
“Reporterët pa Kufi”:Është hapur një faqe e re për Shqipërinë
Shqipëria ka bërë progres sa i përket lirisë së mediave. Në raportin e fundit të organizatës “Reporterët pa Kufi”, me seli në Paris, për lirinë e shtypit, Shqipëria është renditur në vend të 85-të duke shënuar një ngritje në krahasim me vit më parë ku zinte vendin e 112.
Raporti “Indeksi i Lirisë së Shytpit në Botë 2014 “thekson se në Shqipëri është hapur një faqe e re e historisë së Medias.
” Zgjedhjet e qershorit 2013 sollën një ndryshim të qeverisë. Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet e ndërsa programi i saj mbi median shqiptare është ambicioz” theksohet në raport.
Sipas organizatës “Reporterët pa Kufi”qëndrimet e mbajtura nga qeveria e re mbi median janë konstruktive, një vend që po punon të pranohet si një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Klasifikimin më të mirë nga vendet e Ballkanit, e ka Sllovenia në vend të 34. Kosova është klasifikuar në vendin e 80-të, duke shënuar kështu ngritje me 5 vende nga viti i kaluar.
Maqedonia ka shënuar rënie prej vendit të 116-të, në vendin e 123-të. Serbia është në vendin e 54, Koracia është e 65-ta, Bosnjë Hercegovina e 66-të, ndërsa Mali i Zi në vendin e 114-të.
Në krye të listës, janë Finlanda, Holanda, Norvegjia, Luksembuergu dhe Andora, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rënie duke u plasuar në vendin e 46-të, ndërsa një vit më parë ishin në vendin e 13. Në listë gjenden gjithsej 180 shtete dhe territore, ndërsa në fund të listës janë Turkmenistani, Koreja Veriore dhe Eritrea.
Në 20 shkurt Evangelos Venizelos viziton Tiranën
Zv. kryeministri dhe ministri i jashtëm grek Evangelos Venizelos viziton sërish Tiranën. Mësohet se numri dy i qeverisë greke do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë më 20 shkurt.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, zyrtari i lartë grek do të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare kun ë fokus të takimeve do të jetë procesi I integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kjo është hera e parë që Zv.kryeministri grek zhvillon vizitë në Tiranë pas marrjes nga Greqia të presidencës së Bashkimit Europian ndërkohë që Shqipëria pret në qershor marrjen e statusit të vendit kandidat.
Thaçi e Daçiç, takohen sot në Bruksel
Një raund tjetër bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të zhvillohet sot në Bruksel, ku të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, si zakonisht do të takohen në prani të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Catherine Ashton.
Temat e dialogut do të jenë gjyqësori dhe formimi i Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Por, nuk përjashtohen edhe tema të tjera, siç është raundi i ri zgjedhjeve për kryetar të komunës së pjesës veriore të Mitrovicës.
“Në Bruksel do të takoj homologun tim nga Serbia, me të cilin do të diskutoj për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, që ndërlidhet me fushën e drejtësisë. Unë do të këmbëngul që të arrihet pajtueshmëri për modalitetet e fillimit të zhbërjes së strukturave ilegale në fushën e drejtësisë dhe integrimin e tyre në sistemin legal të Republikës së Kosovës. Shpresoj në arritjen e një marrëveshje të tillë”, ka shkuar kryeministri Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook.
Presidentët Obama dhe Hollande komente mbi Sirinë dhe Iranin
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Francës François Hollande të martën në Shtëpinë e Bardhë. Ai u zotua për masa të ashpra kundër firmave që shkelin sanksionet kundër Iranit dhe pranoi nga ana tjetër se bisedimet për paqe mbi Sirinë janë larg arritjes së synimit të tyre.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Hollande, një partner i rëndësishëm si në përpjekjet për Sirinë ashtu edhe në ato lidhur me Iranin, Obama komentoi për të dyja këto çështje.
Në Shtetet e Bashkuara “ka një zhgënjim të madh”, tha ai duke folur për bisedimet e paqes mbi Sirinë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë mes vendeve që kanë nënshkruar një marrëveshje të përkohshme bërthamore me Teheranin.
Marrëveshja frenon programin bërthamor të Iranit në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve ndërkombëtare. Bisedimet për një marrëveshje përfundimtare fillojnë javën e ardhshme në Vjenë.
Duke folur mbi kompanitë që bëjnë tregti me Iranin në kundravajtje me sanksionet që janë ende në fuqi, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të gadasin rëndë mbi to, nëse ato nuk zbatojnë sanksionet.
Administrata Obama është shprehur kundër interesit që bizneset franceze kanë treguar ndaj Iranit që nga zbutja e sanksioneve. Javën e kaluar, më shumë se 100 ekzekutivë kompanish franceze vizituan Teheranin, vizitë që Sekretari Kerry u tha homologëve të tij në Paris se “nuk ishte e dobishme.”
Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës së dhunshme civile në Siri, një ish koloni franceze. Por bisedimet e paqes mes qeverisë siriane dhe forcave të opozitës nuk kanë arritur përparim.
Presidenti Obama njoftoi gjithashtu se ka pranuar ftesën e zotit Hollande për të shkuar në Francë me rastin e ceremonisë së 6 qershorit, që shënon 70-vjetorin e zbarkimit në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Para fillimit të bisedimeve, Presidentit francez iu rezervua një mirëseardhje tradicionale me ceremoni në Lëndinën Jugore të Shtëpisë së Bardhë.
Obama vlerësoi aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës që siç tha ai “i ka qëndruar kohës”.
Ai e quajti zotin Hollande njërin nga aleatët më të fortë dhe miqtë më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.
Ndër aktivitetet e së martës ishte edhe darka shtetërore që zoti Obama do të jepte për zotin Hollande, e para në mandatin e tij të dytë. Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti francez në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1996.
Reforma territoriale,Çuçi:Procesi sipas praktikave më të mira evropiane
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin e palëve për realizimin e reformës administrative- territoriale e cila sipas tij është tërësisht në shërbim të vendit.
Duke folur në tryezën e organizuar për këtë reformë, Çuçi ka theksuar sërish sot domosdoshmërinë që ka vendi për ndarjen e re administrative-territoriale ndërsa shtoi se qeveria është mëse e bindur për ta çuar përpara këtë reformë.
Sipas tij janë të gjitha kushtet që jo vetëm të realizohet kjo reformë, por gjithashtu procesi të jetë po aq demokratik, sipas kërkesave ligjore që nevojiten.
“Të bëjmë një proces sipas kërkesave kushtetuese e ligjore dhe praktikave më të mira evropiane. Donatorët kryesorë që asistojnë në vendin tonë për reformën e decentralizimit na kane dhënë mbështetjen e plotë. Le të jetë ky një takim ku të ndajmë gjithë vëmendjen tonë ndaj kësaj reforme, dhe pikënisje për të ndarë në territore që përfaqësojmë për të përcjellë këtë pjesë të procesit në kuadër të transparences” tha Çuçi.
Zv.Presidenti i PE-së: Qëndrimi i opozitës i gabuar
Kryeministri i vendit, Edi Rama, është takuar sot me zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella. Rama tha se, me zv.Presidentin Pittella diskutuam në lidhje me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Kënaqësi që prita një dashamirës të Shqipërisë dhe ndamë mendime për ecurinë e progresit drejt BE-së. Diskutuam edhe për forcimin e bashkëpunimit me grupin socialist dhe demokrat. Falënderova Pittellan për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane”, ka theksuar Rama.
Nga ana e tij, zv/presidenti i PE-së, Gianni Pittella, ka shprehur admirim për punën e qeverisë Rama në luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe për reformën e administratës publike. Pittella ka theksoi se, Parlamenti Evropian është shprehur zyrtarisht pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Zv.Presidenti i PE-së e ka cilësuar si të gabuar qëndrimin e opozitës për reformën territoriale dhe bëri apel të bashkëpunojë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Opozita po mban një qëndrim të gabuar ndaj reformës administrative- territoriale. I bëj apel opozitës shqiptare të ndryshojë qëndrim pasi integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është as e qeverisë, as e opozitës, por e të gjithë shqiptarëve”, tha Pittella.
PD: Tahiri i paaftë për të kryer reforma
Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi në një deklarate për shtyp, ka akuzuar Ministrin e Brendshëm se po përpiqet të largojë vëmendjen nga situata e rënduar e aksidenteve, duke propozuar masa qesharake.
“Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zbuloi sot Amerikën, kur tha se do të eliminojë aksidentet në rrugë, duke e bërë dënimin minimal për shoferët e dehur, me 10 ditë burgim. Por kjo është një masë qesharake e një ministri qesharak. Aktualisht, dënimi minimal për shoferët që kapen të dehur, është 5 ditë, sipas Kodit Penal. Pra Ministri, dënimin me 5 ditë, kërkon ta bëjë 10 ditë. Kjo është reforma e madhe e Tahirit. Por Ministri duhet të tregojë se sa shoferë të dehur janë ndaluar deri tani, dhe sa janë dërguar në prokurori për procedim penal”, u shpreh Vorpsi.
Për PD-në, e gjitha kjo nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje qesharake dhe e dënueshme për të larguar vëmendjen dhe përgjegjësitë nga aksidentet e shtuara në vend, nga numri i rritur i viktimave në rrugë dhe nga paaftësia e Ministrit për të bërë reformat e duhura.
BE deklaron rishikim të marrëdhënieve me Zvicrën
Bashkimi Evropian bën të ditur se do të rishikojë marrëdhëniet me Zvicrën pasi votuesit në këtë vend alpin miratuan të dielën me rezultat të ngushtë një ligj që frenon imigracionin e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Kundërshtarët e referendumit argumentojnë se masat që frenojnë imigracionin do të dëmtojnë ekonominë.
Televizioni zviceran njofton se 50.3 për qind e votuesve e mbështetën nismën “Ndal Imigracionit në Masë” të propozuar nga Partia zvicerane e Popullit, një parti e krahut të djathtë, e cila thotë se vendi nuk mund të përballojë dot 80.000 emigrantë të rinj çdo vit.
Referendumi mori gjithashtu miratimin e shumicës së kërkuar në më shumë se gjysmën e kantoneve apo rajoneve të Zvicrës. Kreu i organit ekzekutiv të kantonit të Gjenevës thotë se votimi e ka lënë vendin të ndarë.
“Do të lindë një sëmundje ngjitëse kombëtare, formën e të cilës ne ende nuk mund ta parashikojnë, për këtë do të duhet të pyesim ata që propozuan nismën. Ajo që dimë është se kjo sëmundje ngjitëse do të ndikojë te evropianët, te njerëzit me prejardhje nga jashtë Evropës – të cilët janë të vetmit që preken aktualisht, njerëz të cilët kalojnë kufirin çdo ditë për të shkuar në punë, azilkërkuesit. Pra, të huajt në përgjithësi.”
Sipas propozimit të ri, Zvicra do të duhet të hartojë legjislacionin duke vendosur kufizime për numrin e imigrantëve evropianë, si dhe për të drejtën e tyre për të sjellë familjet.
Vendimi nënkupton gjithashtu se qeveria zvicerane do të duhet të rinegociojë traktatet mbi lëvizjen e lirë të njerëzve për në Bashkimin Evropian. Qytetarët zviceranë kanë qenë në gjendje të udhëtojnë lirisht dhe të punojnë në vendet e BE-së, megjithëse Zvicra nuk është anëtare e këtij blloku.
Fushata për referendumin e Partisë Popullore Zvicerane ka përmendur efektet negative në çmimet e shtëpive, vendet e punës, transportin dhe infrastrukturën publike si arsye për mbajtjen e tij.
Kundërshtarët e referendumit argumentojnë se masat që frenojnë imigracionin do të dëmtojnë ekonominë dhe do ta bëjë më të ndjeshme mungesën e punëtorëve të huaj me kualifikim të lartë.









