Shperthimi në Letoni në gjëndje të rëndë Majori

Ngjarja e rëndë e ndodhur sot paradite në Letoni, ku gjatë pastrimit të një zone nga municionet e paplasura ndodhi një shpërthim i cili i mori jetën Zarife Muharrem Hasanajt ndërsa u plagosën një major shqiptar dhe një rreshter Julian Kapaj.

Burime të sigurta bënë me dije se Majori Klodian Nikolla Tanushi ndodhet në gjëndje të rëndë nën kujdesin maksimal të mjekëve në bazën Camp Adazi, në Letoni. Ai ka plagë të rëndë në kokë.

Grupi në terren ka qenë i përbërë nga 8 persona, 4 prej të cilëve janë dëmtuar. Zarife Hasanaj vajza nga Tropoja dhe që banonte në Babrru humbi jetën. Personi i katërt i cili nuk u përmend në deklaratën e ministrisë së mbrojtjes ka pësuar lëndim të lehtë.

Mogherini: Ndihet presioni ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini vëren me shqetësim një rritje të presionit ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur.

“Po shohim gjithmonë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për medien e lirë e për të minuar në mënyrë sistematike besueshmërinë e shtypit. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose kanë rrezikuar atë, për të vënë në pah të vërtetën”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shtypit të lirë, që shënohet më 3 maj.

“Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë e të ndershëm dhe është detyra jonë ta mbrojmë këtë hapësirë”, vazhdon deklarata.

Dita Botërore e Lirisë së shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor të 1993-shit, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s. Indeksi botëror i lirisë së medies 2019, i publikuar më 18 prill nga “Reporterët pa kufij” tregon sesi në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuuar në rritjen e frikës.

Vuçiç takon në Tiranë Mogherinin për dialogun me Kosovën

Rama kuq e zi në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të udhëtojë  me 8 maj në Romë për t’u takuar me zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini.

Mediat serbe raportojnë se temë kryesore e këtij takimi do të jetë dialogu me Kosovën.

Takimi mes Vuçiç dhe Salvinit pritet të jetë i mbyllur për mediat.

Në mbyllje të takimit në Romë, Vuçiç do të udhëtojë në mbrëmje drejt Tiranës  për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini në kuadër të procesit ‘Brdo-Brioni’ i cili do të mbahet në kryeqytetin shqiptar për dy ditë.

Edhe te takimi mes Vuçiçit dhe Mogherinit temë diskutimi do të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Aleksandër Vuçiç në Shqipëri, por e para si president i Serbisë.

Në maj të 2015 ai e vizitoi Tiranën në cilësinë e kryeministrit të Serbisë.

Arta Marku dorëzon kandidaturën për postin e kryeprokurores

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, dorëzon kandidaturën për postin e kryeprokurores. Mësohet e kryeprokurorja në detyrë e ka nisur dokumentacionin drejt Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbrëmjen e së dielës me postë.

Arta Marku është kandidatja e katërt në garën për kreun e akuzës pas regjistrimit të prokurorit të krimeve të rënda Olsian Çela, prokurores së  Apelit në Tiranë, Fatjona Memçaj dhe avokatit Lulzim Alushaj.

Këshillli hapi garën me 19 mars, pasi miratoi më parë rregulloren mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, ku përfshihet dhe procesi i rivlerësimit. Koha në dispozicion për aplikantët është 30 ditë.

Më pas Këshilli, brenda 45 ditëve do të bëjë vlerësimin e tij mbi plotësimin e kushteve nga ana e kandidatëve si dhe do të zhvillojë seanca dëgjimore me ta.

Sipas Kushtetutës, e cila ju përshtat reformës në Drejtësi në vitin 2016, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgon parlamentit tre kandidatura të renditura sipas vlerësimit që kanë marrë.

Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë.

Afati përfundimtar është 29 prilli por përshkak të pushimeve shtyhet deri më 2 maj.

Rama takon Merkel para Samitit

Sot Ballkani Perëndimor pritet të zbarkojë në Berlin, ku liderët e rajonit do të priten nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Pavarësisht situatës para zgjedhjeve në Parlamentin Europian, sipas mediave gjermane kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kanë parashikuar takime para Samitit me kancelaren gjermane për të diskutuar mbi çështjen e zgjerimit.

Rama dhe Zaev do të kërkojnë të bindin Merkel me qëllim influencimin e Gjermanisë te Franca dhe Holanda.

Janë pikërisht këto dy vende skeptike që trembin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për vendimin e qershorit.

Pak ditë më parë, parlamenti holandez votoi pro rikthimit të vizave për shqiptarët me argumentin se vendi ynë nuk ka bërë aq sa duhet për luftën kundër krimit të organizuar.

Gjithashtu sipas burimeve diplomatike, vendet e Unionit janë të fokusuar te zgjedhjet e Parlamentit Europian duke lënë mënjanë çështjen e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

Rreziku konsiston në rezultatet e zgjedhjeve europiane, pasi rritja e skepticizmit për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe rritja e partive populiste mund të kenë një efekt negativ për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Madje në disa deklarata të zyrtarëve të Brukselit është thënë se vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të shtyhet për në vjeshtë.

Notre-Dame pas zjarrit, Paris 17 prill 2019

Notre-Dame pas zjarrit, Paris 17 prill 2019 . (Benoit Tessier, Reuters/Contrasto)

Zjarre në Skandinavi jashtë sezonit

Disa zjarre jashtë sezoni kanë përfshirë Suedinë dhe Norvegjinë duke alarmuar autoritetet se mund të gjenden para një tjetër vere të zhuritur në skandinavi, këtë vit.

Agjencia e mbrojtjes civile suedeze tha për agjencinë e lajmeve AFP se janë individualizuar deri më tani 10 vatra shqetësuese. Origjina e zjarreve ka shumë gjasa të ketë lidhje me aktivitetet e njerëzve si barbeky apo makineri pyjore. Por mungesa e shiut dhe temperaturat më të larta se zakonisht, nuk po ndihmojnë.

Vitin e kaluar, zjarret zhuritën më shumë se 25 mijë hektarë tokë në Suedi pas një pranvere jashtëzakonisht të thatë dhe korrikut më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në dy shekuj e gjysmë. Edhe Norvegjia ka regjistruar zjarre në pyje para sezonit për shkak të thatësirës dhe disa hektarë tokë janë zhuritur.

Zyrtarët thonë se kanë mësuar nga pësimi i vitit të kaluar. Por, tendenca e hershme e zjarreve nuk është e pranishme vetëm në skandinavi. Në të gjithë Evropën, numri i zjarreve është më i lartë këtë vit se mesatarja e 10 viteve të fundit.

Sipas Copernicus, shërbimit satelitor të komisionit evropian, ka patur një total prej 1207 zjarresh deri më 24 prill, krahasuar me 112 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për më tepër, agjencia ka regjistruar më shumë se 180 mijë hektarë të djegura krahasuar me 24 mijë hektarë vitin e shkuar.

Superskandali, produkte ushqimore me pluhur tulle dhe pluhur allçie

Një tjetër skandal po denoncohet fort nga ekspertët, sa i përket abuzimeve që bëhen me produktet ushqimore. Kohët e fundit është zbuluar se abuzimi me ushqimet ka arritur “majat”.

“Top Story” shfaqi ato që ishin pluhur tulle dhe pluhur allçie, që përdoren masivisht në ushqime. Pluhuri i tullave shërben si ngjyrues, ndërkohë që pluhuri i allçisë mund të përdoret për të forcuar produkte të tilla si djathi.

Pra, mund të themi që sot shqiptarët ushqehen edhe me materiale ndërtimi. Fatkeqësisht në Shqipëri nuk ka laboratorë që t’i identifikojë ato.

“Analiza instrumentale ka bërë të njohur edhe përqindjen e elementëve që nuk kanë qenë të njohura paraprakisht nga ne. Nuk na ka shkuar mendja që janë përdorur produkte, që janë totalisht të papajtueshme me përbërësit ushqimorë. Pluhura materialesh inorganike, pluhura materialesh inerte. Si ngjyrues janë përdoruar po materiale të tilla, por s’po hyj në detaje”, tha Prof. Dr Ilirjan Malollari, ekspert ushqimi për lëndët kimike.

“Top Story” po iu sjell një tjetër fakt tronditës. Produktet ushqimore, të cilat janë të ambalazhuara me materiale të ricikluara, rrezikojnë jetën e njeriut.

Sipas ekspertëve, ka fakte se nga materialet e riciklueshme që përdoren për paketim, migrojnë elementë kancerogjenë në ushqime. Këtu mund të përmendim mishin e grirë të paketuar, kërpudhat, gjalpin, qumështin, vajin e ullirit, ujin, lëngjet e ndryshme.

“Në paketimet ushqimore bashkëjetesa nuk është asnjëherë miqësore mes produktit dhe paketimit. Nga paketimi te ushqimi emetohen, migrojnë produkte kancerogjene. Praktikisht ne kemi prova se ekzistojnë përbërës që nuk kanë qenë në produktin ushqimor në momentin e prodhimit të tij. Nga këto produkte do të përmendja qumësht, vaj ulliri, uji. Ndodhen produkte që të analizuara me aparaturë instrumentale të hollë, kanë rezultuar produkte të tilla që sulmojnë drejtpërdrejt shëndetin e njeriut”, tha më tej Prof. Dr. Ilirjan Malollari.

Për të garantuar sigurinë ushqimore, çdo hallkë e zinxhirit luan një rol vendimtar. Duhet të kuptojmë që kontaminimi i ushqimeve fillon që nga toka, mënyra sesi ushqehen kafshët, mënyra si përpunohen produktet, si ruhen dhe si transportohen deri në tavolinën e konsumatorit.

*Top Channel

Facebook gati për supergjobën

Agjencia qeveritare amerikane heton mbi shkeljen e mundshme të një marrëveshjeje të 2011 që garantonte privatësinë e përdoruesve, pas skandalit të Cambridge Analytica, që ka patur akses në 87 milionë përdorues pa dijeninë e tyre.

Për këtë fakt, kompania ka listuar si humbje në bilanc 3 milionë dollarë, në pritje të përfundimeve të hetimit.

Shuma, ka pasoja negative në rezultatet e semestrit të parë, pavarësisht se fitimet janë rritur në plan vjetor me 26 për qind, në 15.08 miliardë dollarë, duke kapërcyer parashikimet e analistëve.

Rritja e fitimeve është ndihmuar edhe nga ngritja e Instagramit dhe e shpenzimeve publicitare të kompanive. Por, fitimi neto ka shënuar një farë rënieje. Kjo kryesisht për shkak të përgatitjeve për sanksionin e mundshëm, që sidoqoftë nuk duket se i tremb investitorët: Në bursë, aksionet e Facebook kanë rezultuar me rritje.

Ajo që ndihmon platformën, është ecuria e mirë, pavarësisht skandaleve të kohëve të fundit. Facebook nuk resht së tërhequri përdorues të rinj dhe mbetet një platformë tërheqëse edhe për aksionistët dhe investitorët.

Balla për Bashës: Mos blloko rrugët, ka ligj

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka paralajmëruar kreun e PD, Lulzim Basha që mos bllokojë rrugët dhe mos vandalizojë institucione dhe biznese sepse do të përballet me ligjin.

Balla: Basha dhe Kryemadhi kanë vendosur të bllokojnë sot të gjitha akset më të rëndësishme kombëtare, pro një gjë është e sigurt, nuk mund të bllokojnë dot reformën në drejtësi. Nuk mund të bllokojnë sot miratimin e këtij ligji sikurse nuk kanë mundur prej 2016 të bllokojnë paketën, ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për vetingun.

Në vazhdën e këtyre protestave të dhunshme që dëmtojnë ekonominë, turizmin, konsumin. Ishim para pak minutash në Rinas teksa u hodh themeli i një prej hoteleve më të rëndësishme me 5 yje në Shqipëri. Një kompani gjermane, ka vendosur të investojë përsëri në Shqipëri.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie gjermane teksa mori fjalën tha erdha nga Mynihu me një avion të mbushur me turistë gjermanë. E turistëve gjermanë sot teksa shkojnë për në Vlorë do ti dalë përpara Luli dhe Monika për tu zënë rrugën për të mos shijuar bukuritë e turizmit shqiptar.

E teksa një gjerman do të pyesë gjermanin tjetër se çfarë hall kanë këta, po ju themi nga këtu:

Halli i tyre është reforma në drejtësi. Prandaj bllokojnë rrugët. Të bllokosh rrugët sot do të thotë është të mundohesh të pengosh sado pak. Por nuk kanë për t’ia arritur.

Ky është halli i biznesit të kunatit, nuk është halli i biznesit të një qytetari të ndershëm që punon për të mbajtur familjen.

Përballë kësaj vale dhune dhe përpjekje për të penguar shqiptarët të lëvizin nëpër rrugët e Shqipërisë, përgjigjja është vetëm një. Dëgjoje Lulzim:

Ke gjithë të drejtën të protestosh kur të duash, sa herë të duash, por harroje të nxisësh dhunë, të kryesh akte vandalizmi, të godasësh policinë, institucionet, të terrorizosh njerëzit se ke për tu përballur me ligjin, qoftë ti, qoftë kushdo tjetër që tenton të bllokojë rrugë, të dhunojë institucione, të vandalizojë biznese private.