Policia gjen makinën e Behramit

valon behramiNuk kaluan as 24 orë nga ankesa e Valon Behramit, i irrituar për vjedhjen e makinës, policia e Napolit ka mundur të gjejë makinën Smart të futbollistit. Autoritetet italiane kanë njoftuar se kanë gjetur makinën e futbollistit pas denoncimit që ky i fundit bëri në Twitter.

Makina humbi në rrugën Caravaggio dhe u gjet në rrugën Cerlone dhe për gjetjen e saj vleu pajisja antivjedhje satelitore që ishte instaluar në makinë.

Aksident, plagosen 5 persona të së njëjtës familje

aksident i rendeSipas burimeve paraprake nga vendi i ngjarjes, bëhet me dije se 5 persona kanë mbetur të plagosur pasi janë përfshirë në një aksident rrugor.

Ajo çka është bërë me dije është se  ngjarja ka ndodhur në Peshkopi. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy prej të plagosurve janë nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, njëri prej të cilave është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se mes të plagosurve është edhe një fëmijë.

Momentalisht, nuk ka të dhëna të detajuara përsa i përket aksidentit apo personave të implikuar në të. Pas marrjes së informacionit, autoritetet lokale janë gjendur menjëherë në vendin e ngjarje, ato po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Identitetet e të plagosurve

Laureta Qipuri
Bajram Qipuri
Fatabardha Qipuri
Ajet Qipurui
Nexhat Qipuri

 

Shkarkohet drejtori i INSIG-ut

INSIGQeveria ka marrë vendimin për shkarkimin e drejtorit të kompanisë publike të sigurimeve, INSIG, Tomor Kalaja. Shkak është bërë ndryshimi i pa paralajmëruar i çmimit për sigurimin e automjeteve.

Kalaja mund të dërgohet për ndjekje penale pasi dyshohet se është përfshirë në afera korruptive.

Lidhur me rritjen e papritur me rreth 40% të çmimit të siguracionit, Kalaja është shprehur se, “nuk ka një marrëveshje të mirëfilltë, por ka një lloj dakordësie në heshtje ose një lloj mendimi i përbashkët që rruga për të dalë nga ky rreth vicioz është vetëm kjo”.

Braçe: Marrëveshje  të fshehtë për sigurimin e detyruar të automjeteve

Kreu i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe i ka kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetit të Konkurrencës dhe Ministrisë së Financave sqarim për  rritjen e menjëhershme nga kompanitë e sigurimit të tarifës së pagesës së sigurimit për automjetet e thjeshta.

Braçe kërkon hetim dhe sqarime të menjëhershme nga institucionet përkatëse një ditë pasi  të gjitha kompanitë e sigurimit brenda një dite të vetme kanë rritur tarifën e pagesës së sigurimit të detyrueshëm TPL për automjetet e zakonshme me 6 mijë lekë.

Një tjetër fakt shqetësues është përfshirja në këtë marrëveshje edhe e kompanisë publike INSIG. Në shkresën drejtuar institucioneve përgjegjëse theksohet se që prej muajit shkurt të vitit të kaluar e deri më sot, kompanitë e sigurimit e kanë rritur 4 herë pagesën e sigurimit të detyrueshëm TPL, ndërsa që prej ditës së martë, rritja është në vlerën e 6 mijë lekë ose 43% më shumë se çmimi i mëparshëm.

Braçe shprehur shqetësim tek institucionet përgjegjëse lidhur me dyshimet për një marrëveshje karteli, të fshehtë, mes operatorëve në treg duke kërkuar hetim, reagim dhe shpjegime të menjëhershme në lidhje me këtë treg dhe veprimet e fundit.

Lars Erci Ericsson: Reduktoni njësitë vendore

njesite vendore1Suedia, e cila është një prej vendeve të BE-së që merret shpesh si shembull zhvillimi në vitet ‘50 ka kryer reformën territoriale, duke reduktuar numrin e njësive vendore nga 2 500 në 290. Bazuar në këtë eksperiencë Lars Erci Ericsson, ish-

sekretar i shtetit në Suedi, sot ekspert pranë qeverise shqiptare për çështjen e reformës territoriale këshillon reduktimin e numrit të njësive vendore, pasi në këndvështrimin e tij një harte kaq e copëzuar, ndikon negativisht në shërbimet që u ofrohen qytetarëve.

Ericsson ndalet edhe tek shembulli francez me më shumë se 36 mijë njësi vendore; duke theksuar se ky është një rast përjashtimor dhe një model që siguron pak kompetenca për pushtetin vendor duke e bërë atë më të dobët.

“Unë mendoj se Shqipëria vërtet ka nevoje për një reforme territoriale. Çështja thelbësore është shërbimi që iu ofrohet qytetareve dhe ju keni shumë njësi vendore që vuajnë nga mungesa e fondeve dhe personelit për t’u ofruar shërbime cilësore qytetarëve. Sipas meje, ju keni absolutisht nevojë për një reformë.

” Eksperti suedez preferon të shmangë komentet rreth refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën territoriale, por thekson se kur një palë ka dyshime, rruga më e mirë është të ulet në tryezë për të diskutuar problemet. Vete Suedia kur ka realizuar reformën territoriale nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen 100% të klasës politike, pasi disa parti të vogla e kundërshtuan, por reforma asokohe u mbështet nga një mazhorancë e gjerë, shpjegon ish-sekretari i shtetit.

“Nuk dua te ndërhyj në çështje politike, por nga eksperienca ime është gjithmonë një gjë e mirë të ulesh në tryezë dhe të diskutosh. Nëse ke dyshime apo kundërshtime mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve është të flasësh për to.”

Megjithatë tryeza e konsultimeve e organizuar nga qeveria solli serish një tablo të ndarjes së qartë që ekziston mes maxhorances dhe opozitës, pasi kjo e fundit e bojkotoi takimin ndërkohë që Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi se reforma do të përmbyllet pavarësisht qëndrimit të Partisë Demokratike.

Vizion+

Buxheti i shtetit, me pak të ardhura nga tatimet

FavoooriziimmmmNdryshimet e reja fiskale, të cilat hynë në fuqi në fillim të 2014-ës, kanë sjellë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit, se në kohën kur ishte taksa e sheshtë.

Sipas të dhënave për muajin janar, shpresa më e madhe e ministrisë së Financave, e cila mbështetej te rritja e tatimit për biznesin e madh dhe të mesëm nga 10 në 15%, ka dhënë sinjale se këto para janë mbledhur më pak se një vit më parë.

Kështu nëse për muajin janar të 2013-ës në arkën e shtetit ishin mbledhur 1.3 miliardë lek, këtë vit janë grumbulluar vetëm 1 miliard, nga 1.5 që ishte plani. Financat planifikojnë që deri në fund të këtij viti të marrin nga ky zë në buxhet 6.5 miliard lekë më shumë, por sipas ekspertëve kjo do të varet gjithnjë nga situata që do të ketë biznesi.

Gjithsej treguesit fiskalë për janarin janë minus1 miliard lekë krahasuar me planin dhe 200 milionë më pak po të krahasohen me një vit më parë. Një kontribut për këtë e ka dhënë edhe rishikimi i tatimit të pagës.

Ndërkaq zyrtarisht ministria e Financave shprehet se është duke marrë në analizë të gjithë sektorët, të cilët kanë dhënë kontribut negativ në realizimin e të ardhurave dhe do të marrë masa për ata lloj biznese, të cilët po tentojnë që të fshehin xhiron.

Vizion+

Turqia pro Shqipërisë për statusin në BE

kodheli_turqiMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Ankara me ftesë të homologut të saj, Ismet Yilmaz.

Në takimin që ministrja Kodheli zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz u nënvizua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si dhe u diskutua për gjetjen e potencialeve për t’i çuar ato më tej.

Ministri turk i Mbrojtjes tha se, Turqia e shikon Shqipërinë si një partnere të rëndësishme dhe aleat të madh të saj. Në këtë kontekst, në emër të qeverisë turke Yilmaz siguroi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të Turqisë për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Më tej, dy zyrtarët e lartë, duke u ndalur tek marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona. Në këtë kuadër, në Turqi janë arsimuar dhe kualifikuar 2 500 studentë ushtarakë shqiptarë që nga viti 1992 e në vazhdim, ndërsa aktualisht në këtë vend studiojnë 86 të tillë.

Në vijim të kësaj vizite, Kodheli u prit në një takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Necdet Ozel.

Në këto takime, Kodheli kërkoi që të gjenden mundësi bashkëpunimi, sidomos në fushën e industrisë ushtarake, duke theksuar se Shqipëria duhet të mbajë patjetër në funksion Uzinën e Poliçanit, Mjekësit apo të Gramshit, si të vetmen mundësi ekonomike për banorët e këtyre zonave. Më herët, ministrja e Mbrojtjes Kodheli vendosi një kurorë në Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut“,- bënë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Peshkatari zbulon statujën e bronztë të Apolonit

statuja apolonitE humbur prej shekujsh, një statujë e lashtë dhe e rrallë e Apolonit, njërit prej zotave të grekëve të lashtë, është nxjerrë nga fundi i detit në rripin e Gazës.

Ka qenë një peshkatar ai që zbuloi statujën prej bronzi në fundin e detit. Sipas mediave lokale, peshkatari e e gjeti statujën e Apolonit që në muajin gusht.

Pasi e nxori nga fundi i detit, peshkatari ia ngarkoi gomarit të tij statujën, që peshon 500 kg dhe e dërgoi në shtëpi pa e ditur rëndësinë e zbulimit të tij.

Mirëpo, me kalimin e muajve, peshkatari u ndërgjegjësua për rëndësinë e zbulimit të tij dhe statuja e Apolonit doli më pas në shitje në eBay për një çmim prej 500 mijë dollarësh.

Menjëherë pas kësaj, policia e sekuestroi statujën e Apolonit dhe ajo gjendet tashmë në një nga komisariatet e policisë së Gazas. Ndërsa arkeologët, nuk kanë patur asnjë mundësi që ta studiojnë statujën e Apolonit, por vetëm mundën të bëjnë disa foto.

I jepet lamtumira e fundit Skënder Sallakut

salk4Ditën e sotme janë zhvilluar homazhet në nder të aktorit të madh të humorit Skënder Sallakut, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Homazhet për Artistin e Popullit, Skënder Sallaku, janë organizuar në Teatrin Kombëtar.  Më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, është përcjellë për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Homazhe kanë zhvilluar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten e tij dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu bindjen se njerëz të tillë, si humoristi i njohur shqiptar, lënë pas vlera të cilat i bëjnë ata të jenë të përjetshëm dhe na bëjnë t’u jemi mirënjohës.

“Është një çast tepër i dhimbshëm të ndahesh me një artist tepër të madh aq më tepër me një artist të madh të humorit si ishte Skënder Sallaku. Por jam i bindur se njerëz të tillë, artistë të tillë lënë vlera të cilat i bëjnë ata të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve të ndihemi të detyruar dhe mirënjohës. Ngushëllimet me të sinqerta gjithë familjarëve të z. Sallaku, të gjithë kolegëve të tij dhe jam i bindur se figura e tij do të jetë një figurë që do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në këtë traditë të shkëlqyer që ai ka lënë pas”, ka theksuar Meta.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ndarja nga jeta e Skënder Sallakut është një humbje e madhe për artin tonë skenik. Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u shpreh se Skënder Sallaku ishte ikonë e humorit dhe vepra e tij do mbetet e paharruar. Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe personalitete të medias, të artit dhe të kulturës shqiptare.

Aktori i mirënjohur Skënder Sallaku u nda dje nga jeta në moshën 79-vjeçare. Një prej ikonave të humorit shqiptar, Sallaku vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Aktori i madh shqiptar mësohet se ka vdekur në orët e para të ditës së martë.

Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935, dhe është konsideruar si një nga aktorët tanë të humorit me skeçe dhe parodi të ndryshme ai e ka bërë publikun shqiptar të qeshë me shpirt.

Aktori është nderuar dhe me titullin e lartë ‘Artist i Popullit’.  Sallaku, njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

Ndalimi i furgonëve, Berisha:Qëndrim i papërgjeshëm dhe korruptiv

sali-berishaIsh-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në Facebook në lidhje me vendimin e qeverisë për të ndaluar furgonat me pasagjerë.

Në një profil në faqen zyrtare, Berisha e ka cilësuar këtë vendim si të papërgjegjshëm dhe korruptiv nga ana e qeverise Rama-Meta që sipas tij shkatërron së paku 17-20 mijë vende pune.

Postimi i plotë i ish-kryeministrit

Te dashur miq, beteja me furgonate qeverise Rama -Meta, eshte nje akt shume i papergjegjshem dhe fund e krye korruptiv qe shkaterron me se paku 17-20 mije vende pune. Une ju bej thirrje te gjithe shoferave te furgonave, familjareve te tyre, te mos perkulen por te perdorin te gjitha mjetet demokratike, demostratat dhe grevat per te mbrojtur vendet e tyre te punes. Ju bej thirrje qytetareve te solidarizohen me shoferet e furgonave dhe familjet e tyre ne protesten e tyre te drejte.

Une ftoj te gjithe shoferat e furgonave, familjaret e tyre te bashkohen me ne në marshin mbare popullor te 20 shkurtit kunder mashtrimeve te medha elektorale, shkaterrimit masiv te vendeve te punes dhe rritjes te pandalshme te papunesise, vendosjes se fatures aforfe te energjise qe detyron qytetaret te paguajne 2.5 here per energjine me shume se sa kreu i qeverise, kunder vendimit per furgonat qe i pret buken e gojes 17-20 mije familjeve shqiptare. Marshi i 20 shkurtit eshte antidodi, pergjigjia me e merituar ndaj revanshit te qeverise Rama – Meta!! sb

Kërkon azil për ndryshim klimatik

Kiribati_1990462bRasti i parë në botë i një kërkese për azil për ndryshim klimatik është shqyrtuar nga Gjykata e Lartë e Zelandës së Re.

Protagonisti i ngjarjes është 37-vjeçari Ioane Teitiota, një qytetar nga Kiribati, një shtet i vogël në Paqësor me pak më shumë se 100.000 banorë, ishujt koralorë të të cilit kanë lartësi prej pak metrash mbi nivelin e detit dhe janë të kërcënuara nga ngritja e nivelit të ujit dhe efekte të tjera të ndryshimeve klimatike, si ndotja e ujit të pijshëm, shkatërrimi i të lashtave dhe përmbytja e shtëpive.

Teitiota u largua nga Kiribati me bashkëshorten e tij gjashtë vjet më parë për një perspektivë më të mirë në Zelandën e Re, ku lindën dhe tre fëmijët e tyre.

Gjykata e Emigracionit e refuzoi dy herë kërkesën sipas së cilës ngritja e nivelit të detit mund ta rrezikojë së tepërmi kthimin e familjes në Kiribati. Si pasojë, Teitiota iu drejtua Gjykatës së Lartë të vendit për zgjidhjen e çështjes.

“Konventa e refugjatëve që hyri në fuqi në fund të Luftës së Dytë Botërore duhe të ndryshohet, duke përfshirë edhe personat që u largohen katastrofave klimatike dhe ajo që po ndodh në ishujt e vegjël të Paqësorit është e tillë”, u shpreh avokati i çështjes, Michael Kidd.

Ndërkohë, qeveria në Kiribati ka blerë toka të reja në ishujt Figi për kultivim ushqimi dhe ndërtimin e banesave për qytetarët e transferuar si pasojë e ngritjes së nivelit të detit.