
Pesë defekte të gazetarit shqiptar sot
Fatos Baxhaku
Këtë bashkëbisedim do të desha ta nis duke ndarë me ju ndjesinë e çuditshme që më kanë shkaktuar kohët e fundit dy gjëra: E para është një autoreklamë në njërin prej kanaleve tona televizive kombëtare, me anë të së cilës i bëhet thirrje publikut që të bashkëpunojë në dhënien e informacioneve. Thirrja bazë e kësaj reklame është: Mjafton një telefonatë dhe bëhesh edhe ti reporter! Gjëja e dytë që më ka shtënë disi në mendime është titulli provokues i një libri të profesorit francez Eric Scherer. A na duhen më gazetarët? Kështu titullohet libri. Janë në fakt dy gjëra të cilat mund ta tronditin deri diku besimin që ke pasur në vlerat e një profesioni të ushtruar që prej 20 vjetësh.
Tashmë është thuajse e pranuar prej të gjithëve se fusha në të cilën operojmë, pra gazetaria dhe në tërësi bota e mediave është një sferë shoqërore gati-gati më vete, nga më të rëndësishmet e shoqërisë. Vetëm se kjo sferë është disi e ngatërruar dhe e çrregullt, ajo jeton dhe shumë herë edhe mbijeton vetëm si bashkësi e ndërfutur me bashkësi simotra të tjera. Ne bashkëjetojmë me ekonominë jo vetëm sepse lajmi ekonomik dhe informacioni ekonomik, që ne raportojmë, është me rëndësi të dorës së parë për krejt jetën e shoqërisë, porse dhe sepse ne vetë përbëjmë një aktivitet ekonomik më vete. Në bashkëjetojmë me politikën, jo vetëm si përçues të qëndrimeve e premtimeve politike, apo preferencave zgjedhore, por edhe sepse shumë gazeta, televizione, radio, rrjete sociale janë shprehës direkt të vullnetit politik të njërës apo tjetrës parti. Mediat janë gjithashtu në një farë kuptimi edhe edukatorë e mësues, ato përçojnë qëndrime morale dhe etike, informacione kulturore, kultivojnë shije dhe zbavitin. Pra ne na duhet të bashkëjetojmë gjerësisht edhe me kulturën.
Duke qenë se vërtitemi në një sferë të tillë të ngatërruar edhe figura e gazetarit është disi ndryshe nga ajo e profesionistëve të fushave të tjera, ku objekti i punës është më i qartë, orari më i fiksuar dhe jeta më e rregullt. Ka qenë kështu në periudhën parainternet dhe besoj se kështu është edhe në periudhën pasinternet, veçse në kohët që jetojmë kanë ndodhur ndryshime të qenësishme në raportet e reporterit me veten, dhe në marrëdhëniet e tij me profesionin dhe pra edhe me publikun.
Që të mund të kuptojmë ndryshimet, në pak minuta, do të mundohem që të kujtoj veten dhe kolegët e mi përgjatë punës këtu e 20 vjet më parë. Do të përqendrohem kryesisht në shtypin e shkruar, fushë që e kam më për zemër dhe ku kam punuar më gjatë. Asokohe, pra bëhet fjalë pas vitit 1992 e më tej, në fushën mediatike në Shqipëri ndodhi një hop i madh. U kalua brenda një kohe relativisht të shkurtër nga mbretërimi i propagandës në mbretërinë e lajmit, hapi i parë i madh i krijimit të një shtypi kombëtar me të vërtetë modern. Njerëzit që e bënë këtë, pra gazetarët e asaj kohe, nuk ishin të gjithë njerëz që në të ritë e tyre kishin ëndërruar të bëheshin gazetarë apo reporterë të famshëm si ata që kishin parë ndër filma. Duke qenë se asokohe ende nuk kishte filluar shkollimi profesional i gazetarëve, pjesa më e madhe e tyre vinin nga profesione të tjera. Ata vendosën të bëhen gazetarë sepse e quajtën veten pjesë të rëndësishme të entuziazmit të përgjithshëm që kishte kapluar tërë shoqërinë shqiptare asaj kohe. Më shumë se një profesion gazetaria shihej jo vetëm prej nesh reporterëve por edhe nga publiku, si një mision, si një urë që, më në fund, e dërgonte të vërtetën në shtëpitë e varfra të shqiptarëve.
Me siguri kolegët tanë të rinj sot do të venë buzën në gaz teksa do të kenë mundësinë të lexojnë ndonjë gazetë a revistë të atyre kohëve. Ndjehej që në ajër një lloj naiviteti, mungesë profesionalizmi në raportimin, përzgjedhjen dhe shkrimin e lajmeve, porsa ama hapi i parë i madh ishte hedhur: lajmi, e vërteta kishte fituar vendin që i takonte.
Burimet e informacionit ishin fare të pakta, një abonim në ATSH që transmetonte kryesisht lajme zyrtare, korrespondentët e rretheve, lajmet e të cilëve kopjoheshin me dorë nga sekretaret, dhe vetë puna e reporterëve të pakët. Në shumë redaksi një kompjuter i vetëm quhej luks dhe faqosja ishte ende primitive. Interneti ishte për ne një gjë aq e largët sa edhe ishujt Havai.
Ishin kohë kur një lajm i gjetur ruhej me fanatizëm të madh. Konkurrenca mes reporterëve ishte e madhe dhe shumë herë madje edhe e ashpër, por ama solidariteti profesional dhe njerëzor ishin në shkallën maksimale. Më kujtohet këtu solidariteti i shtypit edhe atij rival me grevën e gazetarëve të Koha Jonë, apo rasti i djegies së redaksisë së kësaj gazete, apo i burgosjes së Frangajt dhe Lekës.
Tani le të kalojmë në gjendjen e sotme të gazetarisë dhe të gazetarëve. Sipas meje dy janë ndryshimet e mëdha që kanë përcaktuar lindjen e një lloji të ri të gazetarisë. Ndryshimi i parë i madh ishte hapja e shkollave të gazetarisë. Me gjithë mangësitë e paevitueshme në fazën e parë, me gjithë lidhjen ende të dobët me punën konkrete në terren, këto shkolla kontribuan në një shkallë të dukshme në rritjen e shkallës së profesionalizmit ndonëse asnjë herë nuk duhet të harrojmë që jo detyrimisht një student i gazetarisë bëhet automatikisht gazetar. Për të arritur deri aty duhet një rrugë e gjatë plot mund e sakrifica. Sido që të jetë të diplomuarit në gazetari, të cilët sot përbëjnë skeletin e shtypit, të paktën të atij të shkruar, ku jam përqendruar, solli një frymë e gjallëri të re në shtyp.
Ndryshimin e dytë të madh e solli cunami me emrin Internet. Si kudo në botë, por ama me efekt edhe më të theksuar te ne, Interneti zgjeroi burimet, e bëri botën dhe pra edhe Shqipërinë më të vogël, e shndërroi vendin në një redaksi gjigante, i afroi edhe më gazetarët me kërkesat e publikut, me burimet e informacionit, e zgjeroi gati pa fund arkivin personal të secilit. Jo vetëm kaq, Interneti e ka bërë publikun nëpërmjet rrjeteve sociale pjesë të vetë medias. Opinione, qëndrime, kritika, histori personale, njoftime të thjeshta deri dje të paarritshme në shtyp janë bërë pjesë e një media gjigante në shqip, një media që mund ta quajmë fare mirë një media e shtuar.
Deri këtu folëm për të mirat që kanë sjellë në shtyp këto dy ndryshime të mëdha, pra shkollimi i gazetarëve dhe Interneti, porse si çdo ilaç revolucionar edhe Interneti ka efektet e veta anësore të dëmshme, efekte të cilat, nëse harrohen apo lihen pa kuruar, mund ta çojnë pacientin, pra shtypin në krizë. Mendoj se ka ardhur koha që disa efekte anësore, disa dregëza të pacientit shtyp, t’i diskutojmë hapur mes kolegësh të vjetër e të rinj. Sigurisht që këto janë mendime krejt personale, tërësisht subjektive që burojnë nga përvoja ime redaksionale. Këto vërejtje gjithashtu nuk i takojnë aspak pjesës së mbarë të gazetarëve shqiptarë të cilët përbëjnë shumicën e shtypit.
Apatia. Kam vënë re me trishtim shumë prej kolegëve të sotëm, që vijnë në redaksi duke tërhequr këmbët zvarrë, si me pahir, sikur të duan të thonë “dreq o punë, ç’na gjeti!”, dhe largohen prej andej duke fluturuar, njësoj sikur po i pret ndonjë parajsë tokësore. Janë në moshën kur mund të japin kulmin e punës së tyre, por duken të lodhur që në mëngjes. Të bëhesh gazetar është një zgjedhje e vështirë në jetë. Kjo zgjedhje në shumicën e rasteve nuk të bën të famshëm, kërkon një jetë të lodhshme, kërkon që shumë gjëra që për të tjerët janë normale për ty të jenë gati të pamundura, por ama të jep një mijë e një kënaqësi të tjera. Gazetaria nuk është vend për gjumashë apatikë. Kush mendon të kundërtën le të bëhet më mirë zëdhënës apo deputet. Me siguri do të ndjehet më pak i bezdisur.
Mungesa e kuriozitetit. Të jesh gazetar do të thotë në radhë të parë të jesh kurioz, të të bëjnë përshtypje gjëra të jetës së përditshme, të rënda, të këqija, por edhe të bukura, të këndshme, të rralla. Nëse bëjmë një analizë fare të rastësishme të secilës prej ditëve në shtyp do të shohim se ato janë të mbushura thjesht me konferenca shtypi, deklarata të politikës apo të policisë dhe kaq.
Mungesa e të dyshuarit. Gazetari, për nga raca së cilës i përket, duhet të jetë gjithnjë dyshues. Madje dyshues deri në bezdi. Verifikimi i lajmit nga sa më shumë burime është një nga parametrat universalë të punës tonë. Për fat të keq nuk janë të pakta rastet te ne, kur nuk shihet përtej dukjes së lajmit, të deklaratës apo qëndrimit, pozicione të cilat jo vetëm na largojnë nga e vërteta, por edhe e shtojnë rrezikun e manipulimit të shtypit prej burimeve të mirëmenduara.
Mungesa e ideve. Unë nuk dua të luaj rolin e veteranit, që rrëfen betejat e fituara, porse rasti i mëposhtëm mund të jetë vërtet domethënës në krahasimin e shtypit më parë dhe sot. Përgjatë periudhës 1994-1996 së bashku me kolegët Andrea Stefani, Edmond Laçi, Carlo Bollino, Sokol Balla, Hektor Pustina, Arjan Çani, Armand Mero, Rezear Xhaxhiu e plot të tjerë, shumica prej të cilëve disa prej njerëzve më të shquar në media sot, patëm rastin të kalonim një përvojë të veçantë profesionale. Për motive teknike “Gazeta Shqiptare”, ku punim të gjithë asokohe, shtypej një ditë me vonesë, pra numri, që bëhej gati të hënën dilte në treg të mërkurën. Kjo kërkonte që çdo lajm, që të ruante freskinë, të ishte një gjetje më vete, një ide që gazetat e tjera nuk e kishin. Kështu vetëm me anë të ideve, të kërkimit, e thënë shqip e vrarjes së mendjes u arrit që kjo gazetë jo vetëm të mbijetonte, por të bëhej, sikurse është edhe sot, një nga më të njohurat në tregun mediatik. Këtë kërkesë, e të qenit ndryshe, e gjetjes së ideve, për fat të keq e shoh shumë rrallë sot.
Gjuha e mangët. Kudo në botën e zhvilluar shtypi dhe media në përgjithësi modifikojnë vazhdimisht gjuhën. Aq e zhvilluar është sot kjo marrëdhënie sa që prej kohësh kanë dalë fjalorë të posaçëm mbi gjuhën e mediave. Nuk ndodh aspak kështu te ne. Të vetmet shpikje tonat kanë mbetur “bluzat e bardha”, “togat e zeza”, “blutë”… Nuk mund të mbetesh gazetar nëse nuk lexon përditë jo vetëm shtypin, jo vetëm internetin, por edhe sa më shumë libra dhe çdo gjë tjetër që të bie në dorë. Vetëm kështu mund të pasurosh mendjen me ide dhe fjalë, koncepte etj.
Në këtë listë prej pesë pikash mund të zgjatesha edhe më, por ndoshta këtu nuk është vendi dhe as do të ishte e drejtë që të metat të kapërcejnë rezultat e padiskutueshme që kanë arritur gazetarët shqiptarë në këto dy dekadat e fundit. Në thelb këto vërejtje që përmenda pak më lart nuk përbëjnë gjë tjetër veçse dëshirën time të pamatë për t’i parë më mirë e më solidë kolegët me të cilët ndaj të njëjtin profesion.
Mbase ka ardhur koha që, njësoj si në profesione të tjera të rëndësishme si mjekët e avokatët, të kemi edhe ne Urdhrin tonë profesional të njohur zyrtarisht edhe nga qeveria. Do të ishte pikërisht ky urdhër që do të licenconte të drejtën e ushtrimit të profesionit për secilin prej nesh, do të kategorizonte secilin prej nesh në bazë të vjetërsisë në punë, cilësisë dhe sasisë së punës së kryer, do të bënte marrëveshje kolektive me shoqatat e pronarëve dhe mbase edhe me shtetin dhe do të merrte atributet e një gjykate profesionale që jep dënime deri në heqjen e të drejtës së profesionit në raste të shkeljeve të rënda të etikës apo në raste të stisjes së lajmeve të gënjeshtra.
Do të doja që, në përfundim, t’ia hiqja vetes atë ndjesinë e sikletshme që më krijoi pyetja e profesor Scherer-it. A na duhen më gazetarët? A i duhen më gazetarët shoqërisë. Sigurisht që po. Sigurisht që i duhen. Jetë e mot është dashur gjithherë një lajmës. Vetëm se tani na duhet të lundrojmë ca më shumë në një det të paanë që quhet Internet. Ndonëse një lundrim i gjatë në të mund të na i bjerrë disa prej cilësive të reporterit të vjetër klasik, ai sërish mbetet një det i mrekullueshëm.
Paul Walker i lë pasurinë vajzës 15 vjecare
Ndarja nga jeta e aktorit Paul Walker në 30 nëntor të vitit të kaluar ka qenë një ndër lajmet më shokuese , e cila ka tronditur publikun, kolegët , familjen e tij, si dhe vajzën e vogël te aktorit Madow, e cila i përketë moshës 15 vjecare. Por tani është zbuluar se të gjithë pasurinë e tij ai kishte vendosur që t’ja lërë të bijës , e cila do të menaxhojë gjithcka në bazë të disa këshillave që ai ka shkruar për të. 40 vjecari Paul kishte kërkuar që nëna e tij Cheryl Walker të jetë kudjestarja e saj përsa i përketë gjendjes së saj ekonomike. Shuma e pasurisë së aktorit të ndjerë ishte 25 milion dollarë.
Miku i ngushtë i aktorit të ndjerë i cili quhet Ronn ka dhënë një intervistë për MailOnline ku ka siguruar se Paul nuk ishte njesoj si të gjithë aktorët e tjerë, të cilët i rrëmben rrjedha e famës . Ai u shpreh se për yllin e filmit ‘Fast And Furious’ më e rëndësishme se gjithcka ishte vetëm familja. Ronn pranoi :”Unë dhe Paul ishim me të vëtetë dy miq shume të mirë. Ai më thoshte shpesh se qëndrimi larg nga vajza e tij Madow ishte dicka që e bëntë të ndihej shumë keq. Për ketë arsyje kishte vendosur që të hiqte dorë përfundimisht nga aktorimi. Paul do t’i përkushtohej vetëm vajzës së tij, ajo ishte e gjithë bota per të. Përsa i përketë tërheqjes nga aktrimi, Paul kishte vendosur që të fliste me familjen dhe do t’i shpjegonte se cfarë mendonte. Ai nuk ishte njësoj si të gjithë aktorët e tjerë të cilët ishin arrogantë dhe mendje mëdhenj. Paul ishte një djal i thjeshte dhe gjithnjë kërkonte nga vetja të ishte nje person i rregullt.”
Një tjetër mik i tij i quajtur Vince pranoi në një tjetër intervistë :”Ai ishte personi më i mirë që une kam njohur ndonjëherë. Ai e adhuronte rolin e tij si një baba, dhe vajza e tij Madow ishte gjëja më e shtrenjtë në bootë për të. Një nder temat që ne diskutonim më shpesh ishte ajo e familjes. ”
Ekstradohet nga Italia 47-vjeçari, ishte dënuar me 6 vjet për trafik narkotikësh
Ekstradohet nga Italia, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjon Kola, 47 vjeç nga Puka, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krime të Rënda Tiranë, me Vendimin nr. 5, datë 22.09.2009, e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Trafik i lëndëve narkotike“ dhe “Fallsifikim i dokumentave te identitetit“, parashikuar nga nenet 283 dhe 186 të Kodit Penal.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Roma më datë 14.08.2012, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tone i shtetasit Gjon Kola.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
INUK-u prish me sukses një tjetër ndërtim pa leje në Tiranë
Pas tre tetativave të dështuara që prej orës 15:00 të mesditës forcat e xhenios dhe ato të INUK kanë mundur të realizojnë shpërthimin e komanduar vetëm në 15:39, duke hedhur në tokë objektin 7-katësh në hyrje të Rrugës së Elbasanit në Tiranë.
Tre tentativat dështuan për shkak të nje defekti ne përcjellësin elektrik dhe vetëm pas ndërrimit të tij, u bë e mundur përcjellja duke ndezur dhe tritolin.
Shpërthimi ishte i sukseshëm dhe fatmirësisht pa dëme për objektet përreth. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrëfikëse, të cilët po bëjnë dhe shuarjen e zjarrit dhe uljen e pluhurit nga shpërthimi i objektit.
Që prej ditës së djeshme ka filluar hapja e vrimave në të gjitha kolonat mbajtëse të godinës, ku është vendosur sasia e caktuar të eksplozivit, në mënyrë që gjatë shpërthimit të këputen kolonat mbajtëse dhe godina të shembet brenda saj, pa dëmtuar objektet përreth.
Pronarët: Po penalizohemi, prishja e paligjshme
Ndërkohë pronarët e godinës e kanë cilësuar si të paligjshme prishjen e ndërtesës. Ata kanë deklaruar se godina është në proces legalizimi dhe nuk janë njoftuar në kohë për prishjen e saj.
Ndërkohë drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë njofton qytetarët se për shkak të shembjes me eksploziv të ndërtesës nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik kombëtar (INUK), prej orës 14:00 dhe deri në orën 17:00 të ditë së sotme, do të ketë bllokim të akseve rrugore: Rruga e Elbasanit, nga Fakulteti Filologjik deri të rreth rrotullimi i Saukut. Rruga “3 Vëllezërit Kondi”; Të gjitha rrugicat e kodrave të Liqenit Artificial që të çojnë në pjesën e sipërpërmendur të rrugës së Elbasanit.
Në hartën më poshtë paraqitet zona në të cilën nuk do të lejohet kalimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Basha-Lidington: Shqetësim mbarëpopullor, fushata anti-ligjore e qeverisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në takim Ministrin për Çështjet Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet midis të dy vendeve, integrimin europian të Shqipërisë, zhvillimet politike në vend si dhe per forcimin e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Partisë Konservative.
Kryetari Basha i shprehu Ministrit Lidington mirënjohjen për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë dhe po i jep në vijimësi Shqipërisë, në veçanti përsa i përket integrimit në BE.
Ministri Lidington e falenderoi Kryetarin Basha per pritjen e ngrohtë dhe e siguroi atë se vendi i tij është i vendosur të vijojë bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në projektin e integrimit në BE. Në këtë kontekst, Ministri Lidington vlerësoi rolin thelbësor të Partisë Demokratike si opozita demokratike në vend duke theksuar domosdoshmërinë që procesi i integrimit të jetë një përqasje gjithëpërfshirëse, dhe duke përshëndetur mbështetjen pa kushte që Partia Demokratike ka deklaruar gjatë misionit të saj opozitar.
Më tej zoti Basha e njohu Ministrin Lidington me shqetësimin tashmë mbarëpopullor për fushatën anti-kushtetuese, anti-ligjore dhe në kundërshtim të hapur më parimet e shtetit ligjor që qeveria dhe mazhoranca po intensifikojnë dita ditës në vend që filloi me shkeljen e paprecedentë të konsensusit dhe sulmin për zhbërjen e administratës publike profesioniste dhe zëvendësimin e saj me militante dhe qe sipas tij po vijon me:
“Uzurpimin dhe politizimin e policisë së shtetit në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet e një policie profesioniste;Zhbërjen e njësive profesioniste të luftës kundër krimit e korrupsionit dhe përdorimin e policisë në tejkalim të kompetencave ligjore çka ka sjellë një rritje drastike të krimit në vend, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve për jetën, lirinë dhe pronën e tyre.Moszbatimin e vendimeve të gjykatave si në rastin e INSTAT; Sulmin primitiv ndaj institucioneve të pavarura si ILDKP, AMA, SHISH, Presionin e paskrupullt ndaj gjyqësorit; Vjedhjen e votës së lirë të shqiptarëve në zgjedhjet vendore në Korcë; Grabitjen përpara kamerave të miliona të dhënave konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, nga ndërhyrja e paligjshme në serverin e tatimeve. Në kundërshtim flagrant me parimet demokratike dhe traditën parlamentare në vend, mazhoranca Rama-Meta me dy vendime haptazi antikushtetuese ka shkelur të drejtën e opozitës dhe të zgjedhurve të sovranit për ngritjen e komisioneve investigative parlamentare”, u shpreh Basha.
Nisur nga shqetësimi i shprehur prej Ministrit Lidington, se si po reagon opinioni publik dhe se çfarë duhet të bëjnë partnerët ndërkombëtarë në këto kushte, Kryetari Basha tha se insistimi në respektimin e plotë të shtetit të së drejtës nga qeveria Rama, dhe në ruajtjen e standardeve demokratike të arritura e të vlerësuara nga institucionet e BE, është dhe mbetet e vetmja rrugë përballë arbitraritetit dhe papërgjeshmërisë së kësaj mazhorance.
Bushati, Papulias:Të trajtohen çështjet e mbartura në përputhje me realitetin e ri në rajon
Ne kuadër të vizitës që po zhvillon në Athinë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u prit sot në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papoulias.
Duke theksuar vëmendjen e posaçme që Qeveria e Shqipërisë i kushton marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë, Ministri Bushati shprehu vlerësimin se Greqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Shqipërisë. Ministri Bushati u shpreh besimplotë në progresin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e çmuar të Presidentit Papoulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës së Greqisë, por në vijimësi, gjatë gjithë karrierës së tij, kur ka shërbyer në poste të ndryshme të larta të shtetetore.
Gjate takimit u shpreh vullneti i qartë mes palëve për të ecur përpara në raportet dypalëshe. Presidenti Papulias u shpreh se “Marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke janë të një rëndësie ekzistenciale për rajonin”. Njëkohësisht, Presidenti Papulias shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Ministri Bushati kërkoi që, si vende anëtare të NATO-s, të trajtohen çështjet e mbartura në përputhje me realitetin e ri në rajon, në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe përkatësisë evropiane të të dy vendeve tona.
Ministri Bushati u shpreh se: “Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e pa adresuara, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe janë me interes të ndërsjellë për dy vendet tona”.
Në një vit të veçantë, ku vendet fqinje e partnere strategjike si Greqia e më pas Italia, kanë kryesimin e BE-së, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Greqisë për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Bushati ndodhet në Greqi në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme shumëpalëshe, Takimit të XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane dhe Konferencës së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR).
Gjatë ditës së nesërme Ministri Bushati do të ketë takime me Kryeministrin grek, Andonis Samaras, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Evangjelos Venizelos.
Berisha fton popullin në protestë: Rama-Meta të vendosur për asgjesimin e opozitës
Ish-kryeministri Sali Berisha fton qytetarët në protesta në mbrojtje të opozitarizmit dhe opozitës së vendit. Përmes rrjetit social fb, Berisha thekson se kreret e aleances anti-integrim Rama-Meta kane vendosur te asgjesojne opoziten e vendit duke i mohuar, te drejten kushtetuese themelore te opozites, te drejten per krijimin e komisioneve hetimore.
“Te dashur miq, kreret e aleances anti-integrim Rama-Meta kane vendosur te asgjesojne opoziten e vendit duke i mohuar, ne nje hark kohor te shkurter, per te dyten here rradhazi, te drejten kushtetuese themelore te opozites, te drejten per krijimin e komisioneve hetimore, pra te drejten e kontrollit parlamentar. Me kete akt dyshja anti-integrim Rama-Meta de facto asgjeson opoziten si institucion sovran ne kuadrin kushtetues te nje vendi, e shtyp ate dhe e shnderron ne nje organizate pa asnje vlere, thjeshte nje gjethe fiku e shtetit policor te neobllokmeneve shqiptar. Ndaj i bej thirrje popullit opozitar te ngrihet ne protestat me te fuqishme dhe mbroje me cdo kusht opozitarizmin dhe opoziten e vertete te vendit, misionin e saj jetik dhe vendimtar per lirite dhe te drejtat tona, per sistemin demokratik ne Shqiperi!” shkruan Berisha.
2 ditë më parë Konferenca e kryetarëve nuk pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimet dhe zëvendësimet në polici.
Kryetari i Grupit të PD-së Edi Paloka në një prononcim për median nga kryesia e Kuvendit deklaroi se mazhoranca kishte rrëzuar kërkesën. Sipas Palokës ky veprim tregon qartazi se qeveria është jo vetëm e kapur nga krimi, por po drejtohet nga krimi
Ndërkohë Ilirjan Celibashi ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin u shpreh se komisioni nuk mund të ngrihej pasi do të kishte mbivendosje të kompetencave.
7 Fenomenet më të çuditshme natyrore të regjistruara nga kamera
Natyra nuk pushon kurrë të na surprizojë. Sa herë që ne mendojmë se i kemi parë të gjitha, diku në botë, dikush me një kamera do të regjistrojë një fenomen të ri të panjohur natyrorë .. Dhe nuk janë pak ato që kamera ka regjistruar deri më sot! Shikoni më poshtë 7 dukuritë më të çuditshme, më “jashtëtokësore” …
1. Deti që shkëlqen
Një pamje e mahnitshme dhe jo në vetëm në një vend, por në dy! Valët e detit shkëlqejnë aq shumë, sikur ndriçojnë, në plazhin Vaadhoo në Maldive dhe në një plazh në San Diego në Kaliforni. Për këtë dukuri të çuditëshme “përgjegjëse” janë disa mikroorganizma të cilat kur marrin ngacmime, fillojnë të shkëlqejnë për shkak të pigmentit luciferin i cili reagon me oksigjenin dhe enzimës lousiferati e cila përshpejton këtë reagim. Kjo dyshe mikroorganizmash është ” përgjegjëse ” edhe për ndriçimin fluoreshentë që kanë disa lloje të ndryshme gjallesash, të tilla si kandili i detit dhe xixëllonjat.
Por pjesa më e mirë është që kjo dukuri nuk është e dëmshme për njerëzit. Pra, nëse ju ndodh ndonjëherë që të gjeni veten në vendin e duhur, në kohën e duhur, vetëm zhytuni dhe shijojeni…
2. Lule akulli
Duket si një skenë e marrë nga filmat Disney .. Qindra “lule akulli” notojnë mbi sipërfaqe të mëdha të detit Arktik, duke krijuar një pamje të mrekullueshme. Ky fenomen krijohet mbi difektet që ekzistojnë në sipërfaqen e akullit dhe në temperatura shumë të ulëta, nën zero.
Këto lule zakonisht formohen në temperatura të afërta me -22 gradë Celsius dhe majat e tyre “vizitohen” nga mikroorganizma të ndryshëm. Në fakt, bakteret që gjenden në lulet e ngrira, janë më të shumtë se sa ato që gjenden në ujë të ftohtë, gjë që do të thotë se çdo “lule akulli”, është në thelb një ekosistem i përkohshëm.
3. Oxhak dëbore
Edhe pse duket si oxhaku i një qyteti të fshehtë nëntokësor, nën akujt e Antarktidës, në fakt ajo është një tymnajë akulli. Një tymnajë është një grykëdalje e cila lejon avullin e një vullkani të shpërndahet në atmosferë. Zakonisht këto tymnaja nxjerrin ujë të nxehtë dhe avuj me një vrull të pabesueshëm, që mund të arrijnë në 300 metra.
Megjithatë në Antarktidë, gjërat janë ndryshe, për shkak të temperaturës së ambientit. Grimcat e avullit, kur kalojnë në këto grykëdalje dhe duke rënë në kontakt me ajrin e ftohtë, ngrijnë, duke krijuar kështuoxhaqe prej akulli të cilët arrijnë deri në 30 metra! Një pamje e pashpjegueshme në Arktik.
Tani që ju e dini shpjegimin ndoshta tingëllon llogjike, por ja mendoni reagimin e një studiuesi i cili përballet për herë të pare me këtë fenomen ..
4. Ylberët e Hënës
Një ylber që shfaqet natën? Edhe pse në pamje të parë duket si “I bërë vetë” realiteti është shumë ndryshe! Një ylber hënor është një ylber i prodhuar nga drita që reflektohet nga sipërfaqja e hënës dhe jo nga rrezet e diellit. Për shkak se drita zakonisht është shumë e zbehtë për sytë e njeriut, është e vështirë që të dallohen ngjyrat në një ylber hënor.
Kjo është më e lehtë për të parë, kur hëna është e ndritshme dhe ulët në qiell, kur qielli është shumë i errët dhe sigurisht kur bie shi. Ky kombinim fenomenesh i bënë ylberët hënor shumë më të rrallë se sa ylberët e prodhuar nga rrezet e diellit.
5. Cilindra dëbore
Topa dëbore cilindrikë? Pa ndërhyrjen e dorës së njeriut? Po, që të dyja! Ky është një fenomen i motit jashtëzakonisht i rrallë, që ndodh zakonisht në Amerikën e Veriut dhe pjesën veriore të Evropës. Përgjegjës për krijimin e këtij fenomeni të çuditshëm është era e fuqishme që ngre nga sipërfaqja e tokës copa të vogla dëbore dhe i ftohtë që shton gjithnjë e më shumë shtresat e akullit në sipërfaqen e tyre.
Madhësia e këtyre topave të dëborës është e ndryshme. Ka disa që ngjajnë si top tenisi, por ka edhe disa të tjerë që ngjajnë me shkëmbinj të mëdhenjë! Natyra krijon njerëzit e saj prej dëbore!
6. Ylberët e zjarrit
Edhe pse e quhen “Ylber zjarri”, në të vërtetë nuk janë as njëra as tjetra. As ylber dhe natyrisht as zjarre. Ato janë re që duken si ylber për shkak të ngjyrave të tyre dhe forms që ngjan me flakët. Ndodhin kryesisht gjatë stinës së verës, në shumë pjesë të planetit, kur dielli është lartë në horizont, kur ka re të ulëta në formë të sheshtë dhe kur rrezet e diellit bien mbi re nga një kënd i veçantë. Shumë kushte të vështira për tu plotësuar të gjitha bashkë, por në qoftë se ju jeni me fat dhe e shikoni, mos harroni ta fotografoni.
7. Akulli i vdekjes
Quhet Brinicle dhe është deri tani fenomeni më i rrezikshëm, më i frikshëme nga të gjitha këto që lexuat deri tani. Ky është një uragan i akullt nënujorë, i cili sapo arrin në fund të detit, fillon të zgjerohet dhe të vrasi çdo gjë që prek. Si një dorë e akullt e fatit, si një magji që lëshon një magjistar i keq, ka për qëllim ti marr jetën çdo krijese që ka fatin e keq të gjendet në rrugën e tij.
Akulli i vdekjes krijohet në kushte shumë të qeta në oqean, kur ka një ndryshim të madh mes temperaturës së ujit dhe temperaturës së ajrit.
Rrëzimi i aktit normativ për nëpunësin civil, Kushetuesja zbardh vendimin
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin për rrëzimin e aktit normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se urgjenca “thjesht subjektive” e Qeverisë nuk mund të justifikojë përdorimin e institutit të dekretligjeve: ndonëse Qeveria ka një hapësirë të gjerë diskrecionaliteti, nevoja dhe urgjenca janë koncepte që nuk janë imune nga kontrolli kushtetues në kontekstin e kufizimeve të vendosura nga Kushtetuta.
Nisur nga vlerësimet e mësipërme, Tribunali Kushtetues spanjoll ka shfuqizuar dekretligje për mungesë të urgjencës, duke evidentuar se akti mund të ndiqte rrugën normale të aprovimit të ligjit, mbi arsyetimin se arsyet “teorike dhe abstrakte” nuk justifikojnë një situatë të jashtëzakonshme dhe urgjente nevoje (shih vendimin nr. 68, datë 28.03.2007 të Tribunalit Kushtetues spanjoll). Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se aktet normative mund të përkufizohen si instrumente ligjore të miratuara nga qeveria, bazuar në parashikimet kushtetuese, të cilat i njohin pushtetit ekzekutiv kompetencën për të zgjidhur situata të veçanta, subjekt i mbikëqyrjes së rreptë parlamentare. E drejta e pushtetit ekzekutiv për të ushtruar autoritet me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit duhet të justifikohet në çdo rast me praninë e rrethanave të veçanta që e bëjnë të nevojshëm miratimin e rregullimit urgjent. Situatat e jashtëzakonshme, të cilat përcaktojnë legjitimitetin kushtetues të këtyre akteve qeveritare, përkufizohen në raport me nevojën dhe urgjencën e zgjidhjes së një situate, natyra e veçantë e së cilës nënkupton se duhet të merren masa të menjëhershme nëse duhet parandaluar një rrezik serioz publik” thuhet në vendim.
Sipas, Kushtetueses situatat e jashtëzakonshme shprehin një shkallë të madhe devijimi nga e zakonshmja, prandaj për plotësimin e kërkesave të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës është e nevojshme ekzistenca e një situate faktike objektive, e përcaktueshme, e pavarur nga vullneti i Qeverisë, e cila vë në rrezik interesin publik.
“Situata e jashtëzakonshme duhet të ketë karakter objektiv, çka nënkupton se prania e saj nuk varet nga vullneti i Qeverisë, i cili, në të tilla rrethana, kushtëzohet nga nevoja e reagimit të menjëhershëm, më qëllim mbrojtjen e interesit publik, me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit, kurse urgjenca e këtyre rregullimeve mund të rezultojë nga justifikimet e paraqitura nga Qeveria në debatet parlamentare mbi ligjin që miraton aktin qeveritar. Situatat e jashtëzakonshme duhen dalluar nga situatat e nevojës absolute që passjellin një rrezik të madh për sistemin kushtetues ose për rendin publik dhe liritë publike. Kushtetuta, në nenet 84/3 dhe 170-176 ka parashikuar institutin e masave të jashtëzakonshme, të cilat vendosen për shkak të luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjasin për aq kohë sa zgjat kjo gjendje” thuhet më tej në vendim.
Në përfundim, Gjykata, vlerëson se, nisur nga natyra përjashtimore e kompetencës së Këshillit të Ministrave në nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit, në respekt të hierarkisë së burimeve të së drejtës, të kërkesave që burojnë nga parimi i ndarjes dhe balancimit midis pushteteve dhe vlerave mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës, para së gjithash, kufijtë e diskrecionalitetit që ka Qeveria, në vlerësimin e situatës së jashtëzakonshme dhe të nevojës urgjente, përcaktohen dhe i nënshtrohen kërkesave kushtetuese dhe kufizimeve përkatëse. Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 132 të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
V E N D O S I:
– Pranimin e kërkesës.
– Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të Këshillit të Ministrave nr.5, datë 30.09.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 ‘Për nëpunësin civil’” dhe të ligjit të Kuvendit nr.161/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013”.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.









