Ndërkaq, nga Tirana, Berisha i ka dhënë përgjigje negative të gjitha çështjeve për të cilat Fyle do të kërkojë nesër konsensus politik. “Dua t’i informoj shqiptarët se, kushtin e tre ligjeve e kam konsideruar një kurth të Stefan Fules, Komisionar i Zgjerimit, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në procesin e integrimit”, kështu shprehet Berisha. Ai është kujdesur të flasë mirë për euroskeptikët. “J. Swoboda erdhi në Shqipëri muajin e kaluar për të përsëritur sulmet bajate të dyshes Rama-Meta ndaj Mbretërisë së Holandës, paçka se statusin e refuzuan edhe qeveritë socialiste të Francës dhe Danimarkës”, shkruan Berisha.
“Komisionari Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Kështu, gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbisë, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se “për mua nuk është problem Hashim Thaçi, por Sali Berisha”, Stefan Fule i lejoi vetes të lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Berishës”. Më tej ai e akuzon Fylen se është i lidhur ngushtë me CEZ-in dhe në konflikt të hapur interesi. “Deklaroi se kjo ngjarje, (largimi i CEZ-it), dëshmon për klimën jo të mirë të biznesit në Shqipëri”, shkruan Berisha.