Tiranë-Prishtinë, takim mes krerëve të Kuvendit Meta dhe Krasniqi

meta-krasniqi_14.2.2014Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi, me të cilin diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon.

Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian.

Nga ana e tij, Krasniqi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme vllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona.

Meta dhe Krasniqi ndanë bindjen në përfundim se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit, dhe se të dy Parlamentet do t’a rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.

21 Janari, Berishës thirrje nga Prokuroria

berish-bash-prendi-22-janarNdërkohë që PD po përgatitet të bëjë protestën e saj me të madhe më 20 shkurt kundër qeverisë socialiste, burimet brenda prokurorisë, sipas të përditshmes gazetës Shqiptarja.com, bëjnë me dije se  Berisha do të thirret në Prokurori për të dëshmuar në lidhje me vrasjet e 21 janarit.

Sipas këtyre burimeve, Berisha s’do thirret për t’u pyetur me cilësinë e të pandehurit, por vetëm me cilësinë e dëshmitarit dhe të personit që ka dijeni për ngjarjen, ku më pas në varësi të dëshmisë e ballafaqimit të fakteve do të përcaktohen dhe hapat e mëtejshëm.

Ish-kryeministri është shprehur i gatshëm që për gjithë veprimet që janë kryer nga qeverisja e kaluar të shkojë e të japë shpjegime para drejtësisë, pasi për të, si për suksesin ashtu dhe për problemet që kanë ndodhur përgjegjës është vetëm një: Sali Berisha. Koha kur do thirret për të dëshmuar ende nuk është përcaktuar duke qënë se janë në kushtet e formulimit të një qëndrimi të qartë për këtë qëllim.

51 deputetë pro shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP Zana Xhuka

zana-xhuka-03-251 deputetë të mazhorancës kanë firmosuar sot kërkesën për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP, Zana Xhuka.

Njoftimi është bërë në Komisionin e Ligjeve, i cili ka thirrur të martën Zana Xhukën, që të njihet me kërkesën e 51 deputetëve.

Ndërkohë më herët mazhoranca ka përgatitur raportin e hartuar nga grupi i kontrollit që u ngrit nga parlamenti nëntorin e vitit të kaluar, i cili del në përfundimin se emërimi i Zana Xhukës në këtë post është i pavlefshëm dhe kërkohet shkarkimi i saj.

Sipas deputetëve të mazhorancës hartues të raportit, emërimi i Xhukës në postin e kryesinspektores është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi Xhuka nuk përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 12, që sanksionojnë se kreu i ILDKP duhet të ketë arsim të lartë si ekonomist financier ose jurist.

Po sipas këtij raporti të bërë publik nga Kuvendi i Shqipërisë, Xhuka ka refuzuar të bashkëpunojë me Parlamentin, duke e konsideruar kështu një tjetër argument për shkarkimin e saj nga detyra.

Parlamenti ngriti një grup kontrolli pas përplasjeve mes punonjësve të Inspektoratit dhe drejtueses se tij Zana Xhuka. Grupi i kontrollit përbëhej nga 5 deputetë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, por kjo e fundit nuk ka pranuar të caktojë asnjë deputetet për të marrë pjesë në kontrollin e institucionit të ILDKP-së. Deputetët e caktuar nga mazhoranca ishin: Armando Subashi, Pirro Lutaj dhe Ulsi Manja.

Për këtë çështje, por edhe për vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në sistemin kompjuterik të Tatimeve, Partia Demokratike ka depozituar ankimime në Gjykatën Kushtetuese.

Itali, kryeministri Letta jep sot dorëheqjen

Enrico-Letta_2821055bKryeministri Italian Enriko Letta do të japë sot dorëheqjen, pasi një votim brenda partisë së tij vendosi që të mbështesë një qeveri të re, që do të udhëhiqet nga  lideri i partisë, Matteo Renzit.

Në votimin brenda partisë  132 anëtarë të partisë votuan pro-ndryshimit dhe vetëm 16 mbështetën vazhdimin e kabinetit të tij. Dy anëtarë të tjerë të kryesisë së PD-së abstenuan.

Matteo Renzi, kryebashkiaku i Firences dhe një prej politikanëve më karizmatikë dhe popullorë në Itali do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Ai e kishte kritikuar qeverisjen e Lettës që në momentin e zgjedhjes në krye të PD-së në muajin ne muajin Dhjetor.

Sipas mediave italiane  Renzi do të jetë i vetëm në drejtimin e qeverisë por bashkë me një kabinet të ri  ministrash. Il Corriere della Sera shkruan se qeveria e re do të jetë e gatshme brenda shtatë ditësh.

Gjykata “Arrest në burg” për Andon Mëhillajn, avokati: Ka probleme mendore

mehillajGjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Andon Mëhillajn, i akuzuar si porositësi i killerit Julian Sinanaj.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura ndërsa avokati mbrojtës i Andon Mëhillajt, Lazer Sokolaj ka deklaruar se klienti i tij vuan nga probleme mendore

Ai ka theksuar se Andon Mëhillaj nuk ka lidhje me killerin Julian Sinanaj dhe me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

“Andon Mëhillajt iu komunikuan akuzat të cilat ai nuk i ka pranuar. Ai merr mjekim për probleme mendore. Ai është i terrorizuar, është i tronditur dhe do të japë shpjegime në një moment tjetër” tha avokati.

Vetëdorëzimi

38-vjeçari nga Vlora u vetëdorëzua dje në policinë e Vlorës vetëm 48 orë pasi kryesonte listën së më të kërkuarve nga Interpol.

Sipas burimeve negociatat për dorëzimin e Andon Mëhillajt janë bërë nëpërmjet avokatit Edmond Demaj, i cili ka shërbyer si urë lidhëse me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Andon Mëhillaj, ka lënë strehen e tij ku fshihej që prej fillim janarit në rrethinat e Vlorës dhe është paraqitur para agjentëve specialë të policisë, të cilët e transferuan dje në Tiranë.

Në përballjen e parë ai ka mohuar akuzat se ishte ai porositësi i vrasjeve që kryente Julian Sinanaj.

Ndërkohë ende nuk dihet asgjë në lidhje me kushëririn e tij Genis Mëhillaj i cili vijon të kërkohet nga policia shqiptare por edhe nga Interpoli.

 Akuzat

Andon Mëhillaj së bashku me kushëririn e tij Genis Mëhillaj, i cili është ende në kërkim, akuzohen se janë punëdhënësit e killerit Julian Sinanaj.

Ndaj dy kushërinjve Mëhillaj rëndojnë akuza si ajo e “akteve terroriste” dhe të “financimit të terrorizmit”. Akuza të tjera ndaj tyre vijojnë me “fshehje nga organet e drejtësisë”, “fshehje të fondeve dhe pasurisë që financojnë terrorizmin”, “dhënie informacioni nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve ushtarake” dhe “trafikim të armëve dhe municionit”.

Emri i kushërinjve Mëhillaj u lakua menjëherë pas arrestimit të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj në 25 janar. Ata dyshohen se janë punëdhënësit në shumicën e rasteve për 31-vjeçarin Sinanaj dhe kryesisht e kryenin aktivitetin në qytetin e Vlorës, por jo vetëm.

Ky fakt është pranuar tashmë edhe nga Julian Sinanaj, i cili ka përfituar statusin e të penduarit të drejtësisë shqiptare.

Ai ka rrefyer për grupin hetimor se ka ndërtuar bombën, e cila më pas u vendos në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ka vrarë biznesmenin Agron Çela në Vlorë, peshkatarin Sokol Veizaj në Orikum, ka vendosur tritolin në shtëpinë e Ardian Kollozit deputet i PD si dhe do të vriste biznesmenin e gazit Piro Bare,ku në të gjitha këto raste ndërmjetësit kanë qenë kushurinjtë Mëhillaj.

Haxhinasto-Lupi: Heqje të taksës për transportuesit shqiptar të mallrave

haxhinastoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një vizitë pune një ditore në Romë ku u takua me homologun Italian  Maurizio Lupi. Heqja e taksës fikse për transportuesit shqiptarë, liberalizimi i shwrbimeve të transportit dhe angazhimi i Italisë në projektet madhore të infrastukturës në Shqipëri, ishin çështjet kryesore të takimit.

“Sfida jonë permanente është t’i japim substancë marrëdhënieve tona strategjike,  dhe në fushën e transportit dhe të infrastrukturës kemi shumë për të bërë”, tha Ministri Haxhinasto.

Si çështjet kryesore, Ministri nënvijëzoi atë të heqjes së taksave për transportuesit shqiptar të mallrave, duke cilësuar se përfitimet e përbashkëta nga rritja e volumeve do të jenë në gjëndje të kalojnë çfarëdo pengese. “Do të kërkoja që kjo masë të konsiderohet në menyrë shumë serioze, për të ndihmuar sektorin e transportit tokësor të mallrave; një sektor ky shumë i rëndësishëm për ekonominë Shqiptare”, shtoi Haxhinasto. Ai gjithashtu kërkoi, në kuadër  të integrimit të shërbimeve tona të transportit, që në fokus të jetë edhe liberalizimi i mëtejeshëm i lejeve ndërkombëtare të transportit të mallrave.

Duke u ndalur tek transporti, ministri paraqiti objektivin e qeverisë për rigjallërimin e transportit hekurudhor, duke theksuar si prioritare lidhjen me Maqedoninë, segmentin Tiranë-Rinas-Durrës dhe përmirësimin e lidhjeve në porte. Ai tha se përfshirja e aktorëve privatë Italianë do të ishte e mirëpritur.

Po ashtu,Haxhinasto solli në vëmendjen e homologut italian prioritetin e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës portuale shqiptare. “Në konceptin tonë strategjik ne duam të bëjmë një ndarje të punës në portet shqiptare, kryesisht porte pasagjerësh, turistike dhe peshkimi, dhe të ndërtojmë një port të ri në Shëngjin, një port i cili do ti shërbente të paktën tre vëndeve, Shqiperisë, Kosovës dhe Maqedonisë”- tha ai.

Ndër sfidat,Haxhinasto përmendi standartizimin e gjithë infrastrukturës rrugore, kryesisht elementet e sigurisë dhe sinjalistikës, mirëmbajtjen e sistemit rrugor duke filluar me Rrugën e Kombit. Ai përmendi gjithashtu  ndërtimin e një aeroporti të ri në jug të vendit i cili do të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialeve turistike të tij.

Edhe Ministri Italian Lupi nga ana e tij vuri në dukje marrëdheniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe se italia e konsideron Shqipërinë një partner të rendësishëm. Lupi shprehu gadishmërinë e italisë për përfshirjen në realizimin e prioriteteve infrastrukturore të Shqipërisë.

Të dy ministrat ranë dakort për ngritjen e një komisioni të përbashkët italo-shqiptar, brenda 90 ditësh, për të konkretizuar në një marrëveshje zgjidhjen e problematikave dhe për të vendosur piketat e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e Transportit dhe Infrastrukturës.

Arrestohet Ajet Marku, i arratisur nga burgu 313

pranga-arrestimPolicia e kryeqytetit ka mundur të kapë pas 3 vitesh në arrati Ajet Marku, i arratisuri nga burgu i sigurisë së lartë 313 në Tiranë në vitin 2010. Marku është arrestuar sot nga forcat e komisariatit nr 5 në Tiranë në banesën e një të afërmi në Kamëz, pasi kërkohej prej vitesh nga policia.

Në banesë u bllokua një kamion me materiale të vjedhura. Markaj ishte dënuar me 15 vite burg për akuzën e tentativës së grabitjes së një banke.   Marku u arratis më datën 2 dhjetor të 2010-ës gjatë kohës së ajrimit. Ai plagosi rojen dhe arriti të kapërcejë murin dhe të largohet me shpejtësi.

Paçolli mund të kandidojë për kryeministër

PacolliPresidenti i AKR-së, Behxhet Paçolli, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të qenë pjesë e garës së sivjetme për postin e kryeministrit. Por, ai ka thënë se për këtë çështje vendos Këshilli Drejtues i partisë.

“Nuk është tërësisht në vullnetin tim çështja e kandidimit apo jo për postin e kryeministrit. Kjo është një çështje për të cilën do të vendosë Këshilli Drejtues i partisë. Asnjëherë nuk kam dal kundër këtij vullneti. U takon organeve të partisë të vendosin për këtë çështje”, ka deklaruar Paçolli në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se AKR-ja ka kapacitete dhe është e gatshme për ta drejtuar qeverinë e ardhshme.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se çështjen e kandidimit të tij e sheh si mundësi të mirë për implementimin e programit zhvillimor ekonomik.  Ai ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare AKR-ja do të garojë e vetme dhe se, sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë një befasi e këndshme për të gjithë.

SHBA e paralizuar nga akulli dhe dëbora

shba stuhiMë shumë se 97 milionë amerikanë në më shumë se 20 shtete janë përfshirë nga të ftohtit të madh. Stuhia është e shoqëruar me një të ftohtë polar, disa gradë nën zero – minus 10 dhe 15 gradë celcius . Mbrëmë ka pasur të paktën 140 aksidente , dhe tre vetë vdiqën nga këto aksidente, duke e çuar në 11 numrin e të vdekurve .Vetëm dje thonë se janë anuluar më shumë se 3,300 fluturime dhe janë paralajmëruar për sot për t’u anuluar më shumë se 3,400 fluturime të tjera nga 50.000 deri 55.000 fluturime me aeroplanët komerciale dhe private, që zakonisht kanë linjat e përditshme në hapësirën ajrore të SHBA .

Një shtresë e akumuluar prej ditësh me dëborë dhe një trashësi akulli që u krijua këto ditë më shumë nga temperaturat shumë të ulta të kësaj jave, kanë shkaktuar bllokime të mëdha të trafikut , në 1/3 e territorit të SHBA, duke paralizuar në shumë shtete edhe trafikun, pasi shoferët injoruan paralajmërimet e autoriteteve për të qëndruar jashtë rrugëve, pra të evitonin udhëtimet e këtyre ditëve.

Këtë herë të bllokuara prej trafikut nuk janë vetëm autostradat në drejtim të Gjeorgjias, Karolinën e Veriut duke rënë më poshtë deri në pjesën kur hynë në Florida, por edhe nga verilindja në Boston dhe Detroit.Autoritetet njoftuan se më shumë se 97 milionë amerikanë në më shumë se 20 shtete janë përfshirë nga të ftohti i madh – Shtresa e akullit dhe bora e rënë ditë më parë dhe e ngrirë, e cila goditi më shumë veriun dhe juglindjen të mërkurën dhe sot ajo po godet sot deri në brigjet në verilindje të SHBA.   Stuhia është e shoqëruar me një të ftohtë polar, disa gradë nën zero – minus 10 dhe 15 gradë celcius . Një i ftohtë ky i paparë në 4-5 dekadat e fundit thanë autoritet amerikane, që sipas tyre tashmë kanë lënë në “terr” pa energji elektrike, gati gjysmë milionë amerikanë, shtëpi dhe bizneset e tyre.

Halimi: Rama ligj kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Eduard-Halimi_1Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka akuzuar kryeministrin Rama se në fshehtësi të plotë ka firmosur dje një ligj kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Halimit ky ligj është kundër administratës, kundër integrimit të vendit.

“Rama në fshehtësi të plotë firmosi dje një projektligj te ri, që zhbën tërësisht Ligjin për Nëpunësin Civil, reformën në administratën publike, një nga tre kushtet e BE për të marrë statusin. Ky është rasti i paprecedent në historinë legjislative shqiptare dhe botërore, ku një ligji të miratuar i bëhen ndryshime thelbësore edhe pse ligji nuk është zbatuar për asnjë ditë. Kush ishin ekspertet, kur i hartuan, me ke i diskutuan? Askund nuk ndodh që kryeministri i një Republike Parlamentare, të sillet në mënyrë kaq arrogante me Kushtetutën e vendit, dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese. Ditën bllokon në mënyrë arbitrare publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke penguar ekzekutimin e vendimit, dhe natën firmos ligje që sulmojnë gjykatën, administratën publike, integrimin e vendit.  Konsensusin politik e ka harruar, opozita dhe parlamenti nuk ekzistojnë për atë, por po injoron dhe Kushtetutën dhe partneret ndërkombëtare.

Arbitrariteti dhe arroganca ndaj ligjit, kushtetutës dhe partnereve, kurthi “më ëmbël” për çdo kryeministër.

Po ti hedhim një vështrim i shpejtë këtij akti, rezulton edhe më i qartë, qëllimi i aktit antikushtetues të 30 shtatorit, por dhe këmbëngulja e Kryeministrit për të mos kryer reformën e kërkuar nga BE, duke e përkeqësuar gjendjen në administratë dhe duke prekur thelbin e garancive që ofron ligji i hartuar nga BE, dhe konkretisht:

1) Përkeqësohen garancitë për qëndrimin në detyrë, jo vetëm në raport me ligjin ekzistues nr. 152/2013, por edhe me vetë ligjin e vjetër të nëpunësve civil.

2) Kryeministri kërkon të ligjërojë të gjitha shkarkimet dhe nxjerrjet në listë pritje, të kryera në kundërshtim me ligjin, duke rifutur konceptin e “listës së pritjes” në rastet e ristrukturimit dhe mbylljes së institucionit. Heqja e mekanizmit të listës së pritjes ka qenë kërkesë e shprehur e ekspertëve të Bashkimit Europian që kanë asistuar autoritetet shqiptare në realizimin e kësaj reforme.

3) Kryeministri kërkon të ligjërojë të gjitha emërimet e paligjshme që janë realizuar në administratën publike nga data 1 Tetor 2013 – deri më sot. Me këtë ndryshim po synon të kthejë në sistem paligjshmërinë! Shqipëria shndërrohet nga një shtet që udhëhiqet nga e drejta, në një shtet ku arbitraritetit dhe paligjshmërisë i jepet “vlerë” me ligj.

4) Kryeministri kërkon të kontrollojë procesin e përzgjedhjes së trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues (“TND”).

5) Kryeministri kërkon të spastrojë të gjithë nëpunësit civil aktual që janë në periudhë prove   Ky është projektligji qe ka firmosur kryeministri duke vendosur një praktikë të rrezikshme që cënon parimet themelore kushtetuese dhe duke e shndërruar Shqipërinë nga një Republikë Parlamentare në një Republikë Kryeministrore.

Ti dalim para të gjithë dhe ta ndalojmë ne 20 shkurt qe te mos shkatërroje te ardhmen europiane te vendit, mos vijoje luftën e klasave ne administrate, mos injoroje Europën, mos shkatërroje te drejtat themelore kushtetuese te qytetareve, siç bënte deri 23 vjet me pare, ai qe shqiptaret i rrezuan bustin”, shkruan Halimi në Facebook.