Anna Cenerini Bova, shqiptarja e “syrit blu” në Itali

74

anila husha “Occhio Blu-Anna Cenerini Bova”, është një shoqatë italo-shqiptare, e cila kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat, siç edhe dihet, janë të lashta sa edhe dy vendet tona.

Nëse do të bënim një vëzhgim historik, në frontet perandorake dhe papale janë ulur figura me origjinë ilire si Papa Clemente XI, Francesco Crispi etj. Bashkëpunimi vazhdon më tej, gjatë mesjetës së hershme ndërmjet Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Alfonsit të V-të të Napolit. Në ngjarjet në vazhdim mijëra arbëresh, pas vdekjes së Skënderbeut, gjetën strehë e mikpritje në tokën italiane.

Këto marrëdhënie janë forcuar çdo ditë e më shumë, duke njohur një lidhje reciproke midis dy vendeve.

Shoqata “Syri Kaltër-Anna Cenerini Bova”, website zyrtare e së cilës është: www.occhiobluannacenerinibova.com, u formua në vitin 2000 nga Anna Cenerini Bova, ndërsa president i shoqatës është Mario Bova, dikur ambasador i Italisë në Shqipëri, i cili vazhdon të jetë mik i shqiptarëve.

Emri i organizatës është marrë nga Syri Kaltër, një burim i thellë dhe i kaltër në jug të Shqipërisë. Sipas legjendës që shoqëron bukurinë e këtij burimi, thuhet se ai është formuar nga lotët e pendimit të një dragoi, pas masakrës së viktimave të tij. Logo e shoqatës është projektuar nga piktori i mirënjohur shqiptar Klement Zoraqi, i cili ka pikturuar vetë syrin e dragoit.

Një nga konferencat më të fundit të organizuara nga “Occhio Blu” është “Gli immigrati albanesi della collaborazione italo-albanese” ku të ftuar ishin personalitete shqiptare dhe italiane si: Keti Biçoku, Franco Pittau, Giuseppe Bea, Klaudia Bumçi, Shqiponja Dosti, Mario Bova, Ledia Hysi, Donika Hoxha etj, si dhe Anila Hushi, zëvendëspresidente e organizatës dhe eksperte për emigracionin në Ministrinë Italiane të Punës dhe të Çështjeve Sociale, e cila pasqyroi kuadrin e përgjithshëm të emigracionit të komunitetit shqiptar në Itali. Pas konferencës, Hushi dha një prononcim të shkurtër për Albaniaplus.

Mund të na flisni për sfidat tuaja në Itali? Arsyeja pse u larguat nga Shqipëria para 20 viteve, kur dihet se atëherë kanë qenë të paktë njerëzit e diplomuar, sidomos në një fakultet si i juaji.

Kam ardhur në Romë në qershor 1992. Sigurisht nuk ishte e lehtë të merrja këtë vendim e të lija një vend pune për të cilin kam “sakrifikuar” rininë time. Asokohe isha pedagoge në Fakultetin ekonomik, mundësi për specializime jashtë shtetit kishim shumë, por pikërisht si ekonomiste që isha arrita të kuptoj se sa e vështirë do të ishte e ardhmja ekonomike e Shqipërisë. Para se të nisesha inflacioni ishte rritur 30 herë; ndërkohë im shoq ishte duke bërë një specializim në Romë dhe kthimi për të u bë gati i pakuptimtë, meqë ndërmarrja ku punonte u mbyll. Së fundi edhe arsye shëndetësore me shtynë të nisem duke e marrë dhe atë me vete, si për ta kuruar dhe për t’i siguruar një të ardhme me të mirë. Pra më duhej të zgjidhja midis karrierës time profesionale dhe familjes. Unë zgjodha të dytën dhe besoj se kam bërë zgjidhjen e duhur.

Mund të na tregoni për jetën tuaj familjare? Jeni njëkohësisht një grua në karrierë, por dhe një mama e shkëlqyer. Si arrini të organizoheni në një vend kaotik si Roma?

Faleminderit për komplimentin. Është e vërtetë që jam munduar gjithnjë të gjej një ekuilibër midis familjes, punës, shoqërisë e jetës sociale. Vërtet ritmet e jetës janë shumë intensive, por edukata e punës më është dhënë në familje që e vogël, ndërkohë që studimet në fushën e organizimit e të menaxhimit, më kanë dhënë metodën e duhur për të përballuar impenjimet e përditshme. Megjithatë nuk më ka munguar ndihma e bashkëshortit, Adrian Kazazi që është inxhinier në “FAO” – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë). Por edhe djemtë jemi munduar t’i bëjmë sa më të përgjegjshëm dhe aktivë në familje.

Italia është vendi i sakrificave të mëdha, por edhe i arritjeve të mëdha, sa jeni e kënaqur sot me vendimin që morët para 20 viteve për të jetuar në Romë?

Është e vërtetë që kemi bërë shumë sakrifica, nuk është e lehtë të punosh në profesionin tënd në Itali. Faktikisht punoj që prej 13 vitesh ne Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale në Romë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Imigracionit dhe mund të them se nuk mjafton të jesh profesionist i zoti, por duhet edhe shumë këmbëngulje, durim, besim në vetvete, kurajo dhe pozitivitet. Ky i fundit është një nga karakteristikat e mia. Mundohem të jem optimiste dhe t’i inkurajoj dhe të tjerët, si dhe mbështetem në anët pozitive të personave dhe të krijoj raporte konstruktive.

Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?

Familjarët, miqtë, produktet e shëndetshme, rrugicat e fëmijërisë……

Mund të na bëni një kuadër të emigracionit në Itali të viteve të fundit?

Komuniteti shqiptar është komuniteti i dytë jokomunitar në numër. Mosha mesatare e qytetarëve është 30 vjeç e gjysmë. Në Itali ndodhen 121 mijë të mitur (25 % të të gjithë komunitetit shqiptar), nga këto 59% e lejeve të qëndrimit në Itali janë për motive familjare. Për sa i përket marrjes së nënshtetësisë italiane komuniteti shqiptar zë vendin e dytë, vendin e parë e zë komuniteti maroken. Zë vendin e parë për numrin e të punësuarve: 52% janë të punësuar nga të cilët 30 mijë janë ndërmarrje individuale shqiptare. Sektorët ku janë më shumë të punësuar shqiptarët janë ndërtimi dhe industria. Më shumë se gjysma e punëtorëve shqiptarë merr të ardhura mujore prej më shumë se 1000 euro.

Pse pikërisht pjesëmarrja juaj në këtë shoqatë?

Pjesëmarrjen në shoqatë e kam ndjerë si një përgjegjësi civile ndaj komunitetit shqiptar. Secili nga ne i ka ndjerë paragjykimet aq sa emigrantet shqiptarë kishin frikë të takoheshin dhe të flisnin shqip midis tyre në ambiente publike. Secili nga ata ka arritur të integrohet në një farë mënyre në ambientet e përditshme, por mbetej paragjykimi si komunitet. Pra duhej një përgjigje kolektive dhe një shoqate italo-shqiptare ishte modeli më i përshtatshëm për bindjet e mia. Pata fatin dhe kënaqësinë të njoh dhe të punoj me miq e dashamirës të Shqipërisë, me ambasadorin Mario Bova, që sot është president i kësaj shoqate, me zonjën Anna Cenerini Bova, që e themeloi këtë shoqatë, dhe më shumë të tjerë që kanë qenë në Shqipëri për punë dhe e adhurojnë vendin tonë.

 

Ku konsiston puna juaj në organizatën “Occhio Blu-Anna Cenerini Boca”?

Jam zëvendëspresidente e shoqatës dhe kryesoj grupin e punës mbi imigracionin. Para dy muajsh zhvilluam një konferencë shumë interesante në Romë “Gli immigrati albanesi nel contesto della collaborazione italo – albanese. Riflessioni e documentazione”, në bashkëpunim me ambasadën shqiptare ne Romë, me UNAR – zyra kombëtare kundër racizmit e Presidencës së Këshillit të Ministrave në Itali dhe të Dossier Statistico Immigrazione Caritas e Migrantes. Qëllimi i konferencës ishte që nga njëra anë të vinim në dukje impaktin e emigracionit shqiptar mbi ekonominë dhe shoqërinë italiane dhe nga ana tjetër rolin e emigracionit shqiptar në Itali mbi ekonominë dhe shoqërinë e vendlindjes.

A ka bashkëpunim me shoqatat e tjera shqiptare në Itali?

Sigurisht.