Ceremonia e nënshkrimit, u zhvillua nën praninë e Kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, Ministrit turk të Punëve Europiane Egemen Bağiš dhe Ambasadorëve të Shteteve Anëtare të BE-së, në Turqi.
“Sot, është një ditë me rëndësi historike. Bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe Turqisë, ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ne kemi nisur dy iniciativa paralele, të cilat do të përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Europian dhe do të sjellin përfitime për qytetarët e tyre. Shpresoj që, Marrëveshja e Ripranimit do të ratifikohet tani, nga të dy palët pa vonesa dhe se dialogu i liberalizimit të vizave, do të bëjë të mundur së shpejti, regjistrimin e një përparimi thelbësor”,- ka deklaruar Komisonerja Malmström.
Objektivi kryesor i Marrëveshjes së Ripranimit është krijimi mbi bazën e reciprocitetit, të procedurave për ripranim të shpejtë dhe të rregullt, nga secila palë, të personave që kanë hyrë ose banojnë në territorin e palës tjetër, në mënyrë të parregullt.
Marrëveshja pritet t’i dërgohet Këshillit të BE-së, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Kombëtare turke, për ratifikim.
Ndërsa synimi i hapjes së dialogut mbi liberalizimin e vizave BE-Turqi, është përparimi drejt eliminimit të detyrimit të vizave, që iu imponohet për momentin qytetarëve turk, që udhëtojnë në zonën Shengen.
Dialogu mbi liberalizimin e vizave, do të konsistojë kryesisht në një ekzaminim të legjislacionit turk dhe praktikave administrative, që do të aprovohet nga Komisioni, mbi bazën e një dokumenti të quajtur: “ Udhërrëfyesi drejt regjimit të lirë të vizave me Turqinë”.
Ndër kërkesat, që renditen në këtë dokument janë: nevoja për zbatim të plotë dhe efikas të Marrëveshjes së Ripranimit; menaxhimi i kufijve dhe politikave të vizave në mënyrë që të parandalohet në mënyrë efikase migrimi i paligjshëm; pasja e dokumenteve të sigurta të udhëtimit; krijimi i sistemeve të migrimit dhe azilit në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare; pasja e strukturave funksionuese për luftimin e krimit të organizuar me fokus mbi kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore; zbatimi i formave të duhura të bashkëpunimit policor dhe juridik me Shtetet Anëtare të BE-së dhe Komunitetin Ndërkombëtar dhe respektimi i të drejtave themelore të qytetarëve dhe të huajve me një vëmendje specifike ndaj personave, që i përkasin minoriteteve dhe kategorive në nevojë.
Pasi Komisioni të vlerësojë, se të gjithë kërkesat e renditura në udhërrëfyes janë plotësuar dhe pasi të ketë prezantuar propozimin e tij për amendim, ky propozim do të kalojë për votim me shumicë të cilësuar nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian.
Procedura nuk specifikon një afat kohor, por gjithçka do të varet nga vullneti politik i Turqisë në përmbushjen e kritereve të vendosura./i.t/
.