AntiKitera, zbulimi i Arkeologjisë moderne

75
Mekanizmi i riprodhuar 2007
Mekanizmi i riprodhuar 2007

Në anën perëndimore të detit Egje, midis ishujve të Kretës dhe Kiteras, ndodhet ajo që quhet AntiKitera. Në brigjet e këtij ishulli në vitin 1900, nga një zhytës u gjet një anije antike e mbytur dhe e ngarkuar me amfora, statuja dhe objekte të tjera. Midis objekteve të tjera ishte diçka që mund të quhet si gjetja më madhështore e arkeologjisë moderne.

Jo vetëm pasuri në vlerë, arkeologjike dhe monetare, por një objekt prej bronzi kishte një strukturë dhe sofistikim të pabesueshëm për kohën. Mbasi u tha dhe u pastrua si objekt u dalluan qartë katër pjesë të ndara dhe me ingranazhe dhe disa shkrime, që dukeshin qartë. Sa me shumë pastrohej, aq më qartë dilte pamja dhe përmbajtja e objektit. Studiuesit nxorën si përfundim, që ishte një mjet lundrimi, një lloj astrolabi i përdorur për të llogaritur largësinë e diellit dhe të trupave të tjerë qiellorë. Ky identifikim ishte shume joshës duke konsideruar faktin, që ishte objekti i parë i gjetur për periudhën helenike.

Spekulimet për këtë artifakt vazhduan disa vjet deri kur në vitin 1951 Profesor Derek de Solla Price i Universitetit të Yale filloi studimin e mekanizmit të AntiKiteras. Për të rikrijuar objektin, ai dhe kolegët e tij përdorën rreze X dhe Gama që të arrinin të shikonin pjesën e brendshme. Mbas shume llogaritjesh, analizash dhe provash ata dolën në një konkluzion mahnitës: Objekti i gjetur ne AntiKitera nuk ishte gjë tjetër veçse një kompjuter analog 2000 vjeçar.

I mrekulluar nga zbulimi i De Sollas, fizikanti Allan Bromley, një profesor në Universitetin e Sidneit, kërkoi ndihmën e orëbërësit të famshëm Frank Percival që, të ndërtonin një replikë të saktë të mekanizmit. Duke përdorur të njëjtën teknikë që ka qenë në përdorim në kohën e grekëve të lashtë në vitin 1987, ata ja arritën të ndërtonin të njëjtin mekanizëm që përforcoi zbulimin e De Sollas. Pra 2000 vjet përpara grekët e lashtë ishin në gjendje të ndërtonin aparatura për të llogaritur distanca apo matur largësinë planetare. Akoma është mister i madh prodhimi i këtij objekti dhe se kush e ka bërë, por kjo tregon edhe njëherë që Greqia e lashtë përveç skllevërve, luftërave, filozofëve dhe artistëve, kishte dhe mendje të ndritura në gjendje të ndërtonin aparatura të tilla që edhe sot të habisin për nga saktësia dhe komplikimi funksional.

Në foton më poshtë jane mbetje arkeologjike të mekanizmit:

Mbetjet arkeologjike te mekanizmit