Familjarët protestojnë para gjykatës së Elbasanit me foshnjën jetime në krahë

73

Me foshnjen jetime vetëm disa ditëshe familjarët e Rexhinës protestuan sot para gjykatës së Elbasanit ku po jepet masa e sigurisë për dy mjekët, të cilët u arrestuan për vdekjen e 25-vjeçares në Maternitetin e Elbasanit.

Kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Niko Thano u arrestuan me akuzën e mjekimit të paligjshëm, ku si pasojë humbi jetën 25-vjeçarja Rexhina Debrova , një orë pas lindjes.

Në reagimin e parë qendra spitalore e Elbasanit tha se Rexhina Debrova pësoi një komplikacion të rëndë, të ashtuquajtur infarkt mushkërie.

Ndërkohë priten edhe rezultatet e autopsisë për shkakun zyrtar të vdekjes.

Familjarët akuzojnë mjekët për neglizhencë.

Familjarët  disponojnë një video ku Rexhina shfaq komplikacionet e thotë: “Nuk po mbushem dot me frymë”.

“Doktorët vazhdojnë të qetë, vijnë na lajmërojnë neve që: Shkoi çdo gjë shumë mirë, goca është shumë mirë, pastaj dalin e thonë, pas tre orësh torturë neve, “S’mundi të jetonte!” Pse? Sepse mjeku anestezist i ka bërë gjilpërën dhe është larguar nga salla e operacionit. Ndërkohë duhet të ishte prezent deri sa t’i dilte mpirja. Mjeku kardiolog i turnit nuk ka qenë prezent në sallë.  Rexhina gëzonte shëndet të plotë dhe këtë e vërtetojnë analizat që ka bërë.” thote i vellai.