Ankthi i Zamirës

56

zamira durda

Nga Anila Basha

Jam me ty Zamira Durda në këto çaste. Të përfytyroj ulur në kolltukun në qoshe të shtëpisë së thjeshtë që ke, e ku  në mur vazhdon të shohësh ngultas fytyrën njomshtake të Edisonit tënd dhe fëmijës më të njohur për gjithë shqiptarët. Sepse vitet kalojnë, por ai për ty mbetet akoma i vogël sikurse është te kornizat e fotografitë anembanë shtëpisë.

Dhe në një monolog me veten, me mendimet që të hyjnë e të dalin në kokë, sheh Edisonin, e ndonjëherë hedh sytë nga ekrani i vogël i televizorit për të parë turmën e protestuesve poshtë dritares së kryeministrit.

Ti si nënë, më mirë se kushdo aty te ajo turmë njerëzish, e kupton më së miri frikën e tyre për atë që mund të ndodhë nesër. Por, ndërsa kalon sytë nga Edisoni i vogël te televizori mendon me vete: si nuk arritën kurrë të mblidhen kaq shumë për Edisonin tim dhe jetët e 26 qytetarëve të vrarë në Gërdec!!! Mendon se të lanë në baltë në përpjekjet dhe rropatjet e tua dyerve të gjykatave, prokurorisë, kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi. Atë drejtësi që rrëshkiste si ngjalë e ikte labirintheve dhe skutave ligjore të lëna enkas pikërisht nga ata politikanë, e pikërisht për të shpëtuar veten e tyre e familjarët e tyre. Nuk arrite ta gjeje. Pas vitit famëkeq për ty dhe gjithë të afërmit tuaj në vitin 2008, pra fiks pas tetë vitesh, duket në një farë mënyre se u dorëzove, edhe pse the se asnjëherë nuk do t’i lije përpjekjet për ta kërkuar të vertetën deri në fund.

Tani, qëndron para ekranit. Dëgjon përgjigjen e kryeministrit Rama se i ka thënë “Jo” futjes së armëve kimike për demontim në Shqipëri dhe reagimit aq të gëzuar të qytetarëve dhe organizatorëve të shoqërisë civile.

E drejtë ajo që mendon për mungesën e organizimit të tyre; por po aq e vërtetë edhe fakti se ti je një grua me zemër të madhe, madje edhe shumë e fortë. Edhe ti personalisht je shumë e kënaqur që të paktën, në një rast, shoqëria civile, qytetarë e të rinj u bënë bashkë për të njëjtën kauzë. Tani mendon realisht: shpresa nuk humb asnjëherë. Ndoshta ku i dihet: aksioni i tyre i radhës mund dhe duhet të jetë rikthimi i drejtësisë për 26 të vrarët e Gërdecit, në një histori të paprecedentë korrupsioni shtetëror.

Nuk do të ketë konsolidim të shoqërisë civile në Shqipëri, nëse nuk do të ketë impenjim real të saj për çështjet e ngritura vit pas viti, secili në fushën e vet, secili në mënyrën e vet. Protesta tre ditore përpara godinës së kryeministrisë dhe në sheshet kryesore të të gjitha qyteteve, të paktën dha një leksion të madh për politikën: duhet mbajtur fjala, pushteti është i popullit. Dhe populli, i gënjyer edhe më parë, ka kërkuar drejtësi. Zamira duhet të mbështetet në këtë moment, për të vërtetën e madhe të Gërdecit.

*Marrë nga Dita