Teuta, zviceranët largojnë Maganin, emërohet Sorrentino

42

teutaKlubi bregdetar do të ketë tashmë një sponsor të ri, i cili do të mbulojë 50% të buxhetit të ekipit duke qenë bashkëpronar me presidentin aktual, Edmond Hasanbelliu. Sponsori i afruar është një kompani zvicerane, “Gea”, i cili do të jetë sponsori i ri i ekipit që mban vendin e dytë në kampionat. Por afrimi i kompanisë pranë klubit ka bërë që të largohet trajneri aktual i skuadrës durrsake, Gugash Magani, kjo pas kërkesës së kompanisë zvicerane ndaj Hasanbelliut për të zëvendësuar trajnerin. Një kërkesë e tillë është pranuar nga presidenti, i cili është ndarë miqësisht me trajnerin aktual. Nga ana tjetër, zviceranët kanë sjellë trajnerin italian, Roberto Sorrentino, i cili pritet të zyrtarizohet të martën. Italiani ka mbërritur në Durrës gjatë mbrëmjes së djeshme. Të hënën do të zyrtarizohet dhe largimi i trajnerit Magani, i cili në këtë rast nuk ikën për shkak të mungesës së rezultateve, por si pasojë e marrëveshjes së bashkëpunimit midis kom- panisë së afruar te Teuta dhe presidentit Hasanbelliu. Magani ka arritur të ndërtojë një ekip që ka prodhuar rezultate pozitive në dy kampionatet e fundit në Superiore. Teuta renditet në vendin e dytë pas Skënderbeut.

Hasanbelliu: Zviceranët e kërkuan si pjesë të marrëveshjes Presidenti i skuadrës së Teutës, Edmond Hasanbelliu do të ketë tashmë edhe një ortak në drejtimin e skuadrës durrsake në kampisti në vijim, pikërisht një kompani zvicerane, e cila do të mbulojë 50% të shpenzimeve në ekip. Afrimi i donatorëve të ri ka sjellë dhe largimin e trajnerit. “Magani nuk është larguar për arsye të rezultateve, të cilat dua të theksoj se kanë qenë pozitive. Donatorët e ri kanë kërkuar në marrëveshje se donin të largonin trajnerin aktual dhe të sillnin një italian, Roberto Sorrentino, i cili ka një eksperiencë dhe formim profesional në Itali. Për mua kjo është një eksperiencë e re që afroj një trajner të huaj dhe nuk e di si do të shkojë. Me Maganin jemi ndarë miqësisht dhe me mirëkuptimin e plotë”, tha Hasanbelliu.

 Magani: U ndamë miqësisht 

Trajneri Gugash Magani ka theksuar dje se është larguar nga Teuta jo me dëshirën e tij, por si pasojë e një marrëveshje të kompanisë që është afruar në ekip dhe presidentit aktual. “Jam larguar jo me dëshirën time dhe jo si pasojë e rezultateve. Me presidenten Hasanbelliu jemi ndarë miqësisht, të cilin e mirëkuptoj, pasi një zgjedhje e tillë ka ardhur si pasojë e një kërkesë nga kompania zvicerane, e cila është afruar në skuadër”, tha Magani.

*Shekulli