Qytetarët e Tiranës boshatisin dyqanet

Gjatë paradites së të shtunës qindra qytetarë pushtuan tregjet, marketet dhe farmacitë për të kryer blerjet e fundit para shtetrrethimit.

Vetëm pas orës 13:00 rrugët e kryeqytetit, tregjet, marketet, farmacitë u boshatisën nga fluksi i lartë i qytetarëve të cilët kishin zbarkuar prej orëve të para të mëngjesit për të kryer blerjet e fundit para shtetrrethimit.

Vendin e rradhëve e zunë patrullat e policisë, ku u verifikua çdo mjet që qarkulloi përtej orarit.

Forcat e ushtrisë nisën patrullimin në çdo rrugë për të verifikuar nisjen e ndalim qarkullimit.

Ndryshe u paraqit situata që prej orës 5 të mëngjesit të së shtunës, ku qindra qytetarë zbarkuan dhe dynden gjitha pikat e tregjeve, supermarketeve dhe furrat e bukës.

Shprehen se furnizimet përkojnë me situatën e shtetrrethimit, ndërsa për 40 orë do të respektojnë shtetrrethimin.

Ju që shani Alketën, pini uthull

Nga Roland Qafoku
Çfarë nuk u tha e çfarë nuk u shkrua për Alketa Vejsiun për daljen mbrëmë në Sanremo. Por shprehja që më ka lënë pa fjalë ishte: Na turpëroi dhe na fëlliqi. Epo ky është kulmi! A ka sukses më të madh kur një grua shqiptare arrin të shfaqet dhe moderojë në Sanremo? Pikërisht aty, në sallën e atij festivali ku kanë performuar sa e sa yje italianë e botërorë të muzikës dhe ne të themi që Alketa na turpëroi? Vetëm një masë njerëzish me probleme me veten, që kanë si ushqim urrejtjen për të mirën, që zilinë e kanë bashkëudhëtare të jetës, që janë rritur keq, janë ushqyer po aq keq dhe që u mungon pozitiviteti mund të thonë që Alketa na turpëroi. Lëre pastaj ata dyshuesit e sëmurë që shkruajnë se ka dhënë para për të qenë atje. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, unë pyes: a mund të pranohet në Sanremo edhe një i paaftë vetëm se ka dhënë para!? Kjo është të mbash barkun me dorë. A bëri gabime Alketa? Vetëm kush fle gjumë nuk bën gabime. Unë që si zanat kam fjalën mund të numëroj disa. Por, ma ajo bëri një gjë aq të madhe për të gjithë ne. Na bëri krenarë! Ne që 29 vjet më parë iu qepëm litarëve të anijeve dhe sulmuam Italinë fiqnje, ashtu të rreckosur, të pangrënë dhe të paparë. Apo i harruat ato pamje? O njerëz! Alketa është produkt 100 për qind shqiptar dhe arriti në majë. Kush nuk e kupton dhe nuk e vlerëson këtë, të pijë uthull tërë ditën dhe tërë jetën. Unë kam vetëm këto fjalë: Faleminderit Alketa! Na bëre krenarë!

Skënderbeu, Rembrandt dhe Volteri

Nga ROLAND QAFOKU
Kjo është kopje e pikturës orgjinale të portretit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është kompozuar nga piktori i famshëm hollandez Rembandt Van Rijn. Është një dhuratë shumë e vyer që mua ma ka dhënë Alessandro Castriota në vitin 2004, një nga stërnipat e shumtë të Skënderbeut. Ai më shprehu mirënjohje si kryeredaktor i gazetës “Panorama” që isha në atë kohë pas një interviste shumë interesante që i morëm duke na dhënë detaje që nuk i dinim. Ishte e panjohur për ne gazetarët që piktori, ndër më të famshmit në historinë e pikturës botëroere, të kishte realizuar një portret me pamje dhe veshje të rrallë të heroit tonë. Madje, stërnipi, me profesion mjek, më tregoi që pikërisht kjo pikturë ishte vjedhur dhe ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Dikur ky portret hijeshonte një kala në Napoli që familja Kastrioti ishte pronae e saj si dhuratë të bërë nga Ferdinandi, mbreti i Napolit. Ai nuk e harroi kurrë ndihmën që Skënderbeu i dha në luftë ndaj baronëve që synonin ti zinin vendin pas vdekjes së të atit, mbretit Alfons. Ferdinandi e çmoi aq shumë Skënderbeun tonë sa e thërriste baba dhe përveç kalasë, në shenjë mirënjohje të thelllë, ai i dhuroi edhe territore si Trani dhe San Giovanni Rotondo. Sot, 552 vjet pas vdekjes së heroit tonë, mund të konfirmojmë shumë konkluzione plot vlera për heroin tonë kombëtar, por jo vetëm tonin ama. Për një çerek shekulli, Skënderbeu ynë, jo vetëm e mbajti të lirë këtë vend nga hordhia osmane, por toka arbërore u bë digë e pakëpërcyeshme që kjo hordhi të mos mësynte Evropën. Një shqiptar dhe një katolik i devotshëm, Skënderbeu vazhdon edhe sot t’i tregojë Shqipërisë dhe kontinetit plakë se ky komb i vogël ka vlera të mëdha. Nuk është rastësi që mjeshtri hollandez u frymëzua aq shumë saqë e ka fiksuar atë në një portret plot hijeshi edhe pse vetë lindi 138 vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Sa e sa piktorë të tjerë e kanë bërë këtë gjë në telajot e tyre. Opera, buste, vjersha, poema, romane dhe libra studimorë përbëjnë një kolekison të jashtëzakonshëm me rreth 500 vepra artistike me autorë të huaj që kanë krijuar vetëm për Skënderbeun tonë. Unë zgjodha piktorin hollandez Rembrandt për hyrje dhe një thënie të shkrimtarit të madh francez Volter (Voltair )për mbyllje: “Sikur perandorët e Bizantit të kishin qenë si Skënderbeu, perandoria Romake e Lindjes nuk do ishte zhdukur”. Eh sa krenarë na bën nëpër botë Skënderbeu!

Zoti Kraja, ju dhe SPAK jeni shansi i fundit i Shqipërisë!

Nga ROLAND QAFOKU
Më në fund, ajo që prej 3 vjet e gjysmë e prisnim u formua dhe tashmë Shqipëria ka Strukturën e Posaçme Anti Korruposion, SPAK. Janë 8 prokurorë që të paktën nga ajo që është trumbetuar, thënë e stërthënë, pritet t’i bëjnë gjëmën pjesës së korruptuar të politikës shqiptare. Por pyetja e madhe është a do arrijë kjo strukturë pritshëmritë e opinionit shqiptar? A do arrijë ajo që hajdutët, të babëziturit, të fortët, të paprekshmit por dhe më të urryerit e politikës, t’i fusë në qeli? A do arrijë ajo të thyejë mitin e atyre që nuk i gjen gjë sa të jenë në politikë dhe pushtet? Më thjeshtë akoma po perifrazoj pyetjen e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi: Vërtetë do bëjnë këta ndonjë gjë këta, apo edhe kjo gjë do jetë kot?
Ndonëse përgjigjet e këtyre pyetjeve të bëjnë të mendohesh gjatë, unë futem te ata që janë optimistë. Në radhë të parë besoj te investimi i SHBA-së si investimi më serioz në historinë e drejtësisë shqiptare dhe së dyti në integritetin dhe atë që përfaqësojnë të 8-tët e SPAK. Fjalë, akuza dhe sharje të tipit “ky ka punuar në komunizëm” dhe “ky tjetri është djali i atij” dhe “kjo vajza e asaj” janë pikërisht reminishenca të atij komunizmi. Se nëse mbështetemi në llogjikën se në cilën periudhë ideale duhet të jetonin anëtarët e SPAK, i bie që kjo strukturë të përbëhej me studentët e vitit të parë të Juridikut si më të kulluarit dhe më të pandikuarit në biografinë e tyre.
Unë besoj se të 8 prokurorët dhe më shumë te Arben Kraja. Kam lexuar këto ditë lloj lloj cilësimesh. Në cilësinë e një gazetari që prej 23 vjetësh ndjek modestisht me shumë interes çështjet e drejtësisë kam vlerësimin maksimal për të si njeri me integritet, profesionist dhe jam i bindur që do arrijë maksimumin e asaj që kërkohet. Por ky natyrisht është një perceptim i imi personal që edhe nëse vlen për opinionin mbaron pikërisht sapo Kraja dhe të 7-të të tjerët futen në zyrën e punës së tyre. Ajo që mendoj se ia vlen është një thirrje publike që unë ia drejtoj zotit Kraja.
Zoti Kraja, sot ju jeni përballë një megasprove. Si askush tjetër, sot ju keni në dorë fatet e një perceptimi publik që lidhet me ndëshkueshmërinë ose jo të atyre që e kanë bërë pis këtë vend. Pikërisht për këtë arsye, për nga rëndësia, sot në Shqipëri ju vleni më shumë se presidenti, se kryeministri dhe se i gjithë parlamenti të marrë së bashku. Fiks fare, ju sot keni ne dorë fatin e Shqipërisë.
Ju lutem zoti Kraja, bëjeni këtë vend. Jepni drejtësi. Vendosni para drejtësië ata politikanë dhe zyrtarë që e shkatëruan këtë vend që e bënë pothuajse të pabanueshëm. Vendosni prapa hekurave ata maskarenj që e vodhën non stop këtë vend për 30 vjet me radhë. Ata që ia pinë gjakun këtij vendi dhe e lanë të varfër. Më të varfrin në kontinent, po në atë vend ku ishim në 1990 kur kërkuam barazi me Evropën. Bëjeni këtë zoti Kraja, për vete, për familjen tuaj dhe për të gjitha familjet shqiptare. Për ata që në këto 30 vjet e braktisën Shqipërinë dhe pasi hodhën një gur pas e quajtën një vend që nuk bëhet. Bëjeni këtë zoti Kraja. Bëjeni që ky popull të shikojë se hajduti ndëshkohet. Bëjeni jo duke parë nëse hajduti është i majtë apo i djathtë, socialist apo democrat. Bëjeni në radhë të parë ndaj qeveritarëve sepse vetëm kështu do ketë vlerë. Bëjeni zoti Kraja që ky popull të shikojë se ai që është bërë milioner pa djersë ka fund vetëm burgun. Bëjeni Zoti Kraja që me anën e drejtësisë ky popull të fitojë shpresën e humbur! Bëjeni se do merrni bekimin e një populli të tërë.Të një populli që ka besuar shumë në këto 30 vjet por që është zhgënjyer dhe tani sytë dhe veshët i kanë nga ju? Mos e dhëntë zoti dhe zhgënjehemi edhe nga ju. Kjo do të ishte fatale. Jo personalisht për ju, por për këtë popull. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por Shqipëria është një. Dhe Shqipëria kërkon drejtësi zoti Kraja. Ju personalisht dhe shtatë kolegët e tjerë jeni shansi i fundit i Shqipërisë.

“Anti-shpifja”, koha për t’u kujtuar: kur Fatos Mahmutaj i 21 Janarit braktisej nga kolegët

Shumë media të Tiranës raportuan se kryedemokrati Basha kërkoi ndjesë për sjelljen ndaj medias kur PD qe në pushtet, por pa e specifikuar se për ç’farë konkretisht, për cilat zhvillime apo episode.

Eshtë kjo në vazhdën e kërkim-ndjesës së Bashës si një prej regjistrave të komunikimit publik me synim rehabilitimin për një riardhje të mundshme në pushtet, por që nuk thotë se për çfarë konkretisht.

Në rastin e raporteve me median, as kërkuesi iu ndjesës, Armand Shkullaku, nuk tha se për çfarë duhet ta bënte Basha këtë.

“Edhe ju kur keni qenë në pushtet, kishit media që i shtrëngonit, media që i donit, keni bërë lloj lloj budallalliqe, madje keni ngritur dhe komisione hetimore. Do të ishte mirë që ky takim të niste me një meaculpa për atë që ka bërë PD kur ishte në pushtet”, tha Shkullaku. Po se për çfarë budallalliqesh, këtë nuk e thotë.

Kjo nuk është gazetari! Siç nuk është dhe ajo më sipër politikë!

Dhe po kujtojmë konkretisht vuajtjet e medias nën Berishën, vetëm disa episode, e ku njëra ka të bëjë dhe më jetën e rrezikuar të një gazetari, cili pikëbashkohet dhe me atë që ka bërë Agron Tufa këto ditë, sigurisht pa e patur vëmendjen që ka sot ky i fundit, madje as të familjes së vet, medias. Ky është Fatos Mahmutaj.

Por le t’i marrim më radhë. Berisha e nisi sulmin ndaj medias me ardhjen në pushtet, duke iu kundërvënë fuqishëm Top Medias. Në fillim një gjobë 13 milion euro ndaj Digitalb-it, e më pas një strategji për nxjerrjen nga Piramida, duke tentuar ta dobësojë financiarisht.

Më pas vjen Gërdeci, ku për shkak të tij do e quante New York Times-in një letër higjenike.

Pas Gërdecit do vinte 21 Janari dhe këtu është rasti për t’u ndalur fort. Prej plumbave të gardës, që padyshim ishin prej shkrepjesh me urdhër politik, e vërtetuar tashmë mediatikisht kjo, për pak sa viktimë e pestë nuk qe gazetari Fatos Mahmutaj. Dhe jo vetëm kaq. Ky i fundit, i ndjerë i pambrojtur, deri dhe i tradhëtuar nga eprorë e kolegë në televizonin ku punonte, zgjodhi të ikte fshehurazi nga Shqipëria, në një udhëtim aventuresk siç e ka shpjeguar dhe vetë, për të kërkuar më pas azil në Belgjikë. Dhe nuk ishte realiteti i sotëm i ikjeve, gjë që kompromenton rëndë ndonjë kërkesë për azil politik. Por askush në media nuk u ngrit për Fatos Mahmutajn, askush nuk vuri alarmin, askush nga ata që sot vënë kujën për ligjin “anti-shpifje”, nuk ka shkruar asnjë rresht për plumbin që për pak i morri jetën Fatos Mahumtajt, e për ikjen e tij nën kërcënimin e mbylljes së gojës.

Eshtë ky rast, i cili tregon më së miri për dispropocionalietin mes qëndrimeve kritike ndaj Berishës dje e Ramës sot. Ky i fundit, meriton jo të kritikohet por dhe të kamzhikohet për shumë të pabëra në qeverisje, por një amoralitet mediatik e lë akoma superior përballë masës së armiqve mediatikë.

Eshtë këtu rasti për të kujtuar atë çfarë dyshja Shkullaku – Bushati, arrogantët e kahjes jetër të peshores, bëri me Muhamet Veliun e TCH, duke i diktuar se çfarë duhej të raportonte, e shpifur ndaj tij se ish diktuar të raportonte ashtu siç atyre nuk u pëlqente.

Pas rastit Mahmutaj, do vinin djegja e makinës së Mero Bazes para shtëpisë së tij, e më pas mbyllja e Temës, shto këtu dhe mbylljen e një emision investigues në Vizion Plus. Por rasti i Fatos Muhmutajt përmbledh shumëçka, jo nga mëkatet e djeshme të PD-së në qeverisje, por më shumë të medias, të asaj pjese që sot çirret për diktaturën e Ramës.

Eshtë koha për të riparë moralin e saj, para se t’i kërkojë moral politikës! /tesheshi.com/

Komunistët e Ylljet Aliçkës

Nga Roland Qafoku

Ka goditur sërish me iron inë e tij therëse Ylljet Aliçka. Metamoforza e tij për Tiranën në stilin “alla Franc Kafka”, ka sjellë figurën transformuese të një poeti-shkrimtar, që nga “një komunist i lidhur ngushtë me partinë”, konvertohet në “demokrat i orëve të para”. Nga “shkrimtar i indoktrionuar deri në palcë” në “shkrimtar që ecën me hapin e kohës si disident”. Ndonëse kjo disidencë shumë e vonuar. Madje, aq e vonuar, saqë kundërshtimin e tij e bëri kur sistemi kishte kohë që ishte rrëzuar. Shndërrimi më i madh ndodh kur personazhi kryesor, nga një idhull i Enver Hoxhës, shndërrohet në një kritikues e më pas akuzator, duke e cilësuar diktator.

Kush nuk i ka njohur komunistët, kush nuk ka njohur komunizmin dhe kush ka interes të dijë sesi funksiononte regjimi komunist në Shqipëri, i mjafton të lexojë romanin e fundit të Ylljet Aliçkës, “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Është një pikëvështrim therës nëpërmjet historisë së një poetishkrimtar.

Me transformimin total që i ndodh Beniamin Bendos të Aliçkës, na kujton të njëjtin proces si personazhi Gregor Zamza te “Metamorfoza” i Kafkës. Ndonëse hebreu e shkroi në 1915, shqiptari Aliçka ka sjellë pas 104 vjetësh një paralele aq të ngjashme. Një roman që mund ta merrni edhe si një epikrizë të transformimit të njeriut shqiptar që mjeshtri ynë thjesht e titullon “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Onufri, roman.

Nëpërmjet Beniamin Bendos, thjesht Aliçka ka arritur mjeshtërisht të portretizojë një poet të Tiranës komuniste në atë formë që ty të lë hapësirë që kur e mbaron së lexuari mund të shprehesh si të duash: Të gëzohesh ose të hidhërohesh, të qeshësh ose të qash. Romani dhe vetë Aliçka nuk është humoristik. Kryekëput ky novelist tashmë ka një armë të fortë të përhershme dhe dalluese, ironinë dhe sarkazmën. I ka në atë cilësi që bën epikrizën e një fenomeni. Nëse nuk ia kuptoni, keni dy rrugë: Ose lejoheni edhe një herë librin, ose po vërtetoni se me librat nuk ju lidh gjë.

Si pikëvështrim i tij ishte se si jetonte një shkrimtar në komunizëm dhe si përjetoi ai rrëzimin e atij sistemi. Një shkrimtar që dikur mbushte libraritë e komunizmit me libra dogmatikë, bajatë dhe befas pas rrëzimit të komunizmit papunësinë e zëvendësoi me të punësuarin si shkrues nekrologjish, epitafesh, pra, mënyrën sesi një familje respektonte të vdekurin e familjes. Dhe ironikisht autori shkruan “Nuk mbetej kurrë pa punë”.

Beniamin Bendo ishte shkrimtari komunist që e kishte zënë Tiranën nga gryka. Ai hidhej aty ku ishte rreziku. Kishte të drejtë të botonte libra. Ishte komunist dhe të bënte gjëmën. Pikë muhabeti, kishte një fytyrë të denjë për mendime të liga. Se sa mori më qafë ai, Ylljet Aliçka e jep aq mjeshtërisht të lidhur me familjen e tij të denjë për të spiunuar. Por në rrjetën e Aliçkës ka rënë preh pothuajse e gjithë familja e poetit shkrimtar. Pjesë e tij është edhe i vëllai, Bejdo Bendo, oficer i Sigurimit, të cilin Enver Hoxha e përfshiu si pjesë e grupit tradhtar.

antiparti. Dhe duket se kulmi i dytë i romanit është se përpara togës së pushkatimit, sigurimsi Bejdo shfaqi të vetmen dëshirë të fundit, të vdiste me portretin e Enver Hoxhës në gji. Aq qesharake dhe dramatike, kjo dëshirë është simbolika e asaj për mënyrën sesi vdisnin shumica e armiqve përpara vdekjes. Një tjetër “armik i partisë dhe i popullit”, përpara togës së pushkatimit thirri: O Enver, marrsh nga ditët e mia. Pra, Enveri e pushkatoi pa asnjë arsye, ai vdiste me emrin e Enverit në gojë. Përgjigjes së padhënë deri më sot për arsyet e kësaj sjelljeje idiote para vdekjes, Aliçka me shumë mjeshtëri e jep këtë me një mijë e një rrethana. Më kryesorja është: Indoktrinimi qesharak i njeriut të asaj kohe. Ekstremizmi i këtij indoktrinimi është një letër që poeti Beniamin i dërgon diktatorit për një gabim të rëndë, që ai kishte bërë kur kishte qenë në një udhëtim jashtë shtetit. Teksa ecte në rrugë, një fëmijë i kishte drejtuar një pistoletë lodër dhe ky, ky komunisti trim i orëve të para, ishte trembur shumë, po shumë fare ama. “Shoku Enver, unë nuk jam i denjë për komunizmin, më dënoni”, shkruante në letër poeti. Pasazh më qesharak, ironik, dhe më me sarkazëm therëse nuk ka më. Teksa lexoja romanin, uroja që në fëmijërinë apo adoleshencën time të mos e kisha lexuar ndonjëherë këtë poeto-shkrimtar budalla. Por ç’rëndësi kishte kjo: Shumë krijues në atë kohë kështu ishin dhe unë duhet të ndihem i dorëzuar.

Megjithatë, indoktrinimi krijues i poeto-shkrimtarit vazhdon: Dhe Aliçka na sjell poezinë e poetit Beniamin Bendos ditën që vdiq diktatori.

Përmbi retë stepet dielli
Erret toka, nxihet qielli
Po qajnë sot guri dhe druri
Dridhet mali, tretet burri

Është të klithësh, të ulërasësh, të çirresh, por edhe të gajasesh njëkohësisht. O Zot! Si ka mundësi që ky popull ka nxjerrë të tillë speciesh? Si ka mundësi?

Por, prisni. Nuk ka mbaruar këtu kulmi i poetit komunist të Aliçkës. Ai guxon t’i bëjë vërejtje Enver Hoxhës. Atë që nuk ia kishin bërë askush në të gjallë. Beniamini po ia bënte në të vdekur:

Një herë gabove o Enver
Gabove për be.
U largove, e jetim na le
Vdiqe i heshtur e askujt nuk i the
Po pse? Po pse? Po pse?

Këtu është kulmi i krijimtarisë së poetit komunist. Por shpejt ndodhi metamorfoza. Ky tip i pështirë, papritur konvertohet në një disident. Ky jargavec pushteti dhe komunist budalla konvertohet në demokrat i orëve të para. Në fillim bën vërejtje për ndalimin e fesë. Pastaj për ndalimin e fshatarit për të mbajtur pula dhe lopë dhe pastaj akoma për “teprimin disi të luftës së klasave”. Dhe justifikimi për të ishte i ligjshëm me arsyetimin lapidar se “ashtu ishte koha”. Kjo ishte e gjithë metamorfoza e Beniamin Bendos. Më saktë fare, ky ishte komunisti i Tiranës komuniste, të përshkruar aq mjeshtërisht nga Aliçka. Duke na sjellë një model të vetin se çfarë ishin komunistët, se çfarë bënin ata, si jetonin, si krijonin, si silleshin dhe se si e shkatërruan këtë shoqëri nga themelet. Aq ngushtë e ka sjellë Aliçka figurën dhe portretizimin e komunistit saqë mund të themi se këta janë komunistët e Ylljet Aliçkës që nuk mund t’ia kopjojë dhe as marrë dikush.

Vite më parë, unë e kisha lajmëruar në një shkrim për romanin e tij që aq shumë e kam përzemër, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”: Mjerë kujt ia ka radhën Ylljeti. Aq sa unë mund të them se për 35 vjet në komunizëm Ylljet Aliçka jetoi dhe grumbulloi material dhe pas rrëzimit të tij, për 35 vjet vijon të krijojë lëndë letrare nga ai grumbullim, një lëndë që do t’i rezistojë mjaft kohës. Mjerë akoma kush do ta ketë radhën.

* Shkrimi është botuar tek gazeta “Panorama”

Firence tronditet nga një tërmet i fortë

Një tërmet me magnitudë 4.5 të shkallës rihter ka goditur qytetin Metropolitan të Firence. Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë mes Scarperia dhe San Piero, në Mullego.

Tërmeti ka rënë në orën 04: 37 të mëngjesit, ndërsa banorët janë panikuar duke dalë nga shtëpitë.

Dëmet kanë qenë vetëm materiale dhe jo në njerëz.

Gëzim Kruja feston 80 vjetorin, i braktisur dhe i sëmurë, Zef Deda i bën surprizë

Të gjithë e harruan “Mjeshtrin e Madh” Gëzim Kruja, në këtë 80 vjetor të ditëlindjes së tij, por nuk e ka harruar vetëm një njeri, Zef Deda.

Gazetari Senad Nikshiqi nga Shkodra, ka kontaktuar Zef Dedën dhe kanë vendosur së bashku të shkojnë ti bëjnë vizitë surprizë humoristit shkodran Gëzim Kruja.

Gëzim Kruja duket I habitur kur sheh në derën e shtëpisë aktorin Zef Deda.

“Po ku je o Gzim Kruja….Ja ky është aktori I madh. Dëgjo, mos harro se ne kolegët e tu, të duam dhe të respektojmë” I thotë Zef Deda.

Në këtë 80 vjetor, mjeshtëri I madh, Gëzim Kruja po kalon momente të vështira shëndetësore dhe e ka të pamundur të flasë.

“Gëzimin e kujtojnë të gjithë, sidomos kur janë fjetë. Po ka edhe nga ata që janë zgjut e thonë hë se po shkoj sot, e hë se po shkoj nesër…Ca deshe me thanë? Ah, po ka të drejtë, ka të drejtë…nuk ka ardh kush me e kujtu. Vetëm këta të familjes, edhe njady të tjerë bashkë me televizionin” bën humor Zef Deda duke nxjerrë shaminë e duke fshirë lotët.

Gëzim Kruja, humoristi shkodran ka lindur në 4 dhjetor 1939. Një jetë në skenën shkodrane të humorit, ka spikatur me rolet e tij.

Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.

Rama: Të blihen apartamentet stok

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për të gjithë ata që kanë apartamente stok, që të ulin çmimet, pasi nuk është momenti për të fituar.

Rama tha se po përgatitet një thirrje ndaj tyre, me të cilët do të procedohet sipas rregullave, pasi nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave.

“Është e rëndësishme të bëjmë një thirrje për të gjithë ata që kanë stok. Por shitësit duhet të dinë se nuk është rasti të shitet me çmim të lartë pasi nuk është rasti të blejmë për të fituar. Në momentin që flasim kemi 103 grupe inspektimi në terren dhe një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të huaj. Janë shembur 33 objekte dhe 5 janë në proces. 105 objekte janë të futura në zonën e rrezikut. Këtu duhen angazhuar forca policie për të prishur këto banesa pasi nuk mund ta zgjasim këtë histori. Durrësi është pak më problem mesa kuptpoj per shkak te mungeses se apartamenteve. Po përgatitet edhe thirrja për blerjen e aparamenteve, çështje e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku që do të bëjmë një thirrje për ata që kanë apartamente stok, por me një çmim të ulët. Të gjithë ata që disponojne stok duhet ta dinë që nuk është rasti për pazar dhe nëse do marrim çmimin në tavan të ulët që do të përcaktojmë sipas analizave te tregut do të procedojnë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”, tha Rama.

Taulant Kopliku nderohet me çmimin “Gazetar i Vitit”

Taulant Kopliku eshte shpalluar Gazeti i Vitit, ne ceremonine e ndarjes se cmimeve per gazetaret nga Unioni i Gazetareve te Shqiperise.

Ai është gazetari që së bashku me kolegët e Le Iene treguan historinë e Alvin Berisha vogëlushit që më në fund u kthye në familjen e tij.

Çmimin “Gazetari i Vitit” iu nda gazetarit Taulant Kopliku, i cili kishte raportuar për fëmijët shqiptarë që ndodhen në kampet në Siri.

“Ky çmim ndoshta do të ishte dashur të ndahet treshe nëse të dy kolegët e mi të ishin shqiptarë, pasi mendoj që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për sjelljen e Alvinit në shtëpi. Nuk është vetëm një reportazh për jetën e fëmijëve shqiptarë atje, por me këmbëngulje arritëm të bindim autoritetet se ai fëmijë duhej marrë nga ai kamp. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të bëjë një thirrje që duhet të rikthehet vëmendja tek më shumë se 30 fëmijët që ndodhen në atë kamp për të bërë të mundur kthimin e tyre sa më shpejtë në shtëpitë e tyre”, tha ai.
Ndarja e çmimeve “Vangjush Gambeta 2019” është bërë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, me mbështetje të JTI.

Çmimi “ Vangjush Gambeta” për gazetarinë audio vizuale në Shqipëri i’u dha Donald Jorgonit gazetarit të ekonomisë në Top Channel për reportazhin mbi Valbonën. Ndërsa për mediat e shkruara në Kosovë, gazetares së Koha Ditore Saranda Ramaj, për Shqipëri Ledina Loga dhe për Maqedoninë e Veriut Vedat Memedaliu.

Kurse, me çmimin “ Karriera” ka nderuar redaktoren shumëvjeçare të Radio DË, Adelheid Feilce dhe gazetaren e Zërit të Amerikës Laura Konda.
Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksander Çipa, tha se përmes kësaj ngjarje bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve të ekonomisë, të cilët ballafaqojnë pikëpamjet e tyre dhe sfidat që përjetojnë pavarësisht njësisë administrative ku jetojnë.

Ndarjes së çmimeve i ka parapri konferenca tematike “Ilegaliteti dhe legaliteti” ku pjesëmarrësit kanë theksuar se ekonomia gri është armiku kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kanë nënvizuar nevojën e realizimit të ligjeve dhe strategjive qeveritare në luftim të ekonomisë ilegale.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se organizimi i ngjarjeve të tilla i kontribuon nevojës për trajtimin e ekonomisë jo formale dhe të vlerësohet puna e palodhshme e gazetarëve, që sipas tij duke e trajtuar problemin influencojnë që shumë çështje të marrin trajtimin e duhur nga ana e institucioneve.