Drejtësi për Rexhinën, familjarët vazhdojnë protestën

13

Familjarë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Elbasan protestuan paraditen e sotme para spitalit të Elbasanit “Xhaferr Kongoli” për vdekjen e 25 vjeçares Rexhina Debrova, pak orë pasi solli në jetë foshnjën e saj.

Ata mbajnë në duar pankarta ku shkruhet: “Duam Drejtësi!” “Kush do i japë gji Aleas”

Familjarët akuzojnë mjekët për vdekjen e 25 vjeçares më 22 prill në maternitet një orë pas lindjes.

Dy mjekë po hetohen për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thana, do hetohen nën masën e sigurisè “detyrim paraqitje” deri në daljen e ekspertizës përfundimtare.

“Doktori le të dalë në dritare dhe të na sqarojë. Ajo vajzë erdhi me urgjencë në spital apo ishte duke qeshur dhe shkoi me këmbët e veta në sallë. Pse infermierja del e thotë që erdhi me urgjencë nga Cërriku. Pse mashtrojnë. Vajza ime ka vdekur për faj të mjekësisë. T ëzbardhet e vërteta duam drejtësi” thonë familjarët

Ndërkohë gjatë dëshmisë në Polici por edhe në gjykatë, mjekët mohuan akuzat për mjekim të pakujdesshëm. Autopsia paraprake ka përcaktuar se shkak i vdekjes së 25 vjeçares ishte “tromboembolia pulmonare”, ose infarkt i mushkërive, çka sipas gjinekologëve nuk mund të parandalohej.

Do të jetë përfundimi i ekspertizës së plotë mjeko ligjore dhe verifikimi i praktikës së ndjekur për të arritur një përfundim.