Shqipëria dhe Kosova konsullata të përbashkëta në Milano dhe Kanberra

marreveshja 2Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan sot një marrëveshje për të pasur konsullata të përbashkëta në Milano të Italisë dhe në Kanberra të Australisë”. Marrëveshja u firmos nga ministri ynë i jashtëm Ditmir Bushati dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj.

Ministri Bushati, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, pas nënshkrimit të marrëveshjes zhvilloi edhe një konferencë për shtyp të përbashkët me homologun e tij Enver Hoxhajn.

Të dyja palët shprehën vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kryediplomati shqiptar veçoi bashkëpunimin bilateral, duke iu referuar mbledhjes së Prizrenit dhe nënshkrimit të dokumentit për partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai po ashtu foli edhe për mbledhjen e ardhshme që është planifikuar të mbahet në Vlorë, duke e cilësuar si një mundësi të mirë për dy ministrat e jashtëm si koordinatorë të qeverive përkatëse, për të rishikuar progresin dhe për të shikuar mangësitë që mund të jenë hasur në praktikë, dhe hapat që mund të jenë hedhur përpara për mbledhjen e radhës.

“Është një formë bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që është strategjike për ne, është stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike, dhe është në frymën e projektimit të faktorit shqiptar në gjithë pozitivitetin e tij të mundshëm, për të avancuar rajonin drejt rrjedhave euroatlantike”, -tha ministri Bushati.

Ai po ashtu theksoi se 2014-ta është vit i rëndësishëm për proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përshëndetur në emër të Qeverisë së Shqipërisë hapat e matur të Qeverisë së Kosovës për transformimin e FSK-së. Bushati, po ashtu, tha se është i rëndësishëm përfundimi i MSA-së dhe për të mos lënë më, asnjë gropë të zezë për lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen.

Ndërsa ministri Enver Hoxhaj tha se kjo vizitë është rikonfirmim i axhendës dypalëshe ndërmjet dy shteteve. “Kjo mbështetje ka të bëjë me njohjet, me anëtarësimin e Kosovës në organizatat të ndryshime rajonale, evropiane dhe globale, por ka të bëjë edhe me axhendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të gjitha çështjet, të cilat janë pjesë e asaj se ç’ka përcaktohet si politikë e jashtme”, -tha Hoxhaj.

Duke iu referuar deklaratës së nënshkruar në Prizren, për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, ministri Hoxhaj tha se ajo ka hapur një dritare të re të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Me këtë rast, ai bëri të ditur se qeveria e Kosovës sot do të marrë vendimin për sa i përket fondit për maternitetin  në luginën e Preshevës.

Kur nënat vrasin

nena qe vrasin fotoAurora Allushaj

Në imagjinatën tonë marrëdhënia nënë-fëmijë ka qenë gjithmonë dashuria më e madhe e mundshme, asnjëherë nuk mund të shihej diçka kriminale në këtë marrëdhënie. Megjithatë, nuk është e pazakontë për të gjetur çekuilibër në marrëdhënien nënë-fëmijë. Familja sot ka ndryshuar, në qoftë se deri pesëdhjetë vjet më parë, nëna mund të mbështetej në një seri personash që ofronin ndihmën e tyre (gjyshja, tezja, të afërm të ndryshëm), tani familja është një apartament i vogël ku individualiteti dhe vetmia janë kushtet që përbëjnë sfondin.

Në një kontekst të tillë, mund të ngjizen “sëmundje të shumta”, ndoshta shumë më të forta nga ndjenjat që shoqërojnë amësinë. Janë nënat që mendojnë se nuk janë në nivelin e duhur, sepse ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon performancën më të lartë në të gjitha detyrat: një familje të bukur, një karrierë të madhe, një fëmijë të përsosur…. Gjithçka në maksimum.

Ne jemi të kushtëzuar të mendojmë se kur një nënë vret duhet të ketë “diçka të gabuar”, kështu që kërkojmë nga mediat të na sigurojnë për të ashtuquajturën “normale” dhe se ajo nuk mund të ndodhë. Por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, ose më mirë nuk është e vërtetë se një veprim i tillë është vetëm vepër e nënave me probleme psikotike ose serioze patologjike.

Për fat të keq, nuk janë studiuar raste ku nëna nuk ka gjurmë të çrregullimit mendor, por kur nëna refuzon vetveten si e tillë për shkak të stresit, izolimit shoqëror dhe jetës plot tension. Nënat në rrezik janë zakonisht të vetme pasi kërkimi i ndihmës sipas tyre do të shpallte falimentimin.

Kriminologjia dallon infanticidin, foshnjëvrasjen nga vrasja e fëmijëve. Dy të parët mund të bëhet brenda vitit të parë të jetës së një fëmije dhe një nga shkaqet është ekzistenca e një dinamikë emocionale që përbëhet nga një ndjenjë armiqësie nga nëna kundrejt fëmijës i cili është perceptuar si një objekt i pandarë i trupit derisa ndonjëherë çon në mohimin e shtatzënisë. Është e qartë se në këto raste është i rëndësishëm roli i mjekut për të parandaluar aty ku ndërhyrja sociale e psikologjike mund të konsiderohet një rrezik.

Në këtë rast kombinimi psikozë-dhunë është inkurajues sepse arrijmë të japim shpjegime: ka situata ku ka nëna që abuzojnë me fëmijët e tyre, të cilat vuajnë nga çrregullime të personalitetit me inteligjencë modeste, nervoze dhe jo në gjendje për të ruajtur një punë të qëndrueshme. Apo ka nëna të cilët tregojnë pakujdesi në përmbushjen e rolit të nënës, të tjera që vrasin fëmijën e padëshiruar. Ka nëna të tjera akoma të cilat e “justifikojnë” këtë gjest se mendojnë për të shpëtuar atë (fëmijën) nga një jetë e zymtë dhe e mjerë. Megjithatë, në shumicën e rasteve këto nëna kanë qenë viktima të abuzimit vetë në fëmijëri.

Aspekti më shqetësues është fakti se gjatë dekadës së fundit krimet e “pakuptueshme” janë rritur shumë. Nuk ka dyshim se lindja e një fëmije përfshin një seri ndryshimesh në stilin e jetës nga ana e të dy bashkëshortëve. Kalimi i natës jashtë, pushimet, etj, do të shihen në këtë fazë të re të jetës si një mollë e ndaluar.

Ndoshta kultura e sotme mund të shtrembërojnë ligjin e natyrës, një kulturë ku dominon vetëm mendimi i mirëqenies, tepricës. Prandaj shpesh mund të ndodhë që një fëmijë të shihet si pengesë, sepse është e vërtetë se një fëmijë duhet të lindë më parë si mendim i prindërve të tij, të cilët duhet të ketë një plan të qartë të jetës.

Por në qoftë se mami dhe babi i ardhshëm janë të prirur për të jetuar vetëm të tashmen, fëmija mund të përbëjë për ta një pengesë. Situata familjare mund të bëhet frustruese dhe shumë e papërballueshme për të jetuar. Në momente të tilla reagimet mund të jenë tepër impulsive dhe të dëmtojnë personat që ndodhen afër fizikisht apo mendërisht. Disa nëna nuk janë në gjendje të pranojnë aspektet e tyre negative, të cilat transferohen tashmë tek fëmija, i cili kthehet në një “kosh problemesh” për të gjithë familjen.

Ndodh shpesh që kur një foshnja qan nëna mendon se ka një shkak të caktuar: uri,siklet nga lagështia, dhimbje barku, për të cilat ajo merr masa për t’i zgjidhur. Por nëse fëmija vazhdon të qajë, atëherë ajo e jeton situatën si një akuzë, fëmija i saj po e përcakton si një nënë jo të mirë. Fëmija shihet si shkaku i dështimit të partnerëve të tyre të të cilët nuk janë në gjendje për të ndihmuar dhe mbështetur reciprokisht. Çdo individ në martesë ka prirjet jorealiste duke kërkuar dashuri çdo sekondë nga partneri dhe përkushtim të plotë. Është e qartë se në një kontekst të tillë, lindja e një fëmije mund të jetë një ngjarje shumë frustruese dhe mund të shkaktojë në mendjet e tyre ide thellësisht të sëmura për të zhdukur çdo gjë, ndoshta më të keqen e krimeve: fëmijëvrasjen.

*Botuar tek “Tirana Observer”

Ditmir Bushati takime të nivelit më të lartë shtetëror në Kosovë

Ditmir-BushatiMinistri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, sot në Prishtinë në takime të nivelit më të lartë shtetëror shprehu përkushtimin e Republikës së Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Takimet e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati kanë nisur paradite me pritjen te Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku u bisedua për proceset nëpër të cilat po kalojnë të dyja vendet, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndihmën që mund t’i japin njëra tjetrës në procesin e përafrimit me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se “Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shërbejnë si shembull për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se “i gjithë rajoni i Ballkanit ka hyrë në një fazë të re të integrimit dhe bashkëpunimit fqinjësor dhe Kosova e Shqipëria, si faktorë paqeje dhe stabiliteti luajnë një rol të rëndësishëm në rajon”.”Të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane”, theksoi Jahjaga.
Presidentja Jahjaga tha se “viti 2014 është i një rëndësie të veçantë për realizimin e vizionit për një Kosovë të qëndrueshme dhe të vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat, që e përafrojnë me qëllimin parësor të integrimit euro-atlantik”.
Ajo u shpreh se “Kosova i ka edhe dy procese të rëndësisë së veçantë për përmbylljen e konsolidimit shtetëror dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar: procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, në veçanti shtimin e njohjeve dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.”
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, pas takimeve sipas axhendës zyrtare edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi e Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, pak më parë në takim bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi dhe më pas mbajtën një konferencë për shtyp.
I pyetur nga korrespondenti i ATSH-së në Prishtinë për vlerësimin e dy muajve të parë të progresit të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri pas mbledhjes së dy qeverive në fillim të këtij viti në Prizren, Ministri shqiptar Bushati tha mes tjerash se “konstatoj me kënaqësi që ecuria e zbatimit të vendimeve të marra në mbledhjen e Prizrenit është pozitive dhe bashkëpunimi jonë është në linjë të qëndrueshhme”.
Në këto momente Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, po zhvillon një takim me zv/kryeministrin e Kosovës nga komuniteti serb, Slobodan Petroviç, ndërsa do zhvillojë edhe takime të tjera.
Nga ora 14:00, në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, ministri Enver Hoxhaj dhe ministri Ditmir Bushati do të mbajnë nga një ligjëratë, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës, me temën “Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri si një shembull i fqinjësisë konstruktive”.
Gjatë vizitës, ministri Bushati do ketë edhe takime të tjera dhe veprimtari në nderim të figurave të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

Rama: Energjia e Ditës së Verës, shtysë e mirë për të gjithë shqiptarët

rama-kryeminister_0Kryeministri Edi Rama iu bashkua të premten në Ditën e Verës të rinjve në kryeqytet në një ndeshje basketbolli, në minifushën e ngritur në lulishten “Vëllezërit Frashëri” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në fjalën e tij pas lojës me të rinjtë, Kryeministri Rama uroi që energjia që dhuron dita e verës të jetë një shtysë e mirë për të gjithë shqiptarët.

Kryeministri Rama, duke folur për lojën e basketbollit të zhvilluar sot mes përfaqësues së kombëtares së Basketbollit të 30-të viteve me parë dhe skuadres përfaqësuese të të rinjve, tha se, “edhe loja e basketbollit e fituar nga kombëtarja e 30 viteve më parë ndaj dy skuadrave të reja ishte një ngushëllim fantastik per brezat që po ikin”.

“Por ajo që u vu re dhe që duhet theksuar është ndërthurja e energjisë së të rinjve dhe eksperiencës së të vjetërve, që është një shembull i mirë për tu ndjekur”, theksoi Kryeministri.

Ndeshja e basktebollit, ku mori pjesë Kryeministri, i cili ishte  veshur me atlete e bluzë sportive, u ndoq nga shumë qytetare, të cilët bën edhe tifo për kreun e ekzekutivit

Sot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës. Ashtu siç e ka bërë traditë prej disa vitesh edhe Tirana po feston sot Ditën e Verës. Festa ka mbledhur mijëra qytetarë në shëtitoret dhe rrugët e kryeqytetit. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit përveç aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës, një sërë aktivitetesh për festimin e kësaj dite janë organizuar edhe nga Qeveria.

Basha uron nga Elbasani qytetarët për Ditën e Verës

Lulzim-BashaKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli urimet e tij për Ditën e Verës nga Elbasani që është edhe kryeqendra e festimeve të kësaj dite.

“Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si ish-deputeti i Elbasanit për Partinë Demokratike”, tha Basha në fjalën e tij.
Basha falenderoi qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, për këtë traditë kaq të bukur , që ia kanë dalë ta mbajnë gjallë këtë festë.

“Ju uroj nga Elbasani çdo shqiptari gëzuar Ditën e Verës. Për shumë vjet gëzuar, mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë për ju”, uroi Basha.

Moska: I bëjmë thirrje OSBE-së për dërgimin e vëzhguesve në referendum

rusiaMoska i kërkoi Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për dërgimin e vëzhguesve në referendumin e planifikuar për të dielën për çështjen e bashkimit të rajonit ukrainas të Krimesë me Rusinë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.
“Ministria e Jashtme ruse i kërkoi OSBE-së, shteteve anëtare të Zyrës së Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut (ODIHR) të heqin dorë nga politika kundërshtuese dhe të marrin në konsideratë mënyrën pozitive të ftesës së autoriteteve të Krimesë për të marrë pjesë në procesin e vëzhgimit të referendumit”, bëri të ditur Ministria në një komunikatë.

Martesa. A janë lidhjet gjithmonë të drejta?

matrimonio-piu-felice-senza-figliShpesh në një lidhje dashurie hyjmë për arsye të gabuara, me shpresën se kjo do të përmirësojë ndonjë pjesë të jetës sonë. Sikur nuk e dimë se lidhja vetvetiu këtë nuk mund ta rregullojë, as ta përmirësojë.

Pasojat e një vendimi të tillë manifestohen me zënka të shpeshta dhe ndarje të partnerëve, por edhe me falje dhe pajtime me çdo kusht. Marrëdhëniet e tilla nxehtë-ftohtë, psikologët i quajnë lidhje jo-jo. Koha e lidhjes pasqyron situatën në të cilën partnerët vazhdimisht grinden dhe ndahen, dhe pas një kohe pajtohen dhe përsëri e fyejnë njëri-tjetrin. Lidhjet e tilla në kuptimin emotiv janë shumë të rënda dhe të mundimshme, thonë psikologët. Edhe pse shumica në lidhje të tilla shohin elemente të caktuara të romantikës, marrëdhënia e tillë ka çmimin e vet emocional.

Personat nga këto lidhje mund t’i zgjidhin konfliktet duke i futur problemet nën rrogoz. Ata janë mjaft kritikë, të prirë për agresivitet verbal dhe nuk kanë pjekuri të mjaftueshme që nga lidhja e tyre të krijojnë diçka cilësore. Përveç kësaj, dinamika e lidhjeve të këtilla nënkupton edhe rënien e vetëbesimit, dyshimit, depresionin dhe anksiozitetin.

Frika nga vetmia nuk është arsye për martesë

Pse shumë çifte, pavarësisht një gjendjeje të këtillë, edhe më tej jetojnë në një kaos, ndonëse i kanë të qarta të gjitha pengesat në sjelljet e këtilla? Njerëzit vështirë e ndërpresin lidhjen. Ndonëse janë të bindur se kanë harxhuar mjaft emocione, mundim dhe kohë, megjithatë shpresojnë se dashuria e tyre do të mbijetojë.

Ndonëse në thellësi të vetvetes e dinë se lidhja është e keqe, shumica nuk kanë guxim të mjaftueshëm të ballafaqohen vetminë e cila pason pas divorcit, kështu që pajtimi u duket si zgjidhje më e mirë.

Lidhja me këdo, nuk është hiç më e mirë nga ajo e të mosqenit fare në lidhje me askënd. Mund të ndiheni i/e rezervuar edhe nëse jeni vetëm, por njësoj ndiheni, mbas edhe më keq, edhe nëse jeni në lidhje me person të gabuar.

Problemi te çiftet e tilla qëndron në refuzimin për të gjykuar në këtë mënyrë kështu që kurrë nuk i zgjidhin problemet e tyre, ngase në mënyrë panike i frikohen vetmisë. Nëse partnerët kanë fëmijë, marrëdhënia komplikohet akoma më shumë. Fëmijët, zakonisht bëhen argument për të qëndruar në bashkësi martesore, ndërsa partnerët besojnë se dashuria ndaj fëmijëve do t’i afrojë. Ky qëndrim është plotësisht i gabuar!

Rrezikut më të madh i nënshtrohen “optimistët e përhershëm”, të cilët mendojnë se me kalimin e kohës do të kenë sukses që ta ndryshojnë partnerin dhe t’i përshtatin shijes së vetvetes. Natyrisht nuk pi ujë, sepse, zakonisht, ana tjetër nuk dëshiron të ndryshojë.

Si të dilet nga rrethi i mbyllur

Pranojani vetes se jeni në një lidhje të gabuar! Pajtimi i parë deri diku është i kuptueshëm, madje edhe i dyti, por herën e tretë duhet të ballafaqoheni me realitetin: thjesht, ju nuk jeni për njëri-tjetrin! Ndërpriteni çdo kontakt. Mos pandehni se mund të mbeteni vetëm miq. Kjo është humbje e kohës. Shumica mendojnë se gjërat eventualisht mund të ndryshojnë nëse vazhdojnë të shoqërohen me njëri-tjetrin. Mirëpo kjo gati asnjëherë nuk funksionon.

– Bëhuni të sinqertë dhe mos mbillni kurrfarë shprese te vetja ose te të tjerët. Nëse mendoni se nuk mund të luftoni vetë me këto probleme, atëherë kërkoni ndihmën e këshilltarit ose të psikologut.

*Telegraf

Sot dita e Verës, festime në Tiranë dhe Elbasan

dita e veresSot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës. Ashtu siç do vit kryeqendra e festimeve mbetet Elbasani, qyteti ku kjo feste është kremtuar tradicionalisht. Festimeve të ditës së sotme në Elbasan i janë bashkuar shumë qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Aktivitetete të shumta janë duke u zhvilluar në qendrën e qytetit, ndërsa nuk mungon edhe ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës, ballokumja.

Ashtu siç e ka bërë traditë prej disa vitesh edhe Tirana do festojë sot Ditën e Verës. Festa do të mbledhë mijëra qytetarë në shëtitoret dhe rrugët e kryeqytetit.  Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit përveç aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës, një sërë aktivitetesh për festimin e kësaj dite janë organizuar edhe nga Qeveria.  Kjo e fundit nëpërmjet angazhimit të 4 Ministrive publikoi një kalendar festimesh, ndërsa Bashkia e Tiranës ka kalendarin e vet të aktiviteve si në çdo vit festimi të kësaj dite.

Sipas bashkisë së kryeqytetit axhenda e festimeve do të jetë e ngjeshur dhe secili mund të gjejë këndin që i përshtatet për të gëzuar këtë ditë.

Sheshet kryesore, parku i Liqenit Artificial, por edhe institucionet kulturore do të presin të gjitha grupmoshat, pasi është menduar që pjesë e atmosferës të jenë koncertet me artistët më të njohur në vend, por edhe organizimi i shumë lojërave popullore.

Ndërkohë që panairit “Bli dhe prodho shqip” i janë shtuar edhe disa elementë të rinj. Këtij panairi do i bashkohen edhe trevat shqiptare si Maqedonia, Mali i zi, Kosova, etj.

Historia e 14 Marsit

Qe ne kohet antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Dites se Veres, ka qene ne qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit te dimrit, kjo feste ka krijuar tashme traditen e saj jo vetem tek banoret e qytetit te Elbasanit, por edhe ne qytete te tjera te vendit, vecanerisht ne Tirane.

Zanafillen, “Dita e Veres” e ka ne faltoren Zana e Cermenikes, e ndertuar ne rrethinat e qytetit te Elbasanit, e cila ishte perendesha e gjuetise, pyjeve dhe e te gjithe natyres.

Sipas gojedhenes, kjo zane dilte nga faltorja e vet diten e 14 marsit. E trasheguar brez pas brezi, kjo feste popullore eshte nje dite, e cila sot identifikon edhe vete qytetin e Elbasanit, i njohur ne Shqiperi per tradita te vecanta kulturore.

“Terrorizmi”, sot masa e sigurisë për 4 myslimanët e tjerë të arrestuar

terrorizmiNën masa të rrepta sigurie ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj 4 nga 8 të arrestuarit, të akuzuar se rekrutonin besimtarë myslimanë me qëllim dërgimin e tyre në konfliktin e Sirisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest në burg” Astrit Tolës dhe Orion Reçit ndërsa pritet t`u komunikohet masa edhe Edmond Ballës, i dyshuar si organizator i këtij rrjeti që siguronte luftëtarë për konliktit në Siri dhe Verdi Moravës, biznesmen i cili dyshohet se mbështeste finaciarisht këtë rrjet.
Ndërkohë dje gjykata i komunikoi akuzat edhe dy imamëve të vetëshpallur Genc Balla dhe Bujar Hasa si dhe për dy besimtarët Fadil Muslimani dhe Zeqir Imeri.
Ndërkohë 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare,të cilët dyshohet se ndodhen në Siri për të luftuar.
Shkelzen Dumani, i cili dyshohet se ka marrë edhe dy fëmijet e tij të mitur në Siri është në kërkim ndërkombëtar. Në kërkim janë edhe Gerti Pashja, Shyqyri Kaca, Alamir Daci, Erion Reci dhe Medi Manellari.
Tre ditë më parë u arrestuan 8 besimtarë myslimanë, mes tyre dhe dy imamë të vetëshpallur xhamish, të cilët akuzohen për terrorizëm.
Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua në 4 qytete të vendit,në Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Librazhd.
Sipas Prokurorisë të Krimeve të Rënda të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”
Thirrje për protestë sot para Kryeministrisë
Ndërkohë mbështetësit e 7 myslimanëve të arrestuar dy ditë më parë, bëjnë thirrje për protestë.
Në një postim në faqen e Facebook-ut “Kundër arestimit të Hoxhës Abdurrahim Balla” u bëhet thirrje të gjithë besimtarëve që të dalin sot pas faljes në protestë para Kryeministrisë.
“Ju bëjmë thirrje gjithë vëllezërve nga Tirana të dalin në shenjë proteste kundër arrestimit të vëllezërve tanë nga policia!” thuhet në njoftim.

Presidenti Nishani dekoron ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara

NishaniPresidenti  Bujar Nishani dekoroi sot ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara, Abdullah bin Zayed Al Nahyan-un me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Dekorata u dha me motivacionin: “Për merita të veçanta në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë  Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Kreu i shtetit theksoi se kjo ceremoni është para së gjithash, një certifikim i lidhjeve  të forta ndërmjet dy vendeve tona. “Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë mbështetës të spikatur të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare duke dërguar trupa paqeruajtëse në Kosovë dhe ndihma për refugjatët kosovarë në qytetin e Kukësit. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin vendi i parë i Gjirit Persik, të cilët e njohën Republikën e Kosovës si shtet i pavarur, vendim që u pasua edhe nga njohje të tjera nga vendet e Gjirit”, -u shpreh Nishani.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Abdullah bin Zayed Al Nahyan falënderoi presidentin Nishani dhe deklaroi se Emiratet e Bashkuara do të angazhohen për forcimin e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet dy vendeve.

“Kjo medalje nuk më adresohet vetëm mua si person, por Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në tërësi. Ju siguroj, zoti president se Emiratet e Bashkuara Arabe do të angazhohen maksimalisht dhe me rigorozitetin më të plotë për konsolidimin, zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona mike”, -tha ministri Al Nahyan.

Në ceremoninë e veçantë, të organizuar sot në presidencë, ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.