Parlamenti voton paketën e integrimit

54

parlamentiPas një seance të tensionuar ku dominuan akuzat dhe kundërakuzat mes deputetëve të PS-së dhe kryeministrit Berisha, Kuvendi arriti të miratojë paketën e integrimit.

Mazhoranca dhe opozita bashkuan sot votat dhe miratuan pro ligjit të Gjykatës së Lartë, ligjit për nëpunësin civil, si edhe për reformën parlamentare.

Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës votuan me 108 vota pro dhe 1 abstenim për Gjykatën e Lartë, me 107 vota pro për ligjin e nënpunësit civil dhe me 108 vota pro dhe 1 abstenim reformën parlamentare.

Gjithashtu Kuvendi miratoi me 67 vota pro shtyrjes së amnistisë deri në dhjetor të vitit 2013.

Seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit është ndjekur nga afër edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.

Menjëherë pas miratimit të ligjeve, dy ambasadorët, ai i BE-së Ettore Sequi dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth theksuan se sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë pasi i hapet rruga reformave.

“Unë mendoj se të gjithë shqiptarët kanë të drejtën të jenë të lumtuar sot pasi ishte një hap konstruktiv që çon drejt një të ardhme më të mirë.  Ky ishte një hap konstuktiv pasi hap rrugën drejt reformave në këtë vit shumë të rëndësishëm, në këtë vit vendimtar për Shqipërinë.  Unë do të doja të përgëzoja ata që kanë hartuar këto ligje si dhe ata që i miratuan ato.  Integrimi do të thotë më shumë paqe më shumë prosperitet.  Unë besoj që ishte një ditë lehtësuese për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj të jetë një hapje të një të ardhme për Shqipërinë” tha  ambasadori Wollfarth.

“Sapo po flisja me Brukselin  për miratimin e ligjeve. Ne mirëpresim miratimin e kësaj pakete dhe kjo është prova që vërteton atë që kam thënë gjatë inagurimit të një projekti.  Unë kam thënë që shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë dhe vullnetin e mirë për të punuar në të mirë të vendit. Që do të thotë që miratimi i këtyre ligjeve është i rëndësishëm por është edhe prova që vërteton se palët mund të bashkëpunojnë me njërit tjetrin kur kjo është në të mirë të vendit. Unë mendoj që është një ditë e rëndësishme pasi është miratuar kjo paketë” theksoi ambasadori Sequi.

I pyetur se çfarë mendimi ka që tre ligjet do të hyjnë në fuqi në vjeshtë, ambasadori Sequi theksoi se “unë mendoj se parlamenti është sovran dhe sot u duk që të gjithë ishin dakort me atë që u miratua”.

I pyetur nëse duhet të përfshihej në seancën e sotme plenare edhe votimi i vendeve vakante në KQZ, ambasadori Sequi u shpreh se: “Unë mendoj se Shqipëria i ka të gjithë mundësitë dhe kapacitet që të punojë për të arritur rezultate dhe miratimi i këtyre ligjeve e vërteton këtë gjë. Por dëshiroj të përsëris një gjë që është shumë e rëndësishme.  Zgjedhjet e mira janë një test për fuksioninim e institucioneve demokratike”.