Halimi: Rama-Meta po hedhin në erë demokracinë parlamentare

53

Eduard-Halimi_1Nënkryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Eduard Halimi, në një deklaratë për shtyp e ka cilësuar rrëzimin e kërkesës së opozitës për hetim parlamentar, si shkatërrim të Kuvendit, llogaridhënies, dhe kontrollit të qeverisjes. Halimi ka theksuar se qeveria e drejtuar nga Rama-Meta po hedh në erë demokracinë, po dëshmojnë se sa më i madh të jetë pushteti në duart e tyre, aq më i madh është abuzimi dhe arbitrariteti.

“Mazhoranca Rama-Meta po hedh në erë demokracinë parlamentare në vend, duke rrëzuar për herë të dytë kërkesën e opozitës për komision hetimor. Me këtë akt, shumica Rama-Meta po eliminon çdo instrument të llogaridhënies e transparencës në sistemin tonë politik. Rama dhe Meta po dëshmojnë se sa më i madh të jetë pushteti në duart e tyre, aq më i madh është abuzimi dhe arbitrariteti. Rama dhe Meta manifestuan dje arsyen pse nuk duan të japin llogari për emërimet në Policinë e Shtetit, sepse ata janë të lidhur me krimin dhe qëndrojnë pas krimit, që është instaluar sot në zemrën e Policisë së Shtetit. Kjo është arsyeja e vetme pse ata nuk duan të japin llogari e të bëjnë transparencë për zbatimin e ligjit në emërimet në Policinë e Shtetit, për caktimin e ushtarit të Zani Çaushit si shef të anti-drogës në Vlorë, apo për faktin se shefi i komisariatit të Durrësit i cili nuk pranoi të merrte dëshminë e denoncuesit të rrjetit kriminal të vrasjeve me pagesë, ka qenë për 8 vite shofer i biznesmenit të arrestuar si i dyshuar për porositjen dhe pagesën e ekzekutimeve.

Është ndezur llampa e emergjencës për rrezikun që i kanoset shtetit ligjor dhe demokracisë tonë. Dhe pikërisht në këto kushte Rama dhe Meta rrëzojnë kërkesën legjitime të opozitës për hetim parlamentar. Eliminojnë të vetmin instrument që Kushtetuta i ka dhënë pakicës parlamentare, si një mundësi kontrolli për qeverisjen e vendit. I themi sot Ramës dhe Metës, se e kanë kaluar vijën e kuqe, dhe se kartonat në parlament nuk janë një aset i tyri personal, nuk janë marifetet e dy prestigjatorëve. Ata janë duke luajtur me fatin e këtij vendi. Nëse e konsiderojnë parlamentin, dhomën e tyre të pasme, ku mund të bëjnë ç’të duan, atëherë parlament nuk do të ketë. Nëse i heqin parlamentit arsyen kryesore të ekzistencës së tij, që është kontrolli ndaj qeverisë, atëherë parlament nuk do të ketë. Nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Po e fusin vendin në një spirale të shkatërrimit të demokracisë dhe nxitjes së konfliktit.  Me këto akte Rama dhe Meta po largojnë Shqipërinë çdo ditë nga Europa, dhe po nxisin skenarin ukrainas.  Opozita nuk e dëshiron këtë, dhe kjo nuk është zgjedhja jonë, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq para këtij skenari ogurzi për vendin”, u shpreh Halimi.