Berisha: Mandati i tretë rritje rrogash dhe pensionesh

59

BERISHA RRASHBULLKur kanë mbetur dhe 6 ditë nga dita e zgjedhjeve, Partia Demokratike ka përmbyllur mbrëmjen e sotme fushatën elektorale në qarkun Fierit. Kryeministri Berisha në fjalën e tij është treguar konciz në shpalosjen e platformës së partisë dhe koalicionit që drejton, duke e vënë theksin kryesisht tek punësimi dhe rritja e pagave dhe pensioneve.

“Le të ecim përpara për një mandat të tretë me të cilin synojmë rritjen e mirëqënies. Jam këtu për tu zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm në Shqipëri rroga minimale do rritet në 350 dollarë. Rroga e mësuesit dhe rroga mesatare do arrijë në 700 dollarë. Jam sot për të garantuar cdo të ri fierak dhe cdo të ri të Shqipërisë se dyert e universiteteve do vazhdojnë të jenë të hapura për të bërë realitet ëndrrën universitare, pranë cdo shkolle të mesme do hapen degë profesionale sikundër do hapen shkolla profesionale në mbarë vendin. Katër vitet që vinë cdo njeri prej jush që do punësohet, qeveria do paguajë cdo lloj detyrimi fiskal për ju tre vjet, do mundësojë kualifikimin tuaj falas në cdo sipërmarrje. Për të gjithë të rinjtë me profesion do garancojë mikrokredi të buta për tu vetëpunësuar. Katër vitet që vinë me dyfishimin e turizmit, uljen e taksave, projektet e mëdha, mbështetjen e fermave dhe teknologjisë së informacionit në Shqipëri do krijohen 250 000 vende pune. Ftoj pensionistët e Fierit të bashkohen me ne, pasi i garantoj se katër vitet që vinë nuk do ketë pension nën 150 dollarë. Qeveria do marrë përsipër 100% të gjitha shërbimet shëndetësore dhe ilacet e pensionistëve, do subvencionojë transportin urban dhe interurban, do përballoj me buxhetin e saj 90% të shpenzimeve në shtëpinë e kujdesit të të moshuarve” deklaroi Berisha.