Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj doli sot në një prononcim nga selia e PD-së ku akuzoi vetë drejtorin e policisë së qarkut të Durrësit, Alfred Çepe si i përfshirë personalisht në zhdukjen e provave.
Enkelejd Alibeaj: “Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik. Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.
Punonjësit e policisë dhe punonjësit e SHKB-së tregojnë se vetë Drejtori i Policisë se Qarkut Durrës, Alfred Çepe është përfshirë personalisht në operacionin për zhdukjen e provave që implikojnë Taualant Ballën, Artri Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut.
Ministri i Brendshëm është në dijeni të plotë të këtij operacioni, por nuk ka ndërhyrë për ta ndaluar atë. SHKB-ja që varet direkt nga Fatmir Xhafaj, duhet t’i kishte sekuestruar dhe administruar kamerat që provojnë praninë e Taulant Ballës në Fushë Krujë, por nuk e ka bërë këtë për t’i dhënë kohë shkatërrimit të provave. ”
Alibeaj akuzon Ramen se po perdor propagandën me qëllim që të mos zbulohet e vërteta.
“Edi Rama po përdor të gjithë makinerinë e tij të propagandës që askush të mos flasë për denoncimin e oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili përmend me emra mbrojtësit politikë të bandës famëkeqe të Fushë Krujës Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja. Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund ta vërtetojë atë.
Nënkomisari Emiljano Nuhu dëshmoi se Taulant Balla, Rrahman Rraja dhe Artur Bushi kanë qenë në komisariatin e Fushë Krujës për ta kërcënuar pasi kishte marrë kallëzimin e shtetases Xhisiela Maloku ndaj djalit të deputetit të PS, Rrahman Rrahja, Rexhep Rraja.
Aktualisht Rexhep Rraja ndodhet ne masen e arrestit burg per akuzen e perndjekjes.