Bebe Rexha do ndërtojë dy shtëpi: Paratë do menaxhohen nga unë, jo nga qeveria

Bebe Rexha premtoi ndërtimin e dy shtëpive në fshatin Bubq. Këngëtarja me origjinë shqiptare mbërriti sot nga SHBA në Shqipëri për të monitoruar situatën nga afër.

Bebe mblodhi paratë së bashku me fansat e saj dhe se do menaxhohen nga ajo dhe jo qeveria shqiptare.

Bebe Rexha: “Do menaxhohen nga unë dhe jo nga qeveria. Është me të vërtetë për të ardhur keq me çfarë ka ndodhur këtu. Ndaj edhe unë erdha.

Nesër kam shfaqje në Çikago dhe në ditën e pushimit erdha këtu. Mblodha para me fansat e mi, ndaj erdha të takoj familje Musa të shoh shtëpinë. Jemi këtu me arkitektët dhe shpresojmë të mbledhim sërish para për të ndërtuar para edhe për dy shtëpi të tjera.

Deri tani kemi mbledhur para për dy shtëpi. Shpresoj të mbledhim sërish.

“Dhjetë konkluzione çfarë tregoi tërmeti i 26 nëntorit”

ROLAND QAFOKU
U quajt “strange” një filozof, teksa 10 vjet më parë lajmëroi se aksi Tiranë-Durrës ishte shndërruar një fjetore e madhe dhe kjo  ishte një bombë e pashpërthyer ekologjike, sociale e materiale.

 

“Mjerë ne nëse një ditë do ndodhë diçka”, tha ai dhe jo vetëm nuk ia vuri veshin kush, por e pyetën çfarë halli kishte se kohët e fundit po fliste pak si shumë.

U quajt antishqiptar një biznesmen amerikan, kur në vitin 2005, ndërsa erdhi të investonte në plazhin e Durrësit dhe pa lukuninë e ndërtimeve pa hapësira, lëshoi shprehjen lapidare: Ku është deti këtu? “Ore, do hedhë para ky këtu apo ka ardhur vetëm për të parë”?, thanë disa zyrtarë që e pritën, por amerikani nga Florida iku siç erdhi dhe nuk e pa më me sy, as plazhin e Durrësit e as Shqipërinë.

U quajt budalla një gjeolog, që për 29 vjet non stop përsëriste se ndërtimet në rërën e plazhit të Durrësit një ditë do kishin pasoja shkatërruese. Po ku pyesnin biznesmenët e mëdhenj shqiptarë të fryrë nga paratë? Ata ndërtuan ku u deshi kokrra e qejfit. Në rërë dhe në ujë, pallatet e rinj çanë qiejt si përbindësha, duke bërë milionerë, pikërisht këta gangster betoni dhe gjeologu ynë bashkë me kolegët e tij dukeshin si shqiptarë të dalë nga moda, madje duke i etiketuar deri komunistë.

U quajt prerje e vjetër një pedagog i Universitetit Politeknik të Tiranës, teksa përsëriste e u mësonte studentëve përse shqiptari ka ndërtuar në shekuj faqe kodre e faqe mali. Dhe tani që ndodhi gjëma, do të duhen 300 vjet që të gjitha ndërtimet duhet të lëvizen nga fusha në kodër.

Por, tërmeti i 26 nëntorit i rrafshoi të gjitha: çoroditjen, allishverishet, abuzimet dhe tani që duket se ka nisur qetësimi i situatës, kanë dalë më qartë në pah gjithçka kemi bërë. Janë të paktën 10 konkluzione që kanë dalë nga ajo që ndodhi në orën 3 e 54 të mëngjesit të 26 nëntorit, por edhe në ditët në vijim.

1. Ajo që për 29 vjet kuptohej nga të gjithë, se ky vend një tërmet donte dhe do shkonte në esfel, u vërtetua më 26 nëntor 2019. Alarmet e sizmologëve, gjeologëve, inxhinierëve, specialistëve, u quajtën budallallëqe me brirë. Tërmeti ndodhi, shkaktoi katastrofën më të madhe të gjysmëshekullit të fundit dhe Shqipëria mori prapash atë që kishte bërë në këto 29 vjet: kaos, çoroditje, antishtet, papërgjegjshmëri dhe abuzim. 50 të vdekur dhe afro 1 mijë të plagosur është një nga bilancet më të rënda të shkaktuar në një katastrofë natyrore në historinë e shtetit shqiptar. Por faji nuk ishte vetëm i natyrës. Në radhë të parë, faji është i vetë shqiptarëve. I yni që vazhdojmë të jemi të çoroditurit në tranzicionin tonë të gjatë, që tashmë po prek 3 dekada.

2. Shteti shqiptar nuk e ka fare përgatitjen e duhur për të përballuar një katastrofë natyrore. Nuk e kam fjalën fare specifikisht dhe vetëm për qeverinë e Edi Ramës. E kam fjalën për gjithë shtetin shqiptar se si ka funksionuar përgjatë këtyre 29 viteve. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por shteti është një: Dhe pikërisht ky shtet nuk ka bërë gjë, qoftë për masa mininale për të përballuar një tërmet,m apo edhe katastrofë tjetër natyrore si përmbytje, shkarje dherash etj. Mjafton të kujtojmë se mëngjesin e 26 nëntorit, d.m.th. vetëm pak orë pas tërmetit të fortë, nuk kishte organizim të shpejtë të institucioneve të emergjencave civile. Heronjtë e atyre orëve të para posttërmet ishin zjarrfikësit, Policia e Rendit dhe Policia Bashkiake, por këta nuk mjaftonin. Në një katastrofë natyrore, i pari që nis punën është specialisti i mirëfilltë për kësi rastesh, që shpëton jetë njerëzish në rrënoja dhe jo një polic i thjeshtë, që nuk e njeh fare këtë proces.

3. Ishim gabuar kur thoshim që tërmeti i 21 shtatori ishte provë për cilësinë e ndërtimeve. Ajo ishte një lloj prove gjenerale përpara “koncertit” të 26 nëntorit, por ky i fundit ishte realisht prova e fortë. Prova që tregoi se një pjesë e ndërtimeve janë bërë shkele shko si vetë tranzicioni ynë. Janë bërë ndërtime në zona kënetore, në moçale, në brinja lumenjsh e breza rëre, pikërisht aty ku rreziku i shkatërrimeve është maksimal. Ky tërmet është njëkohësisht edhe prova e madhe nëse ne do vijojmë t’i tolerojmë ata ndërtues dhe zyrtarë matrapazë që dhanë leje në kundërshtim me çdo standard. Është një provë për drejtësinë e reformuar që të hetojë, arrestojë dhe dënojë me burg ata që abuzuan dhe sollën këtë gjëmë. Disa herë më ka shkuar ndërmend këto ditë se çfarë do kenë menduar ata prokurorë dhe gjykatës këto ditë që kanë provuar vetë tërmetin, por edhe kanë parë se një pjesë e viktimave dhe dëmeve kanë ndodhur jo nga natyra, por nga njeriu. E pra, ju prokurorë dhe gjykatës që keni kaluar vettngun, që quheni drejtësia e re e Shqipërisë, keni përpara një provë të madhe. Arrestojini dhe dënojini ata maskarenj që të babëzitur për paranë kanë bërë miliona në kurriz të një populli duke ndërtuar atje ku nuk duhej.

4. Solidariteti i këtij populli është jo thjesht i çuditshëm, por i paparashikueshëm. Një popull që nuk proteston, nuk ka kurajë të kërkojë të drejtën e vetë, nuk solidarizohet kur dikujt i prishet pa të drejtë shtëpia, befas lë pa gojë gjithë botën. Krijon një uragan solidariteti si asnjë komb tjetër në botë. Vargjet e atyre që kanë dhënë nga vetja për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti janë vërtet mbresëlënëse. Kulmi i tyre është se këtij uragani i janë bashkuar aq natyrshëm edhe fëmijët që kanë dhënë edhe lodrat e tyre për bashkëmoshatarët që këto ditë janë në nevojë. Kjo ishte ana pozitive e medaljes. Por ata që në këtë situatë jo vetëm nuk u solidarizuan, por abuzuan duke ngritur çmimet e lokaleve, hoteleve dhe biletat e udhëtimit, janë turpi i këtij kombi. Kjo lloj race ka bërë që kombi të duket si të ishte i ndarë më dysh: Një pjesë solidarë dhe një pjesë maskarenj.

5. Çoroditja e popullit shqiptar në tranzicion u konfirmua edhe gjatë ditëve të tërmetit. Burra e gra me fëmijë me vete lanë shtëpitë në Tiranë e Durrës dhe si karvanët e mesjetës iu turrën Jugut dhe Veriut të vendit pas katastrofës, duke lënë pas Shqipërinë e Mesme. I kuptoj dhe mirëkuptoj të gjitha ata që kishin në familje fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, pleq dhe të sëmurë. Por ata, dhe sidomos djemurinë, që nuk pësoi gjë nga tërmeti, u pushtua nga frika, por zuri cepat e qyteteve më ekstreme të Shqipërisë duke pirë birra si të ishin me pushime vjeshte nuk i kam kuptuar asnjëherë. Natyrisht, që çdokush ruan veten e vete. Por vetëm Zoti e di dhe a ishte zgjidhje braktisja?

6. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi se media shqiptare arrin majën profesionale kur trajton një fatkeqësi natyrore apo e thënë ndryshe, një ngjarje të paparashikuar. Një ngjarje që nuk e prodhon as politika, as qeveria e as opozita, por një ngjarje që e prodhon natyra, media jonë arrin ta menaxhojë vetëm vetë. As pronarët e televizioneve nuk e kanë mundësinë të orientojnë gazetarët dhe qëndrimin editorial kur gazetarët menaxhojnë tërmetin. Madje, këto ditë, shumica e pronarëve të televizioneve nuk ndodhen fare në Shqipëri. Falë teknologjisë, ata që e kanë drejtuar pronën e tyre me celular nga Vjena, Roma, Parisi, e Londra, ndërsa stafi i gazetarëve raporton çdo ditë e natë për tërmetin. Gazetarët e terrenit, një profesion pothuajse në zhdukje, kanë qenë vërtet heronjtë e këtyre ditëve. Heronj që kanë raportuar nga vendi i ngjarjes, atje kur kanë rrezikuar dhe jetën, duke lënë me gisht në gojë analistët e honorarëve me orientim qeveritar dhe opozitar, që krekosen çdo mbrëmje në studio televizive. Tërmeti tregoi se reporterët dhe jo analistët janë më të rëndësishmit e medias. Tërmeti tregoi dhe nxori zbuluar se analistët “ushqehen” nga politikanët, majtas dhe djathtas dhe për një pjesë fama e tyre publike është pështirosje e ndyrë përballë djersës dhe sakrificës së reporterëve. Tërmeti tregoi në fund që shoqëria jonë ka nevojë për reporterë dhe gazetarë terreni dhe jo analistë dhe këtë duhet ta kuptojnë më së miri pronarët e gazetave, televizioneve dhe portaleve.

7. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi se kjo opozitë edhe një herë mbeti lakuriq. Nëse e keni vënë re, kryetari Lulzim Basha duket sikur ndjek hap pas hapi Kryeministrin. Më shumë ndiqte axhendën e Ramës sesa të bënte diçka të re, kreative apo frymëzuese për situatën e krijuar. Duket sikur Basha rivalizonte Ramën se kur do dilte edhe ai në televizor, kur do fliste edhe ai me banorët e prekur nga tërmeti dhe kur do bënte edhe ai deklarimet se si e kishte përjetuar këtë tërmet. I vetmi opozitar stoik është i përhershmi Berisha. Prandaj edhe bateritë e qeverisë dhe medias pranë saj janë të karikuara për të qenë me sy e vesh nga qytetari dixhital i Sali Berishës sesa nga thirrja e Bashës për të shtuar Laçin dhe Lezhën si pjesë e situatës së emergjencës civile. Ishte qesharake kur Kryeministri Rama i plotësoi dëshirën kryetarit të opozitës, i cili bëri thirrje që këto qytete të mos mënjanoheshin, a thua se qeveria nuk ekziston as në Laç e as në Lezhë. Për të mos thënë që është skandal mbi skandalet që një pjesë e funksionarëve politikë të PD-së janë larguar fare nga Shqipëria.

8. Raporti i Shqipërisë me Kosovën kaloi edhe një herë një provë jo të vogël me tërmetin e 26 nëntorit. Një Kosovë që u mor për 100 vjet peng nga Serbia, mund të kishte humbur lidhjet e saj me atdheun mëmë, por kjo nuk ndodhi kurrë. Dhe afërmendsh që 26 nëntori tregoi më shumë se çdo gjë tjetër se jemi bashkë kaq ngushtësisht. Më kanë bërë shumë përshtypje këto ditë disa injorantë “Facebook”-u që ndihmën që dha shteti, qeveria dhe populli i Kosovës e quajtën si kthim borxhi i krizës së vitit 1999. Apo një idiot kronik që e quan Kosovën ‘vëllai i vogël’ dhe Shqipërinë ‘vëllai i madh’. O tyryryryry! Kosova ka qenë pjesë e trupit të Shqipërisë dhe nuk lindi nga asnjë bark tjetër. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet atdheu mëmë. Kosova është pjesë e trupit të saj, ashtu si Labëria, Myzeqeja, Çamëria, Kurveleshi, Plava e Gucia e shumë krahina të tjera që janë pjesë e trupit mëmë. Kosova nuk është as vëllai, as motra, as kushëriri, e as fqinji. Kosova është pjesë prej dheu dhe trungu shqiptar. Nëse historia na dënoi me Kosovën duke na e marrë Serbia dhe tashmë është gjendur një formulë zgjidhjeje që të jetë shtet më vete, kjo nuk do të thotë se Kosova është gjitoni ynë që na e ka dhënë fati ta kemi afër. Jo! Zoti na e ka dhënë që të ishte pjesë e këtij trupi dhe si e tillë nuk kuptohet si anormale ndihma për një situatë të tillë. Nuk është fare çudi që banorët e Kosovës dhe shteti i saj të ndihmojë në këtë ditë të vështirë. Jemi dy shtete, por një komb. Jemi dy shtete, por kemi vetëm një identitet kombëtar, që është identiteti shqiptar. Ky është rasti dhe arsyeja madhore të mendojmë seriozisht që bashkimi kombëtar të kryhet zyrtarisht, sepse shpirtërisht ai ka kohë që ka nisur. Dhe kjo u tregua edhe me tërmetin e 26 nëntorit.

9. Propaganda është pjesa më e spikatur e posttërmetit të 26 nëntorit. Një propagandë e shtrirë në të gjitha drejtimet. Në qeveri, në administratë e deri tek intelektualët e honorarëve. Një vend dhe një shtet që nuk ka hequr dorë nga stili i vjetër mediatik, duke vënë në qendër më shumë politikanin dhe qeveritarin sesa qytetarin, tashmë propaganda ka marrë një trajtë tjetër. Ajo vijon të mbetet në themel të politikës dhe këtë e tregoi edhe tërmeti që Kryeministri dhe ata përreth tij vijojnë të jenë star-ët e ekranit.

10. Solidariteti i shteteve të tjera me Shqipërinë e dëmtuar nga tërmeti është befasues. I prisnim amerikanët, por jo serbët dhe grekët. I prisnim italianët, por jo francezët. Ngritja e flamurit shqiptar në rrënoja nga ana e zjarrfikësit serb tashmë është shënuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Një komb si Serbia që ende nuk ka shkulur nga rrënjët e veta mentalitetin e prapambetur të fqinjit armik me mizoritë e shkaktuara shqiptarëve, planet për shfarosjen e tyre dhe befas duart e një vullnetari nga Serbia ngrenë në Durrës flamurin shqiptar, është vërtet mbresëlënëse. Në nëntor të vitin 1912, ushtarët serbë që mbërritën në Durrës dhe e pushtuan atë ishin aq të ekzaltuar saqë nga gëzimi ngritën flamurin serb në godinat qeveritare dhe njëkohësisht disa ushtarë të tjerë nisën të qëllonin ujin me shpata. Ajo marrëzi ia ka lënë vendin për ironi 107 vite më pas, fiks ditën e shpalljes së pavarësisë së këtij kombi, veprimit të një vullnetari. Këtë herë, serbi vërtet erdhi në Durrës dhe ngriti flamurin, por në duar kishte flamurin shqiptar. Ky ishte kulmi i solidaritetit të kombeve dhe shteteve të tjerë, që simbolikisht treguan se nuk janë edhe aq armiq me ne.

Në Shqipëri ka çdo ditë tërmet

 

 

 

Në vendin tonë perjetojme tërmete cdo ditë. Tërmet është kur lepirësi partiak të zë vëndin e punës, tërmet është edhe kur të shfrytëzojnë në punë çdo ditë, pa orar, pa të drejtë për të ngritur zërin, pa kontrata të mirëfillta.

Duke dëgjuar zonjën në ekran teksa fliste m’u kujtua ajo shprehja që shpesh ma përmendin prindërit: “Në kohen tonë bëhej shkollë, ju tani më shume talleni”.

Zonja Luljeta ka folur për më shumë se nje orë me fakte dhe të dhëna për shkaqet e dëmtimeve në banesa, per cilësine e ndërtimeve, për procedurat që duhet të ndiqeshin për ndërtimin e tyre etj. Fliste me një pasion dhe kthjellësi te frikshme për moshën e saj qe të nxiste dëshiren për të ndjekur një shkollë të dytë për inxhinieri.

Po më vinte turp që nuk kisha dëgjuar më parë për zonjën Luljeta. Me disa kërkime në internet mësova që kishte botuar më shumë  se 35 libra, kishte fituar çmim nga Universiteti i Cambrige dhe së fundmi ishte larguar nga puna si pedagoge nga dekani/rektori i UPT i cili nuk kishte qoftë dhe një  botim të vetëm.

Nuk kisha informacion për Luljetën sepse ndër vite jam mësuar që në televizone Lorenc Vangjeli, të bëjë analistin politik,analistin sportiv, inxhinierin, kuzhinierin , kamarierin, gjithologun. Në portalet e gazetat tona kam lexuar për Zogun e Tiranës, për promovimin e librit të Angela Martinit, për librin me receta të Arbanes ku një pjatë shkon 2000 lek të reja.

Kam lexuar per telefonin 7000$ te Kujtim Gjuzit, dhuratat qe i beri Blendi goces per ditelindje, per breket e Noizyt apo se cfare hengri Mamaqi per dreke. Jo me larg se dje nje biznesmen hajvan dilte ne ekran dhe shpjegonte duke bertitur se çfare ishte kapitalizmi dhe sesi ai donte te behej nje oligark si Mane dhe duke e mbyllur se Kastrati ishte Kastrioti modern.

Ne vendin tone perjetojme termete cdo dite. Termet eshte kur lepiresi partiak te ze vendin e punes, termet eshte edhe kur te shfrytezojne ne pune cdo dite, pa orar, pa te drejte per te ngritur zerin, pa kontrata te mirefillta.Termet eshte kur perballesh dhe me pedagoge te paafte, nepunes servile, deputete injorante. Termet eshte kur merr vesh qe shoku i ngushte eshte nisur me kamion per ne Angli, kur sheh qe vendin e lulishtes se fundit ne lagjen tende e ka zene nje gradaçele, kur vendin e Shtetit Social e ze Elvis Naçi, kur nje shtet me rreth 3 milion banore nuk ka qofte edhe nje qen te vetem per kerkim-shpetim.

Termet eshte edhe kur ushtria ende e pa formuar e Kosoves mobilizohet me shpejt, eshte me e pajisur dhe pergatitur e perseri termet do jete kur jo me larg se veren e ardhshme atyre qe sot quajme vellezer do i dyfishojme çmimet e hoteleve dhe sherbimeve.

Nuk eshte termet si ai i mengjesit te 26 Nentorit, ama te vret ngadale, çdo dite pa e kuptuar.

*Shkruar nga Ronaldo Daja

Rama apel për mediat

Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!

Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar!

Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së zakonshme të një pjese të madhe të sferës suaj!

Sërish tërmet në Shqipëri

Sërish tërmet në Shqipëri. Lëkundjet ishin të magnitudës 4.5 me thellësi 10 km.

Qeni Kiko na shpëtoi jetën, na tërhoqi jorganin

Duket si një subjekt novele, apo romani, por nuk është kështu. Një qen me emrin Kiko i ka shpëtuar jetën një familjeje në lagjen 18 të Durrësit.

Tërmeti i 26 nëntorit ra në orën 4 pa 5 të mëngjesit, çka do të thotë se njerëzit kanë qenë ende në gjumë. Por, historia e një familjeje në Durrës që banonte prej vitesh në pallatin që u shemb plotësisht dhe ishte i pari që u shkatërrua, të emocionon.

Gazetarja Anila Hoxha teksa udhëtoi me shumë banorë të pastrehë që u zhvendosën nga rruga në komplekset hoteliere mësoi historinë e një zonje, që atë dhe familjarët e saj i shpëtoi qeni me emrin “Kiko”

Sipas një studimi të ri kafshët janë në gjendje të ndjejnë diçka që njerëzit nuk munden. Shkencëtarët kanë zbuluar se aktiviteti i kafshëve ra në mënyrë të konsiderueshme përpara se të ndodhte një tërmet me madhësi 7 ballë.

Gjithsesi, në rastin e qenit Kiko, pak para se të binte tërmeti shkatërrimtar, ai ka shkuar në dhomën e gjumit dhe ka tentuar të zgjojë familjarët. Por, ata nuk ja kanë vënë veshin dhe qeni në këtë rast, duke parandjerë tërmetin u ka tërhequr jorganin, ndërsa më pas të zotët kanë ndjerë tronditjen e tmerrshme.

Por, në momentin kur të zotët e shtëpisë kanë dalë janë rikthyer në pak sekonda për për të rimarrë Kikon, qenin që u shpëtoi jetën.

10-vjeçari hero u hodh nga kati i pestë dhe shpëtoi takon Ramën

Në spitalin e Traumës në Tiranë mes personave që janë shtruar të lënduar si pasojë e tërmetit janë edhe dy fëmijë 7 dhe 10 -vjeç, Aurel Lala dhe Alesio Cakoni. Dy fëmijët sipas ministres së Shëndetësisë kishin kërkuar që t’i vizitonte kryeministri dhe Rama nuk nguroi që të shkonte për t’u lehtësuar dhimbjen nga trauma që përjetuan edhe pse ende nuk e dinë se kanë humbur njerëzit e tyre të afërt. Alesio Cakoni 10 vjeç ka humbur babanë dhe motrën. 10-vjeçari sipas dajës së tij, u hodh nga kati i pestë i pallatit për të shpëtuar në momentin që ra tërmeti dhe sot fatmirësisht është mirë. Ndërsa Aurel Lala ka humbur motrën nga tërmeti, nëna është lënduar lehtë, ndërsa babai ishte emigrant në Greqi dhe u kthye sapo mori vesh lajmin. Historitë kanë tronditur kryeministrin që u përlot në momentin që doli nga spitali.

Biseda e kryeministrit Edi Rama me Aurel Lalën
Edi Rama: Ti më kërkoje mua, po përse me doje?
Aurel Lala: Doja të shikoja nga afër
Edi Rama: Si të dukem nga afër? Si gogol?
Aurel Lala: Jo!
Edi Rama: Ku ka tërmet që të mposht ty, ti je si pallat. Loz basketboll ti?
Aurel Lala: Po! Basketbolli dhe futbolli, por për futbollin e kam topin
Edi Rama: Më thanë se është një cun që të kërkon, nuk del nga spitali po nuk erdhi Edi Rama, do të rrish edhe nesër në spital.
Babai: Ky është tifoz i Juventusit.
Aurel Lala i bën dhuratë kryeministrit një çokollatë
Edi Rama: Rrofsh, do ta takohemi sërish bashkë. Por Facebook-un do ta mbyll. Ti nuk duhet të merresh me Facebook se e bën njeriun budalla, ishalla shpëtoj unë. Ti duhet libra dhe sport. Këtë (cokollatën) do ta mbaj kujtim në kryeministri prej teje, kur të vish do ta shikosh.

Biseda e kryeministri Edi Rama me Alesio Cakonin
Edi Rama: Cfarë ke?
Alesio Cakoni: Shpinën dhe shpatullën, 10 vjeç jam
Ogerta Manastirliu: Alesio kishte shumë dëshira. E para ishte se ka lënë librat në shtëpi
Edi Rama: Ti do të vish te shtëpia ime, do të prezantoj me Zahon dhe do të shohësh libra sa të duash. Librat i ke nga unë gjithë jetën. Kur të mos jem unë ke teta Ogertën. Unë do të jem për ty.
Ogerta Manastirliu: Donte edhe një ipad ia plotësuam dëshirën?
Daja: Po i shkarkojmë ca lojëra
Ogerta Manastirliu: Librin e ka te koka
Edi Rama: Facebook, lojëra në ipad po, libra, libra sportin.  Ai do të bëhet kolos. Sa i gjatë je ti? 145 kaq i vogël, sa Erjon Braçe. Kur të rritesh do të bëhesh sa unë. E njeh Braçen? Është njëri që bërtet, një shoku im që më mbyt, shyqyr që nuk e  kam me vete. Me kë je tifoz?
Edi Rama: Obobob më shkatërroi. Më thuaj bluzën e kujt lojtari të Milanit do? Do të sjell bluzën e Donarumës, për t’u Alesion. Ndërsa ty Aurelin do të sjell bluzën e Ronaldos. Por Facebook dhe ipad jo edhe Tv
Daja: Alesio është hero është hedhur  nga kati i pestë dhe sot është me këmbë e duar, është hero i vërtetë.
Edi Rama: Tjetër cfarë kërkese ke?
Daja: Kur të dalë nga spitali nuk ka ku të shkojë?
Edi Rama: Alesio kur të dalë nga spitali nëse nuk ka ku të shkojë do të vijë në shtëpinë time. Brenda mesit të dhjetorit do të kenë shtëpinë. Të hidhesh nga kati i pesë mos të kem unë shok të ngushtë ty. Zaho është më i vogël se ju por ka nevojë të marrë shembull nga ju.

 

Inxhinierja Luljeta Bozo: Ju tregoj pse nuk është rrëzuar pallati që flasin të gjithë

Të gjithë kanë pyetur se si është e mundur që nuk është prekur asnjë kat i pallatit ‘Kamelia’ te Shkëmbi i Kavajës, në pronësi të ndërtuesit Enver Shala.

Pallati ka pasur leje për 20 kate por si gjithmonë, shto ‘ujë e shto miell’ ka shkuar deri 28 kate.

Për inxhinieren Luljeta Bozo ka një arsye se pse të paktën, nga ajo që shohin nga larg qytetarët, nuk pësoi gjë ai pallat.

‘Unë mendoj se ai pallat ai në breg të detit që ka shtuar kate pa leje, ka tre kate nën tokë. Vendosja në thellësinë e duhur të themelit dhe në thellësin e përkatshme dhe strukturës së sipërme…themeli është nyja delikate që bën rakordimin e sjelljes së bazametit me strukturën dhe këto dy element të punojnë në mënyrë harmonike. Kjo është arsyeja’, shpjegon inxhinierja Bozo.

Në shkurt 2017, ndërkohë që në këtë pallat shtoheshin 3 kate pa leje, ato u shembën vetë. Menjëherë prokuroria filloi hetimet dhe shpalli në kërkim Enver Shalën, por më pas, asgjë nuk ndodhi.

Një ditë të bukur, dolën në dritë edhe katet e reja pa leje dhe askush nuk pësoi gjë. Madje, as tërmeti i 26 nëntorit nuk i bëri dot gjë.

Lëkundje të reja sizmike në Tiranë e Durrës

Lëkundje të tjera sizmike janë ndjerë pak minuta më parë në Durrës dhe në Tiranë. Ndryshe nga herët e tjera, lëkundjet e pak minutave më parë zgjatën shumë pak sekonda dhe magnituda ishte 3.2 balle.

Fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për dëme një njerëz apo në banesat. Sipas EMSC, epiqendra e tërmentit është regjistruar në Detin Adriatik, 47 km nga Tirana dhe 30 nga qyteti i Durrësit.

Rama: Burg për këdo që abuzon me ndërtimet

Pas pasojave që la tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Rama ka thënë sot i prerë se kush abuzon me ndërtimet do të dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.
“7-15 vjet burg për çdo ndërtues dhe cilindo që përfshihet në ndërtim, që bën shkelje me ndërtimin dhe lejen e ndërtimit, as mos ta diskutojë askush” tha Rama.