Rama falenderon Bozon që qetësoi shqiptarët

Inxhinierja Luljeta Bozo, ka qenë më e pranishme se kurrë ne media, përgjatë kësaj javëve, për shkak të nevojës së të gjithëve, për të dëgjuar një profesioniste në këtë kohë tërmetesh. Së fundmi, inxhinierja, është e pranishme në kryeministri me ftesë të kreut të qeverisë.

Rama falenderoi Bozon që qetësoi shqiptarët.  Ata po diskutojnë në lidhje me pasojat e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, ku Bozo u shpreh se pas tërmetit ka një merak të madh për ekspertizën e ndërtimeve.

De Biasi nuk harron Shqipërinë, mbledh fonde për tërmetin

Anna Oxa vjen në Shqipëri për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Anna Oxa, është e vetëftuara speciale e natës së parë të “Këngës Magjike”.

Pasi u bë i ditur mesazhi që do të përcjellë këtë vit “Kënga Magjike” ajo tregoi se është e gatshme të këndojë për të ndihmuar shqiptarët

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Arditi ka bërë të ditur lajmin.

Ai ka publikuar një foto të këngëtares dhe konfirmonpjesëmarrjen e saj, por si publik, për t’iu bashkuar nismës së madhe të Këngës Magjike.

“Anna Oxa, pasi mori vesh tragjedinë e ndodhur më 26 nëntor, më telefonoi dhe më pyeti se ç’do të bëhej me Këngën Magjike. Ajo u emocionua nga misioni dhe pa u menduar, më tha se të mërkurën (4 dhjetor) do të jetë këtu, tek Kënga Magjike. Më tha se do të blej një biletë dhe do të ulem tek publiku duke shtuar se ne artistët, për këtë jemi”,– u shpreh Arditi në emision.

Ndërkohë në Instagram shkruan: “Faleminderit! #ANNAOXA. Pasi për ditë të tëra ka pyetur se si po shkon vendi me situatën e tërmetit, të mërkurën në mbrëmje, do të jetë me ne në natën e parë kengamagjikeofficial duke u bashkuar me kauzën e artistëve shqiptarë”.

Rama: Do prishim çdo pallat a ndërtesë të dëmtuar. Tirana e Durrësi me lagje të reja

Edi Rama nga Londra shkoi në Romë te emisioni më i shikuar në Itali “Porta a Porta” në ‘RaiUno’, Itali, të drejtuar nga gazetari i famshëm italian, Bruno Vespa. Ndërsa sot drejtoi mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.

Po lëviz në kërkim të lekëve, pasi buxheti është dobët, por edhe këtë tragjedi zor se edhe shtete të forta e përballojnë vetëm.

Kryeministri Edi Rama sot ka premtuar ngritjen e lagjeve të reja në Tiranë, Laç e Durrës pas shembjes së të gjithë banesave e pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kreu i qeverisë tha disa prej zonave ku do të vendosen lagjet e reja.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në pikat ku janë krijuar hapësira për shkak të shembjeve. Të mos jenë pika hajde këtu po ndërtojmë por të jenë hapësira të shihen si potencial për zhvillimin e qytetit dhe me parqet e kujtesës dhe me infrastrukturë. Ashtu siç jemi të qartë që duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat, prishje e atyre godinave dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar gjithë ata njerëz që do humbasin shtëpinë aty.
Një pikë tjetër tek ‘5 maji’ pranë lumit, është një zonë ku mund të bëjmë spostime, sepse pjesët më të prekura në kryeqytet janë Kombinati dhe zona e njësisë 4. Aty mund të bëjmë një lagje tjetër dhe një tjetër tek ish-uzina e Autotraktorëve.
10 mijë apartamente në objektivin afatmesëm dhe me objektivë afat shkurtër 10-12 muaj 5 mijë apartamente”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai tha se vendet ku do vendosen familjet që kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti do jenë lagje model.

Do jenë lagje të reja me gjithë parametrat e furnizimit me ujë, më kanalizime, me kënde lojërash, kënde sportive, qendër shëndetësore, lagje model se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes. Nuk ka asnjë kuptim që ne të ndërtojmë banesa me standarde minimaliste dhe riparime aty për aty me idenë hajde ta kalojmë këtë dhe shohim më vonë.
Duam që të jenë lagje ku të kemi miksim të familjeve të varfra me familjet e shtresës së mesme. Ku të kemi aktivitet ekonomik, një jetë sociale si në qendër të Tiranës. Programi i investimeve bën që të mos kemi thjesht një transferim të ardhurash. Tek apartamentet ekzistuese po shohim dhe po bëjmë gati të gjithë sasisë që na duhet në fazën nga çadra në shtëpi”, deklaroi Rama.

Ai dha porosi për prishjen e godinave të dëmtuara dhe për të ndihmuar banorët të nxjerrin plaçkat.
“Në Laç duhet të fillojmë shembjen e atyre godinave. Të gjitha pallatet që vizitova unë, pallatet e revolucionit demokratik duhet të shemben. Të kemi dhe në Laç një lagje krejt të re të ndërtuar me parametra të rinj. Filloni shembjen, komunikoni me banorët për të marrë gjërat që kanë brenda, ndihmojini t’i nxjerrin dhe filloni shembjen. Gjithë ato pallate duhet të rrëzohen dhe të bëhet një lagje e re e Laçit.
Të fillojmë bashkëpunimin me agjencinë shtetërore të Turqisë që premtimi i presidentit të Turqisë për të ndërtuar 500 shtëpi të realizohet.
Të shembim pa pushim Shkrel, pa pushim, në Kombinat, në Laç në Durrës, ça ka për të shembur. Në zonën e Lezhës të identifikojmë ekzaktësisht edhe njëherë nëse ka pallat për të shembur, të shembim”, u shpreh Rama.

Ndërkohë prokuroria duket se ka filluar hetimin e dosjeve të ndërtimit për pallatet e hotelet që janë rrëzuar apo që i pret i njëjti fat nga IMKT.

Në familjen që se trondit as tërmeti

Nikoleta Kovaçi

Rruga për në Laç është si gjithmonë e dashur. Mbase ka të bëjë me efektin e Kishës së Shën Ndout. Gjithnjë më jepet të mendoj se gjithçka që ka të bëjë me atë vend lidhet pikërisht me atë Kishë… Sigurishte edhe të besoj, së Shën Ndou (Fernando), nuk e zgjodhi atë vend thjesht për të lënë gjurmët e tij por edhe ta veçojë këtë popull. Kështu ka ndodhur shumë kund, por në Shqipërinë tonë gjërat nuk kanë rregulla, besimi është thyer me kohë, e mendimi pasohet nga një frikë dhe ankth se: Ky vend s’bëhet më kurrë!
Tërmeti, veç zizë dhe mjerimit në humbje njerzish na zbuloi edhe nga pak vete, nga pak shpirt e zemër, nga pak nga Gjaku jonë; ai Gjaku në emër të të cilit ne nisim e mbyllim jetën tonë…! Ky gjak kësaj radhe vloi së tepërmi te Njerëzit, te shqiptarët kudo nëpër botë, te kushdo që e ndjeu veten gjallë e të pathyer nga kjo klithmë kataklizme. Shqipëria është e jona…
***
Adresa që mora për tek familja Tusha në Delbinisht të Laçit ishte: “Diku sipër gurores! Ne na shoqëroi një djalë me emrin Erjon”! Mblodhëm sa patëm dhe me dy njerëz shumë të dashur u nisëm drejt Laçit. Vendi ishte në terr. Dukej se asgjë nuk pipëtinte. Pak makina e gjithnjë e më pak njerëz. Devijimin e rrugës për në gurore e morëm pak metra përtej Gjykatës së rrethit. Unë gjithnjë i lidh vendet dhe kohët me punën time. Kalldrëm dhe gur. Një rrugë e vështirë fort të ngjitesh. Gurorja ishte aty! Përtej një përrua që ndante copa toke dhe jete. Këtej ca makineri, që qendronin si kërcënim; dukej që përpunonin diçka që i merret tokës, kësaj tokës që jo vetëm u zemërua po edhe na rrënoi! Një burrë gjendet mes gurëve. Ishte njësh me ta. Gërryente thua se aty është jeta. Sigurisht, aty është buka e tij, e familjes së tij, e të pamundurve të tij dhe të vetes. I vetëm në guroren e stërmadhe, e vetmja grimcë ishte njeriu, ai që me një vegël qëllonte si një hije mbi gurët kryelartë!
***
Familja Tusha ishte në anë të fshatit, si në anë të kohës, në anë të fatit e në anë të kujtesës. Vetëm Erjoni ishte njeriu që kujdesej për ta, si thuash; ishte Zot për ta. Ai ishte vëllai i Adelinës, një djalë i qetë, i urtë dhe mendjehapur. E kishte të pamundur ta sfidonte fatin e të motrës, atëherë as sot; as kur ajo u martua me Sandrin, as sot që ka dy fëmijë me të. Paskali dhe Leo janë njëri 11 vjeç e tjetri 7 vjeç. Janë thuajse njësoj; veprojnë, mendojnë e dëshirojnë njësoj. Janë që të dy të sëmurë, por me probleme të ndryshme. Nuk flasin, reagojnë me vonesë, por janë kaq të dashur, kaq mirënjohës e pafundësisht dashamirës ndaj dashurisë për ta! Ata shkojnë në shkollë po nuk lexojnë dot, nuk flasin dot e janë të veshur jo mirë… Tërmeti i ka trembur. Iu lexohet në sy. Banesa në të cilën janë strehuar është e pabanueshme. Krejtësisht e frikshme. Një mur i hollë i veshur me një suva tejshikuese që sigurisht nuk fsheh asnjë mjerim. Adelina e ka larë shtëpinë. E ka sistemuar se do i vinin njerëz nga Tirana, ka ndezur sobën që të jetë vendi i ngrohur, po aty asgjë s`mund ta ngrohë atë ngrehinë. Në pragderë, në atë prag dhimbjeje, del edhe Shpresa. Është vjehrra e Adelinës. Ajo ka shumë probleme shëndetësore, po edhe fizike, ndërsa Sandri, i biri i saj, babai i dy fëmijëve, përveç problemeve të veta të shumta, që i demonstronte nga larg, e kishte të vështirë të përceptonte se si iu kërcënohej jeta në atë breg përroi, në atë rrëzë shpati, veçuar prej fshatit dhe fatit!
***
Historia e tyre është historia e të gjithë shqiptarëve që janë përpjekur të ndërtojnë jetën mes emigracionit dhe vendit të tyre. Ata kanë ikur në Greqi por e kanë patur të pamundur të jetojnë. Sandri kishte shfaqur probleme mendore, fëmijët e sëmurë, gjyshja e tyre thuajse me të njëjtat simptoma, kishin bërë që Adelina të kthehej drejt Shqipërisë. Familja e saj e kishin sjellë në fshat ta kishin afër por pa mundur t`ia ndryshonin fatin e jetës së saj. Me kursimet e Greqisë dhe me ndihmën e familjes së saj ajo kishte blerë pak metra tokë me idenë për të bërë një shtëpi, por s`kishte mundur. Fëmijët ishin rritur, e bashkë me to edhe shpenzimet, ilaçet, kujdeset e shumta që duhet të paguhen. Ata marrin pension invaliditeti. Të tre; pra i ati me dy fëmijët, po jo Adelina. Leo, ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale. Ai ka një defekt në pjesën e brendshme të gojës. Mendohet se i ka ndodhur nga temperatura. Por ende nuk e dinë. As mjekët këtu, sigurisht s`japin asnjë shpjegim. Djali nuk flet dhe shpesh mbytet duke iu zënë fryma. Adelina tregon raportet mes dy fëmijëve, hallin për t`i çuar në shkollë, për t`i sjellë në shtëpi, meraku se rrëzohen dhe bien në përrua, nata në çadër se soleta e asaj ndërtese që ka shërbyer dikur për punët e ushtrisë është shkëputur krejtësisht nga ai mur si fibër! Shpresa flet pak. Është e pamundur të lëvizë. I ka thënë Adelinës; “shpëto fëmijët, ani pse unë mbetem këtu”. Erjoni ka rrëmbyer me forcë një çadër tek bashkia. Ata e kanë refuzuar sepse ai nuk e kishte vërtetuar se shtëpia e motrës së tij ishte shembur. Ai është njohës i mirë i hileve të pushtetasve lokalë. E di që tek motra e tij s`do të mbërrinte kurrë asnjë ekspert, asnjë inxhinier, e aq më pak Bashkia! Ai ka kërkuar herë pas here ndihmë për të hedhur një urë dhe mur për ta shmangur përroin që në dimër bëhet përbindësh. Por ai beson se Zoti do ia shpërtojë nipat e tij. Ai mendon të ndërtojë një shtëpi për ta: – “Dy dhoma e një kuzhinë, asgjë tjetër s’dua. Vetëm t`i heq që aty! T`ua ndërtoj këtej përroin, të paktën mos të mi rrëmbejë uji!
Nisim të largohemi. Leo do të vijë për Tiranë! E do jetën; i lexohet në sy e shpirt! I do njerëzitl jepet me gjithçkanë e tij. Paskali është më i tërhequr. Ai nuk lëviz nga pragu dhe na përshëndet vetem më dorë, ndërsa Leo do me çdo kusht të vijë te makina, te Tirana, te lodrat… Në sytë e tij ka kaq shumë jetë sa edhe shpresë. Erjoni beson! Edhe Adelina. Sandri pak kupton nga fuqia e lëvizjes. As nga mundësia e jetës. Paskali kërkoi libra po tha: “Kur të mësoj të lexoj!”
Shteti kurrë s`kishte shkuar aty. As OJF-të, as OJQ-të, asnjë shoqatë, asnjë zyrtarë… Askush nuk iu afrohet sepse askush nuk i ka listuar në asnjë listë personash me probleme. Në vendin tonë, në fakt, kurrë s`ka ekzistuar një e tillë. Nëse s`ke teser partie, nëse s`je i aftë të kontribuosh qoftë edhe duke mbledhur hashash, nëse nuk i shërben partisë për diçka ti nuk duhet të frymosh; as ti dhe as familja jote! Familja Tusha është një prej qindra të tillave në vendin tonë. Qeveria i di, edhe bashkia i njeh, edhe gjithë fshati, komuna, minibashkia, njësia, apo kushdo që lëvron fonde për këtë fakt i njeh këto familje; por mjerisht aty s`shkon asnjë.
Leo shpreson; na pret të gjithëve. Ai do vetëm të flasë dhe besohet se një operacion ia mundëson. Tani është radha e shtetit dhe e bashkisë të hedhi një vështrim në atë familje; të kurohen dy fëmijët, të paktën të shpëtojmë jetën e tyre, siç ndihmohet emra të njohur të politikës, ashtu të ndihmohet edhe Leo, të cilit i qesh shpirti kur i them: Ti ke emrin e Leo Messit e ti do bëhesh më i famshëm se ai!

Baze: Prof.Bozo, na kujtove të gjithëve se nuk shkohet jeta me budallenj

Mero Baze
Profesore Luljeta në fakt është vërtet një pedagoge e mrekullueshme, që meriton të respektohet. Por brezi i profesorëve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Shqipëri, është brezi i shkencëtarëve të vërtetë të Shqipërisë.

Nëse do të kuptosh ku ka mbërritur niveli i njerëzve publik në Shqipëri, mund të shikoni adhurimin me të cilin është mbështjellë portreti i pedagoges Luljeta Bozo, për shkak të daljeve të saj në ekran me rastin e tërmetit. Befas njerëzit duket sikur kanë zbuluar “arushën Mira” që i zbavit dhe qetëson këto ditë të stresuara, dhe janë gati ta shpallin brenda ditës, ministre, kryeministre, presidente, e gjithçka tjetër.

Kjo vjen pikë së pari nga fakti se për vite të tëra shoqëria jonë promovoi njerëz mediokër, dhe quan shkrimtarë njerëz që botojnë pallavra mediokre publicistike apo libra guzhine, quan shkencëtarë njerëz që kopjojnë studime shkencore dhe i paraqesin si punë shkencore, quan inxhinierë, njerëz që urdhërohen nga investitorë kriminelë, dhe quan menaxherë njerëz që dinë të bëjnë tendera.

Befas tërmeti zbuloi që ata që merren me tërmete janë shkencëtarë, ata që duhet të ndërtojnë godina duhet të jenë inxhinierë, ata që studiojnë fortësinë e dherave quhen gjeologë, dhe mbi të gjitha, ata dinë të flasin e të shpjegojnë qartë.

Nuk kanë nevojë as të thonë fjali të tipit “sonilameço”, dhe as të kenë orë të shtrenjtë si Fevziu.

Profesore Luljeta në fakt është vërtet një pedagoge e mrekullueshme, që meriton të respektohet. Por brezi i profesorëve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Shqipëri, është brezi i shkencëtarëve të vërtetë të Shqipërisë.

Jo i këtyre që mbrojnë mastera me llafollogji që nuk aplikohen askund, por brezi i atyre që puna shkencore kthehej në godinë, galeri, puse shpimi, apo diga hidrocentrali.

Deri në vitin ‘90 ata mbajtën jo vetëm peshën e mësimëdhines, por dhe peshën e kërkimit shkencor në vend, si dhe drejtimin e shumë veprave të mëdha inxhinierike.

Sot shumica e tyre janë në fund të jetës së tyre biologjike, me pensione modeste dhe të shpërfillur nga shoqëria.

Prej vitit 2007, qeveria e Sali Berishës i mbylli gjithë Institutet kërkimore shkencore të vendit, duke i kaluar në ndërmarrje pasive në varësi të Universitetit të Tiranës, i cili praktikisht i ka asgjesuar. Mes tyre dhe Institutin e Sizmiologjisë.

U shkatërruan dhe u “ristrukturuan” duke humbur bazën e të dhënave shkencore, Shërbimi Gjeologjik i Shqipërisë, Shërbimi Minerar dhe dhjetëra institute shkencore në vend.

Universiteti i Tiranës harxhon 400 milionë lekë për roje dhe 4 milionë lekë për kërkime shkencore. Shumica e tyre u nxorën në pension. Vetë profesore Luljeta u pushua nga puna nga Sali Berisha në vitin 2010.

Në vend të profesorëve u shpikën ata që quhen “ekspertë” të pavarur, të cilët shesin produktet shkencore të komunizmit si punë të tyre, dhe firmosin nën lehtësinë e honorarit, çdo oponencë teknike që kërkojnë investitorët.

Goditja që qeveria shqiptare u ka dhënë më 2007 gjithë Instituteve Kërkimore në Shqipëri, ishte në fakt hapi i parë për goditjen ndaj arsimit në Shqipëri.

Duke goditur Institutet Kërkimore, u godit elita shkencore e vendit dhe u doli turpi gjithë mediokrëve dhe njerëzve të paaftë, të shpalleshin pedagogë, fillimisht në Universitetet private, e pastaj në publik, duke dalë nëpër ekrane.

Pa goditur këtë elitë shkencore, vështirë se do të krijohej brezi i Universiteteve private si kërpudha, që relativizuan shkencën, relativizuan elitën shkencore, relativizuan thellësinë e dijes dhe shkollimit në Shqipëri, dhe në vend të profesorëve, promovuan në ekrane propagandistë autodidaktë, që ua shkruajnë poshtë me titra titullin “pedagogë”.

Për shumë vite, gati më shumë se një dekadë e gjysëm, shqiptarët mendojnë se pedagogë janë ata mediokrit që shfaqen në ekrane.

Dikush ka ndeshur rastësisht tek Luljeta Bozo dhe befas njerëzit panë që shkencëtarët qenkan ndryshe, jo si ata që lulëzuan pasi u shkatërruan Institutet shkencore dhe elita shkencore e vendit.

Dhe të gjithë befas adhurojnë profesore Luljetën, e cila meriton në të vërtetë gjithçka.

Sot dëgjova dhe Presidentin që është pjesë e këtij krimi politik, i cili kërkon të bëhet një hartë e risqeve sizmike në vend, nga struktura të specializuara.

Në fakt, katër profesorët më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço (vdekur) dhe Eduard Sulstarova, që janë dhe baballarët e sizmikës dhe sizmiotektonikës, e kanë bërë që në vitet tetëdhjetë një hartë të tillë, e cila përcakton me detaje në çdo rajon të Shqipërisë, se sa dhe si duhet ndërtuar.

E ka dhe Durrësin e Tiranën shumë qartë.

Por pas viteve ‘90, ata jo vetëm që u injoruan si personalitete, por u injorua dhe puna e tyre shkencore, duke u vjedhur, nëpërkëmbur dhe shitur privatisht nga “ekspertët”.

Shqipëria është vendi që ka më shumë statistika të gjeologjisë inxhinierike në botë për metër katror, pasi është vendi që ka bërë më shumë shpime gjeologjike për nevoja të ekonomisë në kohën e komunizmit.

Të dhënat e atyre shpimeve janë në dosje të mykura, nëse janë gjallë në arkivat e ndërmarrjeve gjeologjike, dhe Insititutet që janë mbyllur, shkrirë e rishkrirë, mund t’i përpunonin ato të dhëna, të ndërtonin hartat dhe diagrama rreziku për çdo  kilometër katror të Shqipërisë, që nga Tropoja deri në Konispol.

Por kjo është një histori që tani kujtohet vetëm se na ra tërmeti.

Pasi ky rrezik të kalojë, pasi të mësohemi me të keqen, përsëri në ekran do kemi gjithologë mediokër, politikanë që do thonë se tërmetin e solli “Syri i Kuçedrës”, apo paranojakë që do thonë se e sollën shpimet në Mesdhe.

Në ekrane pas kësaj do të ketë injorantë që shfaqen si pedagogë dhe që për të mbuluar boshllëkun intelektual, bëhen njerëz politik dhe zënë llogoren e tyre.

Kjo na ka katandisur aq keq, sa tani Luljeta Bozo është bërë një yll ekranesh, pasi njerëzit kanë harruar të dëgjojnë njerëz të mençur duke folur.

Yll je profesore, qoftë dhe që u kujtove të gjithëve, se nuk shkohet gjithë jeta me budallenj.

Marrë nga GazetaTema

Artes Ferruni fiton çmim në “International Emmys 2019”

Prodhuesja e filmit, 25 vjeçarja Artes Ferruni, ka ngritur flamurin shqiptar për industrinë e filmit ndërkombëtar, në një nga ngjarjet më prestigjoze të ndarjes së çmimeve.

Prodhuesja e re e filmave, Ferruni fitoi së fundmi titullin “JCS International Young Creatives Aëard”, në mbrëmjen që u mbajtë në “International Emmy World Television Festival” në New York City.

Artes Ferruni, këtë çmim e firoi për filmin e saj të shkurtër të titulluar “It starts within”.
Nëpërmjet një fabule të shkurtër ajo trajton një temë të madhe, siç është paqja.

“Mund të jetë shumë sfiduese të mbash një qëndrim për paqen. Nga mund t’ja nisësh me një temë kaq të vështirë? Me këtë film të shkurtër, eksploroj një përgjigjie të thjesht por shumë kyce ndaj kësaj pyetje. Unë besoj që paqja fillon nga përbrënda — dhe vetëm nga aty mundet që paqja të zgjerohet përtej”, tha Artes, duke treguar edhe për entuziazmin që kishte.

“Isha shumë e entuziasmuar kur mësova që këtij formati video ju dha mundësia për tu njohur në një event kaq prestigjoz. Besoj që në një kohë ku mbizotëron konsumi i shpejtë i rrjeteve sociale, kjo ëshë një nga mënyrat më të mira dhe më të prekshme për të krijuar ndikim pozitiv botëror”

“International Emmy Aëards”, pavarësisht fokusit në programet televizive, ka hapur një kategori speciale për të vlerësuar fituesit e “JCS International Young Creatives Award”, themeluar nga lideri biznesmen dhe filantrop Ronald S. Lauder.

Prodhuesit e filmave nga e gjithë bota dërguan filmat e tyre të shkurtër nga 1 minutë, ndërkohë që pas kësaj u bë një vlerësim publik online dhe në raundin final fituesit u përzgjodhën nga një panel blue-ribbon të përbërë nga anëtarë jurie ndërkombëtar të drejtuar nga presidentja i JCSI, Michal Grayevsky.

Prodhuesja e filmave, Artes ishte e entuziasmuar për të marrë këtë çmim por përtej kësaj, e vendosur për të vazhduar të prodhojë filma të shkurtër, por me ndikim si rasti në fjalë. Ajo shpreson të jetë një zë ndikimi në mes të materialeve të rrëmujshme që ofron interneti.

*kosovarja

Rama: Më duhet të largohem për dy ditë

Përmes një video live, kryeministri Edi Rama, njoftoi se nuk do të jetë sot dhe nesër në Shqipëri.

“Miqtë e mi, detyra më kërkon të largohem sot për në Samitin e Natos. Me të mbaruar Samiti, do të kthehem për mbledhjen e zakonshme, sepse nuk është më e jashtëzakonshme, por me një ndalesë në Romë, për emisionin Porta a Porta. Ku do të kërkoj solidaritet nga shtëpia jonë e dytë, Italia”, tha Rama.

Lëkundet sërish Shqipëria, kësaj here epiqendra është në Vlorë

Në vend janë shënuar sërish lëkundje tërmeti, por këtë herë epiqendra është zhvendosur. Lëkundjet janë shënuar në Vlorë, me magnitudë 3.4 righter, me epiqendër në Vlorë.

Rama: Të prekurit nga tërmeti mund të na kontaktojnë edhe përmes portalit shqipëriaqëduam.al

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar ditën e sotme qytetarët e prekur nga tërmeti dhe që kanë nevojë për strehim apo ushqim, se kanë mundësi që përmes portalit shqipëriaqëduam.al, të regjistrojnë kërkesat e tyre me anë të telefonit. Gjithashtu qytetarët do të marrin përgjigje dhe do të shmangin radhët e gjata na zyrat e shtabit të emergjencave.

“Meqe krijohen rradhë të gjata në zyrat e shtabit të emergjencave ne mendojmë që me një ndjesë drejtuar të gjithë qytetarëve të këtij vendi të ndaloj veprimtarinë e platformes së bashkëqevertisjes përgjatë përiudhës së emergjencëes dhe gjithë forcat fokusohen te qytetarët që s’duan të dinë për fatin e tyre pas dëmtimit të banesës. Që nga dita e sotme, në platformën shqipëriaqëduam.al pa pasur nevojë për log-in në ealbania por direkt te Shqipëriaqëduam.al qytetarët që duan info të shpejtë dhe njëkohësisht që si me logjikën e ndërveprimit të platformës na japin mundësi të adresojmë problemin në shtabet përkatëse mund të drejtohen këtu me një klik.
Mjafton të lënë emrin dhe nr e telefonin apo në rast se kanë edhe email dhe ekipi vihet në lëvizje për të kthyer përgjigje.

Kam nevojë për strehim të përkohshëm, këtu bëhet fjalë jo oër ata që janë të pastrehe që përapra tërmetit, por për ata që catinë ua ka marrë me vetë tërmeti, kam nevojë për medikamente, pako sociale, ndihmë ushqimore, shëndetësore”, tha Rama.