Gjithashtu ai ka bërë të doitur se të paktën 4 herë të tjera ka pasur incidente me natyrë etnike, pasi në muret e Muzeut janë shkruar parulla me përmbajtje antishqiptare, por drejtori Hoxhaj thekson se incidenti i fundit përcjell një mesazh shumë të keq, pasi 24 maji shënon ditën e Shën Cirilit dhe Metodit, festë shtetërore në Maqedoni e arsimit të popujve sllavë.
Pas ngjarjes është ngritur një komision për vlerësimin e dëmit, ndërsa drejtuesit e Muzeut premtojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, pasi dokumentat e dëmtuar janë të ruajtura në formë elektronike e mund të riprodhohen. Ndërkaq ka nisur hetimi për çështjen, por autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.
Ndërkohë edhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke shprehur indinjatën e thellë për dëmtimin që i është bërë Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. PDIU i bën thirrje qeverisë maqedonase të nxjerrë menjeherë përgjegjësit vandalë para drejtësisë si dhe të marrë sa më shpejt masa për meremetimin e saj dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme.
“Ky është një cënim i rëndë që i bëhet trashëgimisë historike dhe shpirtërore shqiptare pasi ngjarja që ky muze shënon, pra Kongresi i Manastirit është një ndër etapat më të lavdishme të historisë së Shqipërisë dhe gëzon vend të veçantë në çdo zemër shqiptari. Duket qartazi që ky akt ka në sfond urrejtjen anti-shqiptare dhe motivohet nga përpjekjet sllave për të fshirë përkatësinë etnike të qyteteti shqiptar të Manastirit. PDIU i bën thirrje qeverisë maqedonase të nxjerrë menjeherë përgjegjësit vandalë para drejtësisë si dhe të marrë sa më shpejt masa për meremetimin e saj dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu ne i bëjmë thirrje edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të kërkojë sqarime të mëtejshme për ngjarjen e rëndë dhe të bëj presion në mënyrë që trashëgimia kulturore shqiptare të jetë sa më e mbrojtur dhe të tilla raste të parandalohen në të ardhmen.”- thuhet në deklaratën e PDIU-së.