Arvizu: Mungon një administratë civile efikase

57

arvizuAmbasadori i SHBA-së në Tiranë është shprehur sot se pritet që zgjedhjet dhe rezultatet  e dala prej tyre të përmbushin standartet e një vendi aspirant të bëhet anëtar i BE-së siç është Shqipëria.

Duke iu përgjigjur pyetjes në Facebook nëse do të ndodhë rrotacioni, ambasadori Arvizu është shprehut se për këtë do të vendosin shqiptarët.

“Presim që procesi zgjedhor, vetë votimi, nxjerrja e rezultateve të jetë konseguent me standardet e një vendi anëtar të NATO-s, gjithashtu të një vendi që aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së. Nëse vota është e lirë dhe e drejtë, siç duhet të jetë, atëherë votuesit do të jenë ata që do të vendosin nëse dhe kur duhet të ndodhë rotacioni” është shprehur Arvizu.

I pyetur se cili do të jetë reagimi i SHBA-së nëse zgjedhjet paraqiten me probleme, ambasadori Arvizu kërkoi ngapalët të respektojnë rregullat e lojës

“Ne do të konsultohemi ngushtësisht me ODIHR-in dhe të tjerë mbi procesin zgjedhor, ndërsa ky zhvillohet. U përket të gjithë lojtarëve politikë të respektojnë rregullat e lojës. Përsa i takon marrëdhënieve mes Sh.B.A.-se dhe Shqipërisë, pres që ato të vazhdojnë të jenë të afërta dhe miqësore, sikurse kanë qenë gjatë 22 viteve të fundit” u shpreh Arvizu.

I pyetur se a duhet të harxhohet kohë për të votuar, ambasadori Arvizu është përgjigjur se: “Absolutisht po. Disa njerëz kanë sugjeruar se të gjithë politikanët janë njësoj, pse duhet të zgjedh unë njërin apo tjetrin? Në një demokraci, është detyrimi i qytetarëve të shprehin preferencat e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë për të insistuar për llogaridhënie nga udhëheqësit tuaj të zgjedhur”.

I pyetur nëse mund të përsëritet sërish i njëjti skenar që ndodhi në Tiranë në zgjedhjet vendore të 2011-ës, ambasadori është përgjigjur: Është viti 2013. Shqiptarët sot meritojnë të kenë zgjedhje të cilat përputhen me standartet ndërkombëtare. Sa më shumë këto zgjedhje të arrijnë këto standarte, aq më pak shanse ka që rezultatet do të jenë të diskutueshme. Unë mendoj se njerëzit do ta dinë ashtu siç do ta dijë edhe komuniteti ndërkombëtar”.

Ambasadori është pyetur edhe në lidhje me përdorimin e administratës për fushata elektorale si dhe shqetësimin e një studenti se po u kërkohet të plotësojnë një formular ku deklarojnë se do të votojnë PD-në për të cilat ka theksuar:

“Një nga sfidat e shumta me të cilat përballet Shqipëria është mungesa e një administrate civile efikase.  Qeveria, qoftë lokale apo qëndrore, nuk duhet të jetë një agjensi punësimi. Fatkeqësisht, në Shqipëri, kjo ndodh shpesh. Ndërsa përsa i përket votës suaj: ju duhet të votoni ndërgjegjen tuaj dhe po kështu duhet të bëjnë dhe familjarët tuaj”.