Sipas ekspertëve të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore disa tipare të sektorit bankar shqiptar e rrisin dobësinë e tij kundrejt goditjeve. “Bankat zotërojnë sasi të mëdha të bondeve të emetuara nga qeveria, gjë e cila i ekspozon ndaj humbjeve të konsiderueshme, në rast të rivlerësimit të çmimit të borxhit. Bilancet – thuhet në raport – janë përkeqësuar për shkak të rritjes së shpejtë të kredive të këqija dhe rënia e fortë e përfitueshmërisë lë pak vend për t’u përballur me goditjet”.
Edhe orientimi i fortë ndaj euros konsiderohet një burim tjetër dobësie, ndërkohë që vlerësohet se, “rreziku sistemik është rritur së fundmi edhe me krijimin e fondeve të investimit. Ndërsa këto fonde kanë ndihmuar në diversifikimin e blerësve të bondeve qeveritare, ato nuk janë të monitoruar dhe rregulluar ashtu siç duhet”, vlerësohet në raport, ku propozohen dhe një sërë rekomandimesh të cilat duhet të mbahen parasysh nga autoritetet financiare shqiptare.