Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu, nga opozita kthimin, sa më shpejtë, të anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai theksoi, se garanton shqiptarët se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare. Ai deklaroi për opozitën se ajo ka firmosur të dyzetat e Rilindjes. Ndërsa për liderin opozitar Rama deklaroi se, është qesharak dhe fantazmagorik.
“Ka rreshtuar dyzet emra, njëlloj si për të respektuar traditën e të dyzetave. Pasi braktisi, në traditën e tij të bojkotit dhe të bllokimit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga të katër anët gjeti vetëm një mesazh zyrtar nga qeveri dhe institucione ndërkombëtare: plotëso vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai kurrë nuk mund të rri dy muaj pa i shkaktuar një humbje vetes së tij. Po të studioni ecurinë e tij, trajektoren e tij, ai ka për borxh të krijojë dhe të nisë çdo dy muaj beteja që janë të humbura që në fillim për të. Ndaj dhe i them: kthe sa më shpejt anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve,”- ka deklaruar Berisha.
Kryeministri, përfundoi fjalën e tij duke i garantuar shqiptarët, se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare. Ai ka ftuar sërish OSBE/ODIHR-in të sjellë numrin më të madh të vëzhguesve, për të faktuar përpara botës absurditetin e individëve, që kërkojnë të demonizojnë zgjedhjet e shqiptarëve, që sipas tij e kanë tashmë të konsoliduar kulturën demokratike të votës, të votimit, të respektit për mendimin ndryshe, të respektit votën ndryshe.