Luftë korrupsionit duke konfisuar pronat dhe pasuritë e politikanëve

50

ekspertetEkspertë për Ballkanin në Uashington shprehen se, lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta.

“Zëri i Amerikës” ndoqi një diskutim të zhvilluar në Fondacionin “Heritage” mbi zbatimin e ligjit në Evropën Juglindore dhe bisedoi me disa prej ekspertëve. Mes pjesëmarrësve në diskutim ishte dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Edwin Meese.

Meese, i cili shërbeu si shefi i Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit Reagan, foli për rëndësinë e ndarjes së pushteteve, duke nënvizuar se shteti ka për detyrë të mbrojë qytetarët jo vetëm nga interesa të huaja dhe individë privatë që mund të cenojnë liritë dhe sigurinë e tyre, por dhe nga elementë të vetë institucioneve shtetërore.

“Funksioni kryesor i shtetit është ruajtja e lirive dhe e sigurisë së qytetarëve si ndaj forcave të huaja që do të rrezikonin sigurinë kombëtare ashtu dhe duke garantuar zbatimin e shtetit ligjor në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.”

Meese tha se një nga liritë kryesore të individit, liria ekonomike, cenohet kur përmes krimit dhe korrupsionit persona të ndryshëm nuk lejojnë që njerëzit të veprojnë dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë.

Duke e trajtuar temën e krimit ekonomik dhe korrupsionit në Evropën Juglindore më në thellësi, Natasha Srdoc, bashkëthemeluese dhe kryetare e Institutit të Adriatikut, përmendi rastin e skandalit të Bankës ndërkombëtare Hypo Alpe Adria. Ky skandal financiar në miliarda euro, tha ajo,  që përfshin banka të disa shteteve si Gjermania, Austria, Kroacia dhe Lihtenshtejni, është shembull i ndërthurjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit politik që ekziston në Evropën Juglindore. Studiuesja Srdoc i tha Zërit të Amerikës se sheh mungesën e pavarësisë së gjyqësorit në vendet e rajonit të Ballkanit si shkak kryesor të korrupsionit.

 “Kemi korrupsion politik pasi nuk kemi gjyqësor të pavarur, nuk kemi shtet ligjor. Kjo është arsyeja që në vendet e Evropës Juglindore kemi korrupsion dhe që problemi nuk po zgjidhet. Ajo që unë shoh si zgjidhje është marrja e gjykatësve dhe prokurorëve të huaj, që vijnë nga vende me shtet ligjor të fortë. Kjo do të bënte që gjykatësit e ndershëm vendas të dilnin në pah. Ata gjenden në sistemin gjyqësor por kërcënohen dhe nuk u jepen çështje që do të kompromentonin ndokënd, pra nuk mund ta bëjnë punën me ndershmëri. Por duke sjellë një gjyqësor të pavarur nga jashtë me anë të ekspertëve të huaj do të mund të kishim gjykatës të ndershëm çka do të inkurajonte ndarjen e pushteteve, pra një gjyqësor të pavarur.”

Rëndësinë e pranisë së personave të ndershëm në sistem e theksoi gjithashtu gjykatësi Henry William Saad i Gjykatës së Apelit të Miçiganit. Duke cituar presidentin e katërt amerikan James Madison, që cilësohet dhe si autori kryesor i Kushtetutës Amerikane, zoti Saad tha se është themelor edukimi i njerëzve mbi rëndësinë e shtetit ligjor dhe përfshirja në institucione e personave që duan të veprojnë në mënyrë të drejtë.

“Për të pasur një gjyqësor të pavarur që zbaton shtetin ligjor, duhet të kesh gjithashtu njerëz në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të cilët e respektojnë atë sistem. Kjo do të thotë që ata të respektojnë njëri-tjetrin, të kuptojnë që disa persona miratojnë ligje e të tjerë duhet t’i interpretojnë ato. Kur ka mosmarrëveshje mes partive, të gjithë duhet t’i nënshtrohen të njëjtave ligje që zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj tyre.”

Joel Anand Samy i Institutit të Adriatikut tha se mosrespektimi i shtetit ligjor në vendet e Evropës Lindore është në themel dhe të shumë problemeve ekonomike. Ai u tregoi të pranishmëve rreth një bisede vite më parë me laureatin e Çmimit Nobel në Ekonomi Milton Friedman, i cili duke folur për Rusinë ishte shprehur se kishte qenë gabim të mendohej se pas komunizmit institucionet demokratike dhe zbatimi i shtetit ligjor do të vinin natyrshëm.

“Milton Friedman tha se ata gabuan duke insistuar me termat: privatizim, privatizim, privatizim. Sipas tij duhej insistuar me: shteti ligjor, shteti ligjor, shteti ligjor,” tha zoti Anand Samy.

Natasha Srdoc thotë se një mënyrë konkrete për të zbatuar shtetin ligjor në të tashmen është konfiskimi i pasurive të paligjshme.

“Ajo që duhet bërë, sa i përket korrupsionit në rajon, është konfiskimi i pasurive të paligjshme. Duhet të konfiskojmë të gjitha pronat dhe pasuritë e paligjshme që politikanët kanë grumbulluar që nga viti 1991 ose më herët. Për këto konfiskime duhet të mjaftojë vetëm fakti që ata nuk janë në gjendje të vërtetojnë që i kanë fituar këto pasuri në mënyrë të ligjshme, përmes rrogës apo mënyrave të tjera të rregullta. Pra nuk duhet të ketë nevojë për të vërtetuar korrupsionin, pasi është diçka shumë e vështirë për t’u vërtetuar, por vetëm fakti që dikush ka pasuri që kalojnë kaq shumë mundësitë e të ardhurave të tij duhet të mjaftojë për të konfiskuar këto prona e pasuri.”

Në konferencën e organizuar nga Instituti i Adriatikut në bashkëpunim me Fondacionin Heritage, në mjediset e të cilit ky aktivitet u zhvillua, pjesëmarrësit shprehën mendimin e tyre dhe mbi veçoritë e sistemit politik amerikan. Sipas tyre një element thelbësor i tij është parimi i sovranitetit të padiskutueshëm të popullit mbi qeverinë: “We the people…”.