Betohen 6 deputetë të rinj, mes tyre Andi Përmeti

16

Gjashtë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend mes tyre është edhe Andi Përmeti një prej themeluesve të partisë më të re “Bindja Demokratike”.

Më 23 prill kjo parti dorëzoi në gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrim si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Dokumentacioni i regjistrimit si parti politike është shoqëruar me rreth 4 mijë firma të mbështetësve për krijimin e saj.

Anëtarë të partisë më të re u mësuan se janë Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator do të jetë Astrit Patozi.

Sot u betua edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Rroshi nga lista shumë emërore e PD, Nikolin Staka nga lista shumë emërore e PD-së në Shkodër, Zef Shtjefni kryetar i Partisë “Ora e Shqipërisë”, lista shumë emërore e qarkut të Shkodrës; Fatjona Koço nga lista shumë emërore e PD-së në Gjirokastër, dhe Eugen Bojaxhi, nga lista shumë emërore e LSI-së e qarkut të Beratit.

Me betimin e gjashtë emrave të fundit, numri i deputetëve të betuar në Kuvend shkon në 108.

Erjon Piciri pritet që të betohet në seancën e radhës, ndërsa dy të tjerë pritet që të marrin mandatin, pasi kanë dorëzuar dokumentacionin në KQZ.