Ja pse është e vështirë të jesh i gjatë

rama i gjateAmbasada amerikane në Tiranë ka postuar një foto të kryeministrit Edi Rama, të bërë dje në sallën e pritjes së sapoinaguruar të spitalit të Lezhës. Ambasada ka shkëputur një moment humori nga ky aktivitet, ku shfaqet kryeministri Rama duke u futur në derën e sallës së pritjeve, derë e cila nuk e nxë, pasi kryeministri i vendit është i gjatë. Më pas këtë foto kryeministri Rama e ka postuar edhe në profilin e tij në “Facebook”.

Ja se çfarë shkruan ambasada mbi foto:

“Ndonjëherë është e vështirë të jesh i gjatë! Kryeministri Edi Rama, me ambasadorin Alexandër Arvizu dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, në sallën e pritjes të sapoinaguruar të spitalit të Lezhës, e cila u rinovua me ndihmën e USAID/Albania”.

Britania ndryshon qëndrim për statusin

britanikuBritani e Madhe është një nga vendet më skeptike për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ministri i Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington, i cili ndodhet për një vizitë pune në Tiranë, në takimin me kryeministrin Edi Rama, ka shprehur mbështetje për vendin tonë edhe pse vendi i tij nuk miratoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Rama e njohu Lidingtonin me reformat e ndërmarra, duke theksuar se pavarësisht se Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, qeveria shqiptare mbetet e vendosur në angazhimin e saj për përmbushjen e të gjitha prioriteteve të kërkuara në këtë proces.

Lidington vlerësoi shumë këtë qëndrim të shprehur nga Rama. Ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të qeverisë shqiptare, reformat e ndërmarra. Por nuk dihet nëse këto vlerësim do të përkthehen në një votë pro statusit.

Libia shkatërron armët kimike

armet_kimike_ne_siriMinistri i jashtëm i Libisë  ka deklaruar se vendi i tij ka shkatërruar sasinë e fundit të armëve kimike nga koha e diktatorit Moamar Gadafi. Mohammed Abdelaziz tha se janë shkatërruar edhe qindra predha të mbushura me gaz.

Ministri Abdelaziz tha se Libia tani është plotësisht e lirë nga armët kimike që përbënin një kërcënim për libianët, fqinjët e tyre, dhe mjedisin.

Ai falënderoi Kanadanë, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara për ndihmën e tyre në shkatërrimin e këtyre armëve.

Libia ka nënshkruar traktatin ndërkombëtar të armëve kimike në vitin 2004 për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin.

Por përpjekjet e saj për t’i eliminuar e vetme këto armë u ndërprenë gjatë  kryengritjes së vitit 2011, e cila çoi në përmbysjen dhe vdekjen e Moamar Gadafit.

Moore: Shqipëria, krenare për tranzicionin paqësor të pushtetit

jonathan-moore-Drejtori i Marrëdhënieve për Evropën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit Jonathan Moore ka vlerësuar edhe njëherë trazicionin paqësor të pushtetit në Shqipëri.

Në një diskutim në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Moore është shprehur se SHBA mbështet integrimin Euro-Atlantik të rajonit ndërsa i ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat, dhe të lënë pas tensionet ndëretnike.

Sipas tij, pas vitesh investimi dhe angazhimi nga Perëndimi, Ballkani Perëndimor ka arritur sukses të konsiderueshëm por disa sfida mbeten ende të pazgjidhura

Ai ka shtuar se pikëpamja zyrtare e Shteteve të Bashkuara është se vendet e Ballkanit Perendimor kanë arsye të jenë krenare me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tranzicionin paqësor të pushtetit në Shqipëri.

“Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara për rajonin është integrimi i tij Euro-Atlantik. Siç kanë thënë shumë administrata  amerikane qofshin – demokrate apo republikane – ne duam një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe – ky është fokusi ynë.”

Por zoti Moore tha gjithashtu se vendet e rajonit duhet të përpiqen të zbusin tensionet etnike dhe kombëtare, të luftojnë korrupsionin dhe të përpiqen për reforma ekonomike, të shtojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.

Ai shton se Amerika është e angazhuar që rajoni të jetë pjesë e këtyre organizatave.

“Ne jemi të angazhuar, të vendosur dhe të interesuar në një të ardhme në BE për të gjitha këto vende, dhe nëse duan edhe në NATO. Ky ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për vite dhe ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë” ka shtuar Moore.

Moore është shprehur gjithashtu se Maqedonia dhe Bosnja janë dy përjashtime përsa i përket arritjeve. Maqedonia ka pengesë për anëtarësim në NATO mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin. Dhe Bosnja vazhdon të ketë mosmarrëveshje etnike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit është dakort se Bosnja është shumë e komplikuar për shkak të marrëshjes së Dejtonit e cila i dha fund luftës por e la Bosnjen të ndarë etnikisht.

“Pyetja e vërtetë është: a mund ta shpërbësh strukturën e Dejtonit dhe përgjigja jonë e prerë është Jo, nuk mundesh.”

Shumë nga vendet e Ballkanit mbajnë zgjedhje në vitin 2014. Por ende nuk është e qartë se çfarë përparimi do të shënojnë ato drejt demokracisë së plotë dhe integrimit në BE.

 

Nishani dekoron Grupimin pёr Çёshtjet Shqiptare dhe Kongresmenin Aderholt

NishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Kongresit Amerikan, dekoroi Grupimin për Çështjet Shqiptare në Kongres me “Medaljen e Flamurit Kombëtar”, ndërsa me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Kongresmenin Robert Aderholt me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë për aktivitetin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të reformave demokratike në Shqipëri, të zgjerimit të hapësirës demokratike për shqiptarët në rajon dhe veçanërisht për pavarësinë e Kosovës”.

“Dikur bunker i komunizmit, Republika e Shqipërisë ndërmori reforma rrënjësore për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, vendosjen e ekonomisë së tregut, respektimin e të drejtave të njeriut dhe hapjen e vendit. Vendi, dikur, më brutal në shkeljen e të drejtave të njeriut, drejtoi, dy vite më parë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, këtij tempulli të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, ka si objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe pret, me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE këtë qershor. Të vetëdijshëm se integrimi evropian është një proces që kërkon kohën e tij, kemi motivimin qytetar,  vullnetin politik, dhe aftësitë institucionale për t`i shkuar deri në fund. Gjithçka kemi arritur janë fryt i përgjegjësisë sonë, por këto frute do të ishin të pamundura pa përkrahjen, bashkëpunimin dhe ndihmën bujare të partnerëve dhe miqve tanë zemërgjerë e të durueshëm. Grupi i Çështjeve Shqiptare është njëri prej tyre, madje nga më të rëndësishmit” ka theksuar presidenti Nishani.

Presidenti theksoi më tej se Shqipëria është e përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

“Shqiptarët, kudo në rajon,  mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian. Në gjykimin tonë, bashkëpunimi rajonal mund të bëhet konkret nëpërmjet lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave e kapitaleve dhe angazhimit të përbashkët në nisma e projekte, të cilat do ta bënin këtë rajon tërheqës e konkurrues, si pjesë natyrale e tregut evropian” shtoi ai.

Më herët, Presidenti Nishani, u prit në një takim mirëseardhjeje nga bashkëkryetari i Grupimit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, Kongresmeni Eliot Engel.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime për zhvillimet e fundit në rajon, në Shqipëri dhe për kontributin e mëtejshëm të këtij grupimi në promovimin e demokracisë dhe integrimin evropian të Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit ku jetojnë shqiptarë.

 

Grabiten 20 mijë euro në një bankë në qendër të Tiranës

Grabitje-me-maska-e-armeNjë shumë prej 20 mijë euro rezulton të jetë vjedhur në një bankë pranë qendrës së Tiranës. Drejtuesit e Bankës kanë bërë denoncimin në polici pak minuta më parë. Sipas policisë autor i dyshuar për grabitjen është një punonjës i brendshëm i bankës. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mesditës së sotme.

Policia ka marrë për disa orë në pyetje punonjësit e bankës ndërkohë që ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në bankë. Efektivët e komisariatit numër 2 po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Tiranë, parandalohet një atentat me bombë të telekomanduar

policiaPolicia e kryeqytetit ka mundur të parandalojë një atentat me bombë të lidhur me telefon celular mbrëmjen e sotme. Policia ka ndaluar një 30 vjeçar të cilit ju gjetën dy telefona celular. Operacioni i policisë u krye në një lokal në aksin rrugor Tiranë-Vorë.

I ndaluari është Albert Stafa 30-vjeç i cili ka qenë më parë i arrestuar për shfrytëzim prostitucioni. Efektivët e komisariatit numër 6 kanë sekuestruar dy telefona celular.

Shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar i drogës e prostitucionit, në pranga 7 shqiptarë

pranga-arrestimShkatërrohet një rrjet kriminal, i cili merrej me shfrytëzim të femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve. Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Tempesta” të zhvilluar në bashkëpunim me autoritet Policore Italiane, Greke dhe Rumune, bënë të mundur kapjen e 7 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me shfrytëzim e femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar prej ditës së djeshme deri mesditën e sotme, nga sektori për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier dhe Tiranë u bë i mundur arrestimi i shtetasve:

-Igli Metushi, vjeç 21, nga Vlora, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike e tipit marijuana.
-Gazmir Shkurtaj, vjeç 27, nga Vlora, i cili akuzohet pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike e tipit marijuana.
-Daniel Lika, vjeç 28, nga Fieri, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim lëndësh narkotike.
-Eduarto Hoxha, vjeç 37, nga Fieri, i cili akuzohet për trafikim i lëndëve narkotike, marijuana
-Kreshnik Bendo, vjeç 24, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni
-Eugen Çaushi, vjeç 30, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni
-Edër Dorzi, vjeç 32, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni

Në kuadër të këtij operacioni, i cili është zhvilluar njëkohësisht në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Rumani u bë i mundur ekzekutimi i urdhër arresteve për 30 persona, pjesë e 2 organizatave kriminale të lidhura me njëra tjetrën, ajo e Milanos, e cila drejtonte prostitucionin e grave të reja nga Europa Lindore dhe ajo e Firences, e cila merrej me shpërndarjen e narkotikëve me origjinë nga Shqipëria në qendra të ndryshme të Italisë.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Milanos. Në kuadër të këtyre hetimeve u mundësua zbardhja e mekanizmit të veprimtarisë kriminale të zhvilluar nga këto dy grupe kriminale në kontrollin e aktivitetit të prostitucionit dhe në ripërdorimin e të ardhurave të përftuara në blerjen e narkotikëve, si dhe u identifikuan në Greqi dhe Shqipëri, përgjegjësit e dërgesave të narkotikëve.

Shtetasit e sipërcituar janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, ku do të përballen me akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Theron dhe Sean Penn, një familje e lumtur

seann penLidhja e Charlize Theron dhe Sean Penn tashmë është diçka që e dinë të gjithë, dhe çifti asnjëherë nuk e kane fshehur atë që ndjejnë, për njëri tjetrin, por mesa duket Sean është duke marr përsipër rolin e babait të të voglit Jackson, djalit të adoptuar të së dashurës së tij . Çifti janë fotografuar nën shoqërinë e të voglit në një supermarket në Malibu, dhe kanë kaluar një ditë të gjatë duke zgjedhur artikuj të ndryshëm. Sigurisht Jackson preferoi të qëndronte së bashku me Sean , i cili po shtynte karrocën ku ai po qëndronte.   Charlize ishte e veshur thjeshtë por me shumë shije. Aktorja gjithashtu ndahu një sërë bisedash me të dashurin e saj të famshëm, i cili e ndihmoi edhe me produktet që kishin blerë.

Charlize Theron dhe Sean Penn janë fotografuar edhe gjatë javës së kaluar, përsëri së bashku me Jackson. Duke dashur që të miqësohet sa më shpejt me të birin e 38 vjeçares , Sean i kushtoi atij një vëmendje të veçantë madje po bënte të pamundurën që Jackson të qeshte. Shpesh ai u pa të luante me të dhe të bënte disa shprehje fytyre qesharake.

Halimi: Rama-Meta po hedhin në erë demokracinë parlamentare

Eduard-Halimi_1Nënkryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Eduard Halimi, në një deklaratë për shtyp e ka cilësuar rrëzimin e kërkesës së opozitës për hetim parlamentar, si shkatërrim të Kuvendit, llogaridhënies, dhe kontrollit të qeverisjes. Halimi ka theksuar se qeveria e drejtuar nga Rama-Meta po hedh në erë demokracinë, po dëshmojnë se sa më i madh të jetë pushteti në duart e tyre, aq më i madh është abuzimi dhe arbitrariteti.

“Mazhoranca Rama-Meta po hedh në erë demokracinë parlamentare në vend, duke rrëzuar për herë të dytë kërkesën e opozitës për komision hetimor. Me këtë akt, shumica Rama-Meta po eliminon çdo instrument të llogaridhënies e transparencës në sistemin tonë politik. Rama dhe Meta po dëshmojnë se sa më i madh të jetë pushteti në duart e tyre, aq më i madh është abuzimi dhe arbitrariteti. Rama dhe Meta manifestuan dje arsyen pse nuk duan të japin llogari për emërimet në Policinë e Shtetit, sepse ata janë të lidhur me krimin dhe qëndrojnë pas krimit, që është instaluar sot në zemrën e Policisë së Shtetit. Kjo është arsyeja e vetme pse ata nuk duan të japin llogari e të bëjnë transparencë për zbatimin e ligjit në emërimet në Policinë e Shtetit, për caktimin e ushtarit të Zani Çaushit si shef të anti-drogës në Vlorë, apo për faktin se shefi i komisariatit të Durrësit i cili nuk pranoi të merrte dëshminë e denoncuesit të rrjetit kriminal të vrasjeve me pagesë, ka qenë për 8 vite shofer i biznesmenit të arrestuar si i dyshuar për porositjen dhe pagesën e ekzekutimeve.

Është ndezur llampa e emergjencës për rrezikun që i kanoset shtetit ligjor dhe demokracisë tonë. Dhe pikërisht në këto kushte Rama dhe Meta rrëzojnë kërkesën legjitime të opozitës për hetim parlamentar. Eliminojnë të vetmin instrument që Kushtetuta i ka dhënë pakicës parlamentare, si një mundësi kontrolli për qeverisjen e vendit. I themi sot Ramës dhe Metës, se e kanë kaluar vijën e kuqe, dhe se kartonat në parlament nuk janë një aset i tyri personal, nuk janë marifetet e dy prestigjatorëve. Ata janë duke luajtur me fatin e këtij vendi. Nëse e konsiderojnë parlamentin, dhomën e tyre të pasme, ku mund të bëjnë ç’të duan, atëherë parlament nuk do të ketë. Nëse i heqin parlamentit arsyen kryesore të ekzistencës së tij, që është kontrolli ndaj qeverisë, atëherë parlament nuk do të ketë. Nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Po e fusin vendin në një spirale të shkatërrimit të demokracisë dhe nxitjes së konfliktit.  Me këto akte Rama dhe Meta po largojnë Shqipërinë çdo ditë nga Europa, dhe po nxisin skenarin ukrainas.  Opozita nuk e dëshiron këtë, dhe kjo nuk është zgjedhja jonë, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq para këtij skenari ogurzi për vendin”, u shpreh Halimi.