Bollano: Himara më vete

bollanoKryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano del kundër variantit të përzgjedhur për ndarjen e re administrative. Bollano kërkon që të miratohet varianti ku Himara është e ndarë nga krahina e Vranishtit dhe Kurveleshit duke e lënë njësi më vete bashkë me Lukovën.

Krahas kësaj, kreu i Omonias në një intervistë për “Shqiptarja.com”, thekson se, për këtë reformë, Organizata Minoriteti Etnik Grek, OMONIA dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë depozituar një kërkesë pranë Ministrit për Çështjet Vendore, për të bërë ndryshime në ndarjen e re territoriale në zonat minoritare greke dhe me disa shtesa të tjera.

Z. Bollano, çfarë qëndrimi mban OMONIA për sa i përket nismës së qeverisë për ndarjen e re territoriale dhe për deklaratat që janë bërë për zonën e Himarës?

Për deklaratat e bëra për zonën e Himarës jam njohur nga raportimet mediatike dhe jo zyrtare. Ne mbështesim reformën territoriale, por për zonën minoritare kërkojmë që të miratohet varianti i pestë me disa ndryshime.

Çfarë përmbajnë këto ndryshimet të kërkuara nga OMONIA dhe a ka një bashkërendim të veprimtarisë së OMEG dhe PBDNJ-së në çështjen e reformës territoriale?

Kemi dërguar një shkresë zyrtare ministrit përkatës. Ne mbështesim variantin e 5 me 63 njësi vendore për sa i përket ndarjes së minoritetit etnik grek. Krahas kësaj, këtë variant e mbështesim së bashku me disa ndryshime që do t’i bëjmë publik në ditët në vijim. Deputeti që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipëri, Vangjel Dule, do të paraqesë këto kërkesa tona pranë parlamentit. Ne, Organizata Minoriteti Etnik Grek dhe OMONIA kërkojmë që të miratohet varianti i pestë.

Po për deklaratat e bëra nga deputeti Spartak Braho ku ka theksuar se mund të bëhet një aneksim i zonës së Himarës duke ju akuzuar?

Deklaratat e z. Braho janë mediatike, nuk i kam ndjekur dhe nuk dua të bëj asnjë koment për to.

Juncker: Nuk ka fituar e djathta ekstreme

junckerEuroskeptikët dhe partitë e të djathtës ekstreme kanë fituar terren në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, gjë të cilën kryeministri francez e ka quajtur “tërmet politik”. Tre grupet e partive të qendrës kanë humbur vende për parlamentin e ri.

“Qytetarët kanë folur me zë të lartë dhe të qartë”, tha liderja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen. “Ata nuk duan më që të drejtohen nga ata që janë jashtë kufijve tanë, nga komisionerët e BE-së dhe teknokratet që nuk janë të zgjedhur. Ata duan të jenë të mbrojtur nga globalizmi dhe duan të marrin në dorë frerëte fatit të tyre.”

Në total, Partitë Europiane Popullore kanë fituar 212 vende nga 751 pasi kanë marrë 28.23% në të gjithë vendet e bllokut. PPE do të jenë grupi më i madh, por me 60 vende më pak se parlamentin i kaluar. Pas tyre vjen grupi i Socialistëve me 186 vende (24.77%), Liberalët me 70 vende (9.32%) dhe të Gjelbërtit me 55 vende (7.32%).

Lideri i PPE-së, Jean-Claude Juncker insiston se shumica e qytetarëve kanë votuar që të jenë pjesë e Europës. “Ekstremi i djathtë siç në mënyrë kontradiktore është thënë në media, nuk i ka fituar zgjedhjet”, tha ai. “Do të kemi një shumicë të pastër në parlament”, ka shtuar njeriu që do të jetë pretendenti kryesor për t’u zgjedhur presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian.

Bazuar tek exit polls/rezultatet paraprake:

Francë: Fronti Kombëtar 25%, qendra e djathtë UMP 21% dhe Socialistët e Holande 14%

Britani: Euroskeptikët e UKIP 27%, Konservatorët 24%, Laburistët 25%

Itali: Qendra e majtë e Matteo Renzit 40%, Pesë Yjet e Beppe Grillos 22% dhe Forca Italia e Berluskonit 16%

Gjermani: Angela Merkel fiton një tjetër proces zgjedhor – partia e saj Unioni Kristian ka marë 35%, partia e qendrës së majtë SPD 27%, euroskeptikët e AfD 7%

Greqi: Syriza 26%, parita e kryeministrit Antonis Samaras – Demokracia e Re 23% dhe të djathtë ekstremë të Agimit të Artë 9%

 

Të shtëna me armë zjarri kundër godinës së PASOK-ut

greqi-flamurDisa persona ende të panjohur hapën zjarr kundër godinës në Athinë të Partisë Socialiste Greke (PASOK), anëtare e aleancës në pushtet, por pa shkaktuar viktima, bëhet sot e ditur nga burime të policisë.
”Punonjësit e godinës gjetën sot në mëngjes gëzhoja armësh brenda ndërtesës si dhe dy vrima plumbash në pjesën e pasme të ndërtesës”, sipas të njëjtit burim.
Autoritetet nuk ishin në gjendje të njoftonin për kohën e saktë të incidentit, i cili mund të ketë ndodhur dje në mbrëmje, sipas konstatimeve paraprake të policisë.
Greqia është një nga 21 vendet e Bashkimit Evropian që i është drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e Parlamentit Evropian, pas shtatë të tjerëve që prej së enjtes. Këto zgjedhje përkojnë me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe rajonale në të gjithë vendin.
PASOK-u është aleat i koalicionit qeveritar prej dy vitesh e drejtuar nga kryeministri konservator Antonis Samaras.

Rama fton biznesin e Kazakistanit të investojë në Shqipëri

rama_2013Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Kazakistan. Azia e largët po kthehet në një pikë takimesh të shpeshta për kreun e qeverisë Edi Rama, takime që në çdo rast kanë kryefjalë bashkëpunimin ekonomik. Pasi vizitoi Azerbajxhanin, kreu i qeverisë është rikthyer në Azi për një vizitë dyditore në Kazakistan, një nga vendet me tokën më të pasur me rezerva natyrore të gazit, naftës, uraniumit, arit dhe diamanteve, që ia lehtëson ndjeshëm këtë bashkëpunim çdo vendi. Kreu i qeverisë, Edi Rama i shprehu Presidentit të Kazakistanit, gatishmërinë e qeverisë për të mirëpritur investitorë e këtij shteti, të investojnë në fushën e transportit, naftës e gazit, ku Kazakistani është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë, por edhe në fushën e turizmit e infrastrukturës.

Nga ana tjetër Nazarbayev iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Rama për të vizituar së shpejti Shqipërinë, bashkë me një grup sipërmarrësish nga Kazakistani, të interesuar për të investuar në Shqipëri. Investitorët e Kazakistanit janë sot ndër më të fuqishmit në Europë, me një vëllim investimesh prej 26 miliardë dollarësh. Kryeministri Rama zhvilloi një takim të veçantë edhe me homologun e Kazakistanit, zotin Karim Massimov, ku u diskutua kryesisht për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. I shoqëruar në këtë takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryeministri Rama theksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në fushën e turizmit, energjisë, por dhe të infrastrukturës e transportit. Në fund të takimit u firmos edhe një marrëveshje dypalëshe mirëkuptimi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Një nga projektet e mëdha të diskutuara, edhe nga kryeministri i Shqipërisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, ishte mundësia e zhvillimit dhe investimit në një sistem hekurudhor modern, që mundëson lidhjen mes porteve shqiptare dhe rrjetit hekurudhor evropian dhe aziatik. Kryeministri Massimov theksoi nevojën për të nënshkruar sa më shpejt dy marrëveshje kryesore, në fushën e nxitjes së tregtisë dhe shmangies së taksimit të dyfishtë mes dy vendeve.

Qosja: Rama po jep kontribut

qosjjaa1“Idetë për bashkimin e shqiptarëve në të gjitha trevat dhe fushat janë shumë premtuese për integrimin e të gjithë shqiptarëve në tërësi”. Kështu është shprehur nga Gjirokastra akademiku, Rexhep Qosja.

I pyetur mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ai u shpreh se po shihen përpjekje për një evropianizim të përshpejtuar të Shqipërisë, me mendime e ide të reja,që ja kalojnë përpjekjeve 23-vjeçare.

Vizita e tij në Gjirokastër përkon me edicionin e pestë ” Fest- Argjiro 2014?, një eveniment i përvitshëm, i cili organizohet dhe mbështetet nga Bashkia e Gjirokastrës.

 

Qosja e ka cilësuar Gjirokastrën si një qytet unik në botë, ndaj, tha ai, duhet mbrojtur nga të gjithë, në mënyrë të veçantë nga shteti.

Agolli për gjuhën: Duan të ndajnë Veriun nga Jugu

Shkrimtari_Dritëro_AgolliShkrimtari Dritëro Agolli, gjatë intervistës për gazetën Panorama, ka komentuar debatin e krijuar në fillim të këtij muaji për 5 Majin.

Ai shprehet se politika e ngatërron qëllimisht luftën me komunizmin, sepse do ta mohojë luftën.

“Ky është debat i kotë që zhvillohet. Ne kemi shumë festa fetare, na e prishi punën një 29 Nëntor apo një 5 maj”, nënvizon Agolli.

Agolli flet gjithashtu edhe për debatin mbi gjuhën.

“Gjuha nuk ndryshon me sistemin, erdhëm në demokraci dhe të ndryshojmë gjuhën. Nuk bëhet kjo gjë. Unifikimi i gjuhës nuk bëhet në demokraci, por bëhet kur formohen kombet. U bë në Francë, por edhe në Itali me Danten. Tani gjuha ka diversion, jo konversion. Sot gjysma e fjalëve të shqipes janë në anglisht. Nëse do të vazhdojë kjo tendencë e gjuhës shqipe, kam frikë se pas 100 vjetësh shqipes do t’i mbeten 5 fjalë dhe do të jetë zhdukur si gjuhë. Ka shumë gjuhë që janë asimiluar, si sanskritishtja. Mund të mbetet ndonjë rudiment i shqipes në zonat e thella malore, por me këtë ritëm, e sigurt që shqipja nuk do të ekzistojë”, shprehet Agolli.
Duke i konsideruar marrëzi tezat se Kosova të ketë gjuhën e vet, ai shton: “Naimi nuk përdor as fjalën penxhere, por i thotë dritare! Unë shoh tendencën e ndarjes së Shqipërisë, në Veri, i cili duhet të bashkohet me Kosovën, dhe Jugu të jetë shtet tjetër. Këtë duan të bëjnë”.

I pyetur mbi mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ai thotë se kjo mundësi tani është reale.

Për sa i përket qeverisë “Rama”, Agolli komenton: “Formimi i kabineteve qeveritare, problemet që ka shoqëria, nuk duhen marrë si pikturë dhe si letërsi, nuk duhen marrë me formalizëm.

Duhet të heqim dorë nga formalizmi i të kuptuarit të gjërave. Gjërat nuk mund të bëhen siç mendon ti në letërsi apo pikturë. Më kujtohet se pas luftës, më 1945-n, të gjithë njerëzit e mençur dhe të ditur të kohës, që kishin qenë edhe nëpunës të qeverisë së Zogut, u bënë drejtues, drejtor banke, mjekë, inxhinierë, administratorë etj, ishin njerëz të shkolluar jashtë shtetit. Partizanët nuk kishin formimin dhe arsimimin e duhur në atë kohë. Ata u çuan në shkolla në Moskë, Çeki dhe pastaj zëvendësuan të vjetrit”.

Ironizon Rama: Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard

edi rama 6 Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ironizoi protestën e opozitës së djathtë, zhvilluar sot para selisë së kryeministrisë.
“Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard, piloti nuk foli, shoferi bërtiti, pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja”, shkruan kryeministri Rama në FB.

Shpërthim në Mitrovicë, nuk ka të lënduar

shperthim_ne_veri_te_mitrovice500Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur orët e para të ditës së sotme në Mitrovicën Veriore. Në raportin policor 24 orësh bëhet e ditur se shpërthimi, pa pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale, ka ndodhur në rrugën “Lola Ribar” në orën 02:10.
Raportohet se shpërthimi ka ndodhur në afërsi të një argjendarie dhe si pasojë janë dëmtuar tre lokale, dritaret e ndërtesave përreth dhe rreth 10 vetura.
Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur një siguresë të granatës së dorës.
Nuk raportohet për të lënduar e as të arrestuar, përderisa rasti është duke u hetuar, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës veriore.
Nga vendngjarja, media ka raportuar se shpërthimi ka ndodhur para argjendarisë, e cila ishte plaçkitur ditë më parë.

El Nino, parashikohet verë tepër e nxehtë

el ninoMuaji prill ishte muaji i parë më i nxehtë, i regjistruar ndonjëherë, kanë treguar parashikimet. Temperatura mesatare e kombinuar në territorin botëror dhe sipërfaqet oqeanike për muajin prill 2014, si më e larta e regjistruar për muajin, ishte 0.77 gradë celsius mbi mesataren e shekullit të njëzetë (e cila ishte 13.7 gradë celsius).

Kërkuesit thanë ditën e sotme se një verë zhuritëse na pret, pasi fenomeni i motit, “El Nino” pritet të kthehet, por ata thonë se kjo mund të rezultojë edhe në më pak uragane. Këtë sezon priten uragane më të ngadalta se zakonisht, për shkak të parashikimeve për “El Nino”, por amerikanët janë paralajmëruar të përgatiten.

“El Nino”, i cili e ngroh Paqësorin një herë në disa vjet dhe ndryshon modelet e temperaturave dhe reshjeve të shiut në botë, ka gjasa të reduktojë numrin dhe intensitetin e stuhive dhe uraganeve tropikale, tha Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike në Nju Jor. Zyrtarët presin rreth 8 – 13 stuhi tropikale dhe 3-6 uraganë. Sezoni gjashtë-mujor i stuhive do të fillojë në 1 qershor.

Çfarë është El Nino?

El Nino (lexohet El Ninjo), i referohet një tërësie kushtesh, në të cilat sipërfaqja e detit në një zonë përgjatë Ekuatorit në oqeanin Paqësor qendror dhe lindor bëhet më e nxehtë se zakonisht. Temperatura mesatare e ujit në zonë varion në mënyrë tipike nga 1 në 3 gradë celsius më tepër se normalja. Efekti i kësaj është shtimi i sasive të mëdha të nxehtësisë dhe lagështirës në atmosferë, duke ndikuar në mënyrë të padiskutueshme në modelet e trysnisë së ajrit dhe reshjet e shiut në Paqësor dhe në arenën globale.

Ngjarjet e fuqishme “El Nino” ndodhin çdo 20 vjet, por kërkuesit kanë thënë së fundmi se koha mund të jetë ulur në 10 vjet, për shkak të ngrohjes globale.

Në fundin tjetër të shkallës matëse ndodhet “La Nina”, një kundërpeshë klimaterike e “El Nino”. Ajo u referohet periudhave kur temperaturat e sipërfaqes së detit rreth Ekuatorit janë më të ulëta se normalisht. Kjo ka të njëjtin efekt në trysninë e ajrit dhe reshjet e shiut, pasi kontrollon sa nxehtësi dhe lagështi hyjnë në atmosferë.

*Shekulli

PD proteston para Kryeministrisë

lulzim basha ne protest per drogenNën moton “Një popull në këmbë kundër drogës”,  ithtarët e Partisë Demokratike dhe vetë opozitarët janë grumbulluar para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.Protesta filloi në orën 11: 36 minuta.

Ndërkaq, opozita deklaroi se, nuk synon të bllokojë statusin me protesta. Kreu i PD-së gjatë një takimi në Vlorë tha se, kjo është një mundësi e mirë për t’i përcjellë Evropës mesazhin se shqiptarët janë pro Evropës, kundër drogës.

“Me lëvizjen tonë të premten, ne do të çojmë një mesazh të fuqishëm edhe për integrimin. Duke i thënë Evropës se shqiptarët janë evropian në dinjitet dhe se narkotrafikantët janë një realitet i papranueshëm, dhe që shqiptarët janë të vendosur ta shporrin nga Shqipëria bashkë me përgjegjësin që i solli në krye të vendit”, – tha Basha.

Marshimi i sotëm vjen pas protestës së të enjtes së kaluar para Parlamentit, ndërsa siç deklarojnë vetë eksponentë të opozitës pritet të pasohet me të tjera në ditët në vijim.

Nis ardhja nga rrethet e mbështetësve të opozitës

Mbështetës të shumtë të opozitës nga të gjitha rrethet e vendit janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar marshimit para Kryeministrisë.

Një orë nga fillimi i protestës ish-kryeministri, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në shesh para Kryeministrisë.

Ish-kryeministri, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen protestës së sotme të opozitës. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha fton shqiptarët të protestojnë.

“Sot të gjithë në sheshin Skënderbej në protestën Rama IK!Të dashur miq, të gjithë në protestën Rama IK në ora 11:00 në sheshin “Skënderbej”. Të protestojmë kundër njeriut që po shndërron Shqipërinë në kartelin e drogës, që avionët e drogës na i shiti për mushkonja, që me qeverinë e tij ka bërë Shqipërinë vendin më të pasigurt në Evropë, që rrëmbeu votat me mashtrime dhe para të pista dhe po zhyt shqiptarët në papunësi, varfëri dhe mjerim. Zgjidhja është Rama IK! IK! IK!”, shkruan Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike duke mbajtur fjalimin në podiumin e ngritur në krah të godinës së Kryeministrisë tha se, Tirana, Jugu dhe Veriu janë sot në shesh për t’i thënë Ramës të ikë pasi ra moralisht ditën kur u kap avioni në Divjakë.

“Është këtu Tirana zemra e vendit, është këtu Jugu dhe Veriu, janë shqiptarët në këmbë, shqiptarët në shesh, shqiptarët e bashkuar pa dallime politike, shqiptarët kundër një armiku shumë të rrezikshëm që po kërcënon vendin tonë, po minon bazat e civilizimit, po kërkon të prishë traditat tona,  të marrë peng dhe të shtypë liritë tona, të asgjesojë ëndrrën tonë evropiane.  Ky armik është droga, është narkotrafiku me përmasa të frikshme i ngritur në sistem me një shpejtësi të pabesueshme gjatë 5-6 muajve të fundit. Është oligarkia financiare e bosëve dhe baronëve akoma të paprekshëm të drogës që administrojnë këtë ndërmarrje kriminale tashmë gjiganteske me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje të Edi Ramës dhe kupolës së tij”, – u shpreh Basha.

Kreu i PD-së vazhdoi më tej duke theksuar se, asnjë vend i botës nuk ka përparuar nga droga, pasi ajo ka shkatërruar familje, ka kthyer fëmijët kundër prindërve dhe anasjellas. Basha deklaroi se, vlera e drogës së kapur në 4 muaj shkon në 250 mln euro.

Basha tha se, qytetarët në protestë kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, si përgjegjës kryesor për situatën e krijuar në vend me trafikun e drogës.

“Kërkojmë largimin e tij nga qeveria për situatën e krijuar si përgjegjësi numër 1. Duhet të mbrojmë qytetarët nga kthetrat e trafikut të drogës. Qytetarët e kanë kuptuar shumë mirë se ku fle lepuri i narkotrafikut, e kanë kuptuar se Rama është përgjegjës për qëndrimin që mban, dhe mënyrën si po qeveris. Përpjekjet e përditshme për fshehjen e trafikut të drogës janë përgjegjësi e Ramës.

Rikthimet në radhët e Policisë së Shtetit të personave të implikuar në trafik droge janë përgjegjësi e Ramës”, – tha Basha.

Sipas tij mandati i Ramës është njollosur nga narkotrafiku që ka përfshirë vendin. Ai tha se, kryeministrit i ka mbetur vetëm të zgjedhë orën e largimit, të dorëheqjes.