Sipas Jaupllarit kjo do të ndodhë nëpërmet pullifikimit konçesionar si pasojë e një kontrate të qeverisë shqiptare me një kompani konçensionare të përcaktuar në ligjin e barnave për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale të barnave.
“Qeveria në ikje po i lë edhe pa barna shqiptarët. Shumë prapësira ju bënë sistemit farmaceutik pas vitit 2005 në lidhje me barnat, por dhe shërbimit farmaceutik. Së fundi po ia heqin fare barnat, sigurisht edhe shërbimin, sepse sistemi nuk ka kuptim pa të dy. Këtë duan ta realizojnë nëpërmet pullifikimit konçesionar.
Nëpërmjet këtij komunikimi me ju, ne japim alarmin se ky proces ka filluar që sot. Nëpërmjet një shkrese zyrtare të Ministrisë së Financave dërguar QKKB, e cila urdhërohet të mos japë më pulla për importimin e barnave, sepse prodhimi dhe emetimi i tyre do të bëhet nga konçesionari dhe do të vendosen nga prodhuesi në vendin e origjinës së barit”.
Jaupllari më pas numëron shkaqet që sipas tij do të shkaktojnë mungesën e barnave tek shqiptarët.
“Shkaqet që shqiptarët do të mbeten pa barna janë:
1. Kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë konçensionare të përcaktuar në ligjin e barnave për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale të barnave. Rast unikal në botë.
2. Mospranimi i kompanive prodhuese të huaja lidhur me manipulimin shtesë për vendosjen e pullës shqiptare të barnave nga ana e tyre.
3. Mospranimi nga importuesit e barnave në vendin tonë të burokracive të panevojshme për importimin e barnave.
4. Mosmiratimi e një vendimi qeverie për përjashtimet e mundëshme në këtë proces apriori.
5. Mostërheqja e mendimit të aktorëve të sistemit në ndërmarrjen e kësaj reforme pullëzimi, si dhe mospërfillja e kundërshimeve të bëra nga ana jonë.
Pasojat e këtij procesi për konsumatorët e barnave dhe sistemin në tërësi do t’i rendisnim si më poshtë:
1. Mbetjen e tregut farmaceutik pa barna dhe shqiptarëve pa trajtimin e domosdoshëm me to.
2. Rritje të çmimit të barnave, për shkak të kostos së lartë të kësaj pulle, sidomos për alternativat e para të barnave të listës së rimbursimit.
3. Ndryshim të çmimeve në Listën e Barnave të Rimbursueshme dhe miratimin e një liste të re barnash me ndryshimet përkatëse.
4. Ndryshimin e çmimit të barnave të tenderuara dhe ribërjen e kontratave nga e para.
5. Kaos total në sistemin farmaceutik dhe përballje të farmacistëve me pacientët për çmimet e ndryshme të barnave midis pullave ekzistuese nga të rejat për të njëjin bar.
6. Asgjë të re në lidhje me sigurinë e barnave, sepse pulla ekzistuese i plotëson më së miri ato.
7. Asgjë të re për ISKSH, përveç rritjes së shpenzimeve të buxhetit, sepse në shkelje flagrante të ligjit, i cili e percakton si pullë dyfishe, është katandisur rrugës së gjatë dyvjeçare në pullë njëfishe. Vetëm ky argument do të mjaftonte për ta bërë nul këtë proces të pullës së turpit të përfitimit koncensionar”.