51 deputetë pro shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP Zana Xhuka

70

zana-xhuka-03-251 deputetë të mazhorancës kanë firmosuar sot kërkesën për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP, Zana Xhuka.

Njoftimi është bërë në Komisionin e Ligjeve, i cili ka thirrur të martën Zana Xhukën, që të njihet me kërkesën e 51 deputetëve.

Ndërkohë më herët mazhoranca ka përgatitur raportin e hartuar nga grupi i kontrollit që u ngrit nga parlamenti nëntorin e vitit të kaluar, i cili del në përfundimin se emërimi i Zana Xhukës në këtë post është i pavlefshëm dhe kërkohet shkarkimi i saj.

Sipas deputetëve të mazhorancës hartues të raportit, emërimi i Xhukës në postin e kryesinspektores është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi Xhuka nuk përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 12, që sanksionojnë se kreu i ILDKP duhet të ketë arsim të lartë si ekonomist financier ose jurist.

Po sipas këtij raporti të bërë publik nga Kuvendi i Shqipërisë, Xhuka ka refuzuar të bashkëpunojë me Parlamentin, duke e konsideruar kështu një tjetër argument për shkarkimin e saj nga detyra.

Parlamenti ngriti një grup kontrolli pas përplasjeve mes punonjësve të Inspektoratit dhe drejtueses se tij Zana Xhuka. Grupi i kontrollit përbëhej nga 5 deputetë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, por kjo e fundit nuk ka pranuar të caktojë asnjë deputetet për të marrë pjesë në kontrollin e institucionit të ILDKP-së. Deputetët e caktuar nga mazhoranca ishin: Armando Subashi, Pirro Lutaj dhe Ulsi Manja.

Për këtë çështje, por edhe për vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në sistemin kompjuterik të Tatimeve, Partia Demokratike ka depozituar ankimime në Gjykatën Kushtetuese.