26.1 C
Tirana
E diel, 27 Shtator, 2026

Ne nuk thyhemi

Darien Levani

Sot më doli gjumi pak herët. Si të gjithë ne, fle pak dhe fle keq. Shtrihem i shqetësuar, çohem i frikësuar se mos ça ka ndodhur ato pak orë që gjumi i merr jetës. Për ironi, është edhe 29 nëntori: është festë, por nuk është festë. Akoma përgjumshëm, pashë lajmet, e pashë këtë fotografinë: nuk e di se kush e ka bërë e më vjen keq që nuk e citoj dot.

E më bëri të mendoj se kush jemi e pse jemi. E më bëri të mendoj çfarë kemi hequr e çfarë kemi fituar. Ditën e parë që nazistët hyjnë në Shqipëri, pushkatojnë 8 fshatarë. Kot, sa për të treguar që nuk e përtojnë fare. Është flamuri që Dedë Gjo Luli ngre në Malësi në vitin 1911, pastaj i ngulin thikën pas shpinës. Mu kujtuan dy luftanije britanike që ndalen para Ulqinit e bombardojnë qytetin, sepse ne nuk dorëzojmë as Pllavën e as Gucinë, e as nuk u ulim këtë të bekuar. Është flamuri që ngre Gjergj Kastrioti kur nis një luftë, kundër perandorisë më të madhe që ekziston. Pa asnjë mundësi fitore, pa asnjë shpresë që do ja dali, thjesht sepse është e drejtë e sepse është shqiptar. E që pastaj, kur humbasim, rri fshehur nën sunduqe për disa shekuj, sepse të gjithë e dimë që herët a vonë do e ngremë përsëri. Ja edhe një shekull, ja edhe një tjetër, iku edhe ky, por herët e vonë, herët a vonë, do e ngremë, posi jo. “Ata hiq, e ti vur, kështu ka qenë qëkur” (Cit.)

I kemi parë të gjithë nëpër shekuj: nga romakët me shpatat e gjata dhe pelerinat e purpurta, tek gjermanët me armët modern e me luftën rrufe. Të gjithë kanë ardhur me shamatë e me projekte të gjata se nuk e dinin se çfarë halli po i hapnin vetes, e të gjithë kanë ikur me bisht nëpër shalë. Jo se kemi luftuar gjithmonë, jo se kemi rezistuar gjithmonë, por të gjithë kanë ikur e kush nuk ka ikur i ka lënë kockat aty.

Ka diçka te ne si shqiptarë, diçka të ashpër e naive që nuk duron e nuk dorëzohet kurrë, se nuk dorëzohet dot. Nuk thyhemi, thjesht përkulemi për momentin. Nuk shitemi e as nuk blihemi, presim. Nuk dorëzohemi, thjesht e lëmë një sekond mënjanë atë muhabetin e betejës. Herët a vonë, gjërat do shkojnë ashtu si i duam ne. Quajeni kokëfortësi, quajeni budallik, quajeni krenari, quajeni si të doni, por është në gjakun tonë.

Shumë kemi rezistuar e vuajtur, shumë do rezistojmë e do vuajmë përsëri. Por as do thyhemi as do dorëzohemi as do zhdukemi. Gëzuar 29 nëntorin. Gëzuar Shqipërinë.

Lulzim Basha ka meritën që sillet si politikan normal

 

 

Opozita nuk ka shumë gjëra në dorë në situata të tilla. Nuk ka në dorë mekanizma financiarë. Nuk ka në dorë institucione që mund të bëhen efiçente për situatën. Në këtë situatë dramatike të opozitës sonë, që nuk është as në pushtet lokal, as në Parlament, nuk ka as përfaqësim formal politik, që mund ta vinte në lëvizje.

Ndaj qëndrimi normal i një politikani në këto kushte, merr më tepër vlerë. Nuk është pak të sillesh si njeri normal.

Lulzim Basha po përpiqet të bëjë diferencën me liderët e tjerë të opozitës së vjetër në këto ditë të vështira për vendin. Ndryshe nga përpjekjet për të minuar situatën, edhe ashtu të brishtë, ai është shafqur në publik në detyrën e një një lideri politik, për t’i bërë qytetarët të ndjehen të mbështetur nga të gjitha palët.

E vendosur kjo në një kontekst shumë agresiv të disa qëndrave të opozitës, sidomos Berishës e Metës, qëndrimi i Bashës është në kontrast të thellë me ta dhe bën diferencën.

Vizitat në Thumanë apo në spitalin e Durrësit dhe paraqitjet e tij publike, përcjellin përgjegjshmëri dhe pozitivitet.

Ndryshe nga Presidenti, që në daljen e parë tek dera e spitalit të Traumës ishte i mërzitur që ne nuk e besuam që do binte tërmet, dhe jo që njerëzit po vdisnin, apo Berishës, që ka ‘zbuluar’ se tërmetin e ka shkatuar Edi Rama, pasi ka betonuar me 300 trajlera Gjirin e Lalzit tek një vend i quajtur “Syri i Kuçedrës”, për të shkaktuar tërmet, Lulzim Basha nuk ka rrëshqit në këto marrëzi.

Fusha e minuar e menaxhimit të tragjedisë ka çdo sekondë rreziqe të mëdha. Aty nuk ka vetëm vullnetarë të përgjegjshëm, apo njësi qeveritare që menaxhojnë. Në ato fusha janë vërsulur edhe plot batakçinj e sharlatanë, njerëz që duan të bëhen të njohur se çojnë një batanije apo dy bebelina, mitomanë e delirantë që mendojnë se ka ardhur dita të shfaqen si shpëtimtarë të kombit, duke bërë më shumë rrëmujë e duke ngjallur më shumë dyshime, se sa besim.

Beteja heroike e gazetarëve dhe reporterëve shqiptarë që raportojnë 24 orë nga gërmadhat, prishet shpesh nga ndonjë pronar i neveritshëm, që kënaqet më shumë kur terrorizon njerëzit, se sa kur informon për hallet e tyre.

Por nuk ka katastrofë që i shmang dot këto fenomene. Ndodhin kudo dhe kurdo. E rëndësishme është t’i izolosh dhe të vazhdosh përpara.

Ndaj kur Lulzim Basha sillet si njeri realist, kur e kupton se ata njerëz sot nuk e  kanë mendjen tek Edi Rama apo Luzlim Basha, por tek halli që i ka zënë, ai zë vend më shumë se ata të tjerët.

Qëndrimi i Lulzim Bashës merr më shumë vlerë, jo se distancohet prej tyre, por tregon fuqinë që ka për të vepruar me realizëm dhe jashtë psikopatisë politike të liderëve të vjetër të politikës, që mendojnë se çdo e keqe që vjen për popullin, qoftë dhe nga Zoti, vjen për të mirë të tyre.

Kjo është një fatkeqësi natyrore që do ketë pasoja afatgjata për Shqipërinë. Dhe jo vetëm financiare. Kjo fatkeqësi do të duhet të na riformatojë si shoqëri, duhet të na hapë një axhendë të re të zhvillimit urban, të standardeve të sigurisë dhe nevojës ulëritëse për njësi speciale të trajnuara dhe të mirëpajisura për fatkeqësi natyrore.

Kjo është një axhendë që tejkalon mandatet e një qeverie dhe duhet të jetë objektiv kombëtar. Fatkeqësia nuk mbaron kur mbarojnë goditjet e tërmetit. Ajo tamam tamam, atëhere fillon.

Ata mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi e punë, duhet të ri-integrohen në jetë. Dhe kjo do të jetë një betejë afatgjate, ku do ketë plot kohë dhe mundësi për të bërë dhe politikë.

Guximi dhe qetësia për t’i parë në sy problemet që shkaktoi dhe do të vazhdojë të shkaktojë kjo tragjedi na e bëjnë më të lehtë të nesërmen e përsëritjes së saj.

Kjo nuk është një paqe politike mes opozitës dhe qeverisë, por një dënim i përbashkët ndaj tyre, për të mbajtur shënim njësoj, atë që po ndodh për fajin e të gjithëve.

Ndjehesh mirë kur shikon se lideri i opozitës e ka kuptuar këtë dhe të duket se të përfaqëson dhe ty në këto ditë të vështira për të gjithë.

Përjashto ata që u duken ditë feste, pasi mendojnë që tërmeti ka shembur qeverinë, dhe jo jetën dhe pasuritë e qytetarëve.

*Mero Baze tema

Elvis Naçi: Me këto kontribute Thumani mund të ndërtohet për 9 muaj

Pas thirrjes së Elvis Naçit, të Muzik, por edhe personaliteteve të tjera artistike e në fusha të ndryshme, shqiptarët janë përgjigjur pozitivisht ndaj kësaj thirrje.

Shumë shqiptarë, që jetojnë në Kosovë, në Zvicër, në diasporë kanë dhënë kontribute të çmuara për të prekurit. Disa prej tyre kanë dhënë 500 euro, dikush 2000 franga, 300 franga, 5000 franga, madje ka pasur edhe nga ata që kanë dhënë 7500 euro etj. Shqiptarët janë shprehur se janë në solidaritet me sivëllezërit e tyre në Shqipëri.

Imami Elvis Naçi tha se me këto kontribute mund të ndërtohet për 9 muaj deri në një vit. “Unë po gëzohem pa masë që shqiptarët po japin kaq shumë kontribut për të prekurit.

Shqiptarët të bashkuar mbledhin shuma të mëdha parash për tërmetin

6.8 milionë euro, 3.6 milionë dollarë dhe 156 milionë lekë është shuma e dhuruar deri në këto momente për banorët e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Tërmeti dramatik që goditi Shqipërinë, duke shënuar të paktën 47 viktima deri të enjtën në mbrëmje, u pasua nga një solidaritet i jashtëzakonshëm mes shqiptarëve.

Mijëra qytetarë të zakonshëm dhe biznesmenë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, por edhe shtetas të huaj, kanë dhuruar para dhe ndihma për banorët e prekur në Thumanë dhe Durrës.

Raportohet se vetëm përmes faqes “GoFundMe” dhe Facebook janë dhuruar rreth 3.6 milionë dollarë deri pasditen e së mërkurës.

Dhurimet sipas ‘GoFundMe’ kanë ardhur nga 76 shtete të ndryshme, ku shumica janë shqiptarë të diasporës .

Një rol të madh në mbledhjen e këtyre donacioneve kanë patur dy organizatat shqiptare të bamirësisë “Fundjavë Ndryshe” me 1.4 milion dollarë dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” me 590 mijë dollarë.

Nismës për të dhuruar ju bashkuan edhe biznesmenët e njohur nga Shqipëria dhe Kosova. I pari që dhuroi 1 milion euro ishte zv.kryeministri dhe biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli. Përveç shumës së dhuruar, ai u shpreh i gatshëm për të strehuar në Prishtinë edhe qindra familje të prekura nga tërmeti.

Pak pas bërjes publike të donacionit të Behgjet Pacollit, një tjetër biznesmen shqiptar ju bashkua nismës për të dhuruar. Shefqet Kastrati u solidarizua me të prekurit nga tërmeti duke kontribuar me plot 1.5 milionë euro, ndërsa u bëri thirrje të gjithë të pasurve për të dhuruar.
Menjëherë pas kontriutit të Shefqet Kastratit, Aeroporti i Rinasit i ka dhuruar 1 milionë Euro shtetit shqiptar duke iu bashkuar kontributeve financiare për ringritjen e të gjitha zonave të prekura.

Nga ana tjetër, përveç ndihmës me ushtare dhe ekipe shpëtimi, qeveria e Kosovës akordoi një fond prej 500 mijë eurosh për Shqipërinë.

Plot 500 mijë euro ka dhuruar edhe Fondacioni Soros në Shqipëri, ndërsa Austria ka dhuruar 600 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut 100 mijë euro. Donacione ka patur edhe nga disa Komuna në Kosovë. Kontribute ka patur edhe nga Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora.

Një shumë e konsiderueshme prej 1.2 milion dollarë është mbledhur nga organizata “Rrënjët Shqiptare” me qendër në Nju Jork përmes Facebookut. Drejtuesi i organizatë, Marko Kepi deklaroi se paratë do të shkojnë për banesa të reja për familjet që kanë mbetur të pastreha.

Edhe qeveria shqiptare ka hapur një platformë online ku mund të dhurohet për të prekurit nga tërmeti. Sipas informacioneve zyrtare, deri mesditën e së enjtes përmes kësaj platforme ishin dhuruar 156 milion lekë, 1.6 milion euro dhe 25 mijë dollarë.

Përveç donacioneve financiare, qindra shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë kanë hapur dyert e shtëpive për të prekurit nga tërmeti.

Shqipëria vërtetë u përball me një tërmet të fortë, por solidariteti mes shqiptarëve pas tërmetit ka qenë edhe më i fortë./Shqip/

TIA, 1 milionë euro për të dëmtuarit e tërmetit

 

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka dhënë kontributin e tij pas tërmetit shkatërrues të së martës në vendin tonë.

TIA ka dhuruar plotë 1 milionë euro për të dëmtuarit e këtij tërmeti.

Njoftimi:

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, falenderon çdo përpjekje dhe bujari të stafit, të koordinatorëve në kampe, të specialistëve të kërkimit, të njerëzve që dhanë jetë, të atyre që dhanë shpresë e që mbajnë të pavenitur kurajon.

TIA, në këto ditë të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, po bën maksimumin të lehtësojë operimet gjatë fluturimeve të avionëve të mëdhenj ushtarakë që vijnë në ndihmë te njerëzve të prekur nga tërmeti.

Tjetër tërmet në Tiranë

Shqipëria nuk po gjen qetësi nga lëkundjet sizmike, ndërkohë që kanë nisur edhe stuhitë e shiut.

Një tjetër tërmet 3.7 ballë është regjistruar në vendin tonë rreth orë 21:30 të së enjtes, duke mbajtur në panik qytetarët.

46 persona të vdekur, 750 të plagosur dhe 47 të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës, i cili është pasuar në ditët në vijim me lëkundje të tjera toke.

Ezio Greggio: Ndihmoni Shqipërinë

Prezantuesi i njohur italian, Ezio Greggio, përmes një postimi në rrjetet sociale bën thirrje për të kontribuuar në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Nxirren pa jetë edhe katër anëtarët e familjes Lala

Të përqafuar me njëri-tjetrin, kështu raporton gazetarja Klodiana Lala, se janë nxjerrë nga rrënojat tre fëmijët e tjerë të familjes Lala, së bashku me nënën në zonën e ish-Kënetës Durrës. Dionisi dhe Dionisa, dy binjakë, djali Emilio 6 vjeç, dhe nëna Marjeta 31 vjeçe janë nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së tyre, pas më shumë se 48 orësh kërkime.

Pacolli: 1 milion euro në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti

Ministri i Jashtëm kosovar Begjet Pacolli ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale që familja e tij do të kryej një donacion 1 milion euro në ndihmë të personave të goditura në tërmetin shkatërrues në Shqipëri.

Pacolli shkruan se u trondit kur pa “dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.
Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur”.

Vlorë, Dy pallate bashkohen me njëri-tjetrin, panik tek banorët

Tërmeti lëkund edhe pallatët në Vlorë, në lagjen 29 Nëntori, ku dy pallate janë bashkuar me njëri tjetrin.

Banorët te tmerruar thone se kane lajmeruar prej 2 ditesh prefecture dhe bashki e askush nuk ka ardh te shikoj situaten. Ndersa termeti I para pak minutave ka shtuar panikun. Banoret po behen gati te lene banesat.