Këto deklarata, Basha i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku dhe i përgëzoi kolegët e tij për qëndrimin që ata mbajtën në parlament mbi “Aktin Normativ”.
Në lidhje me miratimin e buxhetit, Basha tha: “Falë qëndrimeve të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, shqiptarët kuptuan mirë se qeveria e tyre vendosi të merrte borxh me një dorë, çfarë planifikoi të humbte nga mbledhja e taksave me dorën tjetër. Qeveria vendosi kështu t’i fuste dyfish në debit financat e shtetit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, askund. Asnjë kryeministër në histori nuk ka guxuar ta bëjë këtë”.
Më tej kreu i PD-së shtoi: “Ky është në thelb një krim ekonomik i kryer me gjakftohtësi dhe, më keq akoma, i votuar me verbëri në tempullin e ligjit. Është hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve. Është hera e parë që një qeveri planifikon një dështim të këtij lloji dhe të këtyre përmasave. Kjo është rruga e rrokullisjes drejt recesionit, drejt krizës “Rama”.
Në lidhje me samitin e Partive Popullore që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, Basha u shpreh se kryetarët e partive simotra evropiane dhe drejtuesit më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, i shprehën gadishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.