Kuvendi ka nisur në këto çaste diskutimin e kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor që do të verifikojë faktet për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët.
Në parashtrimin e kërkesës, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se është në të drejtën e opozitës që t’i tregojë qytetarëve të vërtetën. Sipas tij fenomeni i narkotrafikut nuk kërcënon vetëm opozitën, por kërcënon dhe vendin dhe të ardhmen e fëmijeve tanë.
Qëllimi i kërkesës së PD-së, tha Halimi, synon t’i bëjë të qartë publikut dhe qytetarëve të vërtetën e hapjes së këtij fenomeni, ta hetojë atë, si dhe rolin e administratës qeveritare, masat e marra ose jo, zbatimin e ligjit ose jo, etj.
Kërkesa e opozitës qe po shqyrtohet sot shqyrtua një javë më parë nga konferenca e kryetarëve, e cila nuk gjeti konsensus për këtë çështje për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve dhe sipas rregullores për këtë këkresë do të jetë vendosë seanca e sotme plenare.
Diskutohet në Kuvend kërkesa e opozitës për komision hetimor
Financat përgatisin draftligjin e ri për lojrat e fatit
Ministria e Financave ka gati një draftligj të ri, i cili përcakton një sërë masash shtrënguese për të kufizuar lojrat e fatit. Drafti, ende në diskutim nga Ministria e Financave. Sipas tij, për bastet sportive, tarifa për të marrë një licencë do të 10-fishohet, nga 2 milionë lek në vit që është aktualisht në 20 milionë lek, ndërsa licencat do të jenë të kufizuara me afat 5-vjeçar. Rritje të tarifës së licencimit ka edhe për kazinotë elekronike, të cilat, nga 1 milionë lek në vit që paguajnë aktualisht, me ligjin e ri kjo tarifë llogaritet 25 milionë lek për çdo 5 vjet.
Paralelisht, për bastet sportive ai kufizon numrin e NIPT-eve dytësore, deri në 300, ndërsa për kazinotë elektronike NIPT-et dytësore nuk mund të jenë më shumë se 5.
Drafti kufizon edhe vendndodhjen e kazinove. Sipas draftit të ri, brenda qyteteve nuk do të ketë më asnjë kazino elektronike. Ato do të zhvendosen vetëm në zonat turistike dhe, në qendrat e banuara, mund të jenë vetëm në hotelet me 5 yje, për të mbrojtur qytetarët. Drafti ndryshon edhe sistemin e taksimit të kumarit. Ndryshe nga sistemi aktual, që i takson lojrat e fatit me tarifa fikse për sallë dhe numër automatesh, me draftin e ri taksa kryesore do të vendoset mbi të ardhurat bruto dhe është sa 25 përqind e saj. Për kaziontë do të ketë një 3 % shtesë, që paguhet për lojrat e fatit, ndërsa për bastet sportive, veç 25 %, paguhet edhe një tarifë 40 mijë lekë në muaj për çdo sallë të hapur
Avioni MH370 , rinisin kërkimet nënujore në Oqeanin Indian
Kërkimet nënujore rinisën sot në Oqeanin Indian në përpjekje për gjetjen e avionit “Boeing” të kompanisë ”Malaysia Airlines” i humbur më 8 mars pak para ngritjes nga pista e Kuala Lumpurit me 239 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Australia drejton operacionet e kërkimit në ujërat e trazuara në jug të Oqeanit Indian, qindra kilometra nga brigjet perëndimore, me ndihmën e një roboti nënujor amerikan, “Bluefin-21″, në pritje të disa pajisjeve shtesë.
‘Pajisja nënujore e pavarur ‘Bluefin -21′ u dërgua rreth orës 02:00”, bëri të ditur qendra e koordinimit (JACC) të kërkimeve të “MH370″ në Perth. Një transmetues elektroakustik, i aftë për të përçuar në ujë luhatjet akustike në luhatje elektrike kishte zbuluar muajin e kaluar ultratinguj që mund të vinin kutitë e zeza të avionit
Rama shqiptarëve në Itali: Votoni Martin Schulz
Kryeministri Edi Rama u bën thirrje të gjithë shqiptarëve me shtetësi italiane që të votojnë për Partinë Demokratike italiane dhe Martin Schulz si Presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian.
Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetin social “Facebook”, shefi i qeverisë shqiptare shprehet se zgjedhjet për Parlamentin Europian janë një mundësi perfekte për çdo shqiptar me shtetësi italiane që të kontribujë për Italinë dhe Europën që siguron më shumë mirëqenie për të gjithë.
“Italia me siguri do të ndryshojë shpejt dhe për mirë, falë energjive të reja dhe kurajos së jashtëzakonshme të Matteo Renzi.Edhe Europa mund të ndryshojë shpejt dhe ashtu siç duam falë socialistëve europian duke u bërë më e sigurtë dhe duke sjellë më shumë mirëqënie dhe barazi dhe për të gjithë”, thekson Rama.
Ai nënvizon se Shqipëria ka nevojë për Europën sot por Europa sot ke nevojë për çdo shqiptarë që në Itali mund të votojë për Partinë Demokratike italiane dhe Martin Schulz si Presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian.
Prandaj, bën thirrje Kryeministri Rama, dhurata më e bukur që cdo shqiptar mund t’i bëjë sot vendit tonë është të mos e humbë shancin për të zgjedhur.
Basha: Protestat, kauza për të çliruar vendin nga narkotrafiku
Protestat janë kauza e drejtë për të çliruar Shqipërinë nga kartelet e drogës, kemi qenë dhe jemi të vendosur për të fituar këtë përballje me çdo kusht.
Kështu ka deklaruar kryetari i PD-se, Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat e PD në qytetin e Elbasanit, ku ftoi qytetarët t’i bashkohen të premten protestës qe e cilësoi si, një protestë për qytetarët dhe për kombin.
“Rreziku i kartelit të drogës po kanoset në një përmasë të paparë, sepse qeveria e Ramës ka hapur dyert droga nuk është obsion, nuk është mundësi, por është shkatërrim. Sa më shumë drogë aq më shumë mjerim”, tha Basha. Ai vijoi duke thënë se “ thirrja jonë kryesore është një popull në këmbë për t’i thënë jo kartelit të drogës.E kemi nisur këtë betejë dhe jemi të vendosur, të bashkuar të rreshtohemi të premten para kryeministrisë.
Duke folur per marrjen e statusit në BE, Basha deklaroi se “PD e ka mbështetur statusin me vepra. PD do të bëjë çdo gjë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE”, tha Basha. Ai shtoi se “nuk po kërkojmë të fitojmë pikë politike, as axhendë partiake, sepse kjo është një axhendë kombëtare. Opozita e ka pranuar të qenurit opozitë deri në zgjedhjet e tjera. Ky nuk është një aksion partiak, por një aksion kombëtar. Ndaj duhet ta presim nyjen e narkotrafikut dhe të çojmë Edi Ramën në shtëpi”. .
Hysi: Shpifja e balta kanë qenë e mbeten motoja e PD
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi në një deklaratë për shtyp ka vënë në pah mungesë e kauzës për thirrjen e protestave nga ana e opozitës.
“Kemi një opozitë më të çoroditur e të dëshpëruar se kurrë që krimin dhe korrupsionin i sheh si aleatët e saj të vetëm në luftën përballë shtetit e ligjit.
Të dashur miq ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e kësaj vale tërbimi që e ka kapur opozitën. Shpifja e balta kanë qenë e mbeten motoja e tyre”, tha Hysi.
Me ironi, deputetja e PS-së rreshtoi më tej arsyet që kanë qytetarët për t’iu bashkuar protestës së Partisë Demokrarike, duke kujtuar se kjo partia krijoi Lazaratin si bastion droge dhe shkaktoi Gërdecin dhe “21 Janarin”.
“Qytetarë dilni në protestë sepse kjo është mundësia juaj për të protestuar krah për krah me ata që ndërtuan bastionin e drogës në Lazarat, që i kthyen trafiqet e kontrabandën nga aktivitete kriminale në një industri që zhvillohej me bekimin e qeverisë. Dilni të premten në protestë për të mbështetur ata që morën 26 jetë në Gërdec e që pushkatuan qytetarë te pafajshëm në 21 Janar për pushtet dhe para, por që sot ka filluar t’u rrëshqasë toka ndër këmbë sepse e dinë që drejtësia mund të vonojë, por nuk ka për t’i harruar kurrë”, tha Hysi në fjalën e saj.
Gjykata lë në burg Gjeneralin Gjoka, akuzohet për abuzime
Gjykata e Beratit ka lënë në arrest me burg Komandantin e Brigadës Logjistike në Forcat e Armatosura, me gradë “Gjeneral Brigade” Syrja Gjoka (ne foto).
Vetë gjenerali nuk u paraqit në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë që u zhvillua sot paradite në Gjykatën e Beratit, por u përfaqësua nga avokati i tij.
Komandanti i Brigadës Logjistike i Forcave të Armatosura u arrestua më 16 maj, pasi akuzohet se ka abuzuar me një fond prej 6 milionë lekësh të reja.
Nga hetimi rezultoi se gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e komandantit të repartit ushtarak 3200 në Kuçovë në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e strukturave eprore ka nxjerrë urdhrin për shkatërrimin e të paktën 7 objekteve në pronësi të FA.
Po ashtu gjatë hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka falsifikuar nënshkrimet e disa prej anëtarëve të komsionit të cilët ishin ngarkuar për përcaktimin e objekteve që do të prisheshin.
Sipsa një vlerësimi paraprak të bërë nga Ministria e Mbrojtjes kërkuar nga prokuroria për nevojat e hetimit rezulton se dëmi financiar nga këto veprime të kundraligjshme është në vlerën e afërsisht 6 milionë lekëve të reja.
Zviceranët, jo pagës minimale
Rezultatet e referendumit të mbajtur në Zvicër, tregojnë se qytetarët e këtij vendi, e kanë refuzuar propozimin e prezantuar se do të jetë paga minimale më e lartë në botë.
Sipas planit që është hedhur në votim, punëdhënësit do të ishin të obliguar t’i paguajnë punëtorët minimum 25 dollarë për orë ose 4,500 dollarë në muaj.
Mbështetësit thonë se masa është e justifikueshme, me kosto shumë të lartë të jetesës në Zvicër.
Por, sipas kritikëve, kjo mund të rrisë çmimin e prodhimit dhe papunësinë. Zvicra është njëri prej vendeve më të pasura në botë dhe nuk ka një nivel minimal të pagës.
Tërmet 5.1 ballë me epiqendër në Cërrik
Një tërmet i fortë me magnitudë 5.1 është shënuar në orën 02.54 minuta të 19 Majit.
Sipas website Centro Meteo Italiano, i cili shënon tërmetet në gjithë botën në kohë reale, lëkundjet e forta kanë ndodhur në Cërrik dhe pikërisht në koordinatat 39.7 dhe 20.29 në një thellësi prej 10.7 kilometrash.
Edhe pse lëkundjet janë ndjerë në pjesën më të madhe të vendit, nuk ka të dhëna për dëme të shkaktuara. Në Tiranë, në shumë zona të kryeqytetit, sidomos banorët e pallateve, kanë zbritur në rrugë.









