Artikullin e sotëm albaniaplus ja kushton 45 vjeçarit, Adnan Rexhepi. I lindur në Preshevë dhe i rritur mes vendlindjes, Prishtinës dhe Brukselit. Pikërisht në kryeqytetin kosovar ku ka kaluar rininë e hershme, Rexhepi është diplomuar për Pedagogji. Por jeta do i vinte e tille saqë nuk do qëndronte gjatë në Prishtinë. Pak vite më vonë do gjendej në Belgjikë ku do të vendosej në qytetin e Namurit ku edhe është punësuar si indipendent në drejtimin e një ndërmarrje biznesi. Njëkohësisht 45-vjeçari shqiptar është angazhuar si bashkëpunëtor në Kabinetin e Ministrit Maxime Prevot. Por ajo që vlen të përmendet është angazhimi i tij me komunitetin tonë. Për vite me radhë preokupimet e tij në ndihmë të komunitetit shqiptar janë të shumta. Vlen të theksohen drejtimi i shoqatës “Nënë Tereza” Namur, si dhe mundësimi i rihapjes dhe funksionimit normal të shkollës plotësuese shqipe “Faik Konica”, po në të njëjtin qytet. Po kështu si vlerë primare është organizimi dhe drejtimi i një zyrë konsulencë për bashkatdhetarët. “Kam të hapur dhe funksionale, një zyrë për ndihmë dhe asistencë teknike ose juridike, për gjithë bashkatdhetarët tanë, në raport me institucionet lokale këtu”, pohon vetë Rexhepi gjatë një prononcimi për Albaniaplus. Ndërsa duke prezantuar vetën, vazhdon më tej: “Jam i martuar me tre fëmijë, dhe banoj në Vedrin, Namur”. Në fund Rexhepi nuk harron të falënderoj medien Albaniaplus për mundësimin e këtij artikulli: “Duke ju falënderuar përzemërsisht, për rolin dhe ndihmën që po u jepni secilit kandidat, për të shpalosur idetë dhe programet e tyre, Albaniaplus, ju lutem pranoni falënderimet dhe përshëndetjet e mija të përzemërta.
I siguroj se te unë, nuk do kenë kundërshtarin tipik partiak që rëndom shohim në fushata elektorale. Përkundrazi një bashkatdhetar që gëzohet për suksesin e çdo bashkëkombësi, pavarësisht ngjyrës partiake. Personalisht më intereson më shumë se asgjë, ndihma dhe mbështetja pa kufi e gjithë komunitetit Shqiptar të Namurit. Prandaj jam i vendosur dhe i gjithëpërfshirë mes jush gjatë gjithë kohës, e jo vetëm në fushatë elektorale. Mbetem më i vendosur se kurrë, ta mbrojmë dhe ta çojmë më përpara kauzën tonë. Ju ftoj të nderuar bashkëkombës të votoni masivisht, për të bërë të mundur të kemi një fitues dinjitoz, përfaqësues të komunitetit tonë në zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë së bashku për një Komunitet Shqiptar të fortë! Me respekt Adnan Rexhepi”.