Sipas Kryeministrit, taksat do të ulen për mbi 95 për qind e atyre personave që kontribuojnë në buxhetin e shtetit.
“Një frikë nga një apokalips që na pret se, nafta do shkojë në stratosferë, do rriten çmimet e bukës, dhe në fund fare do bëhet i papërballueshëm çmimi i jetesës dhe Shqipëria do bjerë në humnerë. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar pamjet e publikut për një sërë ndryshimesh rrënjësore, në kulturën e qeverisjes, në qasjen ndaj qeverise dhe ekonomisë dhe financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare, në kurajën e qeverisë, për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, në papunësi, në varfëri, e vërteta është tërësisht ndryshe. E vërteta është se ne, në respekt të plotë të mandatit që kemi marrë të 1 milionë shqiptarëve, në respekt të vlerave dhe parimeve që mëshirojnë forcat e aleancës qeverisëse, kemi marrë përsipër ti japim fund një tradite gënjeshtrash të ëmbla për popullin dhe të formulojmë një kulturë të re për popullin, qytetarët, për çdo njeri që kontribuon me taksat e veta në buxhetin e këtij populli, duke parapëlqyer ilaçin sado të hidhur të të vërtetës përkundër mjaltit të gënjeshtrës”, u shpreh Rama