërisë të gjejnë kompromis për zgjidhjen e krizës politike.
Duke folur në Forumin Ballkanik për Shoqërinë Civile në Tiranë, Eichhorst tha se bojkoti nuk i shërben askujt dhe duhet të gjendet një kompromis mes palëve.
“Politika shqiptare duhet të ketë në axhendë integrimin e vendit”, tha Angelina Eichhorst.
Ndërsa Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Ballkani po përjeton një moment pasigurie një muaj para zgjedhjeve në Parlamentin Evropian.
“Një muaj para raportit për integrimin, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pritshmëri të lartë. Shpresoj që të mos jetë vetëm Brexit ajo që do ta eklipsojë mbledhjen e Këshillit Evropian” deklaroi Bregu.
Sa i takon rolit të shoqërisë civile, Bregu kërkoi më tepër angazhim të saj, duke kujtuar këtu edhe fondet e marra nga BE.
Bebe Rexha: Jam bipolare
Bebe Rexha gjithmonë ka folur hapur për problemet e saj me ankthin dhe shëndetin mendor. Dhe së fundmi këngëtarja zbuloi se vuan nga çrregullimi bipolar.
Në një postim në Instagram, Bebe tha se bipolariteti e sëmur dhe e bën të paaftë për të punuar.
Këngëtarja tha se nuk dihet me e turpëruar për gjendjen e saj.
“Nuk e kuptoja se ndihesha e sëmurë,”-shkroi Bebe. “Nuk doja të dilja nga shtëpia ose të qëndroja me njerëz. Tani e kuptoj se pse.”
Ndërsa shtoi se po punon për të sjellë këngë të reja dhe asgjë nuk mund ta bëjë të kthehet mbrapasht, pas zbulimit të sëmundjes së saj.
Macron: Do ta rindërtojmë katedralen
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen mesjetare Notre-Dame, pasi një zjarr i madh shkatërroi pjesërisht simbolin e Parisit.
Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, 850 vjeçare, përfshirë dy kullat e saj, ndërsa maja dhe çatia iu shembën.
Zjarri u vu nën kontroll gati nëntë orë pasi nisi, të hënën pasdite.
Shkaku i tij mbetet ende i paqartë, por zyrtarët thanë se mund të lidhet me punimet e rinovimit.
Prokuroria e Parisit tha se aktualisht është duke e hetuar atë si një aksident.
Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, Macron tha se “më e keqja është shmangur”, pasi është ruajtur struktura kryesore e katedrales.
Ai u zotua se do të nisë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin.
“Do ta rindërtojmë këtë katedrale të gjithë së bashku.Kjo është ajo që francezët presin, sepse kjo është ajo që meriton historia jonë”, tha ai.
Miliarderi François-Henri Pinault, shef ekzekutiv i grupit Kering, i cili zotëron markat e modës Gucci dhe Yves Saint Laurent, premtoi tashmë 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame.
Zjarri nisi rreth orës 18:30 të hënën dhe shpejt arriti kulmin e katedrales, duke shkatërruar dritaret e qelqit dhe brendësinë e drurit, përpara se t’i rrëzonte majën.
Zjarrfikësit pastaj kaluan orë të tëra për të parandaluar kolapsin e njërës prej kullave ikonë të kambanës.
Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra të vlefshme arti dhe gjëra fetare, që ruheshin brenda katedrales së ndërtuar në shekujt e 12-të dhe 13-të.
Macron tha se vlerëson lart “guximin e jashtëzakonshëm” të 500 zjarrfikësve të përfshirë në operacion.
Hera e fundit që katedralja pësoi dëme të mëdha ishte gjatë Revolucionit Francez. Ajo u mbijetoi dy luftërave botërore kryesisht e padëmtuar.
Katedralen e vizitojnë mbi 13 milionë turistë çdo vit.
Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar atë.






